Filxhani i cajit
Na ishte njëherë një çift, i cili shkonte në Angli, për të blerë sende në dyqanet më të bukura. Që të dy i pëlqenin gjërat antike dhe qeramikat, veçanërisht filxhanët e çajit. Me rastin e 25 vjetorit të martesës, vendosën të blejnë diçka të veçantë.Një ditë në një dyqan të bukur panë një filxhan çaji të mrekullueshëm. Iu drejtuan dyqanxhiut me këto fjalë: “A mund ta shohim pak? Deri tani, nuk na kanë zënë sytë filxhan më të bukur.” Kur zonja po u dorëzonte filxhanin, ndodhi diçka e çuditshme! Filxhani filloi të flasë.
“Ju nuk kuptoni,”- “Unë nuk kam qenë gjithmonë filxhan. Ka qenë një kohë kur unë kam qenë baltë e kuqe. Ustai im më mori, më rrotulloi dhe më shtypi gjithandej, ndërsa unë vetëm bërtisja: ‘Më lër, më lër të qetë’, por ai vetëm qeshte dhe thoshte: ‘Ende jo’.
Më pas më vendosi në një rrotullomë marramendëse. Papritur e pashë veten duke u rrotulluar me një shpejtësi rrufe. ‘Ndaloje këtë gjë se po më merren mendtë.’ Unë vetëm bërtisja por ustai im akoma thoshte: ‘Ende jo.’
Pas kësaj më futi në furrë. Nuk kisha ndjerë ndonjëherë nxehtësi aq të madhe. Po mendoja me vete, se përse kërkonte të më digjte! Unë vazhdoja të bërtisja dhe t’i bija derës. E shihja atë nga xhami i furrës dhe në lëvizjen e buzëve të tij arrija të lexoja: ‘Ende jo.’
Së fundi, mjeshtri hapi derën, më vendosi në raft dhe unë nisa të ftohesha. ‘Tani jam më mirë.’- i thashë. Ai më fshiu dhe filloi të më lyejë gjithandej. Era e gazit ishte e tmerrshme. Po më vinte për të vjellë dhe mendova se po mbytesha. Fillova të thërras me të madhe: “Mjaft, mjaft! Por ai akoma pohonte me kokë, ‘Ende jo.’
Më pas më mori dhe më futi, përsëri në një furrë, por, jo si ajo e para. Nxehtësia ishte dyfish më e madhe. E dija që do të më zihej fryma. Fillova t’i përgjërohesha, t’i lutesha, të qaja e të bërtisja, por, gjatë gjithë kohës e shihja atë nga xhami i furrës duke pohuar: ‘Ende jo.’
Ky ishte dhe fundi. Shpresat u shuan. Nuk ia vlente të luftoja më. Isha gati të dorëzohesha. Por, dera u hap dhe ai më mori e më vuri në raft. Një orë më vonë më nxori para pasqyrës, dhe unë nuk mund ta besoja! A isha unë me të vërtetë aty?! ‘Po kjo është e mrekullueshme! Unë jam shumë i bukur!’
Më pa dhe mu drejtua me këto fjalë: ‘Unë e di që të rrotullohesh dhe shtypesh, të dhemb shumë, por nëse do të të kisha lënë vetëm, ti do të ishe tharë. Unë e di që të merren mendtë kur rrotullohesh, por nëse do të kisha ndaluar, ti do të ishe shkërmoqur. Unë e di që në një furrë kaq të nxehtë përvëlohesh, por nëse nuk do të të kisha futur atje, ti do të ishe plasaritur. Unë e dija se sa të vështirë e të pështira ishin gazet dhe bojërat për ty, por nëse nuk do t’i kisha përdorur ato, ti nuk do të ishe forcuar dhe nuk do të gëzoje këtë larmi ngjyrash në jetën tënde. Dhe nëse nuk do të të kisha vendosur sërish në furrën tjetër, ti nuk do ta kishe të gjatë, pasi nuk do t’i rezistoje dot ashpërsisë. Tani me ty çdo gjë ka mbaruar. Ti je ai, që unë kisha në mendje kur fillova punën me ty.
Morali
Allahu e di më së miri se çfarë po bën me ne. Në jemi balta dhe Ai është Formësuesi i kësaj balte. Ai do të na gdhendë e përpunojë dhe do të na kthejë në vepra arti të përkryera, për të përmbushur dhuntinë e Tij absolute ndaj nesh.
Ji krenar që je mysliman!