Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

RAMAZANI MUAJI I PËRPJEKJEVE

Falenderimet janë për Allahun (xh.sh), prej tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Atë njeri që e ka drejtuar Zoti i gjithësisë askush nuk mund ta humbë. Një njeri që ka humbur veten e tij askush veç Zotit të gjithësis nuk mund ta drejtojë. Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë veç një dhe i pashoq Allahut (xh.sh), Zotit të njeriut, Zotit të gjithësis. Dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi paqja dhe shpetimi i Zotit qofshin mbi të është robi dhe i dërguari i fundit i Allahut (xh.sh).

 

Vëllezër dhe motra, besimtarë dhe besimtare!

E lusim Allahun (xh.sh) me fjalë dhe me zemër në këto ditë të bekuara të muajit të Ramazanit, që t’i fali gabimet tona të mëdha dhe të vogla, ata që duken dhe ata që nuk duken, ata që i kemi bërë dhe që ndoshta do t’i bëjmë në të ardhmen tonë. I lutemi Allahut (xh.sh) ta bëjë kët Ramazan muajin e mëshirës, muajin e faljes, muajin e amnistisë nga zjarri i Xhehenemit. I lutemi Allahut (xh.xh) që ky muaj të jetë muaj i kthesës për zemrat tona, për familiet tona për gjithë muslimanët të jetë muaj i harmonisë, muaj i lartësimit të fesë së Allahut (xh.xh) dhe i të gjithë besimtarëve muslimanë kudo që ndodhen.

 

A njihnji ju ndonjë parti, organizatë apo shoqatë, e cila fton antarët e saj të bëjnë pjesë në të, thjeshtë kanë të drejta dhe nuk kanë asnjë detyrim ndaj partisë së tyre? A njihni ju njeri që është bërë i pasur, vetëm se ka thënë që nga mengjesi deri në darkë se është i pasur? A njihni ju ndonjë njeri që është burrë i mirë, thjesht se ka thënë: “Unë jam burrë i mirë”? A njihni ndonje gjykatë, e cila i ka dhënë hakun dhe i ka dhënë të drejtë nji personi, thjesht se ai thotë që ka të drejtë? Dijeni mirë, se nuk ka njerëz, nuk ka parti të tilla, nuk ka gjykata të tilla. Duhet të kesh të drejta por dhe detyrime, duhet të sjellësh fakt dhe argument që je burrë i mirë, që je pasanik.

 

E pra feja e Zotit është një kështjellë që hapet me fjalën “La ilahe ila llah, Muhamedun rresulullah”. Është një fajlë goje, por ama duhen fakte dhe vepra për ta vërtetuar këtë fjalë kaq të madhe. Sikur të kuptohej mirë kjo fjalë, s`mund të shikoje besimtarë që rrinë duarkryq, besimtarë që mjaftohen duke thënë: “Unë e kam zemrën qelibar, unë e kam zemrën e mirë, unë nuk falem se nuk bëj gjynah”.

 

Është fakti që duhet nxjerrë ta shikojë Zoti, që ta shikojnë njerzit, ta shikosh dhe ti prej vetes tënde. Zoti ka përmendur në Kuran tokën bashkë me qiellin, dynjanë me ahiretin, namazin me zekatin. Por Ai ka përmendur edhe një binom tjetër e ai është binomi i pandarë: BESIMI dhe PUNA E MIRË.

 

Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin fisnik: “Ata që kanë besuar dhe bënë punë të mira”. S’i ka ndarë Zoti dhe nuk mund t’i ndajë kush, sepse ato janë themelet e suksesit. Nuk ka besim po s’bëre punë të mira e nuk ka punë të mira, po nuk i bëre me zemër. Shokët e profetit (a.s) e kuptuan shumë mirë këtë fjalë të madhe. Prandaj Muhamedi (a.s) i mësonte ata, që të mos marrin shumë informacion, thjesht për të qenë filozofë, njerëz që dinë ta përdredhin gjuhën si të duan, por të jenë njerëz të thjeshtë praktikantë që zbatojnë atë që dinë. Profeti (a.s) i mësonte se nuk ka më mirë se kur di dhe zbaton dhe nuk ka më keq, se kur di dhe nuk zbaton, sepse Zoti përshkruajti në Kuran një shembull, që duket i ulët. Pra flitet për një popull, që diti shumë por nuk zbatoi gjë. Zoti tha për këta njerëz: “Ata janë si gomari, që mbart libra mbi shpinën e tij...”. Por askush nuk ka vlerë nga ajo dituri që e mban mbi shpinë e nuk e përjeton dot. Kështu është shembulli i atyre, të cilët dinë por nuk e zbatojnë atë që kanë mësuar.

