Lëvdatat e shumta prodhojnë diktatorë
Gjatë emisionit të tij të përditshëm në muajin e Ramazanit, shejh Selman Aude u shpreh se ata që zgjidhen në poste udhëheqëse, duhen përgatitur dhe edukuar psikologjikisht dhe moralisht, me qëllim që posti mos e nxjerrë nga natyra e tij. Ai tha se kushtetuta dhe ligjet duhet të jenë të prera dhe të mos tolerojnë shkelje. Sot duket qartë që vetëm aspekti edukativ dhe moral nuk është i mjaftueshëm për disiplinimin e krerëve të shtetit. Bota moderne na ofron modele shembullorë në këtë aspekt. Presidenti amerikan, francez, britanik etj... nuk manifestojnë asnjë dëshirë të papërmbajtur për pushtet pa kufi, pasi janë ndërgjegjësuar për natyrën e sistemit qeverisës të vendeve të tyre.Dr Aude ceku dhe ish presidentin amerikan, themeluesin e SHBA-ve Xhorxh Uashington, i cili refuzoi të kandidojë për herë të tretë në postin e presidentit, edhe pse e dinte se do e fitojë me shumicë absolute. Ai refuzonte ta thërrasin me tituj honorifik duke u kërkuar që ta thërrasin thjesht zoti president. Mesa më kujtohet, pas vdekjes së presidentit Abraham Linkoln, i është gjetur në sirtar një Kuran, ku kishte bërë dhe shënimet e tij personale.
Lidhur me kufizimin kohor të mandatit të qeveritarëve, unë kam bërë një studim modest dhe jam befasuar me informacionet e gjetura. Pashë që vetë Umer ibnul Hattabi ishte interesuar që ta kufizojë në kohë mandatin e guvernatorëve të tij. Ai kishte dashur ta bëjë vetëm një vit, dy dhe katër dhe për çudi, të gjithë këto ekzistojnë sot, ku kemi mandate një vjeçar, dy, katër dhe pesë vjeçar.
Lidhur me demokracinë, dr Aude tha se ajo është një përvojë njerëzore dhe që mund të zhvillohet me tej. Ne shohim që modeli demokratik britanik ndryshon nga ai amerikan, francez, zviceran apo italian.
Bota islame mund të përzgjedhë nga këto modele dhe ti pasurojë me përvojën e vet lokale. Posti udhëheqës është një shans që njeriu të përmirësojë sjelljet e tij dhe të ripërtërijë ambiciet. Umer ibnu Abdul Aziz, pasi mori në dorë postin e Kalifit, kishte ambicie të fitojë xhenetin dhe kënaqësinë e Zotit.
Ai foli dhe për ndërmjetësimin, gjë e cila është shndërruar në një fenomen që prek vetëm shtresat e larta të shoqërisë, pra elitën, të cilët e kanë të lehtë të ballafaqohen me vështirësitë e jetës. Ndërkohë, ndërmjetësimi duhet të jetë vetëm për shtresat papërkrahje, jetimët, hallexhinjtë, fukarenjtë etj... të cilët nuk kanë dikë që tu qëndrojë pranë dhe tu qajë hallet. Ndërmjetësimi sipas perceptimit islam, është garantimi i të drejtave të njerëzve, tu sjellësh dobi atyre, në veçanti njerëzit pa përkrahje. Thotë Profeti a.s:”Ndërmjetësoni që të shpërbleheni.” “Më kërkoni tek njerëzit papërkrahje. Ju u vjen ndihma e Zotit falë njerëzve papërkrahje.”
Kontaktet me publikun
Lidhur me komunikimin e qeveritarëve me publikun, shejh Aude tha se brezi i parë e kalifëve, si Ebu Bekri dhe Umer, ecnin mes njerëzve, faleshin në xhami etj... dhe asgjë nuk i ndante nga masat.
Sot, mediat e kanë bërë të mundur që shtresa udhëheqëse të jetë në kontakt me publikun përgjatë 24 orëve të ditës.
Lëvdatat e shumta
Një zakon i shëmtuar i qeveritarëve është pasioni i tyre për tu lëvduar. Shumë qeveritarë zhvatin pasuritë e njerëzve dhe ua japin kryeredaktorëve të mediave të ndryshme, me qëllim që ti thurin lavde. Ka prej tyre që kanë qenë oratorë të flaktë, si në rastin e Hitlerit. Po, është e domosdoshme që qeveritarët të jenë oratorë, por kjo të jetë e shoqëruar dhe me vepra, jo vetëm fjalë boshe. Në kujtimet e presidentit boshnjak Ali Izet Bejgoviç, kam lexuar se një herë i duhej që fjalën e tij ta lexojë nga letra. Meqë iu duk fjalim i mërzitshëm për audiencën, ai e la letrën dhe iu drejtua publikut me fjalë të cilat dilnin nga zemra.
Në Kuran, i bëhet thirrje njeriut që të mos mbështetet në gjërat e përkohshme, por të mbështetet tek Zoti që është i përjetshëm. “Mbështetu tek i Gjalli që nuk vdes dhe Atë lartësoje dhe lëvdoje”
Kur njeriu i mbështetet Zotit në gjithçka, edhe pse e humbet postin që ka pasur më parë, e ruan personalitetin e vet, forcën dhe aktivitetin. Mund të ndodhë që njeriu jo vetëm të privohet nga posti, por të privohet dhe nga liria, siç ngjau me presidentin egjiptian, atë libian etj...
Dr Aude tha se në vendet perëndimore, zyrtarët e lartë, pas përfundimit të mandatit të tyre, merren me aktivitete të ndryshme sociale. Ndërkohë, në vendet arabe, zyrtarët tanë nuk i heq nga posti veç melekut të vdekjes.
Tek zyrtarët tanë duhet të ekzistojë kultura e kontributit, edhe pas postit. Profeti Muhamed a.s thotë:”Kur vdes njeriu, i ndërpriten të gjitha veprat e mira, përveç një sadakaje rrjedhëse, një dije që ka lënë pas, ose një fëmije që lutet për të.”
Posti duhet të përdoret për tu gjendur pranë hallexhinjve dhe nevojtarëve. Nëpërmjet dijes, duhet ti shërbehet komunitetit. Sakaq, për fëmijët e politikanëve dhe zyrtarëve, mund të themi se rriten të përkëdhelur dhe të llastuar.
Është shumë e rëndësishme që njerëzit ti përmendin për mirë zyrtarët dhe politikanët pas mandateve të tyre, se u kanë shërbyer, janë interesuar, u kanë zgjidhur hallet, kanë qenë të sinqertë etj... Fama mund të jetë lokale, që do të thotë se përfundon me vdekjen apo përfundimin e mandatit, por mund të jetë dhe interkontinentale, si ajo e hazreti Umer ibnul Hatabit, Umer ibnu Abdul Azizit etj... të cilët kanë hyrë në histori.