Mos do të kalosh gjithë jetën duke zgjidhur probleme!
Rrëfehet se që ditët e para, pasi sulltan Mehmet Fatih u ul në fronin e të atit, shpërthyen problemet. Asokohe, ai ishte i ri, sapo kishte mbushur 23 pranvera dhe shumë persona menduan se mund ta vinin në lojë.Shumë valinj të perandorisë u shprehën qartë për pavarësi nga Porta e Lartë. Me këtë, sikur donin të matin pulsin e sulltanit të ri dhe aftësitë e tij për ti shuar konfliktet dhe problemet.
Nga ana tjetër, armiqtë e jashtëm të perandorisë filluan provokimet, për të parë nëse kishte ardhur koha për të shkëputur pjesë nga territoret e gjera të Perandorisë Osmane dhe t’ia bashkëngjisnin shteteve të tyre.
Sakaq, disa probleme të tjera të brendshme shkaktoheshin nga grykësit dhe të pangopurit, të cilët synonin dhuratat e majme të sulltanit.
Këto probleme, sulltan Mehmeti i pleqëronte herë pas here me vezirin e tij.
Në njërin nga këto takime të shpeshta, kur debati ishte nxehur, veziri i propozon sulltanit që problemet ti rendisë sipas rëndësisë, e mandej të fillojë ti zgjidhë njëri pas tjetrit.
Sulltani brofi në këmbë i shqetësuar dhe me zë të lartë i tha:”Mos dëshironi të kaloj gjithë jetën duke zgjidhur problemet?! Më jepni hartën e Kostandinopojës!”
Muret e saj kishte kthyer mbrapsht dhe kishin thyer kushedi sa mbretër e sulltanë. Menjëherë, ai urdhëroi që ushtria të përgatitej për një objektiv madhor, për realizimin e ëndrrës së moçme. E në fakt, ashtu ndodhi. Ëndrra u realizua dhe problemet avulluan përballë vullnetit të çeliktë të sulltanit dhe objektivit të tij madhor.
Që këtu, duhet të kuptojmë se objektivi madhor, i shuan të gjithë problemet e vogla. Objektivi madhor, i shtyp të gjithë çikërrimat e përditshme. Madhështia shoqërohet me ushtri e cila e robëron vendosmërinë e ulët, ambicien e sëmurë dhe problemet e përditshme të jetës.
Ky është ligj i jetës. Sipas ambicieve, Zoti i pajis robërit e Tij me fuqi dhe aftësi. Nëse dikush synon të bëhet i madh, Zoti do i dhurojë vendosmërinë e heronjve dhe forcën e trimave. Të gjithë problemet dhe vështirësitë, do të shuhen para tij.
Sakaq, ata që merren me gjepura e marrëzi, kanë vendosmëri minjsh, gjumin e bëjnë të trazuar nga jehonat e zërave dhe mashtrohen nga një copë djathi e prishur.
Dail Karnixhi thotë:”Përballu me misionet e vështira fillimisht dhe do të shohësh se ato të lehtat do të zgjidhen vetvetiu.”