Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Korrigjimi i gabimeve

Parathënie

Lavdërimet janë për Allahut, Zotin e Botëve, Zotëruesin e ditës së gjykimit, I pari pafillim e I fundit pa mbarim, Krijuesi i qiellit dhe i tokës. Paqja dhe bekimet qofshin mbi profetin e Tij të besueshëm, mësuesin e njerëzimit, që u dërgua si mëshirë për botërat.

Përhapja e dijes tek të tjerët është një nga veprat më të mira, përfitimet e së cilës përcillen tek të tjerët. Ajo është pjesë e thirrëave në Islam dhe  e mësuesve që përcjellin nga trashëgimia e profetëve dhe të dërguarve.

 

“Allahu, engjëjt, madje dhe milingona në folenë e saj dhe balena në det,

do të luten për atë që u mëson njerëzve rrugën drejt të mirës”. (Hadith transmetuar nga Tirmidhiu)

 

Faktikisht ekzistojnë lloje dhe mënyra të ndryshme të mësimdhënies, me metoda dhe mjete të ndryshme, njëra prej të cilave është korrigjimi i gabimeve. Korrigjimi i gabimeve është pjesë e arsimit; ato janë si binjakë të pandashëm.

Marrja me korrigjimin e gabimeve (nasihat) është gjithashtu një pjesë e sinqeritetit në fe, është një detyrim moral për të gjithë muslimanët. Lidhja mes kësaj dhe konceptit të urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, që është gjithashtu një detyrim moral, është krejt i dukshëm (por duhet të theksojmë se fusha e gabimeve është më e madhe se fusha e së keqes (munker), prandaj një gabim mund të jetë ose jo, një vepër e keqe.

Korrigjimi i gabimeve përbën gjithashtu një pjesë të shpalljes dhe metodologjisë së Kuranit. Kurani përmban urdhëra dhe ndalime, lejime dhe dënime dhe korrigjime të gabimeve – edhe ato që janë bërë nga ana e profetit. Pra, ai përfshin vërejtje dhe nxjerrje në pah të gabimeve për shembull:

 “Ai vrenjti (fytyrën) dhe u kthye. Ngase atij i erdhi i verbëri. E ku mund ta dish ti, ndoshta ai do të pastrohet. Apo do të këshillohet dhe këshilla do t’i bëjë dobi! E ai që nuk ndjen nevojë për (Zotin) pse ka pasuri, Ti atij i vë veshin (i drejtohesh)! Po ti nuk ke përgjegjësi pse ai nuk pastrohet. Ndërsa ai që nxiton dhe vjen tek ti, dhe meqë ai frikësohet, e ti nuk zë asgjë (dhe nuk ia vë veshin fjalës së tij)”. (Kuran 80: 1-10)

 

 “(Përkujto) Kur i the atij që Allahu i kishte shpërblyer (me besim) e edhe ti i pate bërë mirë: “Mbaje bashkëshorten tënde dhe ki frikë nga Allahu!”, e ti e mbaje të fshehtë në veten tënde atë që Allahu do ta zbulojë dhe u frikësohesh njerëzve, por me të drejtë është që t’i frikësohesh Allahut”. (Kuran 33: 37)

 “Ty nuk të takon asgjë rreth çështjes se a do t’ua pranojë Ai pendimin, apo do t’i dënojë ata, në të vërtetë ata janë zullumqarë(të padrejtë). (Kuran 3: 128)                                                                                                        

 

Kurani është shpallur gjithashtu në disa raste, për të korrigjuar gabimet e disa sahabëve (shokët e profetit). Kur Hatib ibn Ebu Belte’ah (Allahu qoftë i kënaqur me të) u shkroi jobesimtarëve të fisit kurejsh, për t’i informuar ata për drejtimin në të cilin ishte nisur profeti për një ekspeditë ushtarake kundër tyre, Allahu shpalli:

 “O ju që besuat, nëse keni dalë (prej vendlindjes) për hir të luftës në rrugën Time, duke kërkuar kënaqësinë Time, mos e zini mik armikun Tim dhe armikun tuaj, duke shprehur ndaj tyre dashuri, kur dihet se ata mohuan të vërtetën që u erdhi juve. Ata e dëbojnë të dërguarin dhe ju, sepse i besoni Allahut, Zotit tuaj, e ju fshehurazi u ofroni miqësi, po Unë më së miri e di atë që keni fshehur dhe atë që e keni publikuar. Ai që punon kështu nga pala juaj, ai e ka humbur rrugën e drejtë”. (Kuran 60: 1)

Në lidhje me gabimin që bënë harkëtarët në betejën e Uhudit, të cilët u larguan nga pozicioni, ku profeti i kishte urdhëruar të qëndronin, Allahu shpalli këtë ajet:

 

“...deri kur u dobësuat dhe u përçatë ndërmjet vete, në çështjen e vendit (që u pat caktuar Muhamedi) dhe pasi vërejtët atë që dëshironit (prenë e luftës), e atëherë kundërshtuat (urdhërin e pejgamberit). Pati prej jush që e dëshën këtë jetë (ata që u ngutën pas presë) e pati prej jush që e deshën botën tjetër”. (Kuran 3: 152)

Kur profeti u largua nga gratë e tij me qëllim disiplinimin e tyre, disa njerëz përhapën zëra se ai ishte ndarë nga ato, Allahu shpalli:

 “Madje kur u vjen atyre (munafikëve) ndonjë lajm qetësues (kur fitojnë muslimanët) ose shqetësues (kur dështojnë), ata e përhapin atë, e sikur t’ia linin atë (përhapjen e lajmit) pejgamberit dhe përgjegjësve të tyre, ata do të dinin të nxjerrin përfundime (se si do të duhej shpallur)”. (Kuran 4: 83)

Kur disa muslimanë nuk arritën të shpërngulen nga Meka në Medinë pa ndonjë justifikim të arsyeshëm, Allahu shpalli:

 “Engjëjt që morën shpirtin e atyre që ishin mizorë të vetvetes thanë: “Në ç’ka ishit ju? – Ata thanë: “Ne ishim të paaftë në atë tokë!” (engjëjt) Ju thanë: “A nuk ishte e gjerë toka e Allahut e të migronit në të?” (e të praktikonit lirisht fenë e Zotit)”. (Kuran 4: 97)

Kur disa nga sahabët besuan dhe u treguan të tjerëve shpifjet e munafikëve (hipokritëve) që akuzonin Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të), për diçka që ajo nuk e kishte bërë, Allahu shpalli disa ajete në lidhje me këtë gënjeshtër si:

 “E sikur të mos ishte mëshira e Allahut dhe mirësia e Tij ndaj jush, në këtë dhe në botën tjetër, ju do t’ju kapte dënim shumë i madh për shkak të asaj në të cilën u hudhët. Kur ju atë (shpifjen) e përcollët me gjuhën tuaj dhe për atë që nuk kishit kurrfarë dije flisnit duke menduar se ajo ishte imtësi e parëndësishme, ndërsa te Allahu ajo është shumë e madhe”. (Kuran 24: 14-15)

 Pastaj Allahu tha:

 “E përse, kur e dëgjuat atë, nuk thatë: “Ne nuk na takon të flasim për këtë. I Lartë je Ti, kjo është shpifje e madhe!”. Allahu ju këshillon që një gjë e tillë të mos përsëritet kurrë, nëse jeni besimtarë të denjë”. (Kuran 24: 16-17)

Kur disa nga sahabët po debatonin në praninë e profetit dhe ngritën zërat e tyre, Allahu, i Plotfuqishmi, Madhështori, shpalli:

 “O besimtarë, mos bëni asgjë (para se të orientoheni me udhëzimet e) Zotit dhe të dërguarit të Tij, keni droje Allahun, se me të vërtetë Allahu i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha. O ju që keni besuar, mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos e ndjerë”. (Kuran 49: 1-2)

Kur erdhi karvani në kohën e hutbes të së premtes dhe disa nga njerëzit e pranishëm u larguan nga hutbeja dhe u shpërndanë për t’u marrë me tregti, Allahu shpalli:

 “Po, ata kur shohin ndonjë tregti ose ndonjë dëfrim mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë. Thuaju: “Ajo që është tek Allahu është më e mirë se dëfrimi dhe tregtia, e Allahu është furnizuesi më i mirë!”.

Shumë shembuj të tjerë tregojnë gjithashtu rëndësinë e korrigjimit të gabimeve dhe jo të heshtjes para tyre.

Profeti u udhëzua nga Drita e Zotit të Tij që të ndjekë parimin e dënimit të së keqes dhe korrigjimit të gabimeve pa kompromis.  Nga kjo që përmendëm  dhe tregues të tjerë, dijetarët, Allahu i mëshiroftë, arritën në parimin: “Nuk lejohet që profeti të vonojë të shprehë mendimin e tij dhe duhet të korrigjojë gabimet në kohën e duhur”.

