Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Koncepti i jetës sipas Kuranit fisnik

Nga aspekti qytetërimor, ne po jetojmë një periudhë shumë delikate, të rrezikshme dhe të vështirë. Ne po përjetojmë atë për të cilën profeti ynë, Muhamed Mustafaja a.s ka thënë:”Është e afërt ajo kohë kur kombet e ndryshme t’ju vërsulen siç i vërsulen të babëziturit tenxheres me ushqim.” (Ebu Daud)

Ky hadith dhe tjetri që e përshkruan umetin tonë si shkuma e rrëkeve, përcaktojnë konturet e një aktualiteti, ashtu siç përcaktojnë dhe daljen prej tij. Ato diagnostikojnë sëmundjen e cila konsiston në ligështinë e umetit, por caktojnë dhe ilaçin, diagnostikojnë sëmundjen e cila konsiston në dhënien pas jetës së kësaj bote dhe urrejtjen e vdekjes, por përshkruan dhe ilaçin. Thotë Zoti në Kuran:”Kur ju goditi fatkeqësia, ndërkohë ju i kishit goditur më parë armiqtë tuaj dyfish, ju thatë: “Prej nga na erdhi neve kjo?!” Thuaj (o Muhamed): “Kjo ndodhi prej jush”. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Al Imran, 165)

Ky ajet sinjalizon pikërisht këtë që sapo thamë më lart. Zgjedha që jomyslimanët kanë vendosur ndaj myslimanëve, është pikërisht si sprovë dhe ndëshkim për neglizhimin dhe indiferentizmin e myslimanëve. Umeti ynë është prezantuar para njerëzimit me Kuranin fisnik, me të cilin u dalluam dhe u njohëm si njerëzit më të mirë, me të hymë në histori dhe i ofruam njerëzimit kontributin tonë. Mos vallë ky është vendi dhe realiteti që përkon me madhështinë e këtij libri?!

Degjenerimi i perceptimit për shkak të degjenerimit të aktualitetit

Cili është shkaku i qëndrimit të umetit në vend numëro, duke anashkaluar rolin e dëshmisë për njerëzimin? Cili është shkaku i ndryshimit të tij, nga dëshmitar në të dëshmuar? Padyshim që një defekt dhe avari ka ndodhur në raportin e umetit me Kuranin. Fjalët e Zotit në Kuran përcjellin koncepte të ndryshme, të cilat në tërësi përbëjnë tablonë dhe imazhin e plotë të islamit.

Nuk mund ta kuptosh islamin nëse nuk kupton elementët e tij përbërës, të cilët të çojnë në të kuptuarin tërësor dhe holistik. Nuk mund të prodhojmë një aktualitet tjetër, pa prodhuar më parë një perceptim korrekt dhe të qartë se si duhet të jetë ky aktualitet.

Ne jemi dëshmitarë të keqkuptimit dhe keq perceptimit të koncepteve që përcillen nëpërmjet ajeteve kuranore. Momentalisht kemi nevojë urgjente për një ripërtëritje të perceptimit dhe qasjes ndaj pasazheve të Kuranit. Vallë, çfarë kërkon prej nesh Zoti i lartësuar, në nivel individual, organizacional dhe në nivel umeti?



Termi “jetë” në librin e Zotit

Ky term përmban dy perceptime të ndryshme në Kuran.

a) Perceptimi afetar për jetën, i cili është një perceptim dhe konceptim vetëm për jetën e kësaj bote. Ai nuk sheh para dhe as pas jetës së kësaj bote.

Veç jetës dhe gjallesave që shihen, ekzistojnë dhe jetë e gjallesa të tjera të cilat nuk mund të shihen. Është pikërisht ky perceptim të cilin nënkupton pasazhi i Kuranit, ku Zoti i lartësuar thotë:” Ata thonë: “Nuk ka tjetër veç jetës së kësaj bote, vdesim e jetojmë dhe vetëm koha na shkatërron”. Ata nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë, ata vetëm hamendësojnë ashtu.” (Xhathije, 24)

Këtu, jeta është kufizuar vetëm në caqet e kësaj bote, pa marrë parasysh çka qenë para saj dhe as çfarë do të ndodhë pas saj. Ky është botëkuptimi i jobesimtarëve për jetën e kësaj bote, mbi të cilin bazohen të gjithë veprat dhe aktivitetet e tyre. Prandaj, Zoti ua njeh dhe konfirmon faktin që ata janë të ditur, por kanë vetëm dijet e kufizuara të kësaj bote. “Ata dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të pakujdesshëm.” (Rum, 7)

Ky lloj perceptimi afetar, ka rezultuar me një varg sjelljesh dhe veprash të cilat tregojnë lidhjen e ngushtë mes perceptimit dhe sjelljes, siç është dashuria pas kësaj bote, rendja pa kriter pas kënaqësive të saj, të kënaqurit me të cilido qoftë çmimi që duhet paguar etj...

