Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Si e ndryshon Zoti trurin tone

Ky është titulli i njërit prej librave më të fundit të botuar në SHBA dhe që përmban fakte interesante lidhur me trurin e njeriut, sistemin e tij nervor, ndikimin e madh që besimi tek Zoti ushtron në trurin tonë dhe ndërveprimi me aktivitetet me natyrë shpirtërore të njeriut. Më poshtë, do të sjellim disa nga faktet shkencore më interesante të  cekura në libër.

Autorët e librit janë dy profesorë amerikanë, AndrewNewberg nga universiteti i Pensilvanisë dhe shkencëtar i neurologjisë, si dhe profesor Mark Robert, studiues pranë qendrës spirituale dhe mendore pranë të njëjtit universitet.

Andrew thotë se është i krishterë në origjinë, por nuk është fetar dhe se nuk i intereson nëse Zoti ekziston apo jo. Ndërkohë, i dyti është ateist dhe nuk beson fare tek Zoti.

Shkaku që po përmendim besimin e dy autorëve të librit, është se i gjithë libri sillet rreth besimit të Zotit dhe ndikimin e këtij besimi dhe aktivitetit shpirtëror mbi trurin e njeriut, sistemin nervor dhe aktivitetin e trurit. Dy autorët kanë sjellë fakte të pakontestueshme rreth ndikimit të besimit.

Truri i njeriut përbëhet nga njëqind miliardë qeliza nervore, të grupuara nën kafkë. Nëse një tru mesatar është 1200 cm/3, kjo do të thotë se një mlm/3 përmban mbi 80 mijë qeliza nervore. Secila qelizë ka degëzimet e saj nervore, të cilat e lidhin atë me qelizat e tjera, duke formuar kështu kushedi sa trilionë degëzimesh mes qelizave, të cilat krijojnë qarqe elektrike të pafund. Janë pikërisht këto qarqe dhe degëzime ato të cilat e transmetojnë sinjalin dhe komandën mes qelizave të trurit, e mandej tek gjymtyrët e tjera të trupit.

Pajisjet e përdorura nga dy shkencëtarët e mësipërm gjatë studimit të tyre, janë pajisje të cilat bëjnë skanim elektrik të trurit, gjë e cila të ofron një hartë elektrike të tij, mbi të cilën shfaqen vatrat aktive dhe ato jo aktive, sipas veprimtarisë së degëzimeve qelizore. Gjatë viteve të tyre të studimet, ata kanë bërë shumë skanime me njerëz të shumtë në gjendje shpirtërore dhe humori të ndryshme. Pas vitesh punë kërkimore dhe shkencore, si dhe pas eksperimente laboratorike të shumta, ata arritën në rezultate shkencore të pakontestueshme lidhur me ndikimin e sistemit nervor nga aktivitetet shpirtërore, si lutja, adhurimi dhe meditimi.

Për autorët e librit, është e qartë tashmë se sistemi nervor i njeriut është i dizenjuar të procedojë më mirë, më aktiv dhe me jetëgjatësi më të madhe, nëse personi beson në një Zot të dashur dhe të dhembshur, të cilin e adhuron, i lutet, mediton në krijesat e Tij, i mbështetet dhe i përgjërohet. Meditimi rreth këtij Zoti të dashur, të mëshirshëm dhe të dhembshur, ul nivelin e stresit, humbjes së shpresës dhe presionit psikologjik, duke rritur nga ana tjetër nivelin e sigurisë dhe qetësisë.

Si ndodh kjo?

Të meditosh rreth Zotit në mënyrë të thellë dhe të vazhdueshme, bën që në tru të ndodhin gjëra interesante. Aktivitetet nervore ndryshojnë në mënyrë të qartë. Disa qarqe nervore të plogështa, menjëherë fillojnë dhe aktivizohen, ndërkohë që qarqe të tjera që ishin aktive, e ndërpresin aktivitetin e tyre. Kjo bën që të lindin degëzime nervore të reja. Truri bëhet më ndërveprues me mjedisin përreth, aftësia gjykuese bëhet më e mprehtë, ndërkohë që besimet fillojnë e ndryshojnë. Nëse Zoti do të thotë diçka për të, Ai shndërrohet në një realitet të pastër.

Qarqet nervore të cilat forcohet dhe aktivizohen nëpërmjet aktivitetit shpirtëror, janë përgjegjëse për ndjesinë e qetësisë, sigurisë, dhembshurisë dhe vetëdijes sociale. Ndërkohë, qarqet nervore që pësojnë regres në aktivitetin e tyre, janë përgjegjëse për reagimet euforike, stresin, tensionin, humbjen e shpresës, presionin psikologjik, dëshirën për shkatërrim etj... Aktiviteti shpirtëror i organizuar, e zbeh në maksimum tendencën e trurit për reagime euforike.

