Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Flirtuesi

I ftuar: Dr. Muhamed Thuvejnij.

Konsulent edukativ. Kryeredaktor i revistës edukative "Fëmija im".

Trajnues i specializuar në çështjet e adoleshentëve.

Autor i një sërë veprave mbi metodat efikase të komunikimit me adoleshentët.

 

Prezantues i emisionit: Xhasim El-Mutava

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Të nderuar teleshikues, ju urojmë mirëseardhjen në emisionin tonë "Familjet e lumtura" motoja e të cilit është "Derisa lumturia të bëhet tradita jonë".

Tema e emisionit të sotëm është "Flirtuesi i ri". Shumë teleshikues mund t'a konceptojnë flirtimin si diçka, që ndodh mes një mashkulli dhe femre, mes të cilëve nuk ekziston asnjë lidhje. Por a mund të ndodhë që babai të flirtojë me vajzën e tij për shembull? Diçka të tillë do e diskutojmë në këtë emision, në të cilin do të përqendrohemi mbi flirtimin mes adoleshentëve. Sidomos në kohën tonë, flirtimi mes të rinjve dhe të rejave është kthyer në një fenomen, që e has në çdo shoqëri.

I ftuari i emisionit tonë është doktori Muhamed Fehd Thuvejni, të cilit i urojmë mirëseardhjen dhe menjëherë i kërkojmë mendimin mbi temën e emisionit të sotëm".

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Unë jam i bindur që shumë teleshikues janë çuditur nga tema e emisionit. Unë do u kërkoja të gjithë atyre teleshikuesve, që kanë shprehur habi dhe çudi mbi këtë temë, që të mos e ndërrojnë kanalin me të cilin po na ndjekin. Unë u kërkoj të na ndjekin deri në fund dhe mos na paragjykojnë nga titulli i këtij emisioni".

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Sa herë që përmendim fjalën "flirtim" na shkon në mendje diçka negative dhe e papranueshme. Na shkon në mendje rendja e të rinjve pas vajzave, ndoshta dhe polici që ndërhyn, konflikte, probleme etj... Ndoshta gjëra që zakonisht kryhen në fshehtësi. Në fakt, a është ky kuptimi i vërtetë i flirtimit, apo ka dhe kuptime të tjerë"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Nga vetë struktura dhe shkronjat e fjalës "Flirtoj" (në arabisht gazele) vërejmë që shkronjat e saj janë me tingull të trashë dhe të rëndë, diçka që është gati të marrë vrull dhe të shpërthejë. Ajo është një fjalë, që shpreh ndryshimin nga një gjendje në një tjetër.

Flirtimi është një situatë e tillë, ku njeriu tërhiqet dhe tundohet pas një tjetri. Diçka e tillë është pozitive nëse bëhet mes bashkëshortit dhe bashkëshortes.

Është për të ardhur keq, që kjo fjalë përdoret vetëm për ngacmimet mes dy sekseve pa lidhje mes tyre. Pra është kthyer në një fjalë, që ka një kuptim negativ. Por ajo që na intereson momentalisht, se kjo fjalë ka kuptimin e tërheqjes fizike, dashurisë dhe dhënies pas seksit të kundërt".

Prof. Xhasim El-Mutava: "Po kur dikush të hyn në zemër dhe e do, çfarë mund të themi"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Ajo është një situatë kur njeriu tërhiqet dhe jepet pas të dashurit/rës. Një ndjenjë e tillë shfaqet në forma të ndryshme. Ajo mund të shfaqet me fjalë ose me shenja. Shumica e poetëve, përdorin gazelin kur flasin mbi dashurinë e burrit për femrën".

 

Gazeli mes dy bashkëshortëve

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Po dashuri dhe miqësi mes babai dhe djalit, ashtu siç ndodh mes dy bashkëshortëve, a mund të ketë"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Fjala gazel (në arabisht) e përfshin dhe dashurinë dhe miqësinë mes prindërve dhe fëmijëve, ashtu siç përfshin dashurinë dhe tërheqjen fizike mes dy bashkëshortëve. Gjithësesi, gazeli më i preferuar, është ai që bëhet mes dy bashkëshortëve. Madje mund të them, që një shtëpi e privuar nga gazeli mes dy bashkëshortëve, është shtëpi e rrënuar. Çdonjëri nga bashkëshortët, duhet të ndjejë dashuri, dhembshuri dhe mëshirë për tjetrin".

 

Si e mësojnë bashkëshortët gazelin?

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Po një burrë që nuk ka aftësitë e duhura për të flirtuar me të shoqen, çfarë duhet të bëjë"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Në një rast të tillë, duhet të ndërhyjë e shoqja dhe t'ia mësojë. Një emision i tillë si ky i sotmi, që ofron një imazh pozitiv mbi disa sjellje brenda në shtëpi, ka rol të madh në lumturinë familjare. Veç kësaj, këshillohet leximi i revistave dhe i librave, që flasin mbi jetën bashkëshortore. Një grua plot ndjenja e ka të mundur t'a mësojë të shoqin. Shumë prej nesh nuk e kanë parë babanë të flirtojë me nënën dhe kështu nuk ia kanë haberin. Prandaj, unë u them të gjithë çifteve: "Provojeni gazelin dhe flirtimin! Madje i këshilloj që të thurin edhe disa vargje që përmbajnë gazel, të cilat ia detikojnë bashkëshortes.

 

Format e flirtimit

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Disa e mendojnë gazelin dhe flirtimin si diçka, që bëhet vetëm me gojë. Në fakt, a është e folura forma e vetme e flirtimit dhe gazelit"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Ne kemi dy forma të spikatura të flirtimit, njëra me anë të gjuhës dhe tjetra me lëvizje.

