Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

A duhet të lejohet prostitucioni

Parimet kryesore
1- Ndalimi (ta bësh diçka të paligjshme), lejimi (ta bësh diçka të ligjshme) ose të paktën ta tolerosh) është e drejta e Allahut.
2- Kur teksti i Kuranit ose Suneti janë autentikë në autoritetin e tyre dhe të qartë në kuptimin e tyre, atëherë asnjeri nuk i ka kompetencat për të vendosur para tyre.
3- Ligjshmëria ose paligjshmëria e një praktike duhet të vendoset sipas parimit të Kuranit: “Do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat”. (7:157)
4- Nderi, integriteti dhe pastërtia e mashkullit dhe e femrës është një nga pesë parimet universale të përkrahura nga të gjitha fetë e shpallura.
Në shumë shoqëri, atmosfera morale që kanë pikëpamje laike dhe ku legjislacioni pasqyron normat dhe zakonet e kulturës dhe të praktikës, është bërë “liberale” dhe individët kanë “lirinë” të kryejnë veprime, që u japin kënaqësi vetjake, sa kohë që nuk shkelin të drejtat e të tjerëve. Një atmosferë e tillë morale mund ta justifikojë ligjërimin e prostitucionit. Thuhet se prostitucioni nuk është më keq sesa praktikat homoseksuale që pranohen, ligjërohen dhe tolerohen në shoqëritë e sotme. Për një burrë apo një grua që ushtron prostitucionin, ndryshimi ndërmjet veprimit të tyre dhe veprimit të lesbikeve dhe homoseksualëve është degradimi i trupit duke vënë një çmim për të. Ata që duan, që prostitucioni të ligjërohet, argumentojnë se ai është aktivitet, që ka për qëllim argëtimin e partnerit që paguan, ashtu si një kërcimtar apo aktor argëton ata që i shikojnë. Në fund të fundit, legjislacioni po përshtatet me nocionin e lirisë vetjake dhe me mungesën e detyrimit në profesionin e prostitutave. Ky lloj argumenti po fiton terren në shoqërinë e sotme “tolerante”. Komiteti i Synodit për çështjet sociale ka treguar në një raport të fundit, se favorizon mos konsiderimin e lidhjeve seksuale jashtë martese si mëkat dhe kjo ndihmon ligjërimin e prostitucionit.
Për myslimanët çështja e ligjshmërisë është krejtësisht jashtë mundësive të pushtetit të njeriut. Ajo është thjesht e drejta e posaçme e Allahut, e Krijuesit tonë. Nëse këtë e lë në dorë të një njeriu, është njëlloj si t’i japësh atij personi, institucioni apo organizate të drejtë që të adhurohet. Kur Adij b. Hatimit, i konvertuar nga krishterimi, iu lexua ajeti 31 i sures Teube “Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë të urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot” ai tha: “O i dërguari i Allahut, ata nuk i adhuronin”. I dërguari i tha: “A nuk ua ndaluan ata atë që ishte e lejuar? A nuk ua lejuan atë që ishte e ndaluar?” Adij tha: “Po”. Pastaj profeti i tha: “Kjo bëri që ata të adhuroheshin”. Kurani e ka bërë të qartë se Allahu e ka gjithçka në dorë. Allahu thotë të Kuran: “Prandaj mos thoni me gjuhët tuaja të rreme: “Kjo është e lejueshme e kjo është e ndaluar”, që kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me siguri, ata që trillojnë gënjeshtër ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë”. (16:116)
Për sa i përket qëndrimit të Kuranit lidhur me prostitucionin, vërejmë se e trajtoi në mënyrë graduale, ashtu si veproi me të gjitha praktikat shoqërore, që kishte si synim t’i reformonte. Prostitucioni praktikohej gjerësisht në një sërë formash dhe tolerohej dhe pranohej si një prej praktikave shoqërore. Ai u dënua në shumë ajete kuranore mekase si një praktikë imorale që ndalohej nga Allahu, por nuk jepej ndonjë dënim specifik për të.
Në Kuran thuhet: “Edhe ata që pos Allahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi ditën e Kijametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë” (25: 68-69). Në këtë rast Kurani përshkroi një tablo të denjë të moralitetit të robërve të bindur dhe jep paralajmërimin më të ashpër për ata që nuk binden, por dënimi i përmendur është në botën tjetër.
I njëjti qëndrim shihet dhe në “Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe” (17:32). Në këtë rast urdhri për t’u larguar nga imoraliteti shpjegohet në mënyrë racionale – se është një veprim që tregon degjenerim, paturpësi dhe është një drejtim i rrezikshëm në shoqërinë njerëzore. Por, megjithëse ndalohet plotësisht, sërish nuk caktohet një dënim për të.
