Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Tregohu i dhembshur me te vobektet

Gjatë kontakteve të mia me të rinj dhe të reja, si në kontaktet e drejtpërdrejta ashtu dhe ato nëpërmjet faqes tonë të internetit, u drejtoja pyetjen: “Cilat janë ato gjëra që ju bëjnë të vuani dhe të mos jeni të lumtur?”
Përgjigjet që më erdhën – sidomos nëpërmjet faqes – ishin të shumta dhe ato janë të përmbledhura si më poshtë:
Urrejtja dhe zilia që gjejmë në shoqëri, mashtrimi, pakënaqësitë, divorcet e shumta që ndodhin në familjet tona, largimi nga rruga e Zotit, niveli i ulët në shkollë, historitë e dashurisë imagjinare të cilat përfundojnë me lot (për vajzat), të privuarit nga liria, fukarallëku dhe aspekti ekonomik, vonesa e martesës për vajzat, filmat pornografikë, narkomania, dëshpërimi, të studiuarit në një fushë që nuk e pëlqen për shkak të presionit të prindërve, ndrydhja e ndjenjave në shtëpi, shumë gra të martuara mendonin se është tradhtia bashkëshortore, gra të tjera mendonin se është humbja e ngrohtësisë familjare, të rinj të tjerë thoshin se është mungesa e një shoqërie të mirë, ndjenja e vetmisë dhe e pafuqisë, shumë vajza thoshin se është dhuna që ushtrohet ndaj tyre, energji dhe kapacitete të shumta që nuk shfrytëzohen etj...
Të gjithë këto janë të vërteta dhe janë faktorë që njeriu të mos jetojë i lumtur dhe të zhytet në vuajtje e dëshpërim të pafund. Por nuk duhet të harrojmë se Zoti është i dashur dhe i dhembshur me krijesat e Tij. Nëse ka mbyllur disa dyer, ka hapur dyer të tjera për ta bërë jetën e tyre më të lumtur.
Nëse dikush dëshiron të jetojë i lumtur, me gjithë problemet dhe vështirësitë me të cilat përballet, le t’i lumturojë të tjerët. Hapu të tjerëve një derë të mbyllur, që të hapen dyert e tua të kyçura. Nëse kërkon të jetosh i lumtur, mëshiroji dhe falu dhembshuri njerëzve të vobektë.
Kur flasim mbi kontributin dhe ndihmën që duhet t’u japim njerëzve të varfër dhe të vobektë, kemi parasysh vlerat monetare që u ofrojmë atyre, pra, sikur ne u japim dhe ata marrin. Në fakt, ajo që marrim prej tyre është shumë herë më e madhe se ajo që u japim atyre.
 