Përsa i përket të folurës, ajo përmban fjalë vlerësuese. Në këtë rast i lavdëron veshjen, flokët e vajzës etj... Në këtë formë hyjnë dhe vargjet, që thuren për të dashurën dhe fjalë të tilla si "E dashura ose i dashuri i jetës etj...

Kurse përsa i përket lëvizjeve dhe sinjaleve, këtu hyjnë buzëqeshjet, puthjet në ajër, sinjalet e largëta dhe të afërta si përqafimi, prekja, përkëdhelja e kokës etj…

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Tani le të flasim mbi aspektin negativ të flirtimit, të cilin e hasim më së shumti tek adoleshentët. Sot vërejmë që për metodat dhe format e flirtimit, është ngritur dhe funksionon një industri e tërë. Reklamat e ndryshme dhe mjetet pamore dhe të shkruara, kontribojnë në përhapjen e këtij fenomeni dhe pranimin e tij nga e gjithë shoqëria".

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Më sipër folëm mbi gazelin dhe flirtimin pozitiv në familje. Sidomos kohët e fundit, është shfaqur një lloj tjetër gazeli dhe flirtimi, të cilit më shumë i përshtatet termi ngacmim seksual. Kjo ndodh mes të rinjve dhe të rejave. Unë e kam të vështirë t'a quaj fenomen, pasi nuk kemi statistika dhe të dhëna të sakta. Kur flasim mbi sjellje të caktuara mes të rinjve të dy gjinive, flirtim etj... në një shoqëri të lirë, në fakt flasim mbi ngacmim seksual, i cili mund të bëhet me anë të fjalëve dhe lëvizjeve. Në këtë kontekst, kemi pesë forma të flirtimit negativ:

1 – Fjalët e drejtpërdrejta (O zemra, o bukuroshe, o fustani i bukur...) Pas këtyre fjalëve, djali pret reagimin e vajzës.

2 – Shenjat dhe sinjalet (shkelje syri, buzëqeshje, sinjal ...) Pas këtyre lëvizjeve, djali pret refuzimin e vajzës ose miratimin e saj.

3 – Letra. (Ai e vendos atë në çantën e vajzës, makinën e saj ose ia dorëzon nëpërmjet një të treti).

4 – Përdor motrën e tij apo vëllanë e vajzës. Mund të jetë dhe vajza që përdor motrën e saj ose vëllanë. Diçka e tillë zakonisht ndodh në vendet publike, që gumëzhijnë nga njerëzit, si shkollat etj...

5 – Komunikimi nëpërmjet telefonit, celularit ose internetit.

 

Dashuria dhe flirtimi

 

Një teleshikues nga Amerika: "A ka lidhje mes dashurisë dhe flirtimit”?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Flirtimi është një nga dyert e dashurisë. Dashuria është një ndjenjë e fuqishme dhe pozitive, e cila ndodh për të plotësuar një nga nevojat e njeriut".

 

Guximi për të flirtuar

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Kameramani ynë doli në rrugë dhe intervistoi disa të rinj, të cilëve u drejtoi këtë pyetje: "A keni ngacmuar ose flirtuar me ndonjë vajzë dhe si e keni bërë këtë"?

Shumica e përgjigjeve të të rinvje ishin: "Po i kam ngacmuar. Disa prej tyre e kishin bërë këtë duke shkruar numrin e tyre të telefonit në një letër dhe ua hedhur në makinë ose në çantë. Disa të tjerë e kishin bërë duke u hedhur fjalë, ndërkohë që disa të tjerë duke përdorur metoda të pahijshme.

Kameramani i pyeti dhe vajzat nëse janë ngacmuar nga të rinjtë dhe si kanë reaguar. Të gjithë vajzat u përgjigjën se ishin ngacmuar dhe se mënyra më e mirë për të reaguar ishte injorimi. Doktor, cili është mendimi juaj rreth kësaj"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Mendoj se të rinjtë tanë kanë arritur një guxim të tepruar. Unë habitem nga disa të rinj, që e pranojnë me plot gojën se i ngacmojnë vajzt dhe thonë: "Është normale të ngacmosh vajzat. Gjatë ngacmimeve, pres nëse do e lërë lojën të hapur ose jo. Nëse po, unë i vihem pas"!!!

Diçka e tillë nuk ekzistonte qoftë dhe dhjetë vite më parë. Një paturpësi dhe guxim të tepruar e vumë re edhe në përgjigjet e vajzave. Shumica e përgjigjeve të tyre ishin me fjalët: "Po, sigurisht, natyrisht", gjë që tregon se flirtimi dhe ngacmimet seksuale janë bërë të modës në shoqëritë tona. Është vajza ajo, që e ka në dorë t'a pranojë, ose t'a injorojë.

Në raste të tilla, lind pyetja: "Po edukata familjare që kanë marrë nga prindërit, ku është"?

Një djalë që thotë: "Nuk ka asgjë të keqe të ngacmosh vajzat" vallë a nuk e ndjen se edhe të tjerët mund të bëjnë të njëjtën gjë me motrat dhe nënën e tij?

Mua më pëlqeu përgjigja e një të riu, i cili tha: "Diçka e tillë ka të bëjë me moralin dhe vlerat, që mbart secili prej nesh. Unë, ashtu siç nuk e pranoj diçka të tillë për motrën, nënën dhe të afërmet e mia, nuk e pranoj as për vajzat e botës".

 

Flirtimi mes bashkëshortëve, e forcon dashurinë mes tyre

 

Një teleshikues nga Amerika: "Gruaja nuk kërkon vetëm fjalë (flirtuese), por kërkon që këto fjalë të shoqërohen edhe me ndjenja të sinqerta. Unë dua t'u kujtoj të rinjve rrezikun që mbart shoqërimi me vajza në Amerikë. Disa e bëjnë këtë, me qëllim që të forcojnë anglishten, gjë e cila ka pasoja të rënda në të ardhmen".

