Vlera e vertet e unazes
“Erdha, mësues, sepse ndihem kaq i parëndësishëm që s’jam në gjendje të bëj asgjë.
Më thonë që nuk vlej fare, që nuk bëj asgjë të saktë, se jam i pakujdesshëm dhe budalla. Si mund të përmirësohem? Cfarë mund të bëj që të më vlerësojnë më tepër?”
Mësuesi, pa ia hedhur sytë, i tha:
“Sa keq më vjen, bir. Nuk mundem të të ndihmoj sepse fillimisht duhet të zgjidh një problem vetjak. Më pas, ndoshta….” dhe mbas një pauze vazhdoi: “Nëse do të më ndihmosh, mund ta zgjidh shpejt problemin tim dhe më pas do mundohem të të ndihmoj.”
“E… me gjithë qejf, mësues” tha në mënyrë ngurruese djaloshi i ri, duke ndjerë nënvlerësim edhe për një herë tjetër, për të mos llogaritur nevojat e tij.
“Mirë” vazhdoi mësuesi. Nxorri një unazë që mbante në gishtin e tij të majtë dhe ia zgjati djalit, duke i thënë: “Merr kalin që është atje jashtë dhe shko në treg. Duhet ta shes këtë unazë për të paguar një borxh që kam. Është e nevojshme të marrësh sa më tepër para të jetë e mundur. Dhe në asnjë mënyrë mos prano nën një monedhë floriri. Shko tani dhe eja me monedhën e artë sa më shpejt të jetë e mundur.”
Djaloshi e mori unazën dhe iku. Sapo mbërriti në treg filloi duke ofruar unazën te tregtarët që e shikonin me një farë interesi, deri sa personazhi thoshte shumën e saj.
Kur djali thoshte “një monedhë floriri” të tjerët qeshnin, disa prej tyre i kthenin kurrizin dhe vetëm një plakush u duk i sjellshëm për t’i shpjeguar se një monedhë floriri ishte goxha për një unazë të tillë. Duke dashur ta ndihmonte, njëri i ofroi një monedhë argjendi dhe një tas prej bakri, por, djaloshi kishte urdhër të mos pranojë më pak se sa një monedhë ari dhe kështu e rrefuzoi ofertën.
Pasi u mundua ta shiste bizhunë kudo që takonte njerëz nëpër treg – pa dyshim që mund të ishin mbi njëqind veta – e pranoi dështimin e tij, i hipi kalit dhe u kthye mbrapa.
U fut brenda në dhomë.
“Mësues”, i tha, “më vjen keq. Ishte e pamundur t’ia dilja mbanë. Ndoshta mund të merrja dy apo tre monedha argjendi, por, nuk besoj se mund t’ia hedh ndonjërit për vlerën e vërtetë të unazës.”
“Kjo që the është shumë e rëndësishme, biri im”, u përgjigj i buzëqeshur mësuesi. “Por fillimisht duhet të marrim vesh vlerën reale të unazës. Hipja prapë kalit dhe shko te argjendari. Kush tjetër mund ta di më mirë se ai? Thuaji që dëshiron ta shesësh dhe pyete sa mund të kushtojë. Por, mos e shit sado që të të ofrojë. Kthehu mbrapa me unazën.”
Djaloshi i hipi kalit dhe iku sërish.
Argjendari pasi e shqyrtoi unazën nën dritën e qiririt, e pa me prozhektor, e peshoi dhe më pas ia ktheu djalit:
“Thuaji mësuesit, bir, se nëse dëshiron ta shesi menjëherë, nuk mund t’i jap mbi pesëdhjetë e tetë monedha ari për unazën e tij.”
“Pesëdhjetë e tetë monedha ari?” bërtiti djaloshi i cuditur.
“Po” u përgjigj argjendari. “Sigurisht, me pak durim mund ta heqim edhe me shtatëdhjetë monedha ari, por, nëse është urgjente…”
Djaloshi vrapoi i prekur emocionalisht drejt shtëpisë se mësuesit për t’i thënë të rejat e fundit.
“Ulu” i tha mësuesi pasi e dëgjoi. “Edhe ti si puna e kësaj unaze je. Një bizhu e shtrenjtë dhe e vecantë. Dhe si i tillë, duhet të të vlerësojë një specialist. Përse në jetën tënde sorrollatesh sa andej-këtej duke kërkuar vlerësimin e kujtdo?”
Dhe me këto fjalë, vendosi sërish unazën në gishtin e tij të vogël të dorës së majtë.