Historia e Mauritanisë
 
Përfaqësuesit e një organizate bamirëse që ushtronte aktivitetin e saj në Mauritani, shkojnë te një biznesmen i pasur dhe donator zemërgjerë në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’i kërkuar donacione për një strehë jetimësh. Ai i kishte ndihmuar kushedi sa herë projektet e tyre në këto vende dhe pritej që edhe këtë herë të tregohej zemërgjerë. Me t’u njohur me projektin bamirës, donatori u premtoi se do ta financonte ai të gjithë projektin dhe u kërkoi të fillonin menjëherë nga puna. Por një javë me pas, ai ndërroi jetë. Dy tre javë pas ceremonisë mortore, përfaqësuesit e organizatës shkojnë tek djali i tij dhe i tregojnë mbi marrëveshjen që kishin nënshkruar me të atin. Djali u tha se trashëgimia ishte ndarë mes fëmijëve dhe nuk pranoi ta çonte në vend premtimin e babait. Kështu, projekti për strehën e jetimëve dështoi.
Pas disa kohësh, djali udhëtoi bashkë me të shoqen në Francë për pushime. Gjatë qëndrimit atje, në një kohë kur nuk dinin ç’të bënin, një shok i tij i fton të shkojnë në Mauritani për disa ditë, që të ndiqnin nga afër projektet bamirëse të organizatës ku punonte. Biznesmeni refuzoi të shkonte në Mauritani, me pretekstin se është një vend i varfër dhe nuk ke ç’të bësh, por e shoqja insistoi dhe kështu udhëtuan. Kur mbërritën në qytetin që kishin si destinacion, panë një qytet të mjeruar dhe të zhytur në varfëri. Menjëherë u drejtuan për te spitali, i cili ishte i ri dhe i pajisur me pajisje të reja. Me të hyrë brenda, biznesmeni pa fotografinë e babait të tij dhe menjëherë pyeti: “Po fotografia e babait tim përse gjendet këtu?” Shoku i tij iu përgjigj: “Sepse janë donacionet e babait tënd ato që e kanë ndërtuar dhe pajisur këtë spital.”
Kur pa dhe të sëmurët e shumtë që shkonin në spital, vizitoheshin falas dhe merrnin ilaçe, zemra e tij ndryshoi kurs. Menjëherë vajtën tek zyrat e organizatës bamirëse ku ofroi shumën e duhur për ndërtimin e strehës së jetimëve.
Ai vetë tregon: “Që atë ditë ndihem i lumtur si kurrë më parë. Njerëzit vijnë të më falënderojnë për veprat bamirëse, por unë ua kthej: “Në fakt duhet t’ju falënderoj unë juve. Ajo që më keni dhënë mua është shumë herë më e madhe se ajo që u kam dhënë. Unë u kam dhënë donacione, kurse ju më keni dhënë lumturinë e munguar.”
Në përgjithësi, njerëzit shohin dhe llogarisin atë që u japin nevojtarëve, duke harruar atë që marrin. Ato që marrim nga nevojtarët në çastin kur i ndihmojmë, janë shtatë gjëra:
 
1 – Plotësimi i pjekurisë tënde. Duke ndihmuar nevojtarët dhe hallexhinjtë, ti përsos pjekurinë tënde në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Psikologët pohojnë se marrëdhëniet me njerëzit, kalojnë në katër etapa:
E para, është etapa kur njeriu mbështetet te të tjerët. Kjo është periudha e fëmijërisë, gjatë të cilës njeriu pret nga nëna ta ushqejë, t’i japë të pijë, ta veshë etj... Kjo njihet ndryshe si etapa “ti” (ku fëmija i drejtohet nënës, ti më jep, ti më ushqe...”
E dyta, është etapa e pavarësisë nga të tjerët, adoleshenca. Kjo njihet ndryshe si etapa “unë”, unë dua të udhëtoj, unë dua të shoh ndeshjen etj...
E treta, është etapa e ndërveprimit dhe suksesit në jetë, ose etapa “ne”.
E katërta, është etapa e plotësimit të pjekurisë, kur njeriu mendon dhe u ofron ndihmë të tjerëve pa pritur prej tyre shpërblim, ose etapa “ju”. Kjo është etapa kur njeriu arrin maksimumin e pjekurisë së tij.
Ka të rinj tridhjetë vjeçarë, të cilët janë akoma tek etapa e parë. Ata vazhdojnë të kërkojnë nga prindërit t’i ushqejnë, t’u blejnë rrobat dhe t’u japin para. Të rinj të tillë, nëse nuk kanë probleme me zhvillimin fizik, kanë probleme të rënda me pjekurinë. Si mund të jenë të lumtur njerëz të tillë?
Nëse kërkon të ndihesh i lumtur dhe në paqe me veten, duhet ta plotësosh pjekurinë.
 
2 – Ëmbëlsia e kontributit. Vetë kontributi dhe ndihma që i ofron një nevojtari, kanë ëmbëlsi dhe lezet të veçantë. Ëmbëlsia e dhënies, është më e madhe se ajo e marrjes. Ai që jep përjeton kënaqësi më të madhe se ai që merr. Kjo është e ngjashme me gëzimin e Zotit, në momentin që një rob gjynahqar pendohet dhe i kthehet rrugës së Tij.
Në këto çaste më vijnë ndërmend fjalët e një prindi, i cili para se të vdiste i pohonte vajzës së tij: “Për Zotin tashmë nuk kam frikë nga vdekja, edhe sikur të më vijë në këto çaste. Nga kjo botë kam marrë shumë, pasi kam dhënë shumë. Unë nuk e kuptoja dallimin mes përfitimit dhe kontributit. Të dyja më linin të njëjtën shije dhe kënaqësi. Sa herë që kam dhënë, edhe kam marrë.”
Kur jetojmë vetëm për vetet tona, lindim të vegjël, jetojmë të vegjël dhe vdesim të vegjël. Ndërkohë që kur jetojmë për të tjerët, lindim të vegjël, jetojmë të mëdhenj dhe vdesim të mëdhenj.
 
