Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Me çfarë merresh gjithë kohën?!

Si çdo ditë, burri u kthye nga puna. Ai i gjeti tre fëmijët e tij duke luajtur para shtëpisë, të zhytur në baltë, me rroba gjumi të cilat nuk i kishin ndërruar që në mëngjes. Në ambientin pas shtëpisë, ishin përhapur gjithandej enë të palara, letra dhe papastërti. Dera e makinës së gruas ishte e hapur, po ashtu dhe dera e përparme e shtëpisë.
Me të hyrë në shtëpi, vuri duart në kokë, pasi gjithçka ishte rrëmujë. Llamba e sallonit ishte e thyer, tapeti ishte hedhur mënjanë, zëri i televizorit ishte i ngritur në kulm, lodrat e fëmijëve ishin të hedhura sa andej këndej. Në kuzhinë, lavamani ishte plot e përplot me enë të palara, ushqimet dhe thërrimet nuk ishin hequr nga tavolina, kurse dera e frigoriferit qëndronte e hapur.
Me një frymë ai ngjit shkallët për në katin e dytë, duke kaluar pirgje lodrash dhe rrobash, i shqetësuar se mos i kishte ndodhur ndonjë e keqe të shoqes. Tek dera e banjës u gjend përballë një njolle të madhe uji e cila ishte në zgjerim e sipër. Brenda, banja ishte plot peshqirë të njomë dhe të lagur, sakaq vaska e mbushur me ujë me shkumë. Vetë pasqyra e banjës ishte gjithë pastë dhëmbësh.
Me nxitim ai hyri në dhomën e gjumit, për ta gjetur gruan e tij të shtrirë duke lexuar një roman. E shoqja i hodhi një vështrim dhe me një buzëqeshje të ngrohtë e pyeti si e kishte kaluar ditën. Gjithë habi, i shoqi e pyeti:”Çfarë ka ngjarë kështu?!”
E shoqja i buzëqeshi sërish dhe i tha:”Çdo ditë kur kthehesh nga puna, më pyet:”Çfarë bën gjithë ditën në shtëpi xhanëm?! Apo nuk është kështu?”
I shoqi iu përgjigj:”Po, ashtu është.”
E shoqja i tha:”Mirë, që ta dish, sot nuk e kam bërë punën që bëja çdo ditë. Ja çfarë ka ndodhur.”
Është shumë e rëndësishme që secili të ndërgjegjësohet për lodhjen dhe mundin e tjetrin për të kryer punën që i takon. Kështu, nuk do t’ia mbushin vetes mendjen top se jemi të vetmit që mundohemi dhe lodhemi, sakaq të tjerët bëjnë sehir. Vlerësoje mundin e të tjerëve dhe mos e shih punën e tyre me dylbi së prapthi.