Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Shpresa ne Islam

Shpresa është të priturit me ngulmim të diçkaje që dëshiron të përfundojë sipas dëshirës sate. Mund të jetë diçka që ti dëshiron të realizohet, mund të jetë diçka që ti dëshiron të mos realizohet. Mund të jetë diçka që ti dëshiron të realizohet apo të mos realizohet pjesërisht. Kur personi është në këtë gjendje pritje, thuhet se ai po pret me shpresë apo po shpreson. Shpresa e dikujt mund të jetë për diçka që mund të arrihet apo diçka që nuk mund të arrihet, diçka që është afër apo diçka që është larg, diçka që është afër por duket e largët apo diçka që është largët por duket afër, diçka që duket se arrihet por nuk mund të arrihet, diçka që duket se nuk mund të arrihet por në të vërtetë mund të arrihet...etj.

Ibn Uthejmin thotë: “Shpresa me përulje dhe nënshtrim nuk duhet drejtuar ndaj askujt veç Allahut. Nëse ia drejton dikujt veç Allahut, është shirk dhe në varësi të gjendjes së zemrës së personit, mund të jetë shirk i madh dhe mund të jetë shirk i vogël . Autori (Abdul-Wahabi) përdor si evidencë thënien e Allahut: Pra kushdo që shpreson të shohë Zotin e tij (dhe të shpërblehet prej Tij), le të bëjë vepra të mira dhe të mos i përshkruaj Allahut partner në të." (Kehf: 110). Shpresa që lavdërohet është ajo që gjendet tek personi që vepron në bindje ndaj Allahut dhe shpreson për shpërblim nga Ai apo tek ai person që pendohet për një mëkat dhe shpreson që pendimi t’i pranohet. Përsa i përket personit që shpreson edhe pse nuk vepron atëherë ky është zhgënjim dhe shpresë e kotë dhe është diçka e urryer”.

Unë them: “Përsa i përket asaj që Ibn Uthejmin r.a thotë se përsa i përket personit që shpreson edhe pse nuk vepron atëherë ky është zhgënjim dhe shpresë e kotë dhe është diçka e urryer, është sikurse thotë ai pasi trasmetohet nga Ibn Maxhah dhe Tirmidhi nga Shadad ibn Aws se Rrasuli tha: “Njeriu i kujdesshëm është ai që mposht vehten (epshet) dhe punon për ç’ka vjen pas vdekjes, ndërsa njeriu i pa zotë është ai që lejon vehten të ndjekë epshet e tij dhe (prapë) shreson tek Allahu (për shpërblim)”. Po ashtu Rrasuli na ka informuar për personin që udhëton në shkretëtirë i pluhurosur dhe me rroba e flokë të shpupuritur dhe që i lutet Allahut duke ngritur duart ndërkohë që ushqimi i tij është haram ...etj. Rrasuli tha: “Si mund të marrë ai përgjigje?”. Apo ç’është më keq akoma, rasti i jehudive që pasi kanë vrarë profetët dhe kanë shpifur për Allahun dhe kanë përgënjeshtruar ajetet e Tij, thonë se zjarri nuk do na prekë veçse për pak ditë. Apo shpresat e kota të të krishterëve se Isa ka paguar për mëkatet e tyre, prandaj kush beson këtë, mund të bëjë ç’të dojë dhe është nga banorët e xhenetit. Apo thënia e tyre që askush nuk do të hyjë në xhenet po qe se nuk është jehudi apo i krishterë. Apo personi për të cilin Allahu na informon në suren Kehf që thotë pasi ai hyn në kopështin e tij të begatshëm: “...Unë nuk mendoj se kjo mund të shduket ndonjëherë. As nuk besoj se dita e gjykimit do të vijë ndonjëherë, por edhe nëse kthehem tek Zoti im, do të gjej atje diçka më të mirë se kjo...”(18:35-37). Për persona të tillë Allahu na thotë: “Ata që nuk shpresojnë në takimin e tyre me Ne, por që janë të gëzuar dhe të kënaqur me jetën e kësaj bote dhe ata që janë të pa vëmendshëm ndaj ajeteve tona, këta janë banesa e të cilëve do të jetë zjarri për shkak të asaj që gjithnjë punuan për t’a fituar”(10:7-8).