3 – Afërsia me të dërguarin e Zotit (a.s.). Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Nëse një person ec për të përmbushur një nevojë të vëllait të tij, është më mirë se të qëndrojë në itikaf për dyzet ditë.”
Kur Profeti (a.s.) u kthye i frikësuar nga shpella Hira, Hadixheja e qetësoi me fjalët: “Jo për Zotin, nuk të lëndon Zoti ty. Ti shkon mirë me farefisin, ndihmon të dobëtin, i jep atij që nuk ka, respekton mikun dhe gjithmonë, përkrah të drejtën”.
 
4 – Përjetësia. Duke u shtrirë dorën nevojtarëve dhe duke u zgjidhur hallet, njeriu e përjetëson emrin. Nëse dëshiron që gjurmët e tua të mos fshihen pas vdekjes tënde, duhet të bësh diçka për të tjerët. Zoti i lartësuar thotë në Kuran:
“Sigurisht, Ne i ringjallim të vdekurit dhe shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre. Ne e kemi llogaritur çdo gjë në një Libër të qartë.” (Jasin, 12)
Të gjithëve ne na pëlqen përjetësia dhe do të bënin gjithçka që ta arrinim atë. Vetë shejtani i mallkuar, e mashtroi Ademin (a.s.) duke i premtuar përjetësi dhe mbretëri të pafund.
“Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?” (Taha, 120)
Çfarë mendon për një vdekje, e cila të shkëput krejtësisht nga jeta e kësaj bote, ku nuk të përmend kush pas vdekjes dhe të harrohet emri? A do ta dëshiroje një vdekje të tillë? Përse të mos mbesë emri yt edhe pas vdekjes? Përse të mos përmendesh për mirë? Përse të mos lësh gjurmë pas?
Shumica e njerëzve jetojnë disa dhjetëra vite mbi tokë dhe zhduken nga sipërfaqja e saj pa lënë gjurmë. Ata vijnë dhe largohen aq shpejt, siç vjen dhe largohet një re në mes të korrikut, pa lëshuar asnjë pikë shi për banorët e tokës. Ata jetuan pa u ndjerë dhe vdiqën pa e ditur kush.
Imagjinoni njëzet vite pas vdekjes tuaj çfarë mund të thuhet. Për shkak të veprave të mira që ke lënë pas, njerëzit do të thonë: “Këtu ka kaluar filani dhe ja gjurmët e tij të mira.
Nuk është njeri i madh ai që e mbush jetën me vepra të mira, por i madh është ai të cilit veprat e mira nuk i vdesin me vdekjen e tij.”
Imam Neveviu ka vdekur para gjashtëqind vitesh, megjithatë emri i tij nuk harrohet nga myslimanët. Në çdo shtëpi myslimane do të gjesh librin e tij “Rijadus Salihin”, një koleksion i haditheve të profetit Muhamed (a.s.).
Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush shpik një traditë të mirë në Islam, shpërblehet për veprën e tij të mirë dhe për të gjithë ata që do e veprojnë pas tij.”
Imagjinoje pak ditën kur do të të mbajnë në arkivol duke të përcjellë për në varreza. Vallë çfarë do të thonë njerëzit? A do thonë: Zoti e faltë! Nuk ka bërë asgjë për të tjerët, por jetoi vetëm për veten e tij. Apo ditën që do të vdesësh, kushedi sa jetimë, gra të veja dhe hallexhinj, do të qajnë dhe do ta përcjellin xhenazen tënde, duke u lutur për ty.
 