Shumë nga modelet e sjelljeve që Zoti ua atribuon jobesimtarëve, nuk ua njeh besimtarëve, pasi janë gjëra që rrjedhin nga perceptimi për jetën. Kur njeriu niset nga besimi se nuk ka jetë tjetër përveç kësaj jete, padyshim që do bëjë çmos që ta shfrytëzojë atë në maksimum pa pyetur për mënyrën. Një person i tillë nuk pranon ti sakrifikojë kënaqësitë e kësaj bote, pasi nuk beson në shpërblim dhe kënaqësi të tjera. Si mund të heqë dorë nga këto kënaqësi, ndërkohë që ai nuk i beson diçkaje tjetër më të mirë, apo qoftë dhe ekuivalente? Prandaj, ai preferon vezën e sotme ndaj pulës së nesërme, të cilës në fakt nuk i beson.

Perceptimi fetar për jetën. Ai është një perceptim tjetër i jetës, asaj jete e cila shtrihet pafundësisht si në kohë, ashtu dhe mes krijesash të tjera. Jeta e krijesave mbi tokë, nuk shtrihet vetem tek ato krijesa që shihen dhe konstatohen, pasi ekzistojnë edhe krijesa të tjera të cilat ushtrojnë ndikimin e tyre në jetë. Janë pikërisht ato krijesa të cilat kontrollojnë dhe merren me mbarëvajtjen e jetës tonë. Le të shohim çfarë thotë Kurani:” Ne e kemi krijuar njeriun dhe, Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet. Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta, dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf, 16-18)

Thotë profeti Muhamed a.s:”Është rënduar qielli e ka të drejtë të rëndohet. Në çdo pëllëmbë vend, gjendet një melek me kokë në sexhde.” (Tirmidhij)

Ekzistojnë shumë krijesa të tjera përreth nesh, të cilave u është besuar përkujdesi dhe garantimi i sigurisë tonë dhe i gjithçkaje tjetër në univers, siguri të cilën ne nuk vetë mund ta garantojmë.

Thotë Zoti në Kuran:” Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori!” (Bekare, 255)

Zoti ka krijuar dhe caktuar “ushtarë” të cilët ruajnë dhe sigurojnë qiejt dhe tokën.

Besimi ynë në ekzistencën e gjallesave të tjera përkrah nesh, të cilat nuk i nënshtrohen shqisave tona, është pjesë e thelbit të perceptimit tonë rreth jetës së kësaj bote. Kur njeriu e percepton veten si krijesën e vetme në univers, ka një sjellje të caktuar, e kur e percepton veten se është një prej shumë krijesave të tjera, do të ketë sjellje tjetër të ndryshme me të parën. Atëherë, çfarë ndodh pas vdekjes? A është e vërtetë se me vdekjen përfundon gjithçka për njeriun? A ekziston vdekja në kuptimin e shuarjes së gjithçkaje?



Thelbi i vdekjes në perceptimin fetar

Në thelb, vdekja nuk është gjë tjetër veçse “ndarje” mes dy elementëve themeltarë të njeriut, të cilët përmenden në Kuran:”Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej balte. Kur t’i jap trajtë dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, përuljuni në sexhde atij!” (Sad, 71-72)

Ademi a.s në origjinë është krijuar nga dy elementë, njëri tokësor që është balta dhe tjetri jotokësor, që është shpirti dhe që është një çështje që i përket vetëm Zotit. Do të të pyesin ty për shpirtin. Thuaj:”Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni”. (Isra, 85)

Njeriu është pasardhës i Ademit a.s dhe ka trashëguar të njëjtën logjikë. Ai konceptohet në barkun e nënës gjatë dyzet ditëve të para, pastaj shndërrohet në një pikë gjaku të ngjizur, mandej në një masiv mishi...derisa ti vijë meleku ti fryjë shpirtin. Ky dualizëm përgjatë krijimit, na bën të besojmë se vdekja nuk i jep fund asnjërit prej elementëve themeltarë nga të cilët u krijua njeriu. Në fakt, vdekja thjesht i ndan, duke ia kthyer tokës atë që është e saj, e qiellit atë që është i tij, shpirtin, duke jetuar secili në atë që e njohim si jeta e Barzauht.