Në kontrast me persona të tillë Allahu na thotë për ata që janë të udhëzuar drejt dhe shpresa e tyre është vërtetë e drejtë dhe e lavdëruar:

“A është ai që i është nënshtruar Allahut, që bie në sexhde dhe falet gjatë orëve të natës duke pasur frikë për ahiretin dhe duke shpresuar për mëshirën e Zotit të tij, (njëlloj si ai që vepron kështu)?”(39:9).

“Ata që recitojnë librin e Allahut, falin namazin rregullisht, japin nga ajo me të cilën Ne i kemi furnizuar haptas dhe fshehuras, shpresojnë për një tregëti që kurrë nuk do të dështojë” (35:29).

“Ata që kanë besuar, dhe ata që janë shpërngulur dhe janë përpjekur dhe kanë luftuar shumë në rrugën e Allahut, të gjithë këta shpresojnë për mëshirën e Allahut. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë”(2:218).

“...Nëse ju përjetoni vështirësi, sigurisht edhe ata përjetojnë vështirësi sikurse ju, por ju shpresoni nga Allahu, atë që ata nuk shpresojnë...” (4:104).

Selefët tanë thonin: “Ai shpresa e të cilit e drejton atë nga bindja ndaj Allahut dhe e ndalon atë nga rebelimi ndaj Tij, ai ka shpresë të vërtetë. Kurse shpresa që e shtyn dikë në kotësi, dhe e zhyt në veprime të këqia, s’është tjetër veçse budallallëk i maskuar”.

Po ashtu është thënë: “Kushdo që shpreson ka frikë. Kush ecën në një shteg shpejton kur ka frikë se mos i ikën objektivi për të cilin shpreson”.

Frika dhe shpresa janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe që të dyja janë nga llojet më të rëndësishme të adhurimit. Nëse dikush shpreson por nuk ka frikë, apo frikësohet por nuk ka shpresë, një person i tillë është sikurse zogu i plagosur në një krah. S’ka dallim se cili krah i është dëmtuar. Vallë a mund të fluturojë ai?

Ibn Hiban transmeton në “Raudhat el-Ukala” se Abul Atahijah, vizitoi Harun Rashidin, emirin e besimtarëve. Abul Atahijah tha: “Kur ai më pa, tha: A ti je Abul Atahijah, poeti? Unë i thashë: po. Ai më tha: Më këshillo në formë poeme por mos u zgjat shumë. Unë i recitova atij:

“Mos u ndi i sigurt nga vdekja në asnjë çast

edhe nëse kërkon mbrojtje nga këshilltarët dhe rojet e tu.

Dije se shigjetat e vdekjes janë gjithmonë të drejtuara nga ne

pa marrë parasysh se ç’mburoja apo armë ne kemi.

A mos vallë shpreson (njeriu) për falje kur nuk udhëton drejt saj?

Anija nuk udhëton në tokë të thatë”.


Imam Nawawi thotë në “Rijadus-Salihin”: “Eshtë e dëshiruar që robi i Allahut, kur është i shëndetshëm t’i frikësohet Allahut dhe të shpresojë për mirësi nga Allahu. Që të dyja këto, janë të dëshirueshme njëlloj. Ndërsa kur është i sëmurë, ai duhet të ketë besim të pa tundur dhe shpresë. Në këtë pikë, sheriah, urdhërat Kur’an-orë dhe hadithet janë të qarta”.

Imam Ibn Kethir thotë në tefsirin e tij: “...(robi i Allahut) në adhurim ndien edhe frikë edhe shpresë. Që të dyja janë esenciale në adhurim dhe frika duhet të jetë më e fortë gjatë jetës. Allahu thotë: “Duke iu frikësuar ahiretit dhe duke shpresuar për mëshirë nga Zoti i tij”. Në kohën e vdekjes, shpresa duhet të jetë më e madhe sikurse Imam Abd ibn Humejd transmeton në Musnedin e tij nga Enesi që tha: Rrasuli hyri tek dikush që po vdiste dhe i tha: Si ndihesh? Ai u përgjigj: Jam edhe i frikësuar edhe shpresoj. Rrasuli tha: Ato nuk bashkëegzistojnë në zemrën e dikujt në një kohë si kjo, por Allahu do t’i japë atij atë që ai shpreson dhe do t’a mbrojë nga ajo të cilës i frikësohet” (Kjo transmetohet edhe nga Tirmidhi, Nesai në “el-jawm..”, dhe Ibn Maxhah nga hadithi i Jasar bin Hatim nga Xhafar ibn Sulejman. Tirmidhi tha: “Gharib”).
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free