Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Mrekullia sociale në Kuran dhe sunet

Mrekullia sociale në Kuran dhe sunet

Fillojmë me emrin e Zotit që është i Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirëplotë. Paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Kjo është tema e parë mbi mrekullinë sociale në Kuran dhe sunet.

Ka mbi dhjetë vite që unë mendoj dhe planifikoj për të realizuar një emision me temë të tillë.

Kjo ide më lindi teksa dëgjoja mbi mrekullitë shkencore në Kuran dhe sunet. Temat, seminaret dhe konferencat me një tematikë të tillë, janë të shumta. Faktet shkencore që janë zbuluar në vitet e fundit, të cilat gjenden të përmendura në Kuran dhe sunet që para katërmbëdhjetë shekujsh, kanë lënë pa gojë shumë personalitete jo muslimane. Kurse muslimanëve ua ka shtuar besimin dhe bindjen në këtë Libër dhe fe.

Duke u nisur nga ky fakt, shpesh herë mendoja dhe pyesja veten: Përse të mos kemi studime dhe hulumtime rreth mrekullive sociale në Kuran? Përse të mos kemi studime të tilla, të cilat nxjerrin në pah mrekullitë e Kuranit në aspektin familjar dhe edukativ?

Që prej dhjetë vitesh, unë koleksionoj material të këtij lloji, kam mbajtur disa ligjërata dhe kam marrë pjesë në simpoziume, në të cilat përmendja një ajet ose dy, rreth mrekullisve sociale në Kuran dhe në sunet. Në ligjëratat që kam mbajtur në Europë [Francë, Itali, Britani] dhe në Amerikë, dëgjuesit mrekulloheshin nga fakti që Kurani fliste mbi çështje sociale dhe edukative, të cilat janë zbuluar nga sociolgët dhe shkencëtarët vetëm në dekadat e fundit.

Duke lëvizur nga një vend në një tjetër, nga një ligjëratë në një tjetër, projekti im vazhdonte të rritej. Unë vazhdoja të kërkoja dhe hulumtoja rreth këtyre temave, derisa arrita dhe shkruajta një kapitull në librin "Përse abuzoni me gruan", libër i cili flet mbi avantazhet e gruas në islam. Duke përdorur çështje të tilla, ne e kemi më të lehtë të diskutojmë me ateistët perëndimorë dhe jomuslimanët. Kështu, ne e kemi më të kollajtë t'ju mbushim mendjen mbi vërtetësinë e islamit.

Projekti vazhdonte të rritej saqë shkrova një libër mbi gratë e Profetit a.s. Duke studiuar jetëshkrimin e secilës, unë u mora edhe me mënyrën si i zgjidhte Profeti a.s konfliktet dhe mosmarrëveshjet me gratë e tij.  Këtë e bëja të shoqëruar me studime dhe fakte të zbuluara vetëm kohët e fundit.

Projekti vazhdonte të rritej, derisa tani po i prezantojmë teleshikuesve arabishtfolës, këtë program rreth mrekullive sociale në Kuran dhe sunet.

Padyshim që mrekullitë sociale në Kuran dhe sunet janë të rëndësishme, por pyetja që lind është:  A i kështë kushtuar vëmendja e duhur një teme të tillë në konferencat tona, seminaret dhe hulumtimet...?

Unë ka shumë kohë që dëgjoj, lexoj dhe studioj rreth mrekullive shkencore në Kuran. Po kështu edhe shumë muslimanë, dashamirës dhe jomuslimanë. Ajo që kam vërejtur gjatë ligjëratave të mia, është se audienca me të dëgjuar të flitet rreth mrekullive sociale në Kuran, tregon një interes akoma më të madh. Madje, do të thoja mahnitet për faktet që jepen.

Në gjithçka të krijuar përreth nesh, Zoti ka vendosur mrekulli. Nëse para kamerës do të vendosej një person dhe pas tij një tablo apo panoramë e bukur dhe kameran t'a fokusojmë mbi personin, tabloja që është pas tij, nuk do të ketë të njëjtën qartësi me atë të personit. Sado të përpiqemi që të dy objektet të jenë të qartë, vetëm njëri do të jetë i tillë. Kamerat televizive, aparatet fotografike dhe ato dixhitale, e kanë të pamundur të kapin disa objekte me dimensione të ndryshme, me të njëjtën qartësi. Ndërkohë që syri që ka krijuar Allahu fuqiplotë, e ka të mundur të shohë objektet e afërt dhe ato të largët, të vegjël dhe të mëdhenj, natën dhe ditën me qartësinë më të madhe. E gjitha kjo, pa pasur nevojë për të ndryshuar lentet e syve. Kjo pasi syri e ndryshon vetë largësinë sipas objektit.

