Urtësia e iriqëve
Një herë e një kohë, një familje iriqësh vuanin nga të ftohtët e acarrtë të dimrit. Të gjendur ngushtë, ata u afruan me njëri-tjetrin me shpresë se do të gjejnë pak më shumë ngrohtësi. Në fakt, kështu ishte më ngrohtë, por kështu shponin njëri-tjetrin me gjembat e tyre të mprehtë. Prandaj, vendosën të largoheshin sërish, duke u larguar dhe nga i ngrohti. Dy zgjidhje kishin, ose të durojnë acarrin, ose të durojnë gjembat e njëri-tjetrit. Por dikujt i lindi një ide akoma më e studiuar dhe më e pjekur: Të afroheshin në mënyrë të studiuar, duke përmbushur nevojat për ngrohje sa të mundin dhe njëkohësisht të mos shpoheshin me gjemba.
Kështu, ata u afruan jo aq shumë sa të shpohen dhe u larguan, jo aq shumë sa të mërdhijnë.
Morali:
Njerëzit janë si iriqët, janë të mbuluar nga gjemba të padukshëm, të cilët shpojnë këdo që afrohet dhe ndërvepron me ta më shumë seç duhet dhe pa karar. Prandaj, lipset të nxjerrim mësim nga urtësia e iriqëve; Të afrohemi aq sa të sigurojmë “ngrohtësinë” për njëri-tjetrin dhe pa u shpuar.
Secili prej nesh ka nevojë për miq e shokë të ngushtë, të ndajë me ta gëzimet dhe hidhërimet, tu qajë hallet dhe tu rrëfejë ëndrrat e ambiciet. Është gjë e mirë të kesh miq e shokë të afërt. Por me qëllim që kjo miqësi të vazhdojë pa vuajtje, të paralajmërojmë nga afrimi i tepërt dhe i pa studiuar, pasi mund të kthehet në dhimbje dhe telashe të panevojshme.
Kujtoje gjithmonë urtësinë e iriqëve dhe thënien e një të mençuri:
Miqtë janë tre kategori:
Miq që janë si ushqimi, pa të cilët nuk bën dot.
Miq që janë si ilaçi, të duhen me raste.
Miq që janë si sëmundje, aspak të nevojshëm.