Kuptimi i metodave të profetit në trajtimin e gabimeve të njerëzve me të cilët ai u takua, ka një rëndësi të madhe, sepse profeti ishte i udhëzuar nga Zoti i Tij, dhe fjalët dhe veprat e tij mbështeteshin nga shpallja dhe vërtetoheshin dhe korrigjoheshin ashtu si duhej. Metodat e tij kanë urtësi dhe janë të frytshme dhe përdorimi i tyre është mënyra më e mirë për t’i bërë njerëzit të reagojnë në mënyrë pozitive. Nëse ai që është në pozitën e drejtimit dhe mësimit të të tjerëve, i përvetëson këto metoda dhe këtë trajtim, përpjekjet e tij do të jenë të suksesshme. Ndjekja e metodave të profetit përfshin gjithashtu ndjekjen e shembullit të tij, sepse ai është shembulli më i mirë për ne dhe kjo do të na çojë drejt një shpërblimi të madh nga Allahu, nëse qëllimi i gjithsecilit është i sinqertë.

Njohja e metodave të profetit tregon dështimin e metodave të shpikura nga njerëzit – që ndiqen kudo në tokë – dhe u vërteton ndjekësve të këtyre metodologjive se ata janë një dështim. Pjesa më e madhe e tyre është e qartë që janë një devijim i bazuar në teoritë e korruptuara, si për shembull në lirinë absolute, ose rrjedhin nga trashëgimi të rreme, ose janë një imitim i verbër i prindërve apo i paraardhësve.

Duhet të theksojmë se zbatimi praktik i kësaj metodologjie në jetën e përditshme mbështetet shumë në ixhtihad (studimi i situatës dhe përpjekja për të vendosur metodën më të mirë). Kjo përfshin zgjedhjen e metodave më të mira në një situatë të caktuar. Kushdo që e kupton natyrën njerëzore do të jetë i aftë të dallojë ngjashmëritë mes situatave të jetës reale dhe situatave të përshkruara tek tekstet, kështu ai do të jetë i aftë të zgjedhë metodën më të përshtatshme nga metodat e profetit.

Ky libër është një përpjekje për të studiuar metodat e profetit në trajtimin e gabimeve të bëra nga njerëz të niveleve të ndryshme dhe me të kaluara të ndryshme, nga ata njerëz që jetuan me të dhe me të cilët ai bashkëveproi. I kërkoj Allahut ta bëjë këtë libër të suksesshëm dhe pa gabime, që vëllezërit, motrat e mia muslimane dhe unë të përfitojmë prej tij, sepse Ai i kontrollon të gjitha gjërat dhe Ai është i aftë ta bëjë këtë, dhe Ai është Udhëzuesi për në Rrugën e Drejtë.

 

Disa pika që duhet theksuar gjatë trajtimit të gabimeve

 Para se të nisim diskutimin tonë duhet të theksojmë disa çështje dhe fakte që duhet t’i mbajmë në mendje kur merremi me korrigjimin e gabimeve të të tjerëve.

 Sinqeriteti ndaj Allahut

Qëllimi i një njeriu, kur ai ndërrmerr korrigjimin e gabimeve të të tjerëve, duhet të jetë fitimi i kënaqësisë së Allahut dhe jo shfaqja e epërsisë personale, zbrazja e inatit ndaj dikujt, apo përpjekja për të lënë përshtypje të mirë tek të tjerët.

Tirmidhiu transmeton nga Shufej el-Asbahi se kishte hyrë në Medinë dhe kishte parë një njeri rreth të cilit ishin mbledhur disa njerëz. Ai pyeti: “Kush është ai?”. Ata u përgjigjën: “Ebu Hurejra”. Shufej tha: “Kështu që u afrova tek ai dhe u ula përballë tij. Ai po u fliste njerëzve dhe kur ai mbaroi dhe ata ishin larguar, unë i thashë: ‘Të kërkoj për Allahun, që të më tregosh një hadith që ke dëgjuar nga i dërguari i Allahut dhe e ke kuptuar plotësisht’. Atëherë Ebu Hurejrës iu morr fryma dhe mbeti në këtë gjendje derisa e mori veten, pastaj tha: ‘Do të të tregoj një hadith që i dërguari i Zotit ma tregoi në këtë shtëpi, kur nuk kishte njeri tjetër përveç atij dhe meje’. Pastaj Ebu Hurejra u mek përsëri, pastaj e mori veten, fshiu fytyrën dhe tha: ‘Do të të tregoj një hadith që i dërguari i Allahut ma tregoi në shtëpinë e tij kur nuk kishte asnjeri tjëtër përveç atij dhe meje”. Pastaj mbeti përsëri pa frymë, e mori veten, e fshiu fytyrën e tij dhe tha: ‘Do të të tregoj një hadith që i dërguari i Allahut ma tregoi në shtëpinë e tij, kur nuk kishte njeri tjetër të pranishëm përveç atij dhe meje’. Atëherë Ebu Hurejrës iu morr shumë fryma saqë iu var koka përpara dhe u mbështet në supin tim për një kohë të gjatë, pastaj e mori veten dhe tha: ‘I dërguari i Allahut më tha:

Kur të vijë Dita e Gjykimit, Allahu do të zbresë për të gjykuar mes njerëzve. Dhe çdo komb do të gjunjëzohet me përulje. Njerëzit e parë që do të thirren do të jenë: një njeri që e ka mësuar Kuranin përmendësh, një njeri i cili është vrarë për hir të Zotit dhe një njeri që ka pasur shumë pasuri në tokë. Allahu do t’i thotë lexuesit: ‘A  nuk ta mësova atë që ia shpalla të dërguarit Tim?’ Ai do të thotë: ‘Sigurisht, Zoti im’. Allahu do të thotë: ‘Çfarë bëre me atë që të mësova?’ Ai do të thotë: ‘Qëndrova zgjuar ditë e natë duke e recituar atë’. Allahu do të thotë: ‘Ti gënjen’ dhe engjëjt do të thonë: ‘Ti gënjen’. Allahu do të thotë: ‘Ti doje vetëm që njerëzit të thonin se filani e di Kuranin përmendësh dhe kështu ndodhi’.

Pastaj do të sillet njeriu që kishte pasur shumë pasuri dhe Allahu do t’i thotë: ‘A nuk isha shumë bujar me ty në pasuri, në mënyrë që t’i të mos ia kishe nevojën askujt?’ Ai do të thotë: ‘Sigurisht, o Zot’. Allahu do të thotë: ‘Çfarë bëre me atë që të dhashë?’ Ai do të thotë: ‘E përdora për t’ua dhënë të afërmve të mi dhe për bamirësi’. Allahu do të thotë: ‘Ti gënjen’ dhe engjëjt do të thonë ‘Ti gënjen’. Allahu do të thotë: ‘Ti doje vetëm që të thonin se filani është bujar dhe kështu u tha’. Pastaj para Allahut do të sillet ai që u vra për hir të Allahut dhe Ai do t’i thotë: ‘Përse të vranë’. Ai do të përgjigjet: ‘Unë u urdhërova të luftoj në rrugën Tënde, kështu që luftova derisa më vranë. Allahu do të thotë: “Ti gënjen. Ti doje vetëm që të thonin se filani ishte trim dhe kështu thanë’. Pastaj i dërguari i Allahut më preku në gjunjë dhe tha: “O Ebu Hurejre, këta janë tre njerëzit e parë për të cilët do të nxehet zjarri Ditën e Ringjalljes”. (Transmeton Tirmidhiu. Ebu Isa ka thënë ky është një hadith gariib hasen.)

Nëse qëllimi i njeriut që jep këshilla është i sinqertë, ai do të marrë shpërblim dhe këshilla e tij do të pranohet dhe zbatohet me lejen e Allahut.

 Bërja e gabimeve është pjesë e natyrës njerëzore

Profeti a.s ka thënë: “Çdo bir i Ademit bën gabime dhe më të mirët e atyre që bëjnë gabime janë ata që pendohen”.

Duke e patur këtë fakt të qartë në mendje, gjërat vendosen në perspektivën e tyre të duhur, kështu që edukuesi nuk duhet të presë që njerëzit të jenë të përsosur ose të pagabueshëm, apo t’i gjykojë sipas asaj që ai mendon se duhet të jenë dhe pastaj t’i konsiderojë ata si të dështuar, nëse bëjnë një gabim të madh ose  mëkat qoftë dhe vazhdimisht. Ai duhet t’i trajtojë ata në një mënyrë realiste, duke u bazuar në dijen e tij për natyrën njerëzore, e cila është pre e injorancës, neglizhencës, të metave, tekave, dëshirave të mëdha dhe harresës.