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Është e rëndësishme që gazeli (flirtimi) të vazhdojë edhe pas martese. Edhe pse dashuria ekziston mes dy bashkëshortëve, flirtimi dhe gazeli vetëm sa e shtojnë atë. Sjelljet e ëmbja, parfumet e mira etj… ndikojnë drejtpërdrejt në komunikimin mes dy bashkëshortëve. Unë mendoj se edhe nëse dashuria nuk është në nivelin e duhur, gazeli dhe flirtimi ndikon në forcimin e kësaj dashurie.

Kurse të rinjtë në Amerikë dhe në perëndim, unë i këshilloj që të ruhen nga shoqërimi me vajza. Unë kam jetuar dhe studiuar tetë vite në Amerikë, në Boston dhe e njoh mirë ambjentin atje. Një nga shokët e mi të ngushtë, vendosi që të mos marrë pjesë në aktivitetet që organizoheshin mes djemve dhe vajzave. Ai nuk dëshironte, që t'a mësonte gjuhën duke u shoqëruar me vajza. Kështu, u mbyll në dhomën e tij, ku vetëm studionte. Megjithatë, vajzat nuk e linin rehat. Ato shkonin dhe i trokisnin në derë, por ai nuk ua hapte. Njëra prej tyre, i hyri në dhomë nga dritarja, por ai e nxorri jashtë. Një tjetër i solli një dhuratë një qen, por ai e refuzoi...! Të shoqërohesh me vajza, është e ndaluar në fenë tonë, sido qofshin rrethanat dhe arsyet. Kushdo, që dëshiron të mësojë dhe studiojë, duhet t'a bëjë këtë duke ndjekur rrugët e lejuara".

Shkaqet e ngacmimeve seksuale

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Cilat janë arsyet që i bëjnë të rinjtë të ngacmojnë vajzat seksualisht"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Çdo sjellje negative, ka shkaqet dhe arsyet e saj. Kështu, arsyet që i detyrojnë djemtë të ngacmojnë vajzat, janë:

1 – Mungesa e dashurisë dhe dhembshurisë në familje. Problemi është se shumë prindër, me të mbushur djali ose vajza e tyre moshën e pubertetit, mendojnë se ata janë rritur tashmë. Kështu, e ndërpresin furnizimin e tyre me dashuri dhe dhembshuri. Madje, nëna fillon të shfaqë edhe shenja bezdisjeje, nëse djali ose vajza e përqafojnë si atëherë kur ishin të vegjël.  

2 – Vetmia dhe zbrazëtira. Një adoleshent, qëndron para televizionit me orë të tëra, pa dëgjuar asnjë fjalë të mirë. Duke mos pasur si t'a mbushë kohën e lirë, ai fillon dhe ngacmon vajzat.

3 – Dëshira për t'u martuar. Ai i ngacmon vajzat dhe njëkohësisht kërkon ndonjë vajzë të përshtatshme për t'u martuar. Nëse e gjen dikë që i pëlqen, i shkon nga pas me qëllim që të martohet. Akoma më keq, ka disa të rinj që të thonë: "Fillimisht dua t'a provoj, që të martohem më pas" Si të ishte një mall ose makinë!

4 – Shoqëria e keqe. Një adoleshent që sheh se të gjithë shokët e tij kanë celularë të mirë dhe të gjithë kanë nga një të dashur, çfarë mund të pritet prej tij? Nëse prindërit e tij nuk janë model i mirë, ai do të kërkojë një alternativë tjetër, të cilën e gjen tek shoqëria. Ai kërkon të tregojë, se edhe ai ekziston. E si mund të rrijë duarkryq, kur shokët e tij flirtojnë dhe ngacmojnë vajza? Edhe ai duhet të tregojë që është burrë para shokëve.

5 – Pamja e vajzës. Shumë të rinj, marrin zemër për të ngacmuar vajzat, pikërisht nga veshja, të ecurit dhe pamja e jashtme e saj".

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Si?! Djemtë i ngacmojnë dhe shkaku qenkan vajzat"?!

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Më lër të të them diçka. Nëse djemtë hyjnë në një qendër tregtare dhe gjejnë vetëm vajza të veshura me hixhab, çfarë do të bëjnë...? Unë mendoj se...."

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Mos do të thuash se vajzat e veshura me hixhab nuk ngacmohen nga djemtë? Mos do të thuash se ato vetë nuk pëlqejnë që dikush të flirtojë me to? A nuk kemi dëgjuar histori të ndryshme edhe për vajza të tilla"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Ajo që kisha synim të thoja, janë ngjarjet që dëgjojmë të ndodhin në vende publike. Është e vërtetë se nuk kemi statistika, por jam i bindur se veshja dhe pamja e vajzës, luan një rol të madh në reagimet e djemve. Le të jemi më realistë! Imagjino një vajzë të mbuluar me shami, e cila ecën normal. Asnjë nga të rinjtë nuk do të guxojë t'a ngacmojë. Por edhe sikur dikush të merrte guximin t'i hidhte ndonjë fjalë, do të ballafaqohej me një reagim, që e vë në siklet. Ndërkohë, një vajzë e veshur me rroba të ngushta, e lyer dhe e përlyer me lloje makiazhi që tërheq vëmendjen e të rinjve, ecja e saj, gjestet etj... janë burimi kryesor i ngacmimeve dhe flirtimeve. Veshja e gjatë dhe mbulesa për femrën, nuk është vetëm tek muslimanët, por është edhe tek fetë e tjera.

