Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Spektakli i besimtares

Gruaja muslimane është grua famëmadhe. Historisë së saj nuk mund t’i afrohesh as nga afër, por as edhe t’i përngjajë ndonjë grua tjetër. Jeta e saj peshon shumë aty ku peshohet burrëria e femrës së kësaj bote. Të respektuara dhe mbretëresha, të cilat udhëheqin dhe ruajnë mbretërinë e tyre.
 
Ruajnë nderin dhe kujdesin ndaj familjes, edukimin dhe rritjen e fëmijëve të tyre, ku gjithçka tjetër nuk mund të zërë vendin e këtyre prioriteteve. Tërësia e saj është në dukjen e saj të kompletuar, paraqitet e dalluar me pamjen e saj të jashtme. Namin e ka të madh, zanafilla fillon me nënën e njerëzimit, Havanë alejha selam.
 
Një ditë kur po flisnim me një shoqen time e një kombi e feje tjetër, po më tregonte se në punimin e saj në lidhje me femrën në biznes, kur po kërkonte për historinë e gruas në tregti, në hulumtimet e saj të gjitha burimet e kishin quar tek Hatixheja radijallahu anha. Këtë të fundit e kishin cilësuar për të zgjuar dhe tregtare të suksesshme. Paskëtaj biseduam disa gjëra në lidhje me këtë, u bë si u bë u hap tema, pastaj ajo nisi të më tregojë për një protagoniste femër në fenë e saj. Rrëfente se si një femër në atë kohë për ta luftuar realitetin që e nënçmonte femrën e asaj kohe i është dashur të vishet e të jetojë si djalë. Ajo e tregonte me aq entuziazëm guximin e saj, ku përfundoi së treguari historinë e saj, duke i ardhur keq se atë pastaj e paskan zbuluar pasi kanë marrë vesh, se ajo ka mbetur shtatzënë jashtë lidhjeve martesore, pastaj ajo tregonte se çfarë i ka bërë kisha në lidhje me këtë, por unë mendoja me vete: “ah Hatixhe, ah Sumeja, ah nënat e besimtarëve, ah bashkëkohëset e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, të pastra, të zonja, gra shembull për të gjitha kohët. A kam të drejtë kur them se nuk i afrohet asnjë grua pra.
 
Na përcillet nga Ebu Udhejne es Sadefiju, ku i Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam ka thënë: “Gratë tuaja më të mira janë ato të dashurat (të përzemërtat), që lindin shumë, të bindura, përkrahëse në qoftë se i frikësohen Allahut, e gratë tuaja më të këqija janë ato të zhveshurat e mendjemëdhatë, ato janë hipokritet. Nuk hyn në Xhenet asnjë prej tyre, e shembulli i tyre është si korbi el-easam.” (Bejhakiu ne Sunen el-Kubra)
 
1. Spektakli i saj nuk është i rrethuar me kamera 24 orëshe, e brenda asaj periudhe të tregojë talentin e aftësitë e saj, apo dhe të shfaqë privatësinë e saj, dhe të shpresojë në shpërblimin e kësaj loje. Jo jo, kjo nuk ndodh te muslimanja. Sepse jeta e saj është e vërtetë, e rrethuar me “kamera” në jetën e saj nga Mbikëqyrësi Absolut. Edukon shpirtin e zemrën me Islam, zhvillon aftësitë dhe kapacitetet për Islamin, strehohet tek Allahu, bën ibadete dhe punë të mira, në vetmi e në shoqëri. Para Krijuesit del me nder, mirësjellje dhe me petkun e devotshmërisë. Hartën e punës e vizaton me parime Islame e urdhra kuranore. Premia kryesore që e brengos atë është arritja e shpërblimit të madh, Xhenetet e Allahut të Lartmadhëruar.
 
Ajo i ruan thesaret e çmueshëm me xhelozi në shtëpinë e saj. Shqiponjë që nuk guxon askush t’ia prekë folenë që ajo ndërton. Edukon e rrit brezat e ardhshëm dhe më të mirë s’mund të gjesh. Kur të tjerët i frikësojnë fëmijët e tyre me ‘shtrigat e natës’, ‘macen e zezë’, ajo mbjell në zemrën e fëmijës guxim, trimëri e qëndrueshmëri. A nuk e paska pra profesionin lider, kujdestare, e edukatore e një Umeti të tërë.
 
2. Besimtaren e gjejmë në shumë raste, ku me dinjitet paraqet dhe mbron fenë e saj. Keni parë apo keni qenë dëshmitarë në ndonjë debat qoftë në shoqëri apo në kuzhinën mediatike, apo qoftë në rrugë si kalimtare e rastit, se si i vërsulen muslimanes. Por një sjellje e bukur dhe me edukatë të pastër e një besimtareje muslimane, gjithmonë ua ka prishur kurthet e kurdisura e nëpërkëmbëzat e hartuara të shumë gazetarëve, apo armiqve të saj. Shpesh të përgatitur e të stërpërgatitur, gazetarë të ndryshëm, nuk iu ka munguar zelli ta paraqesin femrën muslimane të shtypur e të prapambetur. Çuditërisht ka ndodhur shpesh, që të befasuar nga edukata e mirësjellja, nuk kanë ditur nga ta çojnë timonin e debatit për t’i dhënë kuptim atij. Pas kësaj kanë filluar me pyetje rreth fesë Islame apo jetës së saj në përgjithësi. Me këto vorbullime mediatike nuk po shkoj askund më larg sesa në vetë trojet tona shqiptare. Një fjalë e urtë thotë: “Femrën e nderon vetëm i nderuari dhe e përbuz vetëm i përbuzuri”.
 
Pamja e muslimanes, që duhet të jetë e pastër dhe në pajtim me sheriatin, nuk i ngjan atyre që iu kushtojnë rëndësi veshjes së tyre tërheqëse. Në grimin e saj pra, janë nderi, modestia, sinqeriteti, mirësjellja e njohuria. Dalja nga shtëpia që nuk bëhet pa u shikuar mirë në pasqyrë, nuk është për të parë sa është tërheqëse, por për të parë a është veshur në rregull siç duhet.
 
3. Zgjidhjen e problemeve në familje, metodat për edukimin e fëmijëve, zhvillimi i çerdhes së saj, nuk e ngatërron me jetën e atyre të filmave. Ajo i mëson ato gjëra që i duhen nga i Gjithëdijshmi Absolut, nga Kurani dhe Suneti. Dhikri (të përmendurit e Allahut), që ndihmon të ngjallësh zemrën. Ligjëratat javore në vendin e saj, pastaj dëgjimi i serive të ligjëratave nga dijetarë të çmuar. Përcjellja e jetës së më të dashurve të Allahut, jetën e pejgamberëve. Njihet me jetën e grave më të dashura të drejta, gratë e inspiruara nga më i dashuri, Muhamedi sal-lallahu alejhi ue selem.
 
4. Pra, kjo është muslimanja. Skalite mirë në shpirt figurën e muslimanes. Ji në rrugën e luanëve, prandaj çdo gjë që ndodh apo del rrugës, qoftë shkëmbinj a gurë, e mos të flasim për guralecë, nuk të ndal në realizimin e synimit tënd për mëkëmbjen e Umetit. 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free