Për të realizuar këtë program, kam kërkuar dhe kam hulumtuar në shumë biblioteka. Kudo që gjeja një studim lidhur me mrekullitë sociale në Kuran dhe sunet, e merrja dhe përfitoja prej tij.  Megjithatë, vazhdoja të hezitoj dhe të ngurroj rreth realizimit të programit. Hezitimi lindte për shkak se ishte hera e  parë që diskutohej rreth mrekullive sociale në Kuran. Edhe pse hezitoja, vazhdoja të kërkoj dhe të konsultohem me dijetarë muslimanë dhe sociologë të ndryshëm. Disa dijetarë më këshilluan që të mos i hyj një pune të tillë. Disa të tjerë heshtnin, kurse të tjerë më stimulonin. Unë bëja herë një hap para dhe herë një pas. Më në fund, fala namazin e istihares, i cili më qetësoi shpirtërisht dhe nga brenda ndjenja një zë që më thoshte:"Realizoje këtë program!"

I vendosur tashmë, mendova se këtë program nuk duhej t'a realizoja i vetëm dhe pa ndihëm e dikujt tjetër. Duke menduar mbi personin e përshtatshëm, mendja më vajti tek një figurë e njohur dhe shumë e dashur për teleshikuesit. Ai ishte doktor Zaglul Nexhar. Emri i tij më erdhi në mendje pak para se të nisesha për në Medine, ku do të mbaja një ligjëratë.

U nisa për në Medine, me idenë se do të takohem me doktor Zaglulin dhe do e diskutoj me të këtë çështje, me t'u kthyer nga Medineja. Pasi falëm sabahun ku u luta që Zoti të më japë sukses në realizimin e këtij programi, zbrita në restorantin e hotelit ku qëndroja për të ngrënë mëngjes. Surpriza e asaj dite ishte se doktor Zaglul Nexhari ishte i ulur duke ngrënë mëngjes, pikërisht përballë tavolinës ku u ula dhe unë. U gëzova pa masë kur e pashë dhe me vete thashë:"I pa të meta je Ti o Zot! Po takohem me të në qytetin e Profetit a.s.!" Padyshim që e prita si një ogur të mirë. Shkova tek ai i dhashë selam dhe menjëherë i fola për planin dhe idenë time. Me t'a dëgjuar, më tha:"Është hera e parë që dëgjoj për një program të tillë televiziv. Unë kam koleksionuar shumë studime dhe hulumtime të cilat mund të të vlejnë."

Unë i thashë:"Zoti t'a shpërbleftë me të mira që po më jepni kurajo për realizimin e këtij programi. Por unë do të doja që edhe ju të bëheshit pjesë e tij. Kështu, do i bëjmë një shërbim të madh umetit tonë."

Me anë të këtij programi, unë hedh hapin e parë për të gjithë studiuesit dhe hulumtuesit, që të kontribojnë në këtë aspekt dhe t'a pasurojnë me studimet e tyre.

Takimet dhe diskutimet me doktor Zaglul Nexharin vazhduan, ku ne diskutonim mbi temat e përshtatshme të emsioneve tona, në të cilat do të nxirrnim në pah mrekullitë sociale të Kuranit dhe sunetit.

Unë e lus Zotin që t'a shpërblejë doktorin me të mirat e  Tij, pasi më ofroi informacion dhe këshilla shumë të vyera. Ai më propozoi disa tema të cilat mua nuk më kishin vajtur në mendje. Një nga këto tema ishte edhe:"Mrekullia sociale në teuhid". Sipas tij, çështja e teuhidit është mrekulli më vete, pasi i edukon fëmijët që në vegjëli me besimin në një Zot të vetëm. Sot shumë njerëz, sekte dhe fe janë në konflikt pikërisht për këtë çështje.

Po ashtu, mrekulli sociale është edhe çështja e kamatës. Në historinë e Jusufit a.s, ka shumë mrekulli sociale dhe edukative, nëse e trajtojmë ashtu siç duhet.

Një mrekulli tjetër është edhe fakti që Profeti a.s arriti të bashkojë rreth vetes të gjithë fiset arabe. Si arriti të triumfojë kundër zakoneve dhe traditave negative mes arabëve? Si arriti t'i bindë prindërit që t'i vlerësojnë dhe duan fëmijët njëlloj?  Si arriti t'a përmirësojë statusin e gruas?

Profeti Muhamed a.s ndërmori reforma të shumta, pa përjashtuar aspektin social. Ai reformoi institucionin e martesës, poligamisë, divorcit, asistencës sociale (tekaful) etj... Të gjitha këto hyjnë tek mrekullitë sociale.

I shtyrë nga idetë dhe nga vetë doktori, për realizimin e këtij programi, fillova të kërkoj në librari të ndryshme për materiale. Një ndër bibliotekat që vizitova, është dhe një bibliotekë në Stamboll. Aty gjeta disa studime të mendimtarit musliman Fet'hullah Gylen. Një nga miqtë e mi më ndihmoi me përkthimin e shkrimeve të Fet'hullah Gylenit, rreth mrekullisë sociale në Kuran. Edhe pse ai nuk e përdorte këtë term në studimet e tij, unë përfitova nga librat e tij.

Gjithashtu më është dashur të takohesh shpesh me doktor Zaglul Nexharin. Një herë i vajta në shtëpinë e tij në Egjypt, e cila ndodhet mu në breg të Nilit. U ula me të dhe diskutova gjatë, gjë e cila më fali kënaqësi që nuk e kisha provuar më parë. Ai është një det me informacione. Gjatë bisedës, ai më dhuroi edhe librin e tij "Mrekullitë shkencore në Kuran", një libër shumë i veçantë dhe i doboshëm.

