Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

I verberi dhe hajduti

Tregohet se një herë e një kohë, në Egjiptin e lashtë jetonte një burrë i verbër, por shumë i zgjuar, i ditur dhe i mençur. Ai jetonte i qetë dhe në paqe në shtëpinë e tij të bukur, pas të cilës ishte dhe një bahçe me pemë.
Një ditë, i verbri merr pasuritë që kishte mbledhur dhe del në bahçen e tij të bukur dhe plot pemë. Ai ulet pranë një peme që e pelqente shumë dhe tek trungu i saj fillon të gërmojë. Pasi hapi një gropë të konsiderueshme, ai groposi florinjtë e tij dhe u largua.
Pasi kishin kaluar disa muaj, i verbëri shkon tek pema e tij e preferuar dhe gërmon tek vendi ku kishte fshehur florinjtë, por nuk i gjen aty.
Dikush e kishte vënë re dhe ia kishte marrë.
Kush mund të ishte ky person?
Pasi u mendua gjerë e gjatë, me vete tha:”Nuk ka kush të jetë tjetër përveç fqinjit tim delenxhi dhe mashtrues. Ai mund të më ketë vënë re teksa i groposja florinjtë dhe pasi jam larguar ka ardhur dhe i ka marrë.”
Ai u nis për tek shtëpia e fqinjit të tij mashtrues dhe të lig dhe pasi e përshëndeti i tha:”O fqinji im! Kam ardhur për një hall dhe dua këshillën tënde!”
Fqinji i tij drejtoi trupin dhe pasi shtrëngoi qafën sa djathtas majtas, i tha:”Më pyet çfarë të duash se nuk do të gjesh këshillë më të sinqertë se ajo e fqinjit tënd!”
I verbri i mençur i tha:”Sot kam fituar para të madhe, kushedi sa monedha floriri janë. Dua të marr mendimin tënd, nëse duhet t’ia jap një personi të besës që të mi ruajë, apo ti fsheh diku në bahçen time?”
Fqinji mashtrues dhe hajdut tundi kokën dhe me vete mendoi:”Ky do ti groposë në të njëjtin vend ku groposi florinjtë e parë që ia vodha unë.”
Pastaj i tha:”Jo fqinji im i mirë! T’ia japësh florinjtë një personi tjetër është diçka e rrezikshme me këto kohë që jetojmë. Më mirë groposi tek bahçeja jote, në një vend që vetëm ti e di. Kështu i ke më të sigurta florinjtë.”
Pasi i verbëri e falënderoi për këtë këshillë të sinqertë, i tha:”Ke të drejtë. Nesër do ta gropos në bahçen time bashkë me florinjtë e tjerë.”
Pasi i verbëri u largua, fqinji hajdut kaloi gardhin dhe pasi hyri në bahçen e të verbërit i ktheu të gjitha florinjtë që i kishte vjedhur, duke i groposur në të njëjtin vend. Teksa i groposte në tokë, u thoshte florinjve:”Nesër do tu marr sërish por mos u bëni merak! Madje do të jeni në shoqërinë e shumë verdhushkave të tjera!” Pasi doli sërish jashtë, priti gjatë derisa i verbëri të kthehej tek vendi dhe të groposte verdhushkat e tjera.
I verbëri vajti tek pema dhe pasi gërmoi tek vendi i duhur, i mori florinjtë dhe u largua. Nga ana e tij, fqinji hajdut i ndiqte të gjitha lëvizjet e tij, por mendonte se shtoi dhe florinjtë e sapofituara.
Natën vonë, ai hyri në bahçen e të verbërit dhe shkoi tek pema i ekzaltuar për fatin që e priste. Por... nuk gjeti veçse një gropë boshe dhe një letër në të cilën shkruhej:” Kushdo që me mençuri dhe urtësi mendon, një delenxhi dhe hajdut kurrë dot se mashtron!”