Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Per 11 shtatorin

Ose, përse disa janë të bindur se vetë amerikanët janë shkaktarët e vërtetë të tragjedisë së 11 Shtatorit 2001.

 

Rreth një javë më parë, presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad deklaroi në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se shumë njerëz në botë besojnë se vetë ShBA’ja ka qenë organizatore e sulmeve të 11 Shtatorit të vitit 2001.

Për shumë njerëz në Perëndim, një deklaratë e tillë ishte qesharake, ndërkohë që pjesa më e madhe e sondazheve tregojnë se nuk është e vërtetë që në botë besohet se amerikanët ishin ata që i organizuan sulmet. Megjithatë, këtu bëhet fjalë për një besim që ekziston te një pjesë e njerëzve, madje edhe te disa prej aleatëve të SHBA’së, si Turqia, ose edhe brenda vetë Shteteve të Bashkuara.

“Kjo teori mund të jetë e vërtetë”, thotë një biznesmen 48-vjeçar turk.

“Kur dëgjova për herë të parë për sulmin e Bin Ladenit, besova në këtë variant, por më vonë mendova se ndoshta vetë Shtetet e Bashkuara krijuan gjithçka vetëm sa për t’i nënshtruar myslimanët e botës”, vazhdon turku. Menjëherë pas sulmit, shumë shtete shfaqën keqardhje të madhe për Shtetet e Bashkuara, megjithëse qysh në atë kohë filluan të qarkullonin teori të ndryshme konspirative. Sipas tyre, nuk ishte Al-Qaeda ajo që i shkaktoi tragjeditë, por SHBA’ja ose Izraeli.

Disa javë pas sulmeve, presidenti Bush kërkoi në Kombet e Bashkuara nga bota që të “mos i tolerojë teoritë konspirative”, të cilat e shmangnin akuzën nga shkaktarët e saj të vërtetë. Megjithatë, luftërat që pasuan në Irak dhe Afganistan i dhanë argumente shtesë pretendimit të konspiracionistëve në lidhje me kryerjen e sulmeve të 11 Shtatorit nga SHBA’ja, me qëllim të ndërmarrjes së një sulmi ndaj shteteve të ndryshme në Lindjen e Mesme, e kjo me qëllim të mbrojtjes së Izraelit.

Në vitin 2006, një sondazh tregoi se shumica e banorëve të shteteve arabe mendonin që sulmet nuk ishin kryer nga arabët. Dy vjet më vonë, një tjetër sondazh tregoi se 36 për qind e turqve dhe 27 për qind e palestinezëve mendonin se sulmet ishin kryer nga vetë amerikanët. Besime të tilla ka pasur edhe në SHBA. Në vitin 2006, një sondazh i kryer me 1,010 amerikanë tregoi se 36 për qind e të anketuarve kishin një lloj bindjeje se në këto sulme kishte shumë mundësi që të kenë qenë të përfshirë edhe zyrtarët amerikanë, të cilët ose morën pjesë vetë, ose nuk bënë asgjë për ta shmangur tragjedinë.

Ndërkohë, përveç presidentit Ahmadinejad, i cili e dha deklaratën bombastike rreth një javë më parë, ka edhe liderë të tjerë shtetesh që kanë shprehur dyshimet e tyre për sulmet e 11 Shtatorit, siç është lideri i Kubës, Fidel Castro, presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, apo ish-guvernatori i Minesota’s, Jesse Ventura. Teoritë e konspiracionit u fuqizuan edhe më tepër pas deklarimeve të SHBA’së dhe shërbimeve amerikane të zbulimit lidhur me supozimin e ekzistimit të armëve të shkatërrimit masiv, të cilat në fakt ishin shkaku kryesor i pushtimit të Irakut, megjithëse këto armë nuk u gjetën kurrë.

“Fillimisht kam pasur dyshimet e mia për teoritë e konspiracionit, por pasi kam parë atë që ndodhi në vitet që pasuan sulmet e vitit 2001, nuk kam dyshime se gjithçka ishte e orkestruar nga amerikanët, me qëllim të gjetjes së një preteksti të mirë për të sulmuar shtetet myslimane”, thotë një analist i bankave në Pakistan. Në muajin mars, gazeta prestigjioze ‘The Washington Post’ akuzoi ashpër një deputet japonez të Partisë Demokratike në pushtet, ngase ai gjatë një interviste kishte thënë se disa prej sulmuesve të 11 Shtatorit ishin ende gjallë dhe se në këto sulme forcat në hije patën një rol shumë të rëndësishëm, me qëllim të përfitimeve personale. Gjithashtu, një web-faqe e Departamentit të Shtetit brenda saj ka një hapësirë kushtuar teorive të konspiracionit, kjo me qëllimin që në vend se të fshihen, ato të mund të publikohen. Në web-faqe thuhet se teoritë e konspiracionit ekzistojnë si mite dhe ato janë pjellë e imagjinatës, frikës dhe fakteve të rreme, që i injorojnë faktet