Ndikimi i ritualeve fetare në tru

Më poshtë, do të shohim se rezultatet e dy shkencëtarëve amerikanë të lartpërmendur, nuk janë veçse një përmbledhje e ritualeve të përditshme të një myslimani. Teksa lexon dëshmitë dhe rezultatet e tyre, të duket sikur i kanë marrë nga literatura fetare islame.

Ndër ushtrimet tek të cilat janë fokusuar më shumë dy shkencëtarët, ishin meditimi dhe përmendja e Zotit. Në librin e tyre, thuhet qartë se:”Studimet e kryera mbi sistemin nervor, kanë zbuluar se përsëritja e fjalëve në mënyrë të organizuar dhe lëvizja e gishtave gjatë një kohe të caktuar, redukton në masë të madhe tensionin, nervozizmin, demoralizimin dhe zemëratën. Ndërkohë, kjo rrit perceptimin e drejtë të jetës dhe vlerave shpirtërore.”

Ky ushtrim dhe të tjerë, bëhet akoma më i dobishëm nëse shoqërohet me përqendrim tek një qëllim i caktuar, meditim rreth një vlere sublime e cila e mbush njeriun me siguri dhe paqe.

A nuk është ky ushtrim një kopje e përmendjes së Zotit, dhikrit, që myslimani bën sidomos pas çdo namazi?! A mund të ekzistojë qëllim më sublim se kënaqësia e Zotit? A mund të ketë paqe dhe siguri më të madhe se ajo që ndjen myslimani kur përkujton Zotin dhe mediton në madhështinë e Tij? Në Kuran, Zoti na motivon dhe nxit për ta përkujtuar Ata sa më shpesh.

Këshilla dhe ushtrimi i dytë, të cilin libri ua këshillon lexuesve, është namazi!! Pas studimeve të shumta, dy shkencëtarët arrijnë në përfundimin se faktorët themeltarë të një ushtrimi të mirë, çojnë në një ndryshim rrënjësor në sistemin nervor. Këto faktorë përmblidhen në katër pika:

1.   Nijeti i sigurt dhe vendosmëria për të ndryshuar.

2.   Fokusimi i vazhdueshëm në një qëllim të caktuar.

3.   Kontrolli dhe disiplina e lëvizjes së trupit dhe frymëmarrjes.

4.   Përsëritja e procesit një periudhë të caktuar kohe të gjatë.

Ushtrim

Për t’ia arritur kësaj, dy autorët këshillojnë:

Ruaje gjendjen e relaksit mendor, bëje frymëmarrjen të sistemuar, bëj lëvizje të disiplinuara për çdo pjesë të trupit dhe gjatë kësaj, recito, këndo ose përsërit me zë të ulët disa shprehje të cilat për ty kanë kuptim personal. Le të bëhet kjo për 12 minuta. Dije se faktori kryesor që të ndihmon të përfitosh maksimalisht nga ky ushtrim, është qëllimi i qartë rreth të cilit mediton.”

A nuk u duken këto fjalë sikur përshkruajnë hollësisht ritualin e namazit, të cilin besimtari mysliman e kryen pesë herë në ditë?

Relaksi mendor dhe disiplinimi i frymëmarrjes, nuk është gjë tjetër veçse qetësia e cila është kusht në kryerjen e namazit. Në një hadith, Profeti a.s përshkruan ritualin e namazit dhe thotë:”...Bjer në ruku dhe qëndro derisa të qetësohesh. Mandej, ngrihu dhe qëndro në këmbë derisa të qetësohesh. Pastaj bjerë në sexhde dhe qëndro derisa të qetësohesh...”

Ajo që autorët e quajnë recitim apo këngë, për myslimanit që falet është leximi i Kuranit, gjë e cila është detyrim në namaz. Ky lexim, herë bëhet me zë dhe herë të tjera në heshtje.

Një pikë interesante e librit, ishte se lutja me zë të ulët, ndikon në disa vatra të trurit, të ndryshme nga ato që ndikohen nga leximi me zë të lartë. Të dy këto ndikime janë të kërkuara për trurin. Kjo na kujton namazet që falen me zë dhe ato me zë të ulët.

Lidhur me qëllimin e qartë dhe objektivin e ushtrimit, kjo na kujton përhumbjen e kërkuar në namaz, e cila është nga gjërat themeltare të namazit. Përhumbja në namaz, është kur mendja dhe të gjitha gjymtyrët janë përkushtuar dhe përhumbur në adhurimin e Zotit dhe në domethënien e çdo fjale dhe lëvizjeje.

12 minutat që kërkon aplikimi i ushtrimit, është pothuaj e njëjta gjë me kohën që lipset për të falur një namaz me përhumbje dhe përkushtim. Sipas autorëve, ushtrimet dhe lutjet që janë të dobishme për trurin e njeriut dhe shëndetin e tij mendor, janë ato që ushtrohen në mënyrë të disiplinuar dhe pa ndërprerje.

Nëse dy autorët e librit do të pranonin islamin, ndoshta, librin e tyre, do e titullonin:”Me të vërtetë, me përkujtimin e Zotit qetësohen zemrat.”
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free