6 – Joshjet dhe tundimet. Në mungesë të një niveli minimal të besimit, si vajza ashtu edhe djali përpiqen t'a joshin palën tjetër. Besimi që është pengesë për sjellje të pahijshme, fillimisht merret në familje. Formimi edukativ dhe fetar, që jepet në familje, është vendimtar për të ardhmen e fëmijës. Të dy prindërit, sidomos nëna, duhet të ulen dhe diskutojmë më shumë me fëmijët e tyre.

Ne si prindër e kemi obligim, që të kultivojmë tek fëmijët tanë, normat e moralit para se të mbushin moshën e adoleshencës. Atyre u duhen kultivuar morale të tillë si xhelozia, vetëvlerësimi, nderi etj...  

Shkolla ëshët stacioni i dytë ku fëmijës i përforcohen vlerat morale dhe edukative. Këtu dua të bëj në vërejtje: Shkolla ku zhvillohet mësimi mes djemve dhe vajzave të përzierë në klasa, nuk mund t'a kryejnë këtë rol që pritet prej tyre.  

7 – Mjetet e informacionit, të cilat i kanë lehtësuar kontaktet mes dy sekseve.

Mjetet dhe rrugët me anë të të cilave të rinjtë njihen dhe prezantohen me vajzat janë të shumta. Kudo që të shkojnë, ata do e gjejnë veten në kontakt të drejtpërdrejtë me vajzat, në treg, në rrugë, teksa ndjek televizionin, në mes të një programi edukativ, gjatë emisionit të lajmeve, në internet etj...

Dikush mund të pyesë: “Kush është përgjegjës për përmirësimin e kësaj situate”?

 

Unë them që përgjegjësit janë tre:

1 – Vetë të rinjtë. Edhe nëse ndodhem nën presionin e tundimeve dhe joshjeve, unë si i ri nuk kam përse të bie pre e tyre. Unë duhet të jem i ndërgjegjshëm, që Zoti do më kërkojë llogari si një individ i llogjikshëm. Si i pjekur, unë e kam në dorë t'a largoj dhe të distancohem nga çdo joshje dhe tundim, duke mbyllur të gjitha dyert, që më çojnë nga e keqja.

2 – Prindërit. Ata e kanë detyrë, që t'i sensibilizojnë fëmijët e tyre mbi rëndësinë e vetëkontrollit.

3 – Mjetet e informacionit. Ato duhet të zgjedhin programet më të mira dhe të përshtatshme për të rinjtë tanë. Vallë, a nuk kanë producentët dhe pronarët e këtyre televizioneve, fëmijë djem dhe vajza? A nuk druheni se edhe fëmijët tuaj mund të marrin rrugë të keqe"?

 

Ngacmimi seksual, i refuzuar tek arabët

 

Teleshikuese nga Amerika: "Ngacmimi dhe flirtimi në ditët tona është bërë si uji që pijmë. Ndërkohë që në të kaluarën, prindërit kujdeseshin më shumë për ne. Unë dua të them, se flirtimi nuk ka lidhje me asnjë fe, madje arabët e shihnin si diçka të turpshme dhe të papranueshme. Ne jemi rritur dhe edukuar me një kulturë dhe vlerë të tillë".

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Ashtu është. Por duke qenë se jemi njerëz, jemi të prirur drejt krijimit të lidhjeve emocionale dhe miqësore".

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Por me kusht që këtyre lidhjeve emocionale dhe miqësore, t'ju gjejmë vendin e duhur, pa shkelur dispozitat fetare dhe zakonore. Gazeli dhe flirtimi janë fenomene, që janë të përhapur tek të gjithë shoqëritë".

 

Çfarë duhet bërë, nëse zbulon se djali yt ngacmon vajza?

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Kameramani ynë intervistoi disa prindër dhe i pyeti: "Si do të reagonit, nëse zbulon se djali juaj ngacmon vajza"?

Shumica e tyre u përgjigjën, se menjëherë do të bisedonin dhe dialogonin me djalin. Disa të tjerë u përgjigjën se një sjellje e tillë është e gabuar dhe haram. Sipas jush, cili do të ishte reagimi më i drejtë në një rast të tillë"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Tek prindërit, hasim dy orientime në lidhje me reagimet e rasteve të ngjashme. Orientimi i parë, është ai i ndëshkimit dhe përdorimit të forcës, edhe pse është një përqindje e ulët prindërish, që zgjedhin këtë formë. Kurse orientimi i dytë është dialogu, i cili është më i përhapur. Por dua të theksoj, se dialogu nuk ishte orientimi më i përhapur para dhjetë dhe më shumë vitesh. Në këtë orientim unë vërej diçka të rrezikshme: Guximi dhe kurajoja nga anë e të rinjve, është rritur për çështje të tilla, kurse prindërit duket sikur i janë dorëzuar një realiteti të tillë, duke ngritur flamurin e bardhë. Duke mos pasur asnjë zgjidhje tjetër, ata thonë: Dialogojmë me fëmijët, pastaj i ndëshkojmë. Kjo gjë i stimulon fëmijët, që të jenë më të guximshëm".

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Le të imagjinojmë një prind, i cili hyn në shtëpi dhe shokohet me djalin ose vajzën, i/e cili/a ngacmojnë dhe flirtojnë me seksin e kundërt në telefon ose nga dritarja. Sipas jush, si duhet të reagojë ky prind? A je ballafaquar ndonjëherë me një rast të ngjashëm në shtëpinë tënde"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Në shtëpinë time nuk ka ndodhur diçka e tillë, por më ka ndodhur mua personalisht kur kam qenë gjashtëmbëdhjetë vjeç. Një ditë, më telefonoi një vajzë, e cila filloi të më ngacmojë. Nga fjalët që thoshte, dukej se kishte grumbulluar mjaft informacion rreth meje, pasi më parë merresha me sport dhe isha i njohur. Unë thirra mamanë, i kërkova të ulet pranë meje dhe telefonin e aktivizova me zë të lartë që t'i dëgjojë edhe ajo fjalët e asaj vajzës. Duke qenë se kisha marrë një edukatë goxha të mirë në familje, unë e këshillova vajzën derisa ajo filloi të qajë.