Por sapo u krijua komuniteti mysliman dhe u konfirmua autoriteti i Allahut, profetit iu shpallën rregullat dhe normat që trajtonin këtë devijim të sjelljes së njerëzve, që të viheshin në praktikë. Shenja e parë e këtyre rregullave u pa në Suren 4, ajetet 15-16 ku u urdhërua, se gratë që bëjnë imoralitet, duhet të burgoseshin pa afat derisa të vdisnin apo derisa të vinte një urdhër tjetër. Ajeti 16 solli disa dënime për burrat, që kryenin akte homoseksuale, derisa të largoheshin nga ky krim i urryer. Më në fund rregullat përfundimtare dhe ndëshkimet përkatëse u shpallën në Suren 24. Vargjet e para të këtij kapitulli caktuan rregullat që specifikojnë dënimin, kategoritë e ndryshme të atyre që e kryejnë atë (të martuara apo të pamartuara), ndalimin e martesës me ata që dihen se e kanë kryer këtë akt dhe përfundimisht ndalimin dhe dënimin e atyre që akuzojnë gabimisht atë që e ka kryer këtë gabim. Profeti i dha me hollësi të gjitha rregullat dhe ligjet lidhur me këtë çështje. Si rezultat çdo lidhje fizike jashtë martese ishte e ndaluar dhe meritonte dënim. Rregullat ligjore u bënë pjesë e sistemit ligjor penal islam. Pra, është vendosur, se ky veprim penalizohet, ndalohet dhe ndëshkohet fizikisht si dhe nga shoqëria dhe asnjë nuk mund ta kundërshtojë atë, përveç jobesimtarit.
Ka shumë mënyra mbrojtëse dhe rrethana lehtësuese për të mbrojtur të pafajshmit dhe për të ndaluar bisedat spekulative për integritetin dhe natyrën e mirë të atyre që mund të përfshihen. Por këto janë masa ligjore parandaluese dhe mbrojtëse për krimet që nuk janë vërtetuar dhe nuk shkelin në asnjë mënyrë vlefshmërinë e aplikueshmërisë së rregullave dhe pa dyshim jo ndalimin apo shfuqizimin e tyre.
Natyra e rregullave
Rregullat dhe normat islame nuk i imponohen shoqërisë në mënyrë arbitrare. Ato ndjekin një bazë logjike të dhënë në Kuran dhe pasqyrojnë dhembshurinë, përkujdesjen dhe arsyetimin. Kjo thuhet qartë në Kuran, duke krijuar strukturën e përgjithshme të sistemit ligjor islam. Allahu e ka përcaktuar misionin e profetit në lidhje me këto koncepte morale dhe racionale: “e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, dhe heq nga ata barrën e rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta. Pra, ata të cilët e besojnë atë, e nderojnë dhe e ndihmojnë, veprojnë me dritën që iu zbrit me të, të tillët janë të shpëtuarit”. (A`raf 157). Kështu myslimanët besojnë, se ky është qëllimi i mënyrës islame të jetës në përgjithësi dhe për rregullat dhe normat në veçanti. Çdo çështje ligjore e veçantë duhet të gjykohet, duke pasur parasysh këtë sistem të përgjithshëm moral.
Synimi i kësaj pjese të veçantë të legjislacionit
Përveç strukturës së përgjithshme morale të legjislacionit islam, në çdo çështje të veçantë duhet të arrihen disa objektiva. Në Islam familja është baza e rendit social. Ajo duhet të ndërtohet mbi themele të forta, që do t’ia mundësojnë asaj t’u mbijetojë sfidave, tensioneve dhe problemeve të një marrëdhënieje të gjatë.
Në të njëjtën kohë duhet të kujdeset dhe të mbrojë ata, që përfshihen në të - bashkëshortja, bashkëshorti, fëmijët, dhe të gjitha ata që luajnë një rol në stabilitetin dhe vazhdimësinë e saj. Mes këtyre anëtarëve ka disa obligime ligjore themelore, ata që përfshihen nga termi “familje e zgjeruar”. Respektimi i atyre që përfshihen është një koncept shumë i rëndësishëm për sa i përket emrit të mirë të lidhjeve, përgjegjësisë morale dhe financiare për rritjen e fëmijëve dhe atyre që mbajnë emrin e familjes dhe trashëgojnë pasurinë e saj. Të gjitha këto të drejta burojnë nga një marrëdhënie e vendosur në mënyrë të qartë. Siguria dhe qetësia e atyre që jetojnë në të njëjtën zonë dhe çrrënjosja e burimeve të tensionit dhe të konfliktit është gjithashtu e rëndësishme. Të gjithë këto janë objektiva legjitime, që duhet të mbrohen dhe të realizohen.
Profeti (a.s) ka thënë në një hadith, se një gjë shumë e rëndësishme pas besimit tek Zoti është gruaja e mirë. Ai i ka këshilluar të rinjtë që kanë mundësi financiare dhe fizike të martohen, sepse kjo është mënyra më e mirë për të ruajtur pastërtinë dhe integritetin e njerëzve. Kurani thotë: “Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit) edhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershëm e të ndershme. Nëse janë të varfër, Allahu i begaton nga mirësitë e Tij, Allahu është Bujar i madh, i Gjithëdijshëm” (24:32).
El-Islam nuk ka vendosur kufizime apo detyrime për ata që duan të martohen. Në martesë, përgjegjësitë financiare bien mbi burrin. Të dy duhet të jetojnë brenda mundësive të tyre. Nëse ato që fitojnë nuk mjaftojnë, shteti duhet të kujdeset për ta. Nëse nuk ekziston një sistem i tillë social, ata duhet të ndihmohen nga komuniteti lokal.
Nuk lejohet që të përdoret nevoja financiare apo fizike si justifikim për të kryer praktikën joligjore të imoralitetit. Martesa është një mënyrë e thjeshtë dhe e lehtë për të plotësuar nevojën e njeriut. Imoralitetin e praktikojnë vetëm ata që janë lakmitarë, materialistë dhe pa parime. Ai sjell vetëm sëmundje dhe sjell në botë fëmijë, të cilët vuajnë pasojat e gabimeve të të tjerëve.
Allahu thotë në Kuran: “Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. All-llahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini”. (24:19)


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free