Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ç’zemër ke, të butë apo të ngurtë?

“Në trupin e njeriut është një organ, kur ai është i mirë (shëndoshë), i shëndoshë është tërë trupi, kur prishet, prishet tërë trupi. Ai (organ) është zemra.” – Hadith:Buhariu “Zemra nuk është thjesht copë mishi, jo! Është vatër e brendisë sate!” Ti njeri e do jetën. Por e do atë të jetë e qetë dhe e begatshme. Ti e urren errësirën, e urren ngurtësinë, e do dritën, e do butësinë. Po, por ti njeri ke harruar se ke një copë mishi, e cila s’është si asnjë pjesë tjetër e trupit tënd. Është qendra e trupit tënd. Ty të shpërndan gjak, të frymëzon jetë! “Edhe pas (fakteve të qarta) zemrat tuaja u bënë pasandej të forta si guri, e edhe më të forta, sepse ka nga gurët prej të cilëve gufojnë lumenj, e ka disa prej tyre që çahen dhe prej tyre buron ujë, madje ka prej tyre që nga frika ndaj Zotit rrokullisen tatëpjetë (nga maja e kodrës). All-llahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju.” – Kur’an, 2:74 Po ç’bëhet me atë zemër, që ty po ta vështirëson jetën, po ta ngurtëson atë, e po të bën të pajetë! A nuk je ai që lehtësinë e butësinë do, ndërsa urren vështirësinë e ngurtësinë. Nëse po, dije se, zemrën qendër e ke, e ti përgjegjës i saj je! Aty, brenda qendrës, ke fshehtësitë. Lum ai që zemra i sheh, i dëgjon e i kupton dhe jetë i jep, që poseduesi i saj i vetëdijshëm e i gjallë të jetë! Zemrën burim ke, ajo është përgjegjëse përbrenda teje, dhe ajo është shkaktare për ndijimet dhe përfytyrimet e tua ndaj të jashtmes suaj! Po, ke pyetur vallë, ç’zemër ke, të butë apo të ngurtë? E ke kuptuar nëse zemra e butë vepron, apo ngurtësia e saj çfarë vepron. Dije o njeri, ti që ende s’je përcaktuar për zemrën që ke, se ka zemra që janë të buta, të ndjeshme, të hapura, të pastra, por vepruese s’janë; të mirën e do, por nuk nxit veprimin, të pastrën e do, por nuk nxit të jetohet në pastërti! Siç ka zemra të ngurta - e mjerë për atë që është përcaktuar për këtë lloj zemre, që janë të mbyllura, të pandjeshme, dhe për çudi, kjo zemër vepruese qoftë apo jo, poseduesin e saj të shurdhët, të verbët e memec e bën! Zot na ruaj nga gjendja, gjendje e njeriut me zemër të ngurtë! Ti njeri zemërgurë, mos vallë je më i fuqishëm e më pa i ndjeshëm se vetë kodrat! E më i lartë se majat e shkëmbinjve! Apo më e thellë se thellësitë e maleve! Uji ngulmon e depërton në majat e shkëmbinjve, zhytet fuqishëm në thellësitë e kodrave, lëvizë e nuk e ndalë dot asgjë, gjithçka prek, çan, ndërsa ty njeri zemërgurë nuk po të zbut copën e mishit; vatrës së brendisë sate nuk po ta jetëson! Mos vallë ke harruar se zemra është më tepër se copë mishi; me tepër se lëvizës gjaku! Është vatër ndjenjash, është vatër e brendisë sate! Një vatër gur, jetën gur ta bën – nuk ndjen, nuk lëviz, jetë nuk ke! Jo, zemër e fortë, e me ngurtësinë e saj qenka më e pathyeshme se kodrat vet! Ty uji i pastër të vjen, sepse kodra e pastroi, por ti përbuzë ujin që pi! Ujë që ty jetë materiale e shpirtërore të jep; zemra materiale ujitet me ujë të pastër, e zemra shpirtërore, ujitet me udhëzimin e Zotit tënd që ty zemrën ta krijoi, e ti e mbylle atë për këtë ujë! Po, ky lloj njerëzish janë të dobët, të ngutshëm, e dinë të jenë të ngurtë, e të pa ndjeshëm! Po ti më mirë gur të ishe, të paktën i dobishëm të ishe: njerëzve ujë të pastër t’u jepje! Po ti të vërtetën e fsheh, të pastrën e ndytë, të bukurën e shëmton! Jo por këtij njeriu po s’ia zbuti zemrën uji i udhëzimit hyjnor në këtë jetë, do të ndodh Jetën Tjetër; a nuk është zjarri i ndezur fortë i Xhehenemit, lëndë e së cilës janë njerëzit (e këtillë) dhe gurët! Po zemra e butë, përkundër butësisë, ndjeshmërisë, të qenët e hapur, ajo nuk komunikon me të jashtmen e njeriut! Ashtu e heshtur rri. Sikur poseduesi i saj të ishte i verbët, i shurdhët e memec. Jo, po zemra e tij është e paaftë! Nuk kupton. Gjithsesi njeriu është përgjegjës për qendrën e vet. O ti njeri zemërbutë, që ndryshe thirresh zemërmirë, po nuk e mbushe me dije, me aftësi, e me energji, që ajo të dijë të veprojë e ty të të bëj të lëvizshëm e veprues, ti jetë të gjallë s’mund të bësh! Ti ndjen, por nuk e shpreh. Ti mendon, por nuk vepron. Ti sheh e dëgjon, por zemra nuk furnizohet, e varfër mbetet. Jo, po ty trupi të është rënduar. Madje edhe truri të është i tepërt. Ti di vetëm me gjuhë të flasësh, e me duar të bësh gjeste, e me këmbë të lëvizësh, por gjithçka thua, bën a lëvizë, janë hijezime të një zemre të pajetë. Mos u kreno për zemër të butë që ke! Edhe njeriu kur në gjumë është, i butë është; as i dobishëm e as i padobishëm nuk është. Ti keq ndoshta nuk bën, por edhe mirë jo! Ti quan vepra të mira, kur të keqen të tjerëve nuk ia dëshiron. Po ajo zemër që ke, nuk pretendon gjë. As për mirë e as për keq. Zemër e butë, por e pajetë. Por le ta dijë zemra e sëmurë, qoftë e ngurtë apo e butë pajetë, se do të vijë një ditë, e ajo është Dita e Gjykimit, ku asgjë s’do të bëjë dobi, veçse zemrës së shëndoshë:“Ditë kur nuk bën dobi as malli e as fëmijët, (bën dobi) vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë.” – Kur’an, 26 : 88,89. O Allah, mos na i lako zemrat, pasi që i udhëzove, na forco në rrugën Tënde e mos lejo që zemrat tona të ngurtësohen, e as të buta por të pajeta! Por zemra të shëndosha...