Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Do të më gjesh gjithmonë atje, pranë teje

Në vitin 1989, Armenia u godit nga një tërmet i fuqishëm i cili rrafshoi gjithçka. Ishte tërmeti më i rëndë i shekullit të njëzet dhe që mori jetën e mbi njëzet e pesë mijë njerëzve brenda disa minutave. I gjithë rajoni i prekur nga tërmeti, u paralizua dhe u shndërrua në rrënoja.

 

Diku në një qoshe të atij rajoni, banonte një bujk me të shoqen e tij. Shtëpia e tyre kishte pësuar dëme të rënda, por nuk ishte shembur. Pasi i zoti i shtëpisë u sigurua për shëndetin e të shoqes, e la atë vetëm në shtëpi dhe mori rrugën për tek shkolla fillore, ku mësonte djali i tyre. Kur mbërriti në vend, pa që ndërtesa e shkollës ishte shembur totalisht. Ai qëndroi për disa minuta i ngrirë në vend, pa ditur ç’të bëjë. Pasi erdhi pak në vete pas asaj goditjeje, iu kujtua një fjali që ia përsëriste gjithmonë djalit të tij:”Sido që të ndodhë biri im, mua do të më gjesh atje, pranë teje.” Nuk e mbajti dot veten dhe menjëherë i shpërthyen lotët. Por në çast filloi ti fshijë lotët dhe ia nguli sytë grumbullit të rrënojave të mbetura nga shkolla, sikur kërkonte të lokalizojë klasën e të birit. Menjëherë iu kujtua se klasa e tij ndodhej në pjesën e pasme në krah të djathtë. Një energji magjike e shtyu drejt rrënojave, ku filloi menjëherë të gërmojë. Të gjithë të pranishmit ia ngulën sytë të çuditur nga ajo që po bënte.

 

Dy prindër të tjerë u orvatën më kot ta heqin që andej, pasi shpresat për të mbijetuar ishin zero. “Kot lodhesh! Të gjithë kanë vdekur!” i thanë ata. Por prindi në fjalë ua ktheu:”Mos doni të më ndihmoni?!” dhe vazhdoi të heqë gurët një e nga një. Pak më pas edhi një zjarrfikës, i cili u rrek ta largojë nga rrënojat, pasi mund të shkaktonte ndonjë zjarr. Por sërish prindi ia ktheu:”Mos do të më ndihmosh?!”

 

Radhën e kishin forcat e rendit, të cilët menduan se është çmendur nga gjëma që i kishte rënë. Ata i thanë:”Nëse do të vazhdosh të gërmosh në këtë mënyrë, do të shkaktosh më shumë dëme.” Prindi e ndali hovin dhe duke u drejtuar të gjithëve tha:”Ose më ndihmoni, ose më lini rehat!” Në fakt, ashtu bënë, e lanë rehat.

 

Thuhet se ai vazhdoi të gërmojë dhe të heqë gurë pa ndërprerje për 37 orë. Pasi largoi një gur të madh, dalloi një hapësirë bosh, e cila i mundësonte të hyjë brenda. Ai futi kokën thirri me sa fuqi kishte:”Armand!”

 

Nga ana tjetër dëgjoi zërin e të birit, i cili iu përgjigj:”Jam këtu babi! Unë u pata thënë shokëve të mi:”Mos kini frikë se do të vijë babi im të na shpëtojë të gjithëve. Ai më ka premtuar se sido që të jetë puna, do të jetë gjithmonë pranë meje.”


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free