Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ziliqari

Nëse i lyen këpucët, i bën gati ushqimin, i vesh rrobat, i bën gati ujin e abdesit, i shtron sexhaden, i pastron shtëpinë etj... sërish do të mbetesh armiku dhe hasmi i tij. Kjo, sepse ti je shkaktari. Po, shkaku mund të jetë dija jote, arsimi, kultura, pasuria, posti dhe shumë gjëra të tjera. E si të shkon në mendje ti kërkosh paqe dhe armëpushim, përderisa nuk je penduar dhe nuk ke hequr dorë nga dhuntitë e tua?!

Ziliqari mezi pret momentin kur të pengohesh dhe të rrëshqasësh. Ai ëndërron dhe shpreson të gremisesh sa më shpejt.

Dita më e bukur e tij, është dita kur të kaplon sëmundja. Momenti më i lumtur i tij është momenti kur ti thyhesh. Koha më e dashur e tij, është kur të sheh të zemëruar, të pikëlluar, të mërzitur dhe të shqetësuar. Sakaq, çasti më i trishtë i tij është ai kur të sheh të pasur, lajmi më i kobshëm kur dëgjon se je lartësuar, fatkeqësia më e rëndë kur sheh se po ngjit shkallët e suksesit. E qeshura jote është e qara e tij, gëzimi yt është mortja e tij, suksesi yt është dështimi i tij.

Ai është i gatshëm të harrojë gjithçka rreth teje, përveç gabimeve, është gati të injorojë gjithçka, përveç shkarjeve të tua. Një gabim i yti i parëndësishëm,  për të është më i madh se mali i Uhudit. Gjynahu yt më i vogël, tek ai konsiderohet si një vargmal i pafund. Nëse je gojëtari më i madh, për të nuk di të lidhësh dy fjalë. Nëse je bujari më i madh, për të je koprraci më i madh. Nëse je i zgjuari i dynjasë, për të je kokëboshi i dynjasë.

Ai që të lavdëron në sytë e tij, është kokrra e gënjeshtarit dhe mynafiku më i madh. Kush të mbron në prezencën e tij, është njeri i pavlerë dhe një mediokër sylesh. Ai beson vetëm ata që të shajnë, do ata që të urrejnë, afron armiqtë e tu, ndihmon ata që të kanë braktisur...

E bardha në sytë e tu, është e zezë në sytë e tij, kurse dita është natë. Asnjëherë mos e prano si gjykatës mes teje dhe dikujt tjetër, pasi do të gjykojë në disfavorin tënd, akoma pa i dëgjuar faktet e tua. Mos i trego ndonjë sekret tëndin, pasi do bëjë çmos derisa ta marrë vesh bota mbarë. Ai ta ruan të keqen dhe i shënon shkarjet e tua, për ditën më të ligë tënden.

S’ke asnjë rrugëzgjidhje tjetër përveç se ti shmangesh, ti fshihesh nga sytë, ti qëndrosh larg dhe mos ia dish fare shtëpinë.

Ti e ke sëmurë dhe e ke detyruar të zërë shtratin. Ti e ke lënë gjithë natën pa gjumë, ti ia ke nxirë jetën, i ke shkaktuar stres, e ke mërzitur, bezdisur, lodhur dhe rraskapitur. Ai është një zullumqar, që ka veshur petkun e të persekutuarit.

Ty të mjafton fakti që është në pikë të hallit, që vuan, që e ka gozhduar mjerimi dhe trishtimi. Lëre ziliqarin në të keqen e tij! Lëre në belanë që e ka gjetur! Mos ia vër veshin të shkretit, gjë e cila është nga tiparet e njerëzve të mençur. Në kohët e lashta, arabët thoshin: Fisnikëria është të mbyllësh njërin sy dhe njërin vesh.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free