Përsa i përket pyetjes tuaj se si duhet të reagojë një prind, unë po të jap mendimin tim personal. Unë jam me dialogun, por që të zhvillohet sipas një mënyre të caktuar. Fillimisht, unë si prind duhet të pyes veten: Përse djali ose vajza ime ngacmon dhe flirton? Unë duhet të dialogoj me të, pasi të jem pregatitur psikologjikisht. Unë mund të kem pasur shumë mangësi dhe mund t'i kem neglizhuar fëmijët për një arsye apo për një tjetër. Ndoshta e kam vendosur televizorin, telefonin dhe internetin në dhomën e djalit ose të vajzës pa asnjë kontroll. Ky është hapi i parë që duhet ndërmarrë dhe është diçka parimore për të zbuluar shkakun.

Në hapin e dytë, unë filloj të flas me qetësi dhe çiltërsi. E pyes përse flirton dhe i ngacmon vajzat, por pa e ngritur zërin, pa sharje dhe përdorim të dhunës. Gjithçka duhet të jetë serioze, ku të mos mungojë dhe pyetja: A është e vërtetë që kjo ka ndodhur"?!

 

Metodë e gabuar

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Atëherë ju jeni me dialogun, por duhet thënë që shumë prindër e kanë të pamundur t'a përmbajnë veten në raste të tilla. Kështu, u japin ndonjë dackë, pasi ka prekur nderin e tjetrit. Në disa vende arabe, ka arritur deri në vrasjen e fëmijës...."!

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Padyshim që një sjellje e tillë është e gabuar. Unë dua t'a përsëris, se përderisa ka ndodhur ngacmimi dhe flirtimi, padyshim që ka diçka që nuk shkon në familje. Çfarë e bën një djalë që të flasë në telefon dhe të ngacmojë vajzat, ndërkohë që e di se babai është në shtëpi?

Le të sjellim ndërmend hadithin, kur një djalë i ri vajti tek Profeti a.s dhe i tha:"O i dërguar i Allahut! Më jep leje që të kem marrëdhënie jashtëmartesore"!

Profeti a.s nuk e ndëshkoi, por na dha një mësim të mirë, se si të sillemi në raste të tillë, si të dialogojmë me të rinjtë dhe si t'a përmbajmë veten. Profeti a.s e pyeti: "A e pranon diçka të tillë për nënën tënde? Po për motron tënde? Po për hallën..."

Unë dua t'a përsëris sërish, që prindi duhet të sigurohet mirë, pasi mund të mos ketë ndodhur asgjë. Ka ndodhur me mua personalisht një keqkuptimi i tillë. Një herë isha duke folur me dikë në telefon dhe ëshë në natyrën time që të bisedoj me zë të ulët. Halla ime kaloi aty pranë dhe duke parë zërin tim të ulët, më tha: "Edhe ti Muhamed flirton me vajzat"?!

Unë qesha dhe i thashë: "Afrohu dhe dëgjo!" Unë po bisedoja me një shokun tim. Kur halla dëgjoi zërin e tij, më tha e sikletosur: "Mënyra si po flisje dukej sikur po flirton me ndonjë femër".

Unë i thashë: "Përse dyshon? Përse nuk sigurohesh para se të gjykosh"?

 

Çiltërsia në betejën me faktorët e flirtimit

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Le të supozojmë, se njëri nga prindërit zbuloi, që djali ose vajza flirton. Çfarë duhet të bëjë"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Duhet të ndjekë hapat e lartpërmendur. Fillimisht duhet të përpiqet të zbulojë diçka më shumë, pastaj të sigurohet nëse vërtet flirton dhe së treti t'i flasë hapur. Ndoshta prindi e ka të vështirë të hapë një temë të tillë me fëmijën, prandaj le të zgjedhë një person, që ka marrëdhënie të mira me djalin ose vajzën. Ai duhet t'i flasë dhe t'i thotë: "Unë kam informacion të saktë, se ti flirton dhe ngacmon vajza/djem. Përse e bën diçka të tillë? Çfarë të ka shtyrë"? “Nëse njihet shkaku, shuhet dhe meraku, - thonë arabët”.

 

Rëndësia e faktorit fetar

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Sapo na arriti një faks nga një teleshikues, i cili thotë: "Kanalet satelitorë + papunësi + kohë e lirë + devijim + humbëtirë. Ai i jep shumë rëndësi faktorit fetar dhe besimit dhe kërkon t'u drejtosh një këshillë brezave të rinj".

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Kur mungojnë lidhjet me Zotin e Madhëruar, e humbasin edhe udhëzuesin shpirtëror. Unë u kujtoj të rinjve dhe të rejave, se flirtimi dhe ngacmimi seksual është agresion ndaj seksit tjetër dhe pa asnjë dyshim është haram. Familja, shkolla dhe shoqëria duhet të bashkëpunojnë, për t'i mbrojtur të rinjtë nga devijimet dhe për t'u dhënë një edukatë të mirë".