Kuptimi i këtij fakti e parandalon mësuesin që të mos tronditet shumë nga lloji i gabimeve të papritura që mund ta bëjnë atë të reagojë në një mënyrë të papërshtatshme. Kjo do t’i kujtojë thirrësit dhe mësuesit, që po përpiqet të urdhërojë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja, se edhe ai vetë është një qënie njerëzore, që mund ta bëjë gjithashtu të njëjtin gabim, prandaj ai duhet ta trajtojë atë duke mbajtur një pozicion mëshire më tepër se ashpërsie, sepse qëllimi kryesor është për të përmirësuar dhe jo për të dënuar.

Por në të njëjtën kohë, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet t’i qortojmë njerëzit që bëjnë gabime apo të gjejmë justifikime për ata që kryejnë krime, duke u bazuar në faktin se janë qënie njerëzore apo se janë vetëm të rinj, ose se epoka moderne është plot gjëra joshëse, e të tjera si këto. Ne duhet t’i dënojmë veprimet dhe t’u bëjmë thirrje njerëzve t’i llogarisin punët e tyre, por në të njëjtën kohë ne duhet t’i vlerësojmë veprimet e tyre sipas Islamit.

Kur thua se dikush është në rrugë të gabuar, kjo duhet të bazohet në faktet e ligjit islam dhe në kuptimin e duhur, jo në padije dhe në faktin se thjesht dikujt nuk i pëlqen ai veprim. Muhamed ibn el-Munkedir ka transmetuar se Xhabiri falej i veshur vetëm me izar (veshje për pjesën e poshtme të trupit, e mbështjellë rreth belit) të lidhur pas shpine. Arsyeja për këtë ishte se ata nuk kishin pantallona dhe e vishnin izarin të lidhur pas shpine sepse i mbulonte më shumë kur bënin rukunë (përkuljen gjatë faljes) dhe sexhden (vënien e ballit në tokë) dhe rrobat e tjera të tij ishin në një mbajtëse për rroba. Dikush i tha atij: “A po falesh vetëm me një rrobë?”. Ai iu përgjigj: “Unë veprova kështu  vetëm që budallenjtë si ti të më shihnin. Cili nga ne kishte dy rroba në kohën e të dërguarit të Allahut?”. Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Me fjalën ‘budallenj’ këtu nënkuptohet  “i paditur”.... Qëllimi ishte shpjegimi se është e lejuar të falesh vetëm me një rrobë, edhe pse është e pëlqyeshme të vishen dy. Është njëlloj sikur ai të thoshte: “E bëra me qëllim për t’ju treguar se është e lejuar; ai që nuk e di mund ta bëjë këtë veprim ose mund të më qortojë në mënyrë që unë t’i them se është e lejuar”. Përgjigja e tij ishte kaq e ashpër, sepse ai donte t’u mësonte atyre që të mos i qortonin dijetarët dhe për t’i nxitur ata që t’i shqyrtojnë vetë çështjet e sheriatit”.

 Sa më i madh të jetë gabimi, aq më shumë përpjekje duhet të bëhen për ta korrigjuar atë

 Përpjekjet për të korrigjuar gabimet që kanë lidhje me akiden (besimin), duhet të jenë më të mëdha se përpjekjet për të korrigjuar gabimet që kanë të bëjnë, për shembull,  me rregullat e mirësjelljes. Profeti ishte shumë i interesuar për trajtimin dhe korrigjimin e gabimeve që kishin lidhje me shirkun (politeizmin) dhe të gjitha format e tij, sepse kjo ishte çështja më kryesore. Për shembull:

El-Mugirah ibn Shu'be ka thënë:

“Ditën që vdiq Ibrahimi (djali i vogël - foshnjë) i profetit a.s, pati një eklips të diellit dhe njerëzit thanë: ‘Ky eklips ka ndodhur për shkak të vdekjes së Ibrahimit’. I dërguari i Allahut tha: ‘Dielli dhe hëna janë dy shenja të Allahut dhe eklipsi i tyre nuk ndodh për vdekjen apo lindjen e një njeriu. Nëse e sheh eklipsin, atëherë ltjuni Allahut dhe faljuni Atij derisa të përfundojë eklipsi...”. (Transmeton Buhariu)

Ebu Uakid el-Lejthi ka treguar se kur i dërguari i Allahut doli për të shkuar në

Hunejn(vendi i një beteje), ai kaloi pranë një peme që u përkiste politeistëve, që quhej Dhatu Enuat, ku ata varnin armët e tyre. Ata thanë: “O i dërguari i Allahut, na bëj edhe ne një Dhatu Enuat ashtu siç e kanë ata’. Profeti tha:

 “Subhan-Allah!(I Pastër është Zoti!) Kjo është e ngjashme me atë që thanë njerëzit e Musait : ‘Bëj për ne një zot siç kanë ata zotëra’. Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, ju do të ndiqni rrugët e njerëzve të cilët ishin para jush”. (Transmeton Tirmidhiu 1280. Ai ka thënë se është një hadith sahih hasen.)

Sipas një tregimi tjetër nga Ebu Uakid, ata dolën nga Meka me të dërguarin e Allahut për në Hunejn. Ai tha: “Mosbesimtarët kishin një pemë pas të cilës ishin tërhequr dhe aty vendosnin armët e tyre, ajo quhej Dhat Enuat. Ne kaluam pranë një peme të ngjashme dhe thamë: ‘O i dërguari i Allahut, bëje këtë një Dhat Enuat për ne’. I dërguari i Allahut tha:

 ‘Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, ju keni thënë atë që njerëzit e Musait i thanë atij: ‘Na bëj ne një zot ashtu si ata kanë zotëra’ dhe ai tha ‘Me të vërtetë ju jeni njerëz që nuk dini’. Është e njëjta gjë dhe ju do të ndiqni rrugët e njerëzve që ishin para jush, hap pas hapi”. (Ahmedi)

Zejd ibn Halid el-Xhuhenij ka thënë: “I dërguari i Allahut na çoi për faljen e mëngjesit në el-Hudejbije, pasi kishte rënë shi gjatë gjithë natës. Pasi mbaroi u kthye nga njerëzit dhe tha:

 ‘A e dini se çfarë thotë Zoti juaj?’ Ata thanë: Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri”. Ai i Plotfuqishmi ka thënë: ‘Këtë mëngjes një nga robtë e Mi u bë besimtar duke më besuar Mua dhe njëri jobesimtar. Sa për atë që tha ‘na është dhënë shiu nga mëshira dhe madhështia e Allahut’, ai më beson Mua dhe nuk i beson yjet. Sa për atë që tha ‘shiu na ka ardhur nga ky yll e ky yll’ ai nuk më beson mua por beson yjet”. (Buhariu)

Ibn Abasi tregon se një burrë ka thënë:

“O i dërguari i Allahut, çfarë të dojë Allahu dhe ti”. Ai i tha: “A po më barazon me Allahun? Në vend të kësaj thuaj: Çfarë të dëshirojë vetëm Allahu”. (Ahmedi)

Ibn Omeri ka transmetuar se ai kishte kapur Omer ibn Hattabin, i cili ishte me një grup njerëzish dhe po betohej në emrin e babait të tij. I dërguari i Allahut i thirri dhe u tha:

“Allahu ua ka ndaluar atyre të betohen në emrin e paraardhësve të tyre; ai që donte të betohej, duhet të betohet në emrin e Allahut ose të heshtë”. (Buhariu)

 Shënim: Imam Ahmedi ka transmetuar në “Musnedin” e tij:

 “Uekij na tregoi se el-A'mesh u ka treguar nga Sad ibn Ubejde, i cili ka thënë: ‘Isha me Ibn Omerin në një rreth njerëzish dhe ai dëgjoi një njeri nga rrethi tjetër të thotë: ‘Jo, Për kokën e babait tim’. Për këtë arsye ibn Omeri i hodhi guralecë dhe tha: ‘Kështu betohej Omeri dhe profeti ia ndaloi dhe i tha se ishte shirk”.

             Ebu Shurejh Hani ibn Jezid ka thënë:

 “Një delegacion njerëzish shkoi tek profeti dhe ai dëgjoi ta thërrisnin njërin prej tyre Abdul-Haxher (rob i gurit). Ai e pyeti atë: ‘Si të quajnë?’ Ai u përgjigj: ‘Abdul-Haxher’. I dërguari i Allahut tha: ‘Jo, ti je Abdullah (rob i Allahut). (Transmeton Buhariu. Albani ka thënë në “Saheeh el-Adab el-Mufred” se është sahih.)