Pas këtij takimi në shtëpinë e doktorit, filluam menjëherë regjistrimin e emisioneve. Gjatë regjistrimit, kanë ndodhur shumë momente të paharrueshme. Regjistrimi i emisioneve, ndërpritej herë pas here për të pirë një çaj të ngrohtë dhe një pushim i shkurtër me qëllim që të përtërijmë forcat.

Një herë, kur i ofrova doktorit gotën me çaj, më tha:"A gjithë ditën do të pijmë çaj?"

Unë i thashë:"Në fakt unë nuk pij fare çaj. Unë pij vetëm ujë të nxehtë. Mos dëshiron edhe ti pak ujë të nxehtë?"

Ai u përgjigj:'Le t'a provoj" dhe unë i mbusha gotën me ujë të nxehtë.

Një ditë tjetër, i tregova mbi përvojën time me ujin e nxehtë, ku i thashë:"U bë kohë që unë pij ujë të nxehtë dhe këtë e kam nga kinezët. Ata më këshilluan të mos pij ujë të ftohtë, por të nxehtë. Që atë ditë që fillova të pij ujë të nxehtë, fillova të ndihem më i fortë dhe aktiv. Tema e këtij emsioni nuk është uji i nxehtë, por nëse dikush kërkon të dijë diçka më shumë, le të kërkojë në internet mbi këtë çështje.

Një herë tjerër, kur e vizitova doktor Zaglulin në shtëpi, ai më ofroi çaj dhe para se të ma japë, më pyeti:"Mos dëshiron të pish ujë të nxehtë?"

U ftova një herë nga një televizion arab për një bashkëbisedim me teleshikuesit. Unë u propozova që bashkëbisedimi të jetë rreth mrekullisë sociale në Kuran dhe sunet dhe ashtu u zhvillua. Si unë ashtu edhe prezantuesit e emisionit, u befasuam nga telefonatat e shumta, ku teleshikuesit shprehnin emocionet dhe simpatinë e tyre për këtë temë. Gjatë emisionit ne analizuam disa hadithe të Profetit a.s, folëm mbi ushqimin e fëmijës me qumështin e gjirit të nënës, martesën me më shumë se një grua etj…

Ajo që më gëzoi pa masë, është se shumë studentë dhe studente, e morën idenë e mrekullisë sociale në Kuran dhe sunet, si një mundësi për të mbrojtur temat e masterit dhe doktoraturës në universitetet ku studiojnë.

Ne sot kemi nevojë t'ju flasim njerëzve me gjuhën e llogjikës dhe shkencës. Nëse duam t'i drejtohemi perëndimit dhe t'i mbushim mendjen mbi vërtetësinë e Kuranit dhe profetit Muhamed a.s, nuk mund t'i drejtohemi me fjalët "Ka thënë Zoti dhe ka thënë Profeti." Kjo, pasi ata nuk e besojnë as Zotin dhe as profetin Muhamed a.s.

Por ne e kemi shumë të lehtë që teksa shpjegojmë një zbulim shkencor të fundit, ti themi që këtë zbulim, e ka përmendur Kurani ose profeti Muhamed a.s që para katërmbëdhjetë shekujsh.

Pak më lart, ne folëm mbi mrekullinë e syrit. Është mrekulli e Zotit që syri ynë i rregullon vetë distancat dhe dimensionet e trupave që sheh, pa pasur nevojë – siç bëjmë me kamerat dhe aparatet fotografikë – që largësinë t'a rregullojmë në mënyrë mekanike. Me gjithë shpikjet dhe zhvillimin e shkencës, nuk është arritur që aparaturat t'i afrohen funksionimit të syrit të njeriut.

Disa ditë më parë, lexova një lajm ku një kompani kishte blerë dy lente për kamera, njëra e largonte objektin kurse tjetra e afronte. Ajo kishte shpenzuar njëqind mijë dollarë për këto dy lente. Vallë sa kushtojnë sytë tanë të cilët nuk kanë nevojë për lente të tilla?

Me një llogjikë të tillë duhet t'u flasim perëndimorëve dhe jomuslimanëve. Madje, me një llogjikë të tillë u duhet folur edhe vetë muslimanëve, që t'ju shtohet besimi dhe bindja. Ashtu siç veproi Ibrahimi a.s kur i kërkoi Zotit që t'i tregojë si i ringjall krijesat, me qëllim që t'i shtohet besimi.

Në fund të emisionit të parë, unë dua të falenderoj të gjithë grupin e punës që japin kontribut në realizimin e këtij programi.

Historia e këtij programi ka dhjetë vite që ka startuar dhe që atëherë ne kemi mbledhur informacione, kemi shfletuar literaturë të shumtë, kemi udhëtuar etj... dhe sot shohim frytet e kësaj pune.

Urojmë që ky program t'ju pëlqejë dhe të pëfitoni prej tij sa më shumë.

Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!