Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Festa e fillimit të jetës njerëzore në tokë

Festa e fillimit të jetës njerëzore në tokë
 
Hulumtim në themel të historisë së njerëzimit
 
Bota, kështu siç është, ka një fillim, do të ketë edhe një mbarim. Edhe për njerëzimin ka një fillim, ka edhe një mbarim. Në Kur’an thuhet: “Ditën kur toka do të ndryshohet në një tjetër tokë edhe qiejt e të tërë do të dalin para Krijuesit, të Plotfuqishmit”. (Ibrahim, 48)
 
Që në kohët e lashta njeriu është përpjekur të gjejë fillimin e jetës së tij në tokë. Për ndonjë kockë të gjetur në anë të ndryshme të saj shpesh është menduar se u gjetën shenjat e njeriut të parë. Kështu është menduar për Sinantropin e Kinës, për Neandertalin e Evropës, për njeriun e Afrikës, etj. Në fillim lajmet kanë qenë të bujshme e më vonë janë zbehur deri në venitje të plotë. Nuk ishin ato gjurmët e njeriut të parë. A e justifikonin këto vende delikatesën e njeriut për jetesë në ato kushte natyrore ndoshta krejt të papërshtatshme? Të vegjlit e kafshëve Zoti i ka krijuar të aftë për të përballuar të ftohtin apo të nxehtin. Ata sapo lindin janë të aftë të marrin ushqim nga nënat e tyre dhe të ecin së bashku me to. Ndryshe ka ndodhur dhe ndodh me njeriun. Njeriu vetë dhe fëmija i tij kanë kërkuar kushte të tjera për të jetuar. A e justifikonte klima e Kinës, ajo e Evropës apo e Afrikës mundësinë e kujdesit për shtimin e njerëzimit?! Shkencëtarët nuk duhet të kërkojnë gjurmët e njerëzve të parë në polet e tokës, as në xhunglat e Afrikës.
 
Deri tani shkenca e historisë së njerëzimit nuk ka informacion të saktë për vendin dhe as për kohën ku dhe kur ka jetuar njeriu i parë. Në ndonjë libër të “shenjtë” janë dhënë edhe vite, por edhe vende kur dhe ku u krijua njeriu i parë. Në to shënohet se 6000 vjet më parë paska ardhur Ademi! Më vonë e luajtën këtë shifër në 10000 vjet dhe kohët e fundit e kanë rritur përsëri në 20000 vjet. E vërteta është se studiues të fushave për nisjen e kërkimeve të tyre janë nxitur nga Kur’ani dhe arritjet e tyre kanë qenë të njëjta me përcaktimet e tij:
 
1-Studimet për origjinën e kozmosit e të tokës;
 
2-Studimet për jetën në tokë dhe hapësirat qiellore;
 
3-Për kërkimin e gjurmëve të jetës në trupat qiellorë;
 
4-Për fillimin e vazhdimin e jetës në barkun e nënës;
 
5-Për detet, malet, etj., për të cilat rreth 1500 vjet më parë në Kur’an janë dhënë informacione e shkenca i vërteton në ditët e sotme.
 
Po studiuesit e historisë njerëzore pse nuk i nisin kërkimet e tyre duke u mbështetur në Kur’an, ku do të gjejnë edhe orientimin për të shkuar te gjurmët e para të jetës njerëzore në tokë? Një ditë atje do të arrijnë, siç po arrijnë shkencëtarët e tjerë ditë pas dite.
 
Kur’ani është Fjala e Zotit. Ai që krijoi botët dhe jetën në to, e di më së miri fillimin, vazhdimësinë dhe fundin e tyre kështu siç janë. Në Kur’an nuk jepen shifra, sepse njeriu në fillimin e tij nuk i njihte botët që të caktonte kalendar për përdorim. Në Kur’an thuhet: “E krijova njeriun nga balta (dhe + ujë) e përpunuar” , gjithashtu përdoren tri fjalë: mblodha, vendosa dhe krijova njeriun.
 
Dy njerëzit e parë, Ademi dhe Havaja, u mashtruan nga një krijesë tjetër, prandaj gabuan e u larguan nga vendi i krijuar. Zbrisni, i urdhëroi Zoti, jeni armiq me atë që ju mashtroi. Në tokë e keni qëndrimin, në një kohë të caktuar, në të do të jetoni, në të do të vdisni e prej saj do të nxirreni për të dhënë llogari për veprimtarinë tuaj për këtë pjesë të jetës. (Bekare, 36)
 