 

 Marrja parasysh e pozitës së personit që po përpiqet të korrigjojë gabimin

             Këshilla e disa njerëzve pranohet më lehtë se e disa të tjerëve.Kjo ndodh sepse ata kanë një pozitë-status, që të tjerët nuk e kanë ose ndryshe nga të tjerët, kanë autoritet mbi personin që e ka kryer gabimin.Për shembull, një baba me fëmijën e tij, ose një mësues me nxënësin e tij, ose një zyrtar i qeverisë me atë që ai po kontrollon. Ai që është më i madh në moshë, nuk është njëlloj si ai që është më i ri, një i afërm nuk është si një i huaj, një person me autoritet, nuk është si ai pa autoritet. Kuptimi i këtyre ndryshimeve do ta bëjë reformuesin t’i vendosë gjërat në perspektivë dhe t’i vlerësojë ato siç duhet, në mënyrë që qortimi ose korrigjimi i tij, të mos çojë në një të keqe më të madhe. Pozita e atij që po qorton dhe vlerësimi që gëzon në zemrën e gabuesit, janë shumë të rëndësishme për ta gjykuar sa sa i fortë duhet të jetë qortimi dhe për të vendosur sa i ashpër apo i butë duhet të jetë toni. Nga kjo ne mësojmë dy gjëra:

 Së pari: Personi, të cilit Allahu i ka dhënë status dhe autoritet duhet ta përdorë atë për të urdhëruar për të mirë dhe për të ndaluar nga e keqja dhe për t’i mësuar njerëzit. Ai duhet ta kuptojë se ka një përgjegjësi të madhe, sepse zakonisht njerëzit pranojnë më shumë nga ai sesa nga të tjerët, kështu që ai mund të bëjë më shumë se ç’mund të bëjnë të tjerët.

Së dyti: Personi që mundohet të urdhërojë për mirë dhe të ndalojë nga e keqja nuk duhet ta gjykojë situatën gabim dhe të vendosë veten e tij në një pozicion më të lartë se sa është, apo të sillet sikur ai ka cilësitë që tjetri nuk i ka, sepse kjo i largon njerëzit.

            Profeti a.s e shfrytëzoi sa mundi pozitën e respektit që Allahu ia kishte dhënë, kur ai i qortonte dhe i mësonte njerëzit. Ai ka bërë gjëra që nuk do të kishin qenë të përshtatshme nëse do të ishin bërë nga dikush tjetër, për shembull:

Jeish ibn Tihfe el-Gifari ka transmetuar se babai i tij ka thënë:

 “Isha i ftuar tek i dërguari i Allahut, si një nga të varfërit të cilët i mikpriste.

 I dërguari i Allahut doli të shohë të ftuarit e tij gjatë natës dhe më pa që isha shtrirë me bark. Ai më gjuajti dhe më tha: ‘Mos u shtri kështu, këtë shtrirje e urren Allahu’”. Sipas një transmetimi tjetër: “Ai e qëlloi dhe e zgjoi dhe i tha: “Kështu shtrihen njerëzit e zjarrit”. (Ahmedi, Tirmidhiu, Ebu Davudi)

             Kjo metodë e qortimit ishte e përshtatshme për profetin, për shkak të pozitës dhe statusit të tij, por nuk është e përshtatshme për njerëzit e thjeshtë. Nuk është e drejtë që nëse një njeri që dëshiron të qortojë tjetrin sepse ai fle me bark, ta godasë ndërsa ai po fle dhe ta zgjojë dhe pastaj të presë që ai ta pranojë këshillën dhe ta falenderojë për këtë. E njëjta gjë ndodh dhe me goditjen e një personi që po kryen një gabim, apo hedhjen e gjërave si guralecë apo ndonjë gjë tjetër edhe pse disa nga selefët (brezat e parë të të devotshmëve) vepruan kështu për shkak të statusit të tyre të veçantë. Disa ngjarje të kësaj natyre janë si më poshtë:

Ed-Darimi, Allahu e mëshiroftë, ka transmetuar nga Sulejman ibn Jasir se një burrë i quajtur Sebig shkoi në Medinë dhe nisi të pyesë për tekstet e Kuranit që dukeshin me dy kuptime (të paqarta). ‘Omeri kërkoi që ta thërrasin dhe ai kishte përgatitur disa degë hurme për të (që ta qëllojë me to). ‘Omeri e pyeti: ‘Kush je ti?’ Ai u përgjigj: ‘Unë jam robi i Allahut, Sebig’. ‘Omeri mori një degë peme dhe e goditi duke thënë: ‘Unë jam robi i Allahut’. Umeri vazhdoi ta qëllonte derisa nisi t’i dalë gjak nga koka dhe ai tha: ‘O Ameer el-Mumineen, mjaft! Ajo që kisha në mendje nuk është më”.

 Buhariu ka transmetuar se Ebu Lejla ka thënë: ‘Hudhejfe ishte në el-Medain dhe kërkoi një pije dhe një fisnik i lartë i dha një enë të argjendtë. Ai ia hodhi atë atij dhe i tha: ‘Nuk do ta kisha hedhur, por i thashë të mos e bëjë dhe ai nuk ndaloi. Profeti na e ka ndaluar të veshim rrobat e mëndafshit dhe të qëndisura me ar dhe të pimë nga enët prej floriri dhe argjendi. Ai (profeti) ka thënë:  “Këto janë për ata (mosbesimtarët) në këtë botë dhe për ju në botën tjetër”.

 Sipas një transmetimi të treguar nga Ahmedi për të njëjtën ngjarje, Abdur-Rahman ibn Ebu Lejla ka thënë:

 “Dola me Hudhejfen në njërën nga këto zona dhe ai kërkoi diçka për të pirë. Një fisnik i solli një enë prej argjendi dhe ai (Hudhejfe) ia hodhi në fytytrë. Ne thamë: ‘Heshtni, heshtni, nëse e pyesim përse e bëri, mund të mos na e tregojë’. Kështu që ne heshtëm dhe pak më vonë ai tha: ‘E dini përse ia hodha në fytyrë?’ Ne u përgjigjëm: ‘Jo’. Ai tha: ‘I kisha thënë të mos e bënte. I dërguari i Allahut ka thënë: “Mos pini nga enët prej floriri”, dhe Muadhi tha: ‘Mos pini nga enët prej floriri ose argjendi dhe mos vishni rroba mëndafshi apo të qëndisura me ar (kjo është vetëm për burrat), sepse këto janë për jobesimtarët në këtë botë dhe për ju në botën tjetër”.

Buhariu ka transmetuar se Sijrijn i kërkoi Enes ibn Malikut t’i shkruajë një kontratë çlirimi nga skllavëria, sepse ai kishte shumë para, por ai refuzoi. Sijrijn shkoi tek Omeri, i cili i tha Enesit ta shkruajë dokumentin, por përsëri Enesi nuk pranoi, prandaj Omeri e goditi me një kamzhik ndërsa i recitoi fjalët:

 “E ata që i keni në pronësinë tuaj dhe kërkojnë prej jush t’i lironi në bazë të kompensimit, atëherë ua bëni këtë të mundshme me marrëveshje, nëse e dini se janë të besueshëm...” (Kuran 24: 33)

- kështu që ai e shkruajti dokumentin për të.

En-Nesai ka transmetuar nga Ebu Said el-Khudri se ai po falej kur një djalë i Mervanit doli para tij, kështu që ai e ndaloi dhe kur ai nuk u zmbraps, ai e qëlloi. Djali doli jashtë duke qarë dhe shkoi tek Mervani dhe i tregoi çfarë kishte ndodhur. Mervani pyeti Ebu Saidin: “Pse e qëllove djalin e vëllait tënd?(E ka fjalën për djalin e tij)” Ai u përgjigj: “Nuk qëllova atë, qëllova shejtanin (djallin). Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut të thotë:

“Nëse ndonjëri prej jush po falet dhe dikush do të kalojë para tij, ta ndalojë sa të mundet dhe nëse ai kundërshton atëherë qëlloje, sepse ai është një djall”.

Ahmedi ka transmetuar nga Ebu an-Nadr se Ebu Said el-Khudri po vuante nga një plagë në këmbë dhe i ati shkoi dhe e pa të shtrirë me njërën këmbë sipër tjetrës, prandaj e goditi mbi këmbën e vrarë, duke i shkaktuar më shumë dhimbje. Ai tha: “Më vrave këmbën! Nuk  dije që e kam të vrarë?’ Ai u përgjigj: ‘Sigurisht që e di’. Ai i tha: ‘Përse veprove ashtu?’ Ai u përgjigj: ‘Nuk e ke dëgjuar se profeti na e ka ndaluar të rrimë kështu (dmth me këmbët njëra mbi tjetrën kur jemi shtrirë)?”

