Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Shijoji mirësitë, para se të privohesh prej tyre

Paqja e Zotit qoftë me ty!

Po, jam i fiksuar pas jetës gjer në frymën e fundit.

Dua ta jetoj me gjatësinë, gjerësinë, thellësinë dhe lartësinë e saj.

Dua ta shijoj – pa ndërmjetësime dhe zvarritje – me të gjithë transformimet historike, që do të përjetojë gjysmë shekulli i ardhshëm.

Madje, edhe ngjarjet më të zakonshme dhe gjërat e përditshme janë burim gëzimi dhe hareje, që nuk fishket. Përmes tyre arrij të lexoj rahmetin e Zotit, drejtësinë e Tij, ndihmën që u jep të privuarve, të shtypurve dhe të burgosurve fizikë apo shpirtërorë.

Më pëlqen të ndjek me entuziazëm linjën, që do të ndjekë bota, të cilës i përkas, me të cilën identifikohem dhe që e dua fort, atë botë tek e cila urrej prapambetjen. Dua t`i lexoj ngjarjet të plota, pa asnjë mangësi, aq më tepër tashmë që i kam përjetuar zanafillat e tyre dhe ua kam lexuar shkronjat e para.

Vallë cili do të jetë imazhi i të ardhmes? Fantazia më shkon shumë larg dhe fluturon në horizont. Por çështja mbetet: si ta shndërrojmë këtë fantazi në realitet, si të realizojmë një kërcim tjetër...

Dua të shoh fytyra të reja në jetë, foshnja që tashmë janë rritur dhe kanë përveshur llërët, i kanë hyrë mes përmes eksperiencës me gjithë fuqinë e besimit dhe madhështinë e modestisë. Më pëlqen ta shoh historinë të qëndrojë për t`u bërë sehir dhe t`u japë të drejtën për jetë, lavdi dhe përjetësi.

Dua të flas për të tjerë, të cilët kanë bërë sakrifica të mëdha me sinqeritet dhe çiltërsi, pa u hyrë llogarive, pa u joshur nga ëndrrat për karrierë dhe pushtet, që janë pjesë e natyrës njerëzore, pa u tunduar nga pasuria dhe postet. Ata u shndërruan në lutje, që vërshojnë në gojët e njerëzve, në pika referimi rreth të cilave zgjateshin qafat, kurse emrat e tyre u regjistruan me bojë drite në faqet e zamanit.

Dua të dëshmoj një aktualitet të errët, të cilin njerëzit menduan se nuk do e shohë dritën e diellit, por ai ndryshoi dhe në faqet e historisë zuri vetëm një rresht të shkurtër, rresht i cili mezi lexohej.

Dua të shoh një panoramë krejt të ndryshme nga ajo që më shfaqet para syve çdo mëngjes.

Dua më shumë orë të shtrira në kohë, që t`i shijoj kënaqësitë e kësaj jete, plot afsh dhe ngazëllim, me ndërgjegje të qetë përderisa gjendem brenda rrethit të projektuar nga pena e përgjegjësisë.

Dua të jem euforik në kryerjen e veprave të mira, në shpenzimin e pasurisë, pa pritur shpërblim dhe mirënjohje nga askush.

Sa herë që flas një fjalë të bukur, jap ndonjë udhëzim, jap një mbështjetje psikologjike dhe shpirtërore... ndjej se lartësohem dhe këpus frutat më të pjekura dhe më të shijshme nga pema e lumturisë, ashtu siç pi nga burimi i saj, derisa shuaj etjen.

Dua t`i gëzoj rrobat e reja, si të isha një beduin, i cili për herë të parë vesh një rrobë të hijshme. Dua të shijoj ushqimin, si të ishte ushqimi im i parë.

Dua t`i gëzohemi informacionit të ri, si diçka që kishte marrë arratinë dhe sapo mu kthye, si të ishte një prekje plot nur, e cila ngazëllen mendjen e një foshnjeje.

Dua të udhëtoj për herë të parë drejt një vendi, që pati ngritur folenë në ëndrrat e mia, dua ta shoh ëndrrën të vërtetë, ankthin gaz e hare, kurse ngrysjen ta shoh si agim.

Dua të mësoj përdorimin e teknologjisë së re nga nipërit e mi, si të isha një prej tyre, të cilit nuk i bën përshtypje kritika fëminore, as të qeshurat e tyre lidhur me ngathtësinë apo perceptimin e ulët.

Vitet që kam kaluar, më kanë pajisur me eksperiencë në jetë. Tashmë, i njoh shtigjet e jetës, të mirën e të ligën, prandaj para se ta ndërmarr një rrugë, e studioj mirë e mirë atë. Sot jam më i vetëdijshëm dhe më i kthjellët në mendime se kurrë. Punën që bëja dje, sot e shkurtoj si në kohë, në mund dhe në cilësi.

Kam kaluar netë të zeza e të errëta, por kurrë se kam humbur besimin tim tek Zoti, se Ai do të sjellë për mua ditë të bardha, edhe pse nuk i perceptoja dot urtësitë dhe qëllimet madhore ato momente.

Gjithmonë kam qenë i sigurt, se koha punon për mua, se ditët janë të bardha, përderisa dua që të jenë të tilla.

Prandaj kam mësuar të mos pikëllohem për gjithçka kam humbur, të mos zhytem në pesimizëm nga aktualiteti. Në esencën e asaj që urrejmë, do të gjejmë gjithmonë vërshimin e mirësive.

Bukuria e jetës është kur e jeton atë ashtu siç është, jo ashtu siç do të doje të ishte. Kënaqësia e vërtetë është kur i shijon ato pak të mira. Unë nuk u jap shans iluzioneve mbi të ardhmen, në mënyrë që ato të mos më privojnë prej saj. Filozofia ime ka qenë dhe mbetet: ”Shijoje të mirën, para se të privohesh prej saj”.