 

Flirtimi mes të rinjve

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Sapo na erdhi një faks nga Amerika, ku teleshikuesi pyet: "A është hallall flirtimi apo haram? Nëse është haram, cila është forma më e mirë, që dy persona të sekseve të kundërt të prezantohen"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Këto fjalë dua t'ia drejtoj secilit prej dy sekseve, si djemve ashtu dhe vajzave. Padyshim që flirtimi dhe ngacmimet seksuale mes dy sekseve janë haram (përveçse mes bashkëshortëve). Jo vetëm ngacmimet, por edhe thjesht shikimi është i ndaluar dhe kjo është prej normave morale të Islamit, i cili i kushton një rëndësi të veçantë mbrojtjes së nderit. Një herë, pashë një djalë i cili bisedonte pas mesnate me një vajzë. Unë e pyeta: "Kush është kjo"?

Ai më tha: "Është e fejuara ime, me të cilën do të martohem me të përfunduar studimet".

Unë e pyeta: "A e ngacmon dhe flirton me të në telefon"?

Ai u përgjigj: "Çfarë po thua? A nuk është e fejuara ime"?!

Unë i thashë: "Përderisa nuk keni vënë kurorë, ajo nuk është bashkëshortja jote dhe nuk të lejohet t'i afrohesh. Nëse do të kishe diçka të shtrenjtë, a nuk do e ruaje dhe siguroje mirë"?

Ai u përgjigj: "Po".

Unë i thashë: "Kjo grua një ditë do të bëhet bashkëshortja jote dhe është e drejta e saj, që ti t'a ruash emrin e saj të pastër dhe të mos bëhesh shkak që të përgojohet. Ne e dimë se fejesa është një periudhë, që paraprin martesën dhe se secila nga palët mund t'a prishë fejesën nëse e sheh të arsyeshme".

Ai u përgjigj: "Ashtu është, por çfarë duhet të bëj"?

Unë i thashë: "Ose të ndërpresësh këtë lloj komunikimi me të, derisa të bëhet bashkëshortja jote, ose të shkosh që nesër dhe të lidhni kurorë bashkë".

 

Flirtim që buron nga zemra

 

Një teleshikuese nga Arabia Saudite: "Kam zbuluar, se vajza bisedon në telefon me një djalë dhe kur e pyeta, më tha hapur: "E dua dhe më do dhe duam të martohemi". Çfarë më këshilloni të bëj në një rast të tillë doktor i nderuar? Pyetja tjetër e imja është: Në shoqërinë tonë, jemi mësuar që babai t'a rrahë vajzën dhe të sillet ashpër me të, nëse konstaton sjellje të gabuara. Por nëse të njëjtat probleme i ka edhe djali, në këtë rast shihet si diçka normale dhe mund të mos bëhet as objekt bisede. Çfarë do u thoje prindërve rreth kësaj çështjeje"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Në rastin tuaj, unë shoh diçka pozitive. Ju e zbuluat se vajza juaj bisedon në telefon me një djalë dhe se ajo vetë e pranoi, se duhen dhe se dëshirojnë të martohen. Ky është një hap shumë i rëndësishëm. Shumë fëmijë, ua mbajnë të fshehtë prindërve një çështje të tillë, prandaj unë kërkoj më shumë çiltërsi. Fakti që vajza e pranoi se bisedon dhe se e do atë djalë, për mua do të thotë shumë. Pas kësaj, ti si prind mund t'a pyesësh vajzën, se çfarë e shtyu për të pasur një lidhje me një djalë. Padyshim që asaj i ka munguar diçka në shtëpi dhe për t'a trajtuar këtë problem siç duhet, fillimisht duhet trajtuar problemi. Lidhja e vajzës tuaj me një djalë, duhet peshuar me peshoren e dispozitave fetare. Nëse djali kërkon të martohet seriozisht me vajzën tuaj, le të vijë të kërkojë dorën e saj dhe të fejohen. E njëjta gjë vlen edhe për vajzën. Fjalët e një djali "Të dua" janë të pamjaftueshme, pasi këtë lidhje mund të mos e pranojë familja e tij ose familja e vajzës.

 

Unë të këshilloj që menjëherë të ndërmarrësh këto hapa:

Fillimisht duhet t'i tregosh, se një lidhje e tillë është haram.

Së dyti, duhet të ndërpritet çdo lloj kontakti mes vajzës dhe djalit, derisa ky i fundit të vijë të kërkojë dorën e saj.

Së treti, duhet të plotësosh nevojat e saj emocionale, të cilat e detyruan t'i përmbushë jashtë familjes.

Përsa i përket pyetjes së dytë, unë dua t'i kujtoj teleshikuesit një proverb, që flet mbi demaskuesit e popullit të vet... Një orientim i tillë është prezent tek shumë njerëz, të cilët bëjnë dallim mes gabimeve të vajzës dhe gabimeve të djalit. Është e vërtetë që një djalë, sado të gabojë, vazhdon t'a ruajë qënien e tij. Ndërkohë që vajza nëse gabon rëndë, kjo mund t'a rrënojë jetën e saj të ardhshme familjare. Unë këtu flas për aspektin fizik dhe mekanik, tek i cili është bazuar dhe tradita, e cila në fakt është negative. Unë dua t'ju drejtohem prindërve me këto fjalë: A harruat se duke neglizhuar sjelljet dhe flirtimet e djemve tuaj, diçka e tillë do u kthehet në familje? Ashtu siç djali juaj ngacmon dhe flirton me një vajzë, do të vijnë djemtë e tjerë të ngacmojnë dhe flirtojnë me vajzat tuaj. Ashtu siç e përdhos djali yt nderin e dikujt tjetër, do e përdhosë dikush nderin e vajzës tuaj më vonë".

 

Shpërblimi, është sipas veprave

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Doktor Muhamed Shit ka shkruar një libër me titull: "Drejtësia e qiellit". Në këtë libër, ai ka përmendur një histori shumë domethënëse, e cila titullohet "Një me një".

