Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Shitblerja ne Islam

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet dhe lavdërimet qofshin vetëm për Allahun e Lartësuar, i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe çfarë ka në mes tyre. Vetëm Atij i përulemi dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë e shpëtim. Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të dërguarin Muhamed dhe mbi familjen e tij të pastër, si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Duke u nisur nga nevoja e madhe që kanë sot muslimanët shqiptarë për njohjen e marrëdhënieve tregtare (shitblerjen), menduam të japim edhe ne një mund, sado të vogël, në sqarimin e kësaj çështjeje.

Për faktin se nuk jemi nga kalorësit e kësaj fushe, do të mundohemi të përmendim çështjet më kryesore në këtë temë dhe mendoj se lexuesi do të gjejë në to përfitime dhe dobi.

E lusim Allahut që ta bëjë këtë punë vetëm për Të dhe mos harroni vëllanë tuaj me duatë tuaja, sepse ne keni nevojë shumë për to.

Së pari, dëshiroja që t’i kërkoja ndjesë auditorit (lexuesve) për varfërinë në shprehjet që mund të hasin, por siç e theksova se mos njohuria siç duhet e termave të kësaj dege dhe qëndrimi larg nga zhvillimet e përditshme të fushës së ekonomisë dhe fjalorit të saj shkakton këtë varfëri. Megjithatë, ne shpresojmë që të gjejmë një bashkëpunim në këtë nismë, ku nëse dikush konstaton apo mendon se një shprehje (x) është më me vend se një shprehje e përdorur, mund të na njoftojë. Allahu ju shpërbleftë të gjithëve!

Tema që ne duam të trajtojmë hyn në pjesën e dytë të Fikhut e cila është: Fikhu el-Muamelatë (Marrëdhëniet dhe veprimet reciproke të njerëzve). Këto janë leksione të cilat janë dhënë nga dijetari i njohur i kësaj fushe Jusuf Shubejli -Allahu e ruajtë!-.

-Shitblerja

Vëllezër dhe motra! Nuk ka dyshim se tregtia (shitblerja) është diçka e nevojshme dhe e domosdoshme. Kjo, për shkak se Allahu na ka urdhëruar që ta kërkojmë furnizimin dhe mbajtjen e vetvetes, sipas rrugëve të duhura dhe të lejuara, Pejgamberi -sallallahu alejhi ue selem- ka thënë: “Tregtari i ndershëm dhe i besueshëm do të jetë me pejgamberët, dëshmorët dhe njerëzit e drejtë.” Kjo do të thotë se tregtari i cili kryen shitblerjen duke qenë i ndershëm, do të jetë me këto grupe të njerëzve në Ditën e Gjykimit. Kjo është një pozitë madhështore, e cila tregon në bujarinë e profesionit të këtillë. Pejgamberi -sallallahu alejhi ue selem- u pyet një herë se cili përfitim është më i miri? Ai u përgjigj: “Tregtia e bekuar (e pranuar nga Allahu) dhe puna të cilën njeriu e bën me duart e tij.” Transmetuar nga Teberani.

Bërja e biznesit me ndershmëri dhe me drejtësi është nga mënyrat më të mira për përfitimin e furnizimit. Sa i përket shitblerjes së ndërtuar me gënjeshtra, mashtrime dhe hile, nuk ka dyshim se ajo është prej formave më të këqija për përfitimin e furnizimit.

Pejgamberi -sallallahu alejhi ue selem- njëherë kaloi pranë një grupi tregtarësh në një treg të Medinës, dhe tha: “O ju tregtarë!” Ata e çuan kokën për të dëgjuar se çfarë do të thoshte. Ai tha: “Vërtet, tregtarët do të ringjallen Ditën e Gjykimit si mëkatarë keqbërës, përveç atyre që i frikësohen Allahut, që janë të drejtë dhe të ndershëm.” Transmetuar nga Tirmidhiu i cili tha se ishte hasen sahih.

Kështu, duke u nisur nga kjo morëm këtë iniciativë për sqarimin e disa çështjeve të shitblerjes në mënyrë që të jemi të ruajtur nga çdo veprim që e ka ndaluar sheriati.

-Kuptimi i shitblerjes

Kuptimi i shitblerjes: (këtu duam të sqarojmë se kuptimet që ne do të japim janë ato që kanë përmendur dijetarët islamë)

Në aspektin gjuhësor ajo ka kuptim: Marrja e diçkaje dhe dhënia e diçkaje tjetër.

Në aspektin terminologjik ajo ka kuptimin: Shkëmbimi i një malli me një mall tjetër me qëllim pronësie.

-Gjykimi i shitblerjes

Origjina në shitblerje është lejueshmëria, por ndodh që mund ta përmbajnë atë të pesta llojet e ngarkesave (gjykimeve) të sheriatit (detyrë, e pëlqyeshme, e urryer, e ndaluar dhe e lejuar) dhe kjo në varësi të dobive dhe dëmeve që sjell ajo.

Për lejueshmërinë e shitblerjes ka argumentuar Kurani, Suneti i Profetit -salallahu alejhi ue selem-, Ixhmai (rënia ndakord e të gjithë muxhtehidinëve në një kohë prej kohërave për një çështje të caktuar) si dhe Kijasi (krahasimi-analogjia).

Argumente nga Kurani mund të përmendim fjalën e Allahut i cili thotë:

وَأَحَلَّ اللّهُ الْبَيْعَ وَحَرَّمَ الرِّبَا

"… ndërsa Allahu ka lejuar tregtinë dhe ka ndaluar kamatën". Bekare, 275

Ndërsa, argument nga Suneti është hadithi që transmeton Abdullah ibnu Umer -Allahu qoftë i kënaqur me të!- se Profeti Muhamed -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: "Shitësi dhe blerësi mund të zgjedhin përderisa nuk ndahen nga njëri-tjetri". Buhariu -2079 dhe Muslimi - 1532.

Pra, mund të zgjedhin midis plotësimit të një akti shitblerje ose jo, përderisa nuk janë ndarë nga njëri-tjetri. Kjo për faktin e humbjes së interesit të blerësit për këtë mall, apo nevojës që sheh tregtari për ta mbajtur atë.

Ndërsa argumenti i Ixhmait: Ka rënë dakord i gjithë umeti që nga koha e Profetit -salallahu alejhi ue selem- e deri në ditët tona për lejueshmërinë e shitblerjes në aspekt të përgjithshëm.

Ndërsa argumenti i Kijasit: Nuk ka dyshim se njerëzit kanë nevojë për shumë gjëra të cilat janë në pronësinë e të tjerëve dhe ata nuk kanë rrugë tjetër për përvetësimin e tyre vetëm se me anë të shitblerjes, kështu që Sheriati nuk i pengon njerëzit për realizimin e dobive të tyre.
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free