 

Prandaj shokët e profetit (a.s), ata që e kuptuan thelbin e fesë së tyre, pasha Zotin ishin shumë të thjeshtë e punëtorë. Ata nuk ishin filozofë, nuk menduan për gjëra të mëdha, por atë që mësuan, e zbatuan në praktikë. Ata thoshin: “Ne i mësonim pesë ajete dhe vetëm pasi t`i zbatonim ato, kalonim tek mësimi i ajeteve të tjera. Nëse do t`i mësonim edhe ajetet e tjera pa i zbatuar të parat, thjesht do të merrnim informacion dhe Allahu (xh.sh) do të na dënonte nga ajo që nuk bëjmë”. Prandaj të parët tanë thoshin: “Besimi nuk është me fjalë, nuk është me dëshira, por besimi është me atë që hyn në zemër dhe që e vërteton puna”. Ky është thelbi i fesë islame.

 

Zoti kritikoi në Kuranin fisnik dy popuj që ishin para nesh, të cilët e mbanin veten për besimtarë të mirë, por Allahu (xh.sh) i kritikoi, se nuk iu përmbajtën fjalëve që thoshin. Allahu (xh.sh) kritikoi hebrenjtë, të cilët mendojnë se janë popull i zgjedhur i Zotit. Ata mendojnë se për hatër të tyre Zoti krijoi të gjithë njerëzit, madje ata thonë: “Zoti i ka bërë njerëzit e tjerë shërbëtorë për ne”. Zoti tha: “Sillni argumentin tuaj...”. Por ata nuk sollën asnjë argument. Allahu (xh.sh) kritikoi edhe të krishterët, të cilët thanë: “Ne jemi bijtë e Zotit, jemi të dashurit e Tij”. Zoti thotë në Kuran në lidhje me këtë: “Thuaj: sillni argument, nëse jeni të sinqertë”. Por as ata nuk sollën ndonjë argument.

 

Allahu (xh.sh) u drejtohet besimtarëve në Kuran, duke thënë: “Ju jeni popull më i mirë që ka dalë ndonjëherë për njerëzit. Ju urdhëroni për mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni Allahun”. Të urdhërosh për mirë e të ndalosh nga e keqja është punë e kur kjo punë bashkohet me besimin, me lejen e Allahut (xh.sh) do të jesh superior në këtë jetë dhe në jetën tjetër.

 

A e keni pyetur ndonjëherë veten, se ku qëndron kriza e muslimanëve?! Ne krenohemi se muslimanët sot janë 1 miliard e treqind milionë. Ky numër ka shumë zero, por zerot janë pa vlerë nëse nuk kanë një numër tjetër para. Kriza e muslimanëve është kriza me besimin e tyre. Vërtet jemi kaq shumë më numër, por shumë muslimanë hanë mishin e derrit, edhe pse Allahu e ka ndaluar atë, ka të tjerë që e pinë alkoolin pa pikë problemi, edhe pse Zoti e ka ndaluar atë, ka shumë të tjerë që nuk agjërojnë Ramazanin, edhe pse e kanë obligim të agjërojnë, disa të tjerë nuk falin namaz, edhe pse namazi është krenaria e gjithë besimtarëve. Atëherë çfarë vlere ka besimi i këtyre njerëzve?! Ç`vlerë kanë shifrat, kur nuk zbatohet Islami?!

 

A e keni parë që edhe jomuslimanët i respektojnë besimtarët muslimanë, të cilët ndjekin fenë e tyre dhe kanë një urrejtje ndaj atyre muslimanëve, të cilët pretendojnë se janë muslimanë, por hanë mish derri e pinë alkool. Ata thonë: “Çfarë muslimanësh janë këta? Ata bëjnë si ne, madje më keq se ne”! Kjo ndodh, sepse njeriu që respekton veten e tij, respektohet edhe nga të tjerët, sepse para së gjithash atë e ka respektuar Allahu (xh.sh). Kjo është kriza e besimtarëve. Ka shumë besimtarë muslimanë, që nuk punojnë. Ata thjesht të mbajnë me muhabet e flasin fjalë nga më të ndryshmet, të cilat mund të jenë shumë të bukura, por ato do të mbeten vetëm fjalë, nëse nuk do të punohet që fjalët dhe dëshirat të kthehen në punë dhe realitet.

Muslimanët praktikantë dinë shumë fjalë të mira, por pak i zbatojnë ato, pretendojnë shumë, por janë larg pretendimeve të tyre. Besimi nuk ka vlerë pa punën. A doni ta shikoni populin e profetit Muahmed (a.s) të lartësuar dhe jo në këtë situatë, a keni dëshirë të shikoni fitore e triumfe?! Nëse po, atëherë ne duhet ta vëmë në praktikë një ajet shumë të shkurtër, i cili thotë: “Nëse ju ndihmoni Zotin, edhe Ai do t`ju ndihmojë juve dhe do t`i forcojë këmbët tuaja”. Zoti nuk ka nevojë për ndihmë, por ti jepe kontributn tënd për këtë fe dhe bëj punë të mira, sepse tek Zoti nuk vlejnë fjalët, as reklamat e pretendimet, por vlejnë punët e mira. Kur muslimanët të fillojnë të punojnë, do ta shohin se Zoti ka qenë shumë afër, por ata nuk e kanë kuptuar  këtë.