Ademi dhe Havaja u zbritën në rrethinat e Mekës së sotme. Në Kur’an përdoret termi “Ihbitu”, me kuptimin e uljes së ngadaltë siç ulen flokët e dëborës. Ky vend plotësonte kushtet që mundësonin jetën e njeriut në tokë. Dy njerëzit e parë nuk u ulën në tokë me shtëpi të ndërtuara, as me veshje, as me ushqime të gatuara. Domosdoshmërish ata do të ushqeheshin me prodhime të gatshme të tokës, do të mbuloheshin me mjete të mundshme, do të strehoheshin në shpella e streha të thjeshta të përgatitura me çka gjenin në natyrë. Takimi i parë në tokë i Ademit me Havanë u bë në fushën e Arafatit, në afërsi të Mekës. Aty realizuan edhe kurorën e parë njerëzore (martesën), formuan familjen e parë në historinë e jetës së njerëzimit. Zoti ua fali gabimin e bërë – ngrënien e pemës së ndaluar. Prej këtij çifti lindën shumë çifte të tjera pasardhësish (mashkull dhe femër), një ndër mrekullitë e Zotit e planifikuar për të gjitha qeniet e gjalla. Në kërkim të ushqimit, të cilin e merrnin nga natyra dhe të strehimit e të mbrojtjes filluan të largohen nga prindërit e tyre. Ata e kishin detyrim profetik (Ademi ishte i pari i tyre, por edhe profeti i tyre) të shkonin për të takuar prindërit. Kur largësia nga Meka (Arafati) u bë e konsiderueshme, vizitorët caktuan ditën e formimit të familjes së parë, që i takon të jetë dita e 10-të e muajit Dhul-hixhe, sipas kalendarit hënor, ditë në të cilën u takuan Ademi me Havanë. Kjo është dita që festojnë myslimanët e gjithë botës, e cila përkon me Haxhin dhe Kurban Bajramin.
 
Kjo festë është organizuar gjatë tërë jetës njerëzore. Ademi me Havanë në afërsi të Arafatit, në perëndim të diellit, panë një shenjë dalluese. Ata shkuan atje. Nga ajo kohë ky vend u quajt Mekë, ndërsa fusha ku u formua familja e parë u quajt Arafat, fusha e takimit ose e njohjes.
 
Në Mekë dy njerëzit e parë u falën, i kërkuan edhe një herë falje Zotit, iu lutën t’i ndihmonte gjatë jetës në tokë dhe i premtuan se do të ndiqnin gjatë jetës urdhrat e Tij. Në atë vend pasardhësi i Hz. Ademit, Hz. Shiti, thuhet, bëri një ndërtesë të ngjashme me atë të sotmen. Në anën më të dukshme u vendos një gur i zi, i cili vazhdon të jetë në murin e Qabes.
 
Kohë më vonë, profeti Ibrahim me të birin Ismail, gërmuan e mbi themelet e ndërtesës së parë, Qabes, dhe e ndërtuan sërish. Njerëzimi edhe kur u shpërnda shumë larg Arafatit e Mekës, e vizitonin çdo vit atë vend. Kur vizita e këtyre
 
vendeve u bë detyrë në kohën e Profetit Muhamed a.s. u urdhërua që haxhinjtë të mbuloheshin me Ihram (rroba të bardha, të paqepura). Edhe tani, pas mijëra vitesh, ky adhurim vazhdon të kryhet në të njëjtat kushte. Këto vërtetojnë se Islami është e vetmja fe që ka shoqëruar njerëzimin qysh prej Ademit a.s.
 
Haxhi dhe Kurbani nuk janë vetëm të myslimanëve, por të gjithë njerëzimit, sepse të gjithë kanë vetëm një rrugë të prejardhjes së tyre, rrugën që të çon tek Ademi dhe Havaja.
 
Miliona besimtarë bëjnë udhëtime të gjata, si këmbësorë, me makina, avionë e anije për të shkuar në vendin e bekuar, aty ku e filluan jetën dy njerëzit e parë, në vendin ku u formua familja e parë njerëzore, aty ku bashkë me jetën filluan të jetojnë e praktikojnë edhe besimin islam – njohjen e një Zoti të vetëm.
 
Gjatë jetës njerëzore, haxhinjtë, pa dallim ngjyre, race, statusi shoqëror e politik, të mbuluar me veshje të bardha, e kryejnë këtë adhurim si të barabartë, si fëmijët e një babai e të një nëne. Më së shumti atje përdoret shprehja në gjuhën arabe, tani e ndërkombëtarizuar, e cila uron paqe për të gjithë, “Es-selamu alejkum”, që do të thotë: O njeri, të kam vëlla, të uroj paqe e të ofroj siguri. Këtë kërkoj edhe prej teje. Ai që e dëgjon është i detyruar t’i përgjigjet: Edhe unë të premtoj paqe dhe siguri. Mbi këtë detyrim kërkohet të ndërtohet jeta njerëzore në gjithë globin.
 
Kjo festë, e cila vjen nga thellësitë e historisë, sjell mesazhe jetike që tregojnë për qëllimin e krijimit të njeriut. Këto mesazhe kanë qenë, janë dhe do të mbeten aktuale për të siguruar një bashkëjetesë që t’i gëzojë të gjithë në familje, në shoqëri dhe midis kombeve në mbarë rruzullin tokësor.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free