Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Dhelpra, mbreti i pyllit

Dhelpra, mbreti i pyllit!

Luani, mbreti i pyllit, atë ditë kishte dalë për gjah në mbretërinë e tij e cila shtrihej tutje në horizont. Rrugës, i doli para syve një dhelpër fatkeqe, të cilën e mbërtheu menjëherë me putrat e tij të fuqishme. Fundi i dhelprës së gjorë ishte përcaktuar që në çastin që e pikasi luani, vdekja e sigurt. Megjithëse ishte në putrat e fuqishme të mbretit, dhelpra mendoi për ndonjë hile e cila mund ti shpëtonte jetën në ato çaste vendimtare.
Me një vendosmëri mbresëlënëse dhe një zë të prerë, dhelpra i tha:”Si guxon ti luan të më vrasësh mua?!”
Luani që po bëhej gati ta shqyejë dhelprën, u çudit nga këto fjalë dhe ky ton zëri. I befasuar, e pyeti:”E përse moj dhelpër?! Kush je ti që nuk u dashka të shndërrohesh në vaktin tim të radhës?!”
Dhelpra e ngriti zërin më tepër dhe me një arrogancë të çuditshme iu përgjigj menjëherë:”Në fakt, Zoti mua ma besoi mbretërinë e pyllit! Pra, unë jam mbreti i të gjitha kafshëve! E nëse më shqyen mua, ti ke dalë haptazi kundër vullnetit të Zotit. E dije këtë luan efendi?”
Duke parë shenja hutimi dhe pështjellimi, dhelpra, pa pritur fare përgjigje nga luani i tha:”Më mirë, më lejo të ta vërtetoj edhe praktikisht këtë që sapo të thashë! Hajde të shëtisim bashkë në pyll, unë para e ti më ndiq nga pas. Rrugës, do ta shohësh me sytë e tu sa shumë ma kanë frikën të gjitha kafshët.”
Luani, uli kokën dhe pasi u mendua pak i tha:”Mirë moj dhelpër, meqë qenka kështu, na e provo!”
Dhelpra u nis para luanit, i cili i shkonte pas. Ajo krekosej dhe frynte gjoksin teksa ecte mes pyllit. Kafshët që e shihnin luanin pas saj, ia jepnin vrapit me të katra nga paniku që i mbërthente. Sa herë që i shihte kafshët duke marrë arratinë, dhelpra kthente kokën nga luani, si për ti thënë:”E shikon miku im? E shikon që mua më njohin për mbretin e pyllit dhe mua ma kanë frikën?”
Pasi i ranë pyllit kryq e tërthor, dhelpra, duke fryrë gjoksin dhe duke u mburrur, i tha:”Besoj tashmë me kuptove që fjalët e mia të mëparshme, ishin me vend, apo jo? Ç’më thua pas gjithë kësaj që të panë sytë?”
Luani tundi kokën në shenjë pohimi dhe u përgjigj:”Po, kishe të drejtë. Ti qenke mbreti i vërtetë i pyllit.”
Urtësia:
Më e rëndësishme se idetë, është guximi për tu shkuar gjer në fund. Sa ide të mrekullueshme nuk e kanë parë dritën e diellit, për shkak të frikës së personave që i propozonin!