Lidhur me dëshmorët (shehidët) Zoti në Kuran thotë:” Dhe mos thoni për ata që vriten në rrugën e Allahut se janë të vdekur! Jo! Ata janë të gjallë, ndonëse ju nuk e ndjeni!” (Bekare, 154)

Ky pasazh tregon se shehidët janë të gjallë, edhe pse në fakt, të gjithë shpirtrat janë të gjallë, por jeta e vërtetë është ajo që jetohet sipas dispozitave të Kuranit. Sakaq, ringjallja pas jetës së Barzahut, konsiderohet si një krijim i dytë për të cilin Zoti thotë:” Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Atë kjo është edhe më e lehtë.” (Rum, 27)

Kjo ringjallje do të jetë me përpikmëri si krijimi i parë origjinal, ku elementi tokë (balta) do të takohet sërish me elementin qiell (shpirt) duke krijuar një jetë të re. Pra shohim që edhe në jetën e mesme, atë të Barzahut, jeta vazhdon dhe nuk shuhet plotësisht por thjesht pëson një fshehje. Ajo është një jetë me natyrë të ndryshme nga ajo që jemi mësuar ne të shohim. “Sigurisht, Ne i ringjallim të vdekurit dhe shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre. Ne e kemi llogaritur çdo gjë në një Libër të qartë.” (Jasin, 12)

Sikur njeriut, pas vdekjes dhe largimit të tij nga kjo botë, i hapet një llogari në jetën e Barzahut. Veprat që nuk i ndërpriten nga vdekja, vazhdojnë ti rregjistrohen dhe të shtojnë llogarinë e tij. Thotë Profeti a.s:”Kur vdes biri i Ademit, i ndërpritet sevapi i të gjitha veprave që vepronte në jetë, përveç tre prej tyre: Një sadaka rrjedhëse, një dije nga e cila përfitohet dhe një djalë i mirë i cili bën lutje për të atin.” (Muslim)

“shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre.” (Jasin, 12)

Të ftosh për në udhëzim, katalizatori më i madh i veprave të mira

Bazuar në shumë tekste, shpërblimi i ftesës në udhëzim dhe rrugë të Zotit, është shumë i madh. Thotë profeti Muhamed a.s:”Kush fton në udhëzim, do të fitojë shpërblimin e të gjithë atyre që i shkojnë pas, pa ua pakësuar atyre aspak shpërblimin përkatës.” (Muslim)

Kështu shohim që shpërblimi dhe sevapi i disa veprave nuk ndërpritet me vdekjen e njeriut, sidomos veprat e mirë të përjetësuara, të cilave u paraprin ftesa në rrugë të Zotit. Nga kjo, kuptojmë që i dërguari i Zotit a.s, është personi që shpërblehet më së shumti nga të gjithë myslimanët, pasi është i pari që ftoi në udhëzim dhe mirësi. Kushdo që i fton të tjerët dhe i përgjigjen, përfiton nga sevapet dhe shpërblimet e tyre.

Jeta tjetër, jeta e vërtetë

Jeta e vërtetë është jeta e botës tjetër dhe jo ajo e kësaj bote. Thotë Zoti për këtë fakt:”Ndërsa jeta e botës tjetër, pikërisht ajo është jeta e vërtetë. Veç sikur ta dinin!” (Ankebut, 64)

Ditën e Kiametit ne do e harrojmë jetën e kësaj bote përfundimisht, duke e çrrënjosur nga memorja jonë. “Por ani! Kur Toka të bëhet copë e thërrime, kur të vijë Zoti yt (për të ndarë gjykimin) me engjëjt të rreshtuar radhë pas radhe, Dhe, kur të sillet Xhehenemi, atë Ditë njeriu do të kujtohet - por ç’i duhet se u kujtua!” (Fexhr, 21-23)

Më vonë njeriut do i kthehet kujtesa duke sjellë ndërmend gjithçka që ka kaluar në këtë botë dhe jo vetëm. Atij do i kujtohet dhe besa që i pati dhënë Zotit:” Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, u tha: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata u përgjigjën: “Po, dëshmojmë se Ti je.” Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Këtë nuk e kishim ditur.” (Araf, 172)