5 – Qetësia shpirtërore për vete dhe për fëmijët e tu. Të mirat që u ke bërë njerëzve, do t’i falin të gjithë familjes tënde qetësi dhe paqe. Në historinë e Hidrit me Musain (a.s.), ceket historia e dy jetimëve, të cilët kishin pasur një baba të mirë dhe të ndershëm. Zoti dërgoi Hidrin t’ju restaurojë murin ku ishte fshehur thesari, me qëllim që ta gjenin pasi të rriteshin. Nëse i do fëmijët e tu dhe shpreson të jetojnë të lumtur dhe të qetë pas teje, bëj mirë.
Duke kontribuar, ti ndihesh i qetë që kjo mirësi e Zotit do të vazhdojë. Profeti (a.s.) ka thënë: “Zoti u jep të mira disa njerëzve dhe ua shton, përderisa me to ndihmojnë hallexhinjtë dhe nevojtarët. Kur ata mërziten dhe nuk i ndihmojnë nevojtarët, i privon nga këto të mira dhe ua jep njerëzve të tjerë.”
 
6 – Mëshira dhe dhembshuria që të mbush zemrën. Profeti (a.s.) ka thënë: “Njerëzit e dhembshur, i mëshiron i Gjithëmëshirshmi.”
Tregohu i dhembshur me hallexhinjtë dhe nevojtarët, që të të mëshirojë dhe të tregohet i dhembshur Allahu i lartësuar.
Të gjithë ata që ndihen të stresuar dhe të dëshpëruar, le të mëshirojnë të tjerët që të mëshirohen nga Zoti.
 
7 – Sevapi dhe shpërblimi i Zotit. Profeti (a.s.) ka thënë: “Njeriu më i dashur te Zoti, është më i dobishmi për njerëzit.”
Duke i ndihmuar nevojtarët, ti siguron dashurinë e Zotit. Profeti (a.s.): ka tënë “Vepra më e mirë dhe më e dashur te Zoti, është një gëzim që ia fal një myslimani, apo një hall që ia zgjidh atij.”
Duke ndihmuar hallexhinjtë, ti garanton ndihmën e Zotit. Profeti (a.s.) ka thënë: “Allahu është në ndihmën e robit, përderisa robi është në ndihmën e vëllait të tij.”
“Kush i heq një besimtari një brengë nga brengat e kësaj bote, Zoti do t’i heqë atij një brengë nga brengat e Ditës së Kiametit.”
 
Çfarë mund t’u japin nevojtarëve?
Shumë njerëz e konceptojnë ndihmën ndaj nevojtarëve si diçka monetare dhe materiale. Kurse profeti Muhamed (a.s.) e zgjeron këtë koncept dhe përfshin pesë gjëra:
 
