Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Drejtësia, peshore e universit

Në literaturën e historisë islame, haset dhe një ngjarje e çuditshme lidhur me sulltan Mehmet Fatihun. Në kohën e vet, ai pati urdhëruar ndërtimin e një xhamie madhështore, vepër të cilën ia kishte besuar një arkitekti bizantin tepër të aftë. Një ndër kërkesat e sulltanit ishte, që kolonat e brendshme të xhamisë të ishin prej mermeri dhe të ishin të gjata, me qëllim që xhamia të kishte një pamje luksi.

Por arkitekti në fjalë, për një shkak apo për një tjetër, i punoi kolonat më të shkurtra seç ia kishte kërkuar sulltani, pa e njoftuar këtë të fundit për ndryshimet e bëra. Kur sulltan Mehmet Fatihu e dëgjoi këtë lajm, e humbi toruan, jo vetëm për faktin se nuk ishin bërë siç i kishte kërkuar ai, por edhe sepse kolonat ishin sjellë nga vende të largëta dhe kishin kushtuar grushte me para. Në ato çaste zemërimi ai urdhëroi, që arkitektit në fjalë t`i pritej menjëherë dora dhe ashtu ndodhi. Pas pak çastesh ai u bë pishman për këtë vepër, por tashmë nuk kishte vlerë, sepse dora ishte prerë.

Nga ana e tij, arkitekti nuk e la çështjen me aq dhe nuk e uli kokën. Ai u nis menjëherë tek kadiu i Stambollit, shejh Sari Hizr Çelepi, emri i të cilit ishte përhapur në të katër anët e perandorisë osmane. Ai i rrëfeu zullumin që i kishte bërë sulltani Mehmet Fatihu dhe kërkoi të vendosej drejtësi. Kadiu nuk u luhat aspak në pranimin e kësaj padie dhe menjëherë i dërgoi fjalë sulltanit të paraqitej në gjykatë, pasi dikush nga raja (masa e popullit) kishte ngritur padi kundër tij. A nuk qëndron drejtësia mbi të gjithë njerëzit, përfshirë edhe vetë sulltanin?

Ditën e caktuar, sulltani u paraqit në gjykatë dhe shkoi u ul në një vend të përshtatshëm. Por kadiu i nderuar i foli dhe i tha:”Nuk të