Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Teknika e leximit të shpejtë dhe produktiv

Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Desha të paraqes një subjekt, i cili rrallë është ekspozuar nëpër podiumet e ndryshme dhe pa ekzagjerim mund të them se rrallë do të gjeni një shqyrtim kaq të reduktuar dhe kaq të qëlluar në këtë lëmi. Edhe burimet angleze që flasin mbi këtë lëmi, thjesht mund të kenë tek-tuk ndonjë shtesë fare të vogël lidhur me këtë shqyrtim, i cili siç do ta lexoni edhe vetë, është vërtet i qëlluar, jo vetëm për studentët por edhe për çdo individ që dëshiron të bëjë progres në zhvillimin e tij intelektual.

Jemi pra me teknikën e leximit të shpejtë PSQ5R:

PSQ5R, është një akronim (shkurtim) për trajtën e hapave themelore të mësimit dhe leximit në një mënyrë efikase.

Ky shkurtim i përgjigjet fjalëve në anglisht:

Purpose-Qëllim,

Survey-Shfletim,

Question-Pyetje

dhe 5 R-të përfaqësojnë:

Read Selectively-Lexo Selektivisht (në mënyrë të përzgjedhur),

Recite-Deklamimi (Përsëritja Intonacionale),

Reduce Record-Përmbledh dhe Regjistro

Reflect-Paqyro dhe Përsërit të Dhënat

Review-Riprodho

Së pari: Purpose: Cili është qëllimi i leximit?

Lexues i nderuar më lejo të të pyes më konkretisht, se cili është qëllimi apo objektivi yt prej leximit të këtij shkrimi apo mesazhi? A po kërkon koncepte të përgjithshme, apo të dhëna të detajuara. Kur ta realizosh këtë qëllim, lypset ta ndalosh leximin. Për shembull, nëse ti po kërkon një numër në numëratorin telefonik, kemi të bëjmë me një objektiv të përcaktuar dhe të qartë, ku pasi ta kesh gjetur atë, s’të mbetet tjetër vetëm se ta ndalosh vijim e leximit të mëtejshëm të këtij numëratori.

Disa specialist të fushës në fjalë, e kanë konsideruar një lexim të tillë si super të shpejtë, shpejtësia e të cilët mund të shkojë deri në mëse dhjetëra mijëra karaktere në minutë, e për të qenë më të saktë emri terminologjik i këtij leximi quhet “skanim”. Konkluzioni i kësaj është, se leximi yt do të jetë i shpejtë dhe efikas, po qe se ai i vjen përshtat qëllimit tënd të vendosur paraprakisht lidhur me këtë lexim.

Kij parasysh pra principin, se “duke e konsoliduar qëllimin tënd ose duke u përqendruar tek epiqendra e seminarit, artikullit, ideve qendrore, realiteteve kryesore, treguesve, fakteve, argumenteve, shembujve, raporteve dhe lidhjeve, metodave ose linjave, kësisoj do arrish të zhvillosh një lexim metodik, falë të cilit mund të realizosh synimin tënd në kohën më të shpejtë të mundshme”.

Së dyti: Survey: Shfletimi i tekstit:

Presupozon t’i hidhet një vështrim rrëmbimthi karakteristikave të paragrafëve të hyrjes, konspektit (përmbledhjes apo pasqyrës së lëndës) dhe temës qendrore të subjektit, me qëllim që të formohet një këndvështrim i përgjithshëm mbi artikullin, çështjet dhe diskutimet e tij. Krahas kësaj lypset të njohësh fokusin e materialit apo thënë ndryshe epiqendrën e artikullit, se për çfarë bën fjalë ai, pse jo edhe këndvështrimin me të cilin autori e trajton atë.

Ky shfletim nuk duhet të marrë më tepër se një apo maksimumi dy minuta.

Së treti: Question: Përgjigju pyetjeve?

Kjo gjë realizohet përmes dy hapave:

1. Formuloi ato pyetje, të cilave synon t’iu japësh përgjigje.

2. Cila është njohuria ime themelore, sa i përket subjektit në fjalë?

Thënë ndryshe, para marrjes së njohurive të reja kërkohet një lloj dinamizmi dhe vënie në lëvizje.

Kryetitullin e artikullit shndërroje në pyetjen qendrore, të cilës po synon t’i përgjigjesh përmes leximit tënd. Për shembull, nëse ti po lexon një artikull mbi leximin e shpejtë, atëherë mund të vendosësh pyetjet në vijim:

Përse leximi ynë është i avashtë?

Cilat janë teknikat që duhen përdorur për shpejtimin e leximit?

Së katërti: Read Selectively: Lexoje tekstin në mënyrë të përzgjedhur:

Lexo për të gjetur përgjigjen e pyetjeve të tua dhe bëje këtë, duke lexuar fjalinë e parë të çdo paragrafi. Ke për të parë se kështu do mund të gjesh vërtet përgjigjet e duhura në një formë të arrirë.

Disa herë teksti i artikullit t’i dhuron vetë përgjigjet, falë sistemimit të tij me fjalët: Pika e parë... pika e dytë... pika e tretë... e kështu me radhë.

Në disa raste do të të duhet ta lexosh të gjitha paragrafin me kujdes, që të kuptosh paragrafin vijues dhe të gjesh thelbin e subjektit apo idesë kryesore të fshehur në të.

E përgjithshmja është, se materiali duhet parë tek idetë, të dhënat dhe faktet, gjë e cila do të të ndihmojë vërtet shumë në përmbushjen e qëllimin tënd.

Së pesti: Recite: Deklamimi (Përsëritja Intonacionale):

Pa parë tek libri, renditi apo jepi përgjigjet për pyetjen që ke, duke përdorur sa të mundesh fjalët e tua. Nëse pas kësaj nuk arrin të kesh rezultat pozitiv të arsyeshëm në këtë gjë, atëherë përsërite sërish pjesën në fjalë.

Së gjashti: Reduce and Record: Përmbledh dhe Regjistro:

Për këtë komponent është përdorur edhe termi “rite-ceremoni” që presupozon të përgatisësh një konspekt (përmbledhje) për vijat e trasha të pyetjes dhe përgjigjeve të tua. Pyetjet duhet të jenë me fjalë kyçe ose shprehje koncize (jo të gjata).

Për shembull:

Leximi ynë është i avashtë për shkak të:

1. Komandimit prej zërit të brendshëm.

2. Rikthimit të leximit gabimisht ose me dashje

3. Leximit fjalë për fjalë. Etj.

Së shtati: Reflect the Information: Paqyro dhe Përsërit të Dhënat:

Psikologjia njohëse (kognitive) bën me dije, se faktori i përsëritjes e shton nxënien dhe memorizimin në vazhdimësi, atëherë kur ne vendosim “hegjemoninë” tonë në lëmin e mësimit të njohurive të reja. Ky dominim mund të arrihet duke i medituar mirë të dhënat, duke i shoshitur të gjitha anët e tyre përmes analogjisë, klasifikimit dhe lidhjes së pjesëve në vetëdijen dhe eksperiencën tonë personale, duke i ndërthurur ato me njëra-tjetrën, duke i organizuar, strukturuar dhe pastaj duke i ristrukturuar dhe riorganizuar. Koj mund të ketë për vatër memorien tënde pamore (vizuale), por mund të sillet edhe në një trajtë të vizatuar mbi një copë letër.

Me mbërritjen tek kjo pikë, ke mbërritur tek dominimi i linjave të trasha të leximit të artikullit, duke pasur trajtën bruto të tij: ristrukturimin e materialit në tituj matës, sistem të renditur, tabelë, skicë me trajektore, hartë ose edhe në një vizatim të paorganizuar në një formë përfundimtare.

Pasi ta kesh bërë këtë pasqyrim për njërin pasazh të artikullit, i kthehesh pasazhit tjetër dhe bën lidhjen midis tij dhe pasazhit paraprak.

Së teti: Review: Riprodhimi:

Shfletoi shënimet e tua të përmbledhura të faqes, pasazhit, pjesës ose paragrafit, duk eu hedhur një vështrim tërësor. Kjo gjë mund të kërkojë një lloj organizimi të përgjithshëm apo një strukturim përmbledhës, që e tubon të gjithë subjektin në një të tërë. Pastaj bëj një përsëritje të shpejtë, duke përdorur pyetjet apo aludimet e tua të ndryshme, gjë që do të të shërbejë si stimulim për riprodhimin. Ky lloj deklamimi (përsëritje e koncentruar) mund të bëhet në vetëm pak minuta, teksa riprodhimi i lëndës së artikullit duhet të bëhet përgjatë 24 orëve të leximit të artikullit apo subjektit, kurse në rastet kur kemi të bëjmë me artikuj të rëndësishëm, përveç përgjatë 24 orëshit, riprodhimi i artikullit duhet bërë një ose dy herë në javë.

Është e mundur, që artikullin ta riprodhosh përmes diskutimit të tij me një person tjetër. Sipas studimeve, metoda riprodhuese më efikase është duke ia mësuar një personi tjetër artikullin që synohet të riprodhohet.

Për leximin e një libri:

Bazuar në shqyrtimin tonë, për të lexuar në libër duhen ndjekur një sërë hapash, falë të cilave arrijmë që në fund të çdo periudhe të konstatojmë, nëse jemi ende larg qëllimit apo jo?

Hapat më kryesor janë:

1. Këqyr se cili është autori dhe vitin e botimit. Lexo parathënien, pasqyrën e lëndës (përmbajtjen), vizatimet dhe fotot.

2. Shfleto pjesën e parë dhe të fundit të shqyrtimit, që dendur përbëjnë hyrjen dhe përmbledhjen, pasi ato të dhurojnë gjithë sa të lypset prej artikullit.

3. Lexo pjesën e parë dhe të fundit dhe shfleto pjesët e mesit, gjë e cila ka për të të dhënë një këndvështrim të thellë për librin që po lexon, si dhe ka për të të informuar nëse do të të duhet medoemos të lexosh gjithashtu edhe ndonjë pjesë tjetër nga pjesët e mesit të librit.

4. Sipas nevojës, diskutoi dhe merri në konsideratë termat, pasqyrën e lëndës dhe shtojcat.