Një prind, kishte dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Kur djali mbushi moshën e pjekurisë, i kërkoi leje të atit për të vajtur në kurbet. Duke qenë se e gjithë familja ishte familje e ndershme, e fisshme dhe e përkushtuar në fe, babai e këshilloi të birin para se të niset, me fjalët: ”O biri im! Mbështetju Zotit në çdo gjë! Këshilla e vetme që kam dhe që dua t’a kesh gjithmonë parasysh është, që të mos i shkelësh urdhërat e Zotit gjatë qëndrimit tënd në kurbet dhe sidomos në lidhje me gjininë tjetër”.

Duke qenë se banonin në një vend ku uji ishte i pakët, ata kishin punësuar dikë që u sillte ujë kundrejt një shpërblimi. Çdo ditë, furnizuesi i ujit vinte dhe ajo që ia hapte derën ishte vajza. Gjatë gjithë atyre viteve, asgjë e keqe nuk kishte ndodhur. Por një ditë, kur furnizuesi i ujit do të dilte, e puthi papritur vajzën në faqe dhe doli. Pasi kaluan disa kohë, djali i shtëpisë u kthye nga kurbeti.

Pasi u kthye, u përshëndet me familjen dhe të afërmit, u ul të bisedojë dhe t’i rrëfejë babait mbi udhëtimin dhe eksperiencën e tij në kurbet. Gjatë bisedës, babai e pyeti: ”O biri im! A ke bërë ndonjë gjynah gjatë qëndrimit tënd në kurbet”? Djali uli kokën dhe nuk foli.

Babai e pyeti sërish?” A ke bërë ndonjë gjynah atje”?

Djali sërish heshti dhe nuk foli.

Kur e pyeti për të tretën herë, djali i tha: ”Të them të drejtën o baba, ka ndodhur diçka e papëlqyeshme. Gjatë qëndrimit tim në kurbet, më pëlqeu një vajzë dhe ajo që ndodhi është se e kam puthur vetëm një herë. Asgjë më shumë”.

Atëherë babai tha: ”Një me një, nëse do e kishe shtuar, do e kishte shtuar dhe furnizuesi i ujit”.

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Kjo është një histori e bukur dhe shumë reale, e cila vërteton ato që thamë më sipër, se shpërblimi vjen sipas veprave".

 

Një fëmijë, që i nxit prindërit të flirtojnë me njëri-tjetrin

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Unë kam në dorë një vezë, ku në mes të saj ndodhet koka e një fëmije të vogël. Nën të ndodhen disa fjalë të shkruara, fjalë që fëmija ua adreson prindërve të tij. "Babai im... Nëna ime... Fakti që ndodhem në këtë vend, më bën të ndihem mirë, sidomos kur shikoj jetën tuaj, që dominohet nga zënkat dhe ashpërsia... Unë kam frikë të dal jashtë vezës dhe t'a humb atë dashuri dhe dhembshuri që kam këtu. Babai im dhe nëna ime... I dërguari i Zotit, profeti Muhamed a.s na tregon rreth dashurisë që ndjente për gruan e tij Hadixhen ku thotë: "Dashurinë që kam për të, e kam dhuratë nga Zoti".

Kurse Aishes i thoshte: "Dashuria ime për ty, është si nyja e litarit. Pasi më treguan se do të jesh gruaja ime edhe në xhenet, nuk e kam problem kurdo që të vdes".

Babai im... të lutem, thuaji nënës që e do. Të lutem baba. Asaj i pëlqen t'i dëgjojë këto fjalë prej teje.

Nëna ime! Më thuaj që e do babain! Të lutem nënë. Vetëm atëherë do të ndjej më shumë dashuri dhe dhembushuri, kur të dal nga veza, pasi do të jeni ju ata, që ma falni".

Mendoj se këto fjalë, janë përmbledhëse të atyre që thatë më lart, mbi flirtimin dhe gazelin mes bashkëshortëve.

Flirtimi mes bashkëshortëve

 

Një teleshikuese nga Gjermania: "Burrat e Gadishullit Arabik në përgjithësi nuk ua shprehin bashkëshorteve atë që ndjejnë për to. Kjo bën që disa prej tyre, sidomos ato që kanë besim të dobët, ta plotësojnë nevojën nëpërmjet telefonit ose mjeteve të tjera".

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Unë e falenderoj teleshikuesen Umu Muadh nga Gjermania, për kurajon e saj. Ajo që tha është plotësisht e vërtetë. Për fat të keq, ne jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve të dhimbshme. Ajo që ndodh jashtë shtëpisë, në të shumtën është për shkak të bashkëshortëve, të cilët janë të paaftë për t'u shprehur ndjenjat e tyre grave. Këtu ndikon shumë edhe plogështia e gruas dhe paaftësia e saj për të tërhequr vëmendjen e burrit. E gjitha kjo bën, që rezultati të jetë ajo që prof. Xhasim na rrëfeu mbi fëmijën dhe vezën".

 

Problemi i kohës së lirë

 

Një teleshikues jemenas në Amerikë: "Mënyra si përpiqemi t'i zgjidhim problemet tek ne vazhdon të jetë ajo e vjetra dhe tradicionalja. Kjo ndodh, edhe pse shoqëria është zhvilluar dhe ka përparuar. Unë dua të vë theksin tek roli i familjes në veçanti dhe shoqërisë në përgjithësi".

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Unë të falenderoj për këtë ndërhyrje dhe për shqetësimin që ngritët. Nëse këtë shqetësim për shoqërinë dhe të ardhmen do e kishim edhe tek të rinjtë, situata do të ishte më premtuese. Përgjegjësia nuk është vetëm e prindërve, por edhe e të rinjve, edhe e mjeteve të informacionit. Është e çuditshme se disa njerëz, duke të ofruar një zgjidhje të thonë: "Mos shihni televizor! Mos shkoni në kinema! Mos shkoni në tregje! Mos i blini aparatet dixhitale! Mos i dëgjoni këngët etj...! E çfarë të bëjnë të rinjtë?! Ku të shkojnë! Çfarë të bëjnë me kohën e tyre të lirë? Ne duhet të ofrojmë alternativa, me qëllim që të rinjtë t'i plotësojnë disa nevoja të tyre".

