Te ruash sekretin
Tregohet se një mbret, e vriste menjëherë berberin që e kishte qethur. Me kalimin e viteve, berberët filluan të rrallohen dhe ata që kishin mbetur, i përgjëroheshin Zotit që mos bënin pjesë tek lista e mbretit, pasi e dinin fundin. Të gjithë berberët e tjerë thjesht ishin zhdukur dhe askush nuk e dinte çfarë u kishte ngjarë pas qethjes së mbretit.
Mes berberëve të mbetur, ishte dhe një i ri, zemërmirë dhe modest. Ai i shërbente nënës së tij të moshuar. Me të vajtur një mëngjes të hapë berberhanen e tij, u befasua nga dy ushtarë të cilët e prisnin në këmbë. Ata e morën për tek mbreti që ta qethë. Nga halli, i riu vajti me zemër të thyer dhe me lot që i rridhnin pa pushim. Me ta parë mbreti në atë gjendje, e pyeti:”Çfarë ke more?! Ç’të ka gjetur?!”
I riu iu përgjigj:”Të gjithë ata që kanë ardhur këtu për t’ju qethur juve madhëri, janë zhdukur. Dhe më pyesni ç’kam?!”
Mbreti ia ktheu:”Po, por ti do të dalësh dhe do të kthehesh i gjallë prej këtu, sepse kam dëgjuar për shërbimin që i bën sat ëme.”
Berberit iu kthye çehrja dhe buzëqeshi, duke thënë:”Faleminderit madhëri, faleminderit.”
Mbreti e ndërpreu dhe i tha:”Por me një kusht. Duhet të ruash një sekret tepër të rëndësishëm timin.”
Berberi e pyeti gjithë frikë:”Cili qenka ky sekret madhëri?”
Mbreti i tha:”Do e kuptosh kur të më qethësh.”
Pasi djaloshi mori gërshërët për të qethur mbretin dhe u afrua, mbreti hoqi kapelen që mbante mbi kokë dhe djaloshi mbeti si i ngrirë për një moment. Kapelja dhe flokët e gjatë të tij, mbanin të mbuluar dy veshë të mëdhenj, të gjatë dhe të shëmtuar.
Mbreti e pyeti:”A e kuptove cili është sekreti tani?”
Berberi:”Po, madhëri.”
Tepër i qartë në fjalët e veta, mbreti iu kanos:”Ditën që do të bëhet publik ky sekret, do të jetë dita e vdekjes tënde dhe të nënës që të ka lindur e rritur.”
Berberi bëri be e rrufe se nuk do ia rrëfejë kujt sekretin e mbretit. Me të përfunduar qethjen, ai u kthye në shtëpi.
Sa më shumë kalonin ditët, presioni i brendshëm i sekretit që mbante berberi bëhej dhe më i madh. Sa herë që dikush përmendte kapelen e mbretit, berberit gati i pëlciste zemra nga dëshira për t’u treguar sekretin e veshëve të tij. Por në çast i kujtohej kërcënimi mbretëror dhe qëndronte sus.
Kaloi një vit dhe berberi e kishte të pamundur ta mbajë sekretin. Ai ndjente dhimbje koke të vazhdueshme për shkak se nuk e hiqte dot mendjen nga sekreti. I gjendur në vështirësi, ai vendosi të shkojë tek një plak i urtë të cilit i tha:”Kam një sekret të cilin nuk po e ruaj dot, por që ka pasojë vdekjen nëse ia tregoj dikujt. Por unë po vdes çdo ditë nga pak duke mos e treguar.”
Burri i urtë dhe i mençuri i tha:”Nëse sekretin ia tregon dikujt tjetër, nuk mund të konsiderohet sekret më. Unë kam një këshillë të vlefshme për ty. Shko dhe tregojua pemëve e detit sekretin tënd, se në fund të fundit, as e kuptojnë dhe as do ia tregojnë tjetër kujt. Kështu shpëton nga presioni i brendshëm që ndjen.”
Berberi vajti tek deti larg fshatit, u ul në bregdet dhe filloi ti rrëfejë sekretin e tij madhor. Mandej, ai iu afrua një peme të madhe, futi kokën në zgavrën e saj dhe ia tregoi sekretin e veshëve të mbretit. Që aty, u nis për në shtëpi, krejt i qetë pasi e kishte shkarkuar tensionin.
Të nesërmen në mëngjes, berberi u zgjua nga trokitjet e forta mbi portë nga ana e ushtarëve të mbretit, të cilët ishin tepër të nevrikosur. Ata e çuan të lidhur me pranga dhe duke e gjuajtur me shqelma para mbretit. Me të dalë para mbretit, ky i fundit e pyeti:”Ç’tu desh që e tregove sekretin tim mor horr?!”
Berberi iu përgjigj gjithë frikë:”Të betohem lartmadhëri se nuk ia kam treguar askujt sekretin tënd.”
Mbreti i tha:”Po, e ke bërë dhe ua ke treguar të gjithë njerëzve.”
Berberi:”Unë?! Pasha Zotin se kam treguar.”
Mbreti i tha:”Po, e ke bërë, por jo në mënyrë direkte.” Mandej u kërkoi ushtarëve ta lidhin dhe ta çojnë tek deti. Atje berberi u shokua nga ajo që i dëgjonin veshët. Jehonën e zërit të tij e përcillnin valët e detit tek një grumbull njerëzish që ishin grumbulluar në bregdet. Më pas, ushtarët e çuan dhe tek pema, ku dëgjoi sërish jehonën e zërit të tij.
Mbreti i tha:”Nëse sekreti del prej robit, nuk është më sekret. Nëse ti nuk e ruan dot sekretin, mos prit nga të tjerët ta ruajnë atë.”
Në fund, mbreti ia fali jetën berberit. Ai doli para popullit të tij dhe ua tregoi sekretin e veshëve dhe kapeles që mbante gjithmonë në kokë, pasi tashmë s’kishte asnjë logjikë për ta mbajtur sekret.