Maliku ka transmetuar nga Ebu az-Zubejr el-Mekki se një burrë i propozoi për martesë motrës së një burri tjetër dhe ai (vëllai) i tha atij se ajo kishte bërë zina (imoralitet). Këtë e mori vesh Omer ibn el-Khattabi, prandaj ai e qëlloi ose gati e qëlloi dhe i tha: “Përse i tregove?”

Muslimi ka transmetuar në “Sahih” nga Ebu Isak i cili ka thënë: “Isha me el-Esued ibn Jazid në Xhaminë e Madhe dhe me ne ishte dhe Esh-Shabi. Esh-Shabi na tregoi çfarë kishte thënë Fatime bint Kajs për të dërguarin e Allahut në lidhje me mos sigurimin e strehimit apo të ardhurave për të. El-Esued mori disa gurë të vegjël dhe ia hodhi duke i thënë: “Mjerë për ty! Si flet për një gjë të tillë?” Omeri tha se ne nuk duhet të largohemi nga Libri i Allahut dhe Suneti i profetit tonë për fjalët e një gruaje e cila mund të mos i ketë mbajtur mend mirë gjërat. Gratë kanë të drejtën e strehimit dhe të të ardhurave. Allahu thotë:

 “...dhe mos i nxirrni ato prej shtëpive të tyre, e edhe ato të mos dalin vetëm nëse bëjnë ndonjë vepër të keqe të vërtetuar”.  (Kuran 65: 1)

 Ebu Davudi ka transmetuar me një isnad (atribuimi tek një zinxhir transmetimi) në të cilin trasmetimi i dy personave është i pranueshëm, se dy burra hynë nga dyert e Kindes, kur Ebu Mesud el-Ensari ishte ulur në një rreth njerëzish. Dy burrat thanë: “Ka ndonjë njeri që do të gjykojë mes nesh?” Një burrë nga rrethi tha: “Unë do të gjykoj”. Ebu Mesudi mori disa gurë të vegjël dhe ia hodhi atij duke i thënë: ‘Mbylle gojën! Është e papëlqyeshme të nxitosh në gjykim”.

Ne duhet të theksojmë gjithashtu se qortimi i profetit ndaj disa prej shokëve të tij të ngushtë ishte në disa raste më i ashpër se qortimi ndaj ndonjë beduini, ose ndonjë të panjohuri. Të gjitha këto kanë lidhje me urtësinë dhe vlerësimin e saktë kur qorton dikë.

 Bërja e dallimit midis atij që gabon nga padija dhe atij që gabon pavarësisht nga dija që ka

 Një nga ngjarjet që e ilustrojnë këtë më së miri është ajo që i ndodhi Muavie ibn el-Hakem es-Selami kur ai shkoi në Medinë nga shkretëtira dhe nuk e dinte se nuk lejohet të flasësh gjatë namazit (faljes). Ai tha: “Kur po falesha pas të dërguarit të Allahut, një burrë teshtiu dhe unë i thashë ‘Jerhamukallah (Allahu të mëshiroftë)’. Njerëzit më panë me inat dhe unë thashë: “Pse po më shikoni ashtu?” Ata nisën të qëllonin me duar këmbët dhe kur e kuptova se donin të më bënin me dije të mos flisja, unë pushova së foluri (dmth doja t’jua ktheja, por e kontrollova veten dhe heshta). Kur i dërguari i Allahut mbaroi së faluri – (babai dhe nëna ime u sakrifikofshin për të, sepse unë nuk kam parë mësues më të mirë se ai) – ai nuk më qortoi, nuk më goditi dhe nuk më vuri në siklet. Ai vetëm sa tha:

“Ky namaz nuk duhet të përmbajë asgjë nga ligjërata e njerëzve, ai është vetëm për tesbih dhe tekbir (të thuash subhan Allah dhe Allahu Ekber) dhe lexim i Kuranit”. (“Sahih Muslim”)

I padituri duhet të mësohet, ai që ka dyshime duhet të sqarohet, i shkujdesuri duhet të përkujtohet dhe ai person që bën gabime me paramendim duhet të paralajmërohet. Nuk është e drejtë të trajtohet njëlloj si ai që di për një rregull dhe ai që që nuk ka dije për të, kur t’i qortosh. Trajtimi me ashpërsi i atij që nuk di, vetëm do ta largojë dhe do ta bëjë atë të kundërshtojë këshillën tuaj, ndryshe nga trajtimi i tij me urtësi dhe me butësi, sepse njeriu i paditur nuk e kupton se po bën gabim. Është sikur ai t’i thoshte njeriut që po e qorton: “Përse nuk më mëson përpara se të më sulmosh?”

Ai që bën një gabim pa e kuptuar, mund të mendojë se  ka të drejtë, prandaj duhet ta kemi parasysh këtë gjë dhe duhet të sillemi me takt. Imam Ahmedi ka transmetuar në “el-Musned” nga el-Mugire ibn Shu'be:

 “I dërguari i Allahut hëngri, pastaj u ngrit të falej. Ai kishte marrë abdes para se të hante, por unë i dërgova pak ujë që të merrte abdes’. Ai më refuzoi dhe tha: “Largohu!” Për Allahun u mërzita. Ai u fal dhe unë iu ankova Omerit për atë që ndodhi. Ai tha: “O Profeti i Allahut el-Mugire është prekur nga refuzimi yt dhe është i shqetësuar se ti mund të jesh i mërzitur me të për ndonjë arsye”. Profeti tha:

 “Ai është njeri i mirë, por më solli ujë për të marrë abdes, pasi kisha ngrënë dhe nëse do të kisha marrë abdes atëherë, njerëzit do ta kishin ndjekur atë zakon (domethënë ata do të kishin menduar se duhej të merrnin abdes sa herë të hanin diçka)”.

Këtu duhet të theksojmë se kur profeti nxorri në pah gabimet e këtyre sahabëve të mëdhenj, nuk pati një ndikim negativ tek ata dhe kjo nuk ishte arsye që ata të largoheshin. Përkundrazi, pati një ndikim pozitiv, sepse duke u korrigjuar në këtë mënyrë nga profeti, ata ishin në ankth dhe të shqetësuar dhe e kontrollonin sjelljen e tyre derisa të siguroheshin se i dërguari i Allahut ishte i kënaqur me ta.

Duhet të theksojmë gjithashtu nga kjo ndodhi se kur profeti nxorri në pah gabimin e el-Mugires, ai nuk ishte i nxehur me të. Ai e bëri këtë nga mëshira që kishte për njerëzit dhe që t’u shpjegojë atyre me qartësi, në mënyrë që ata të mos ia impononin vetes diçka që nuk ishte e detyrueshme, gjë që do t’u shkaktonte shumë vështirësi.

 Bërja e dallimit mes gabimeve që vijnë nga një përpjekje e ndershme për të zbuluar atë që është e drejtë (ixhtihadi) dhe gabimet e bëra qëllimisht, nga shkujdesja apo për shkak të të metave

Nuk ka asnjë dyshim se në rastin e parë njeriu nuk fajësohet, në të vërtetë ai do të marrë një shpërblim nëse gabohet, për aq kohë sa qëllimi i tij është i sinqertë dhe është përpjekur për të arritur në përfundimin e drejtë, sepse profeti ka thënë:

“Nëse një sundimtar gjykon dhe përpiqet të marrë vendimin e drejtë dhe vendimi i tij është i drejtë ai do të marrë dy shpërblime dhe nëse vendimi i tij është i gabuar, ai do të marrë një shpërblim”. (At-Tirmidhiu. Ebu Isa et-Tirmidhi ka thënë se në këtë version është një hadith garib hasen).

Ky është një rast i ndryshëm nga ai që gabon qëllimisht, ose për shkak të të metave. Në rastin e parë, personi duhet të mësohet dhe të këshillohet, në të dytin ai duhet të paralajmërohet dhe të qortohet.

Ixhtihadi, që mund të justifikohet, duhet të bëhet nga ai që është i kualifikuar, jo nga ai që jep fetva (vendime) pa pasur dije dhe pa i marrë parasysh rrethanat. Kjo është arsyeja përse profeti i ka gjykuar me ashpërsi njerëzit të cilët bënë gabim në rastin e personit i cili kishte një plagë në kokë. Ebu Davudi ka transmetuar  në “Sunen” nga Xhabiri, i cili ka thënë: “U nisëm për udhëtim dhe njëri nga burrat tanë u godit në kokë me një gur dhe nisi t’i rridhte gjak. Pastaj e zuri gjumi dhe kur u zgjua kishte nevojë të marrë gusul (ishte në gjendje xhunubi ose papastërtie për shkak të një ëndrre). Ai i pyeti shokët e tij: ‘Mendoni se mund të marr tejemum?’ Ata u përgjigjën: ‘Nuk mendojmë se mund të justifikohesh, sepse kemi ujë’. Ai mori gusul dhe vdiq. Kur shkuam tek profeti dhe i treguam për atë që ndodhi, ai tha:

 ‘Ata e vranë atë, Allahu i vraftë! Përse nuk pyetën kur nuk dinin? Kurimi i injorancës bëhet duke pyetur...” (Albani e ka klasifikuar si hasen në “Sahih Ebu Davud” dhe ka treguar se materiali i shtuar në fund të hadithit është daif (i dobët).)