 

Një teleshikuese nga Bahrejni: "Bashkëshorti im është gjithmonë në udhëtim. Unë kam tre djem dhe unë jam nëna dhe babai i tyre. Si mund t'i them djalit tim trembëdhjetë vjeçar, që të mos i ngacmojë vajzat e botës, me qëllim që të tjerët të mos i ngacmojnë motrat e tij, ndërkohë që ai nuk ka motër?! Pyetja ime tjetër është: Shokët e djalit tim, ngacmojnë dhe flirtojnë me vajzat e botës. Nëse djali im nuk bën të njëjtën gjë, i thonë:"Ti je homo, se nuk flirton me vajza". Shpresoj të më jepni një këshillë dhe udhëzim të dobishëm".

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Fillimisht i bëj thirrje çdo babai, që të qëndrojë më shumë me fëmijët e tij, sidomos me djemtë, pasi kanë nevojë për dhembshurinë atërore dhe mund të kenë nevojë të bisedojnë për gjëra, të cilat nuk mund t'i bisedojnë me nënën".

Së dyti, nëse djali yt i madh është trembëdhjetë vjeç dhe ngacmon apo flirton me vajza, ky është tregues i një të mete në edukimin e tij. Një djalë në këtë moshë, ngacmon dhe flirton, vetëm për shkak se i mungon diçka, për një nevojë që duhet t'a realizojë. Duke mos e përmbushur në mënyrën e duhur, ai e kërkon në rrugë të gabuar. Ajo që i mungon, mund të jetë diçka emocionale, e cila plotësohet me përqafime, përkëdhelje dhe fjalë të mira. Një sjellje të tillë, mund t'a bëjë edhe për të treguar se edhe ai ekziston, ashtu siç mund të jetë për shkak të shoqërisë së keqe. Për çdo shkak, ka një mënyrë të veçantë trajtimi dhe kurimi. Në një rast të tillë është mirë, që djali të mbahet nën kontroll. Nëse babai nuk arrin t'a bëjë këtë për një arsye apo për një tjetër, nëna le të kërkojë ndihmën e xhaxhait të djalit, të dajës së tij, imamit të xhamisë apo të ndonjë sociologu.

 

Shkurtimisht dhe në nëntë pika, e përmbledh përgjigjen për rastin e kësaj nëne:

1 – Përsëriti në veshët e djalit, se diçka e tilë është haram dhe gjynah.

2 – Thuaji se kjo do të bëjë, që të humbasësh besimin tek ai.

3 – Thuaji se një vepër e tillë e njollos emrin e babait dhe të familjes.

4 – Vepra të tilla stimulojnë aktivitetin seksual (i thuhet fëmijës), gjë e cila mund të të shtyjë në haram dhe shkelje të nderit të dikujt tjetër.

5 – I thuhet djalit, se dhënia pas gjërave të tilla e përkeqëson nivelin e tij mësimor dhe ul produktivitetin.

6 – Dobëson shëndetin, për shkak të fjetjes në orët e vona dhe qëndrimit jashtë në rrugë.

7 – Shpërdoron pasurinë, për shkak të sigurimit të modeleve më të reja të telefonëve celularë, kartave, veshjeve të reja etj...

8 – Konflikte familjare mes tij dhe babait, nënës dhe vëllezërve më të mëdhenj.

9 – Frika nga agresiviteti ndaj familjarëve, nënës, motrave, kushërinjve dhe të afërmve.

 

Drejtuar bashkëshortëve dhe adoleshentëve

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Duam të dëgjojmë diçka të fundit, të cilën ua drejton etërve, nënave dhe fëmijëve tanë adoleshentë"!

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "Etërve u them, se fëmijët kanë nevojë t'ju shprehet se prindërit i duan. Ti o baba, e ke detyrë t'u falësh atyre dashuri dhe dhembshuri bashkë me bashkëshorten tënde dhe nënën e tyre.

Nënave u them, që t'i stimulojnë bashkëshortët, që të bëjnë shaka dhe humor si me to si me fëmijët.

Adoleshentëve u them: O fëmijët tanë! Mos t'ju vijë turp nga prindërit! Shkruaji babait një letër dhe vendose nën jastëkun e tij! Në letër, shkruaji poezi dhe fjalë të ëmbla! Bëji babait një dhuratë dhe thuaji se e do! Nëse ai është në udhëtim, merre në telefon dhe mos hezito"!

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Po nëse djali është flirtues"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "I them që të pendohet tek Zoti dhe të distancohet nga sjellje të tilla. Çdo vajzë që kërkon të flirtosh me të, konsideroje si motrën tënde. Për të të ndihmuar në çështje të tilla, kërko edhe ndihmën e prindërve, të cilët do të të falin dashurinë dhe dhembshurinë e duhur".

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Po nëse është vajza ajo që flirton dhe i ngacmon djemtë"?

 

Dr. Muhamed Thuvejni: "U them:"Kijeni frikë Zotin, largohuni nga bisedat telefonike provokuese dhe qëndroni në shtëpi. Kjo rrugë është e gabuar, pasi u pret një jetë familjare dhe fëmijë".

 

Prof. Xhasim El-Mutava: "Zoti u shpërbleftë me të mira për informacionin dhe këshillat e vyera.

 

Në fund, derisa lumturia të jetë tradita jonë, paqja e Zotit qoftë mbi ju"!


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free