 

Në Ditën e Gjykimit, peshoret nuk do të masin fjalët, por punët. Aty peshon ajo që ke bërë dhe jo ajo se çfarë ke thënë. Do të tregoj një histori, që ka ndodhur në kohën e profetit (a.s):

Një beduin, i cili nuk dinte shkrim e lexim, erdhi te profeti (a.s) dhe pranoi Islamin. Pastaj i tha profetit (A.s): “Më mëso disa sure nga Kurani”. Profeti (a.s) i tha njërit prej shokëve të tij: “Mësoji këtij njeriu disa pjesë nga Kurani”. Kështu ata u ulën dhe filluan të mësojnë suren Zelzeleh. Dy ajetet e fundit të kësaj sureje janë: “Kush bën një të mirë, që peshon sa grimca, do ta gjejë atë. Kush bën një të keqe që peshon sa grimca, do ta gjejë atë”. (Zelzele: 7-8). Pasi dëgjoi këto ajete, ky musliman i ri u ngrit dhe iku. Shoku i tij i thirri që t`i mësonte edhe sure të tjera, por beduini nuk u kthye më. Kështu sahabiu shkoi tek profeti (a.s) dhe i tha: “O profet i Zotit! Ai mësoi vetëm një sure”. Profeti (a.s) e pyeti: “Çfarë sureje i mësove?” Ai u përgjigj: “Suren Zelzeleh”. Atëherë profeti (a.s) tha: “Lëre të ikë, se ka kuptuar”

 

Feja jonë ndertohet në çdo ditë në çdo orë mbi punë, ajo nuk njeh fjalë, ajo nuk njeh teori, nuk njeh filozofi, por besimtarë që thonë: “O Zot këtë e di dhe këtë e bëj”. Mos harroni se jemi në muajin e Ramazanit, i cili nuk është muaj pushimi, muaj argetimi, por është muaj tregtie, tregti me Allahun.

 

Ky muaj është muaj i punës, prandaj besimtarët duhet të garojnë e njëri – tjetrin për të kryer sa më shumë vepra që e kënqain Allahun (xh.sh). Njeriu mund të bëjë punë shumë të vogla, por që tek Zoti kanë peshë të madhe. Ramazani është muaj i punës, prandaj duhet të shtojmë sa më shumë adhurimet.

 

A deshiron të t`i shtojë Zoti sevapet? Atëherë shtoji namazet e mos e lër vetëm me një Xhuma, por fali dhe ditët e tjera. Mos kini frikë se do të humbni gjë, se e kanë provuar ata që falen, se vetëm mirë u vjen prej faljes se namazeve.

 

Lexoje Kuranin, jep sadaka sa të kesh mundësi, se Zoti i gjithësisë do të ta shtojë pasurinë dhe bereqetin, sepse Ramazani është muaj i begatisë, ku puna shpërblehet me 70-fish, është muaj i mëshirës dhe shpëtimit nga zjarri i Xhehenemit. Pse je koprac me veten tënde, pse nuk i bën mirë vetes tënde?. Bëj ti një hap drejt Allahut (xh.sh) dhe Ai do të të afrohet, aq sa ty nuk do të ta marrë mendja.

 

Puna e mirë nuk duhet të kufizohet vetëm tek puna fetare. Ka shumë punë të mira:

- Të fitosh bukën e gojes me djersën e ballit është punë e mirë,

- Të ushqesh femijët e tu është punë e mirë,

- Të edukosh fëmijën tënd të mos e thotë fjalën e keqe, por ta thotë fjalën e mirë, edhe pse të tjerët flasin keq, kjo është punë që respektohet shumë tek Allahu (xh.sh).

- Të mësosh shkencën, të nxjerrësh njerëzit nga injoranca ku janë, është një punë që shperblehet tek Allahu (xh.sh).

- Të mësosh një zanat, që të mos i shtrish dorën kujt është punë e mirë.

- T`i tregosh rrugën dukujt që ka humbur, t`i buzëqeshësh vëllait tënd, t`i heqësh sikletin një besimtari e të mos bësh t`i keq atij edhe kjo është punë e mirë.

- Madje edhe të heqësh mbeturinën nga rruga është punë e mirë. Pra çdo punë që bëhet për Zotin është punë e mirë.

 

Punë të mira ka sa të duash. Nëse ti dëshiron të bësh punë të mira, do ta shohësh që Allahu do të t`i hapë dyert e mirësisë e ato asnjëherë nuk kanë fund.

 

I lutemi Allahut (xh.sh) të na udhëzojë tek punët e mira, të na japë forcë të bëjmë punë të mira. Zoti e pranoftë agjërimin tonë, namazin tonë, sexhden tonë, leximin e Kuranit dhe çdo punë të mirë që bëjmë në Ramazan dhe pas tij.

 A M I N
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free