 Njëherë profeti tha:“Gjykatësit janë tre llojesh, njëri do të jetë në parajsë dhe dy të tjerët në ferr. Ai që do të jetë në parajsë është gjykatësi i cili e di të vërtetën dhe gjykon sipas saj. Gjykatësi i cili e di të vërtetën, por gjykon padrejtësisht do të jetë në ferr dhe gjykatësi, i cili gjykon mes njerëzve pa pasur dijen e duhur, do të jetë gjithashtu në ferr”. (“Sunen Ebu Davud”; i klasifikuar si sahih nga Albani.)

Lloji i tretë nuk konsiderohet se ka justifikim.

Një faktor tjetër për të njëhsuar shkallën e qortimit është duke i kushtuar vëmendje ambientit ku ka ndodhur gabimi; nëse ishte një mjedis ku zbatohej Suneti ose një mjedis ku është e përhapur risia (bidati), sa i përhapur është mëkati, ose nëse ka njerëz të paditur ose shumë të butë, mendimet e të cilëve ndiqen në një shkallë të gjerë, që japin fetva për të thënë se diçka është e lejuar.

 Edhe nëse ai që bën gabimin ka pasur qëllim të mirë, kjo nuk do të thotë se ai nuk duhet të qortohet

Amr ibn Jahja ka thënë: “Kam dëgjuar tim atë të tregojë nga i ati i tij i cili ka thënë: ‘Ne ishim tek dera e Abdullah ibn Mes'ud para faljes së mëngjesit. Kur ai doli jashtë, ne shkuam me të tek xhamia, Ebu Musa el-Esh'ari erdhi tek ne dhe tha: ‘Akoma nuk ka dalë Ebu Abdur-Rahmani?’ Ne i thamë: ‘Jo.’ Ai u ul me ne derisa doli Ebu Abdur-Rahmani. Kur ai doli, ne të gjithë u ngritëm në këmbë dhe e përshëndetëm dhe Ebu Musa i tha: ‘O Ebu Abdur Rahman, më parë në xhami pashë diçka që nuk e kisha parë më parë, por dukej gjë e mirë, el-Hamdu Lilah’. Ai tha: ‘Çfarë ishte ajo?” Ai i tha: ‘Nëse jeton do ta shohësh. Pashë në xhami njerëzit që ishin ulur në grupe, duke pritur namazin. Në çdo grup ishte një burrë dhe ata kishin guralecë në duar. Ai thoshte ‘Thoni Allahu Ekber njëqind herë’, dhe ata thonin Allahu Ekber njëqind herë. Pastaj ai thoshte ‘Thoni La ilahe illa Allah njëqind herë’, dhe ata thonin La ilahe ila Allah njëqind herë; pastaj ai u thoshte ‘Thoni Subhan Allah njëqind herë’ dhe ata thonin Subhan Allah njëqind herë’. Ai e pyeti çfarë u the atyre?’ ai tha: “Unë nuk u thashë asgjë, po prisja të dëgjoja mendimin tënd dhe çfarë do të më thuash të bëj’. Ai tha: “Përse nuk u the të numërojnë punët e tyre të këqija dhe t’i sigurosh se asnjë nga veprat e tyre të mira nuk do të shkojë dëm?’ Pastaj ai iku dhe ne ikëm me të, derisa arriti tek njëri nga ato grupe njerëzish. Ai qëndroi pranë tyre dhe tha: “Çfarë është kjo që po bëni?’ Ata thanë: ‘O Ebu Abdur-Rahman, këto janë gurë që po i përdorim për të numëruar tekbiret, tehlilet dhe tesbihet tona’. Ai tha: “Numëroni veprat tuaja të këqija dhe ju siguroj se asnjë nga veprat tuaja të mira nuk do të shkojë dëm. Mjerë për ju, o umeti i Muhamedit, sa shpejt po shkatërroheni! Shokët e profetit tuaj janë akoma gjallë, rrobat e tij nuk janë grisur akoma dhe enët e tij nuk janë prishur akoma. Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, ju ose po ndiqni një rrugë që është më e udhëzuar se rruga e profetit , ose keni hapur një derë drejt udhëzimit të gabuar!’ Ata thanë: ‘Për Allahun, O Ebu Abdur –Rahman, ne donim vetëm të bënim mirë’. Ai tha: ‘Sa nga ata që donin të bënin mirë nuk e arritën atë! I dërguari i Allahut na tregoi se njerëzit e recitojnë Kuranin dhe nuk kalon më tej sesa fyti i tyre. Për Allahun, unë nuk e di, ndoshta pjesa më e madhe janë njerëz si ju’. Pastaj ai u largua nga ata. Amr ibn Selemeh ka thënë: “Unë pashë pjesën më të madhe të burrave të atyre grupeve të luftonin bashkë me Havarixhet ( grup i larguar nga pasuesit e Imam Aliut) në ditën e Nahravanit...’”. (Ed-Darimi)

 

Kur korrigjon gabimet e të tjerëve duhet të jesh i drejtë dhe jo i njëanshëm.

 Allahu thotë:

 “...Kur të flitni (të dëshmoni) duhet të jeni të drejtë...” (Kuran 6: 152)

 “...dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejtë...” (Kuran 4: 58)

 Fakti që Usame ibn Zejd ishte i dashur tek profeti dhe djali i njeriut të tij të dashur (Zejdit), nuk e ndaloi profetin që ta qortojë atë me ashpërsi kur ai u përpoq të ndërhyjë në lidhje me njërin nga dënimet e urdhëruara nga Allahu. Aishja ka transmetuar se kurejshët ishin të shqetësuar për një grua, e cila kishte vjedhur në kohën e profetit, në kohën e pushtimit të Mekës. Ata thanë: “Kush do të ndërhyjë te i dërguari i Allahut për të? Kush mund të guxojë tjetër përveç Usame ibn Zejdit, të dashurit tek i dërguari i Allahut?’ Atë e sollën tek i dërguari i Allahut dhe Usame ibn Zejdi i tregoi atij në lidhje me të. Fytyra e profetit ndryshoi dhe ai tha: ‘A po ndërmjetëson për një nga dënimet e caktuara nga Allahu?’ Usame u përgjigj: ‘Lutu për faljen time, o i dërguari i Allahut.’ Kur erdhi mbrëmja, i dërguari i Allahut u ngrit dhe iu drejtua njerëzve. Ai lavdëroi Allahun ashtu si Ai meriton të lavdërohet pastaj tha:

 ‘Njerëzit që ishin para jush u shkatërrruan, sepse nëse njëri nga fisnikët e tyre vidhte ata e linin të lirë, por nëse njëri nga të dobëtit vidhte ata e zbatonin dënimin për të. Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, nëse do të vidhte Fatimja, vajza e Muhamedit, unë do t’i prisja dorën’. Pastaj ai urdhëroi që t’i pritej dora gruas që kishte vjedhur”. (transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi; ky version tregohet nga Muslimi)         

 Sipas një transmetimi të treguar nga En-Nesai nga Aishja, ajo ka thënë: “Një grua mori hua disa bizhuteri duke thënë se do t’ia jepte hua dikujt tjetër, por ajo i shiti ato dhe paratë i mbajti vetë. Atë e sollën para të dërguarit të Allahut. Familja e saj shkoi tek Usame ibn Zejd, i cili foli me të dërguarin e Allahut në lidhje me çështjen e saj. Fytyra e profetit ndryshoi ndërsa ai po fliste, e atëherë  tha: ‘A po ndërmjetëson për një nga dënimet e caktuara nga Allahu?’ Usame u përgjigj: ‘Lutu për faljen time, o i dërguari i Allahut.’ Kur erdhi mbrëmja, i dërguari i Allahut u ngrit dhe iu drejtua njerëzve. Ai lavdëroi Allahun ashtu si Ai meriton të lavdërohet pastaj tha:

 ‘Njerëzit që ishin para jush u shkatërrruan, sepse nëse njëri nga fisnikët e tyre vidhte ata e linin të lirë, por nëse njëri nga të dobëtit vidhte ata e zbatonin dënimin për të. Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, nëse do të vidhte Fatimja, vajza e Muhamedit, unë do t’i prisja dorën’. Pastaj ai urdhëroi që t’i pritej dora gruas që kishte vjedhur”. (I cilësuar si sahih nga Albani)

 Qëndrimi i profetit kundrejt Usames tregon se ai ishte i drejtë dhe i paanshëm dhe se Islami në këndvështrimin e tij, vinte para dashurisë për njerëzit. Një njeri mund të durojë gabimet personale të kujtdo që ai dëshiron, por ai nuk ka të drejtë të tregohet tolerant apo i anshëm kundrejt atyre, gabimet e të cilëve i kalojnë kufinjtë e caktuar nga Islami.

Ndonjëherë kur ndonjë i afërm ose mik bën një gabim, nuk mund ta qortojmë atë ashtu siç mund ta qortojë një njeri që nuk e njeh. Për këtë arsye një njeri mund të shikojë diskriminim ose anshmëri joislame në sjelljen e tij për këtë dhe një njeri mund të mos u kushtojë rëndësi gabimeve të shokut të tij, ndërsa tregohet shumë i ashpër me kritikat ndaj një personi tjetër. Një poet arab ka thënë:

 “Nëse je i kënaqur me një person

 gabimet e tij  ti nuk i shikon

 por nëse i mërzitur me të je

 tek ai të mirë nuk njeh

 Kjo mund të pasqyrohet gjithashtu dhe në mënyrën se si veprimet interpretohen. Një veprim nga ana e personit të dashur kuptohet në një mënyrë dhe i njëjti veprim nga një person tjetër interpretohet krejt ndryshe.

Të gjitha sa u thanë më sipër zbatohen vetëm kur rrethanat janë të njëjta; përndryshe do të ketë gjykime të ndryshme ashtu siç do ta shohim më vonë.

Duhet të jesh i kujdesshëm që korrigjimi i një gabimi mos të të çojë drejt një gabimi më të madh

 Është një fakt i njohur që Islami nga dy të këqija lejon atë që është më pak e keqe, në mënyrë që të shmangë të keqen më të madhe. Prandaj, një ftues në fe mund të heshtë për një gabim, se ndoshta duke folur mund të çojë drejt një gabimi më të rëndë.

Profeti heshti foli për munafikët dhe nuk i ekzekutoi ata, edhe pse kufri i tyre ishte i ditur. Ai i duroi fyerjet e tyre që njerëzit mos të thonin: “Muhamedi po vret shokët e tij”, veçanërisht ngaqë natyra e tyre e vërtetë nuk ishte e njohur për të gjithë. Profeti nuk e shkatërroi Qaben e ta ndërtonte atë mbi themelet e vëna nga Ibrahimi, nga konsiderata për kurejshët të cilët ishin akoma të rinj në Islam dhe shumë afër xhahilijetit të tyre të fundit (periudhës paraislamike të padijes). Ai kishte frikë se mos kjo ishte shumë e tepërt për ta, prandaj e la ashtu siç ishte, me një pjesë që mungonte dhe me derën e vendosur shumë lart dhe të mbyllur për masën popullore edhe pse kjo përmban një element të keqbërjes dhe shtypjes.

Para kësaj, Allahu u kishte thënë muslimanëve të mos i fyejtë zotat e mushrikinëve (politeistëve), edhe pse kjo është një formë adhurimi, për shkak se kjo mund t’i çonte ata drejt fyerjes së Allahut, që është mëkati më i madh.

Një ftues mund të heshtë për një veprim të gabuar, të mos qortojë për një periudhë kohe, ose mund të ndryshojë mënyrën e tij, nëse mendon se duke vepruar në këtë mënyrë do të shmangë një mëkat apo gabim më të madh. Kjo nuk konsiderohet si e metë apo neglizhencë, përderisa qëllimi i tij është i sinqertë dhe nuk i frikësohet askujt tjetër përveç Allahut dhe ai ka heshtur vetëm sepse shqetësohet për të mirën e Islamit dhe jo nga frika.

Duhet të theksojmë se ajo që shkakton një mëkat më të madh kur qorton dikë për një gabim, është zelli që nuk mund të kontrollohet apo të përmbahet.

 Kuptimi i natyrës njerëzore nga ku buroi gabimi

 Ka disa gabime që nuk mund të zhduken asnjëherë, sepse ata kanë të bëjnë me mënyrën që Allahu i ka krijuar njerëzit. Është e mundur që këto gabime të pakësohen, por të kalosh në ekstrem gjatë trajtimit të tyre mund të rezultojë në katastrofë. Ky është rasti i grave. Profeti ka thënë:

“Gruaja është krijuar nga një brinjë dhe nuk do të sillet gjithmonë në mënyrë të qëndrueshme kundrejt jush. Nëse të pëlqen shoqëria e saj, atëherë shijojeni atë pavarësisht nga qëndrimi i saj. Nëse përpiqeni ta drejtoni atë do ta thyeni dhe thyerja e saj nënkupton divorcin”. (Muslimi nga Ebu Hurejra)

 Sipas një transmetimi tjetër ai ka thënë:“Tregohuni të sjellshëm me gratë sepse ata janë krijuar nga brinja dhe pjesa më e përkulur e brinjës është maja. Nëse përpiqeni ta drejtoni atë do ta thyeni dhe nëse nuk e prekni do të mbetet e përkulur. Prandaj jini të sjellshëm me gratë”. (Buhariu nga Ebu Hurejre)

Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë ka thënë:“Fjalët: ‘trajtojini gratë me mirësi’ tregojnë se duhet të mundohesh t’i vesh në rrugë të drejtë me butësi, sepse nëse kalon në ekstrem, duke u përpjekur për t’i drejtuar ata, do t’i thyeni dhe nëse i lini ata do të mbeten të shtrembërta... Ajo që ne mësojmë nga kjo është se nuk duhet t’i lëmë të përkulura nëse kalojnë përtej të metave të natyrshme të pritura dhe kryejnë mëkate apo lënë pas dore detyrat. Ajo që nënkuptohet është se mund t’i lëmë siç janë në lidhje me çështjet e lejuara. Nga hadithi mësojmë gjithashtu se një mënyrë sjelljeje me butësi i bind njerëzit dhe hap zemrat e tyre. Ai na tregon gjithashtu se duhet të jemi të butë me gratë dhe ta durojmë qëndrimin e tyre me durim. Kushdo që këmbëngul në drejtimin e tyre, nuk do të përfitojë prej tyre, sepse burri nuk mund ta shijojë kënaqësinë e jetës pa të dhe ajo është mbështetja e tij në jetë. Është sikur ai të thotë: ‘Nuk mund ta shijosh shoqërinë e saj nëse nuk e duron”.

Bërja e dallimit në mes gabimeve që i kalojnë kufinjtë e Islamit dhe gabimeve që vetëm sa ndikojnë tek njerëzit e tjerë

             Nëse Islami është më i dashur për ne se vetë vetja jonë, ne duhet ta mbrojmë atë dhe të nevrikosemi për të më shumë se për veten tonë. Kur sheh një njeri që nevrikoset për veten e tij nëse dikush e fyen, por jo të inatoset për hir të fesë së Allahut nëse ajo (feja) fyhet, është një shenjë që nuk ke ndjenja fetare. Ose e shumta mund ta shohim atë duke e mbrojtur pak në një mënyrë të sikletshme.

            Zakonisht, profeti a.s i falte ata që bënin gabime në bashkëveprimin me të, veçanërisht beduinët zemërgurë, në mënyrë që t’i zbuste zemrat e tyre. Buhariu transmeton në hadithin e tij të saktë se Enes ibn Maliku ka thënë:

“Po ecja me të dërguarin e Allahut dhe ai kishte veshur një mantel Nexhrani (një krahinë arabe) me një jakë të fortë. Një beduin iu drejtua atij, i rrëmbeu mantelin në atë mënyrë saqë jaka la shenjë në qafën e profetit dhe tha: “O Muhamed, më jep pak nga pasuria e Allahut që ke ti!’. I dërguari i Allahut u kthye nga ai dhe qeshi, pastaj urdhëroi që t’i japin diçka”. Por nëse gabimi kishte të bënte me çështjen e fesë, atëherë profeti do të zemërohej për hir të Allahut. Shembuj nga kjo do të jepen më poshtë.

            Ka dhe disa çështje të tjera që duhet të mbahen në mendje kur merresh me gabimet e të tjerëve si:

 - Bërja e dallimit mes gabimeve të mëdha dhe gabimeve të vogla, ashtu si Islami bën dallimin mes mëkateve të mëdha (kebair) dhe mëkateve të vogla (sagair).

 

- Bërja e dallimit mes një personi që ka bërë shumë vepra të mira, të cilat pak a shumë do ta anulojnë rëndësinë e gabimit të tij dhe një mëkatari që mëkaton kundër vetes së tij (duke bërë vepra të këqija). Njerëzit mund të pajtohen me veprimet e atij që ka bërë shumë vepra të mirë, por jo me veprimet e tjetrit. Kjo është ajo që i ndodhi Ebu Bekrit, siç e tregon historia e mëposhtme. Esma bint Ebu Bekër ka thënë:

  “Shkuam me të dërguarin e Allahut si pelegrinë dhe kur arritëm në el-Arxh, i dërguari i Allahut ndaloi të bëjë një pushim dhe ne ndaluam me të. Aishja u ul pranë të dërguarit të Allahut dhe unë u ula pranë babait tim. Kafsha që Ebu Bekri dhe i dërguari i Allahut kishin marrë për udhëtim ishte me një shërbëtor të Ebu Bekrit. Ebu Bekri u ul, duke pritur që ai t’i arrinte dhe kur ai i arriti, deveja nuk ishte me të. Ebu Bekri i tha: ‘Ku është deveja?’ shërbëtori u përgjigj ‘E humba dje’. Ebu Bekri i tha: ‘Një deve kishe dhe e humbe?’ dhe nisi ta qëllojë. I dërguari i Allahut buzëqeshi dhe tha: “Shikoni çfarë po bën ky muhrim (person i veshur me ihram për në haxh)”. Ibn Ebu Rizmah tha: “I dërguari i Allahut nuk tha asgjë tjetër veç këtyre fjalëve: ‘Shikoni çfarë po bën muhrimi’, dhe vuri buzën në gaz. (Transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij. I cilësuar si hasen nga Albani)

 -          Të dish të bësh dallimin mes atij që gabon vazhdimisht dhe atij që gabon për herë të parë.

-          Të dish të bësh dallimin mes atij që gabon pa ndërprerë dhe atij që rrallë mund të bëjë di[ka të tillë.

-          Të dish të bësh dallimin mes atij që gabon hapur dhe pa turp dhe atij që përpiqet t'i mbulojë gabimet e tij.

-          T'u kushtosh vëmendje rasteve ku lidhja e tjetrit me Islamin nuk është dhe aq e fortë dhe kur zemra ka nevojë të hapet më shumë ndaj fesë, pa qenë të ashpër me të.

-          Të marrësh parasysh kontekstin e tjetrit përsa i përket statusit dhe autoritetit të tij.

 Arsyet që i përmendëm më sipër nuk kundërshtojnë parimin e drejtësisë dhe barazisë, për të cilat folëm më sipër.

             -    Të qortosh një fëmijë për fajet që bën, duhet të gjesh formën që i përshtatet moshës së tij.

 Buhariu ka transmetuar se Hasen ibn Ali mori një nga hurmat që ishte dhënë për bamirësi dhe e futi në gojë. Profeti i tha në persisht:

             “Nuk e di se ne nuk e hamë sadakanë (gjërat jepen për bamirësi)?”

             At-Tabarani, Allahu e mëshiroftë, tregon nga Zejneb bint Ebu Seleme se ajo kishte hyrë në shtëpinë e të dërguarit të Allahut, ndërsa ai po merrte gusul. Ajo tha: “Ai mori një grusht ujë ia hodhi në fytyrë dhe tha ‘Largohu, vajzë budallaqe!”

Nga kjo është e qartë se nuk do të thotë që në vitet e para të jetës së fëmijës, gabimet e tij nuk duhet të korrigjohen, me të vërtetë duke i korrigjuar atij gabimet do të thotë se po e rrit atë në mënyrën më të mirë, sepse korrigjimet do t’i mbeten në kujtesë dhe në të ardhmen ai do të përfitojë prej tyre. Hadithi i parë tregon sesi mësohet një fëmijë që ta ketë frikë Allahun dhe ta kufizojë veten e tij, kurse hadithi i dytë tregon se si i mësohen zakonet e sjelljes së mirë, si të kërkojë leje para se të hyjë diku si dhe të mos shikojë auretin e njerëzve (pjesët e trupit të cilat duhet të mbulohen).

 Një shembull tjetër i shkëlqyer i korrigjimit të fëmijëve është historia e një djali të vogël tw quajtur Omer ibn Ebi Seleme. Buhariu ka transmetuar se ai (djali) ka thënë: “Isha i vogël nën kujdesin e të dërguarit të Allahut dhe gjatë ngrënies e lëvizja dorën nëpër tw gjithë pjatën. I dërguari i Allahut më tha:

“O djalë! Thuaj Bismilah (me emrin e Allahut), ha me dorën e djathtë dhe ha atë që është para teje”. Ai shtoi: “Që nga ajo kohë kjo ishte mënyra ime e ngrënies”.

Ne mund të theksojmë se kur profeti e këshilloi djalin e vogël, i cili bëri gabim duke e prekur të gjithë ushqimin me dorë, fjalët e tij ishin të shkurtra dhe të qarta, gjë që e bëri të lehtë që fëmija ta kuptonte dhe t’i mbante mend. Ndikimi në zemrën e djalit zgjati gjatë gjithë jetës së tij përderisa ai tha: “Kjo mbeti mënyra ime e ngrënies që nga ajo kohë”.

 - Të tregosh maturi kur këshillon gratë jo-mahrem (gratw e huaja), në mënyrë që këshilla tw mos keqkuptohet dhe të shmanget fitneja (joshja). Asnjë i ri nuk duhet të përdorë justifikimin se po u flet të rejave në mënyrë që të korrigjojë gabimet e tyre apo t’i mësojë ato. Sa shpesh ka çuar kjo gjë në katastrofa! Kur vjen puna për të korrigjuar gratë, një rol kryesor duhet t’i lihet Ehl el-Hisbeh (mbikqyrwsve tw çwshtjeve fetare) dhe të vjetërve, të cilët mund t’i ndihmojnë ata. Personi që po kërkon të urdhërojë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja duhet të veprojë në bazë të asaj që ai mendon se do të jetë rezultati i qortimit të tij. Nëse mendon se do të jetë pozitiv, atëherë duhet të flasë, përndryshe ai duhet ta kufizojë veten e tij dhe të mos u flasë grave të paditura, të cilat mund të bëjnë akuza të rreme kundër tij, ndërsa akoma vazhdojnë ta përsërisin gabimin. Gjendja e shoqërisë  dhe statusi i atij që po kërkon të urdhërojë për të mirë dhe tw ndalojë nga e keqja, luajnë një rol themelor në suksesin e përpjekjeve të tij për të këshilluar, për të bërë të ditur një mesazh ose për të dhënë fakte. Historia e mëposhtme e ilustron këtë.

Robi i liruar i Ebu Rahamit, emri i të cilit ishte Ubejd, ka treguar se Ebu Hurejra takoi një grua që kishte hedhur parfum dhe po shkonte në xhami. Ai i tha: “O grua, ku po shkon?” Ajo u përgjigj: “Në xhami”. Ai i tha: “Dhe ke hedhur parfum për këtë?” Ajo tha: “Po”. Ai tha: “Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut të thotë:

 “Nëse një grua hedh parfum dhe pastaj shkon në xhami, Allahu nuk do t’i pranojë namazet e saj, derisa ajo të marrë gusul”. (Ibn Maxhe)

Sipas “Sahih Ibn Khuzejme”, një grua kaloi pranë Ebu Hurejrës dhe kishte hedhur shumë parfum. Ai i tha asaj: “Ku po shkon o grua, robëresha e Zotit?” ajo i tha: “Në xhami”. Ai i tha: “A ke hedhur parfum?” ajo u përgjigj: “Po”. Ai i tha: “Kthehu pas dhe merr gusul, sepse kam dëgjuar të dërguarin e Allahut të thotë:

 “Allahu nuk e pranon namazin e një gruaje e cila kur shkon në xhami ka hedhur shumë parfum, derisa ajo të kthehet dhe të marrë gusul”. (al-Albani ka thënë se është hadith hasen. Ahmed Shakir e ka cilësuar si sahih).

 - Të mos merremi me rregullimin e simptomave, ndërsa lëmë pas dore trajtimin e shkakut të gabimit.

 - Mosekzagjerimi i gabimit.

 - Moskalimi në ekstreme për të vërtetuar se gabimi ka ndodhur, apo të përpiqesh të detyrosh me forcë atë që bëri gabimin të pranojë fajin.

 - Lwnia e kohës së mjaftueshme për të korrigjuar gabimin, veçanërisht në rastin e atij që është mësuar ta bëjë atë për një kohë të gjatë, ndërsa vazhdon ta ndjekësh çështjen dhe vazhdon të korrigjosh dhe tw këshillosh.

 - Mos e bëni atë që bën gabim të ndihet si një armik, sepse qëllimi është t’i bindësh njerëzit dhe jo të fitosh pikë kundër tyre.

 Tani do ta kalojmë diskutimin tek metodat e përdorura nga profeti për trajtimin e gabimeve të të tjerëve, ashtu siç është treguar në hadithet e sakta të transmetuara nga dijetarët.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free