1 – Të shoqërohesh dhe të miqësohesh me ta. Shembullin më të mirë kemi të dërguarin e Zotit. Në Medinë, ekzistonte një shtresë myslimanësh të ardhur nga Meka, të cilët ishin shumë të varfër. Ata banonin kolektivisht ngjitur me shtëpinë e Profetit (a.s.), i cili kishte caktuar këtë vend, me qëllim që të binin në sy nga myslimanët e tjerë, t’u ofrohej ushqimi dhe ndihma e nevojshme. Vetë Profeti (a.s.) i stimulonte myslimanët që t’i ushqenin dhe t’i ndihmonin, duke u thënë: “Ndër veprat më të mira është gëzimi që i fal një myslimani një veshje që i dhuron për të mbuluar trupin, kur i shuan urinë dhe kur i zgjidh hallet.”
Disa prej shokëve të Profetit (a.s.) tregojnë se i dërguari i Zotit i vizitonte njerëzit në nevojë, vizitonte të sëmurët e tyre dhe përcillte të vdekurit e tyre.
Ebu Seid El-hudrij ka thënë: “U ula me një grup myslimanësh të varfër nga Meka. Ndërkohë që njëri prej tyre lexonte pasazhe nga Kurani, vjen i dërguari i Zotit (a.s.), i cili ulet në mes dhe u bën me shenjë që të ulen në formë rrethi. Mandej na pyeti: “Çfarë po bënit?” Dikush u përgjigj: “Po dëgjonim Kuran nga filani.” Profeti (a.s.) tha: “Falënderoj Zotin i cili më ka urdhëruar të jem i durueshëm me umetin tim.”
Profeti (a.s.) kishte si qëllim ajetin: “Mos i dëbo ata që i luten Zotit të vet në mëngjes e mbrëmje, duke e dëshiruar Fytyrën (mirësinë) e Tij!” (En’am, 52)
Diçka e tillë ka qenë e paimagjinueshme për kohën e Profetit (a.s.). Paria e Kurejshëve i kishin kërkuar Profetit (a.s.) që të caktonte një kohë, që t’ju fliste vetëm atyre për fenë, duke i përjashtuar myslimanët e varfër dhe të vobektë. Atëherë Profetit (a.s.) iu shpall ajeti i mësipërm.
Gjëja e parë që Profeti (a.s.) bënte me njerëzit e rëndomtë dhe nevojtarët ishte se shoqërohej me ta dhe diskutonte çështje të ndryshme. Ai është një pishtar ndriçues që na bën dritë në errësirat e jetës.
Xhulejbib ishte një nga shokët e Profetit (a.s.), por ishte shumë i varfër. Ai nuk kishte as strehë ku të fuste kokën dhe banonte bashkë me disa myslimanë pranë shtëpisë së Profetit (a.s.). Përveç fukarallëkut, Xhulejbib kishte dhe një pamje jo të hijshme. Kjo kishte bërë që disa myslimanë të mos preferonin të komunikonin me të. Kurse Profeti (a.s.) shoqërohej dhe bisedonte me të. Një ditë, Profeti (a.s.) e pyeti: “O Xhulejbib! A je martuar?” Ai u përgjigj: “E kush martohet me mua, o i dërguari i Allahut!”
Profeti (a.s.) i thotë: “Unë do të gjej një nuse o Xhulejbib.”
Menjëherë, Profeti (a.s.) shkon në shtëpinë e njërit prej banorëve të Medinës. Ai kishte një vajzë, të cilës i kishte vdekur burri dhe kishte mbetur e ve. Profeti (a.s.) hyn brenda dhe i thotë: “Kam ardhur të kërkoj dorën e vajzës tënde.” Babai e pyet: “Për kë, o i dërguari i Allahut?” Profeti (a.s.) i përgjigjet: “Për Xhulejbib-in.”
Babai i thotë: “Për Xhulejbib-in?! Më prit sa ta pyes vajzën dhe nënën e saj.” Babai e diskuton këtë me nënën e vajzës e cila thotë: “Ta fejojmë me Xhulejbibin?! Jo për Zotin. Ne kemi kthyer mbrapsht burra më të mirë se ai.”
Në atë kohë, bisedën e tyre e dëgjon vajza, e cila ndërhyn dhe pyet: “Kush ka ardhur të kërkojë dorën time?” Babai përgjigjet: “Vetë i dërguari i Allahut.” Vajza thotë: “A dëshironi të ktheni mbrapsht të dërguarin e Zotit?! Unë jam dakord me këtë martesë.”
Disa ditë pas martesës së tyre, myslimanët nisen për një betejë. Bashkë me ta edhe Profeti (a.s.) dhe Xhulejbibi i sapomartuar. Pas betejës, Profeti (a.s.) i pyet myslimanët: “Kush mungon prej myslimanëve?” Secili përmend emrat e njerëzve të afërm, të cilët ishin vrarë. Profeti (a.s.) pasi i dëgjoi tha: “Kurse unë nuk shoh Xhulejbib-in mes nesh.”
Myslimanët e kërkuan dhe e gjetën të vrarë mes shtatë të vrarëve jomyslimanë. Profeti (a.s.) u drejtohet myslimanëve dhe u thotë: “A e shihni?! Ka vrarë shtatë, pastaj e vranë. Ti je pjesë e imja o Xhulejbib dhe unë pjesë e jotja. I hapni varrin vëllait tuaj!” Mandej Profeti (a.s.) e merr trupin e Xhulejbib-it dhe e mban në duar derisa hapet varri. Pasi u hap varri, Profeti (a.s.) e vendosi trupin e tij në varr dhe duke parë nga qielli tha: “O Zot! Unë jam i kënaqur me Xhulejbib-in, prandaj kënaqu dhe Ti!”
 
2 – Të preokupohesh për shqetësimet dhe hallet e tyre. Profeti (a.s.) ka thënë në një hadith: “Unë i dua besimtarët më shumë seç duan veten e tyre. Kushdo që vdes nga besimtarët pa shlyer një borxh, unë do t’ia shlyej atë. Kushdo që lë pas pasuri, ajo u takon trashëgimtarëve.”
 
Kur Profeti Muhamed (a.s.) u vendos në Medinë, Selman El-Farisij ishte skllav te një çifut. Pasi u sigurua se ai ishte profeti që pritej të dilte, Selmani përqafoi islamin. Që këtu, padroni çifut ia shtoi punët dhe shërbimin nga inati. Edhe pse kishte shumë dëshirë, ai nuk merrte dot pjesë në kuvendet e Profetit (a.s.) dhe predikimet e tij. Madje, ai nuk mori pjesë as në betejën e Bedrit dhe as në atë të Uhudit. Kur u takua me Profetin (a.s.), ky i fundit i tha: “O Selman! Blije lirinë!” Kur Selmani i propozoi ta blinte lirinë e tij, çifuti i kërkoi një çmim të majmë, treqind fidanë palme të mbjella dhe dyzet okë argjend.” E ku ti merrte Selmani gjithë këto? Menjëherë Profeti (a.s.) u bëri thirrje myslimanëve që ta ndihmonin. Filluan myslimanët nga të katër anët duke i dhuruar Selmanit fidanë palme. Profeti (a.s.) i tha: “O Selman! Hapi gropat dhe mos i mbill, derisa të vij unë.”
Pasi i hapi gropat, Profeti (a.s.) vajti dhe i mbolli me dorën e tij treqind fidanë palme. Pasi kishin mbirë të gjitha, Profeti (a.s.) e ndihmoi edhe me dyzet okë argjend dhe Selmani fitoi lirinë. Profeti (a.s.) u gëzua shumë dhe në mesin e myslimanëve e kap për dore dhe thotë: “Selmani është pjesë e familjes time.”
Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai që rend në ndihmë të një gruaje të ve dhe të një njeriu në hall, është si ai që lufton në rrugë të Zotit.”
Një grua zeshkane, e kishte zakon të pastronte xhaminë në kohën e Profetit (a.s.). Disa ditë, Profeti (a.s.) nuk e sheh dhe pyet për të. Myslimanët i thonë se kishte ndërruar jetë dhe se e kishin varrosur. Profeti (a.s.) i zemëruar u tha: “Përse nuk më njoftuat dhe mua?!” Mandej vajti te varri i saj dhe i fali xhenazen. Pasi përfundoi u tha myslimanëve: “Këto varreza janë plot errësirë dhe Zoti ua ndriçon me namazin tim.”
 
3 – T’i nxitësh njerëzit dhe t’i stimulosh që të ofrojnë ndihmën e tyre ndaj kësaj shtrese. Zoti i demaskon dhe i citon në veçanti ata që nuk i nxisin njerëzit që t’ju vijnë në ndihmë nevojtarëve dhe fukarenjve. Zoti thotë në Kuran:
“Dhe nuk nxit që t’i jepet ushqim të varfrit” (Maun, 3)
Nxitja për mirë nuk është vetëm për t’i ndihmuar me të holla, por edhe për t’i arsimuar, edukuar dhe orientuar.
 
4 – Mos ua thyej zemrën dhe mos i shiko si të pavlerë dhe inferiorë. Shkonte dikush pas jacie te Profeti (a.s.) dhe i thoshte: “O i dërguari i Allahut! Dua të vish sonte për darkë në shtëpinë time.” Darka përbëhej nga një copë bukë thekre. Megjithatë, Profeti (a.s.) shkonte për darkë dhe qëndronte në shtëpinë e tij.
Zgjidh një person që punon për ty, një të varfër dhe hallexhi dhe ndihmoje! Lute Zotin të dërgojë një njeri hallexhi, i cili të bëhet sebeb që të fitosh xhenetin! Që sot, duhet ta kuptosh se je ti ai që ka nevojë për një njeri të tillë, më shumë seç ka ai nevojë për ty. Që të jetosh i lumtur, duhet të bësh të lumtur dikë të mbytur në halle dhe probleme. Që të hapen portat e tua të kyçura, duhet t’i hapësh portat një hallexhiu dhe nevojtari.
Për shkak se Profeti (a.s.) u vrenjt nga prania e një të verbëri, ndërkohë që po i fliste parisë së Mekës mbi Islamin, Zoti e qortoi në Kuran. Zoti thotë në suren Abese: “Ai u vrenjt dhe ktheu kurrizin, kur i erdhi pranë i verbri. E ku e di ti, ndoshta ai dëshironte të pastrohej (nga gjynahet) ose të merrte këshillë, e këshilla t’i sillte dobi atij?! Sa për atë që është i pasur, ti atij po i kushton vëmendje, megjithëse nuk ke përgjegjësi, nëse ai nuk dëshiron të pastrohet. Sa për atë që të vjen duke nxituar dhe ndien frikë (nga Allahu), ti atij nuk po ia vë veshin. Mos vepro ashtu!” (Abese, 11)
Sa herë që Profeti (a.s.) e shihte Abdullah ibnu Umi Mektum – edhe pse ai nuk e shihte – hapte krahët dhe e përqafonte duke i thënë: “Mirë se po vjen ti që u bëre shkak që të qortohem nga Zoti!” dhe qeshte.
Disa skllevër në Medinë, e kishin bërë zakon që herë pas here t’i shkonin Profetit (a.s.) në xhami me enë me ujë, se mos kishte nevojë të merrte abdes. Edhe kur nuk kishte nevojë, Profeti (a.s.) fuste dorën në enë dhe lante fytyrën, sa për t’u bërë qejfin. Ai kurrë nuk i refuzoi dhe nuk u tha se nuk kishte nevojë, edhe netëve të ftohta të dimrit.
Kur Profetit (a.s.) i sollën disa robër nga Bahrejni, ai pa mes tyre një grua që qante me dënesë. Profeti (a.s.) iu afrua dhe e pyeti: “Përse qan?” Ajo i tha: “Sepse ma kanë shitur djalin si skllav në fisin Abes.” Menjëherë Profeti (a.s.) dërgoi një shumë të hollash për ta blerë djalin e saj dhe për t’ia kthyer nënës.
 
5 – T’u japësh nga të mirat e tua materiale. Kur e përshkruajnë bujarinë e Profetit (a.s.), sahabët thonë: “I dërguari i Allahut ishte shumë bujar, sidomos gjatë Ramazanit. Ai ishte bujar gjatë Ramazanit si era e furishme.”
Profeti Muhamed (a.s.) nuk kthente njeri duarbosh. Një herë, i vajti dikush dhe Profeti (a.s.) nuk kishte çfarë t’i jepte, kështu që i tha: “Kur të kem,do të të jap.”
Umeri që u ndodh aty i tha: “O i dërguari i Allahut! Këtij i personi i ke dhënë më parë dhe Zoti nuk ta kërkon atë që se bën dot.” Profeti (a.s.) heshti dhe nuk foli. Një nga banorët e Medinës ndërhyri dhe tha: “Jep o i dërguari i Allahut dhe mos u frikëso se nuk t’i pakëson Zoti të mirat.” Profeti (a.s.) buzëqeshi nga kjo ndërhyrje dhe shtoi: “Po, kështu jemi urdhëruar.”
 
Ka njerëz që kur gdhihen në mëngjes luten: “O Zot! Mi bëj risk njëmijë lekë!” dhe ka njerëz të tjerë që kur gdhihen luten: “O Zot! Ma bëj risk një nevojtar që t’i jap njëmijë lekë!” Ka të tjerë që luten që në dyert e tyre të trokasin hallexhinj dhe nevojtarë, që t’u zgjidhin hallin. Nëse të troket në derë një hallexhi, mos e ngushto zemrën, por gëzohu dhe dije se ky është tregues i dashurisë së Zotit. Jeto për të tjerët dhe mos jeto vetëm për vete! Nëse jeton për veten, do të jetosh dhe do të vdesësh i vogël e i parëndësishëm. Kapërceje etapën e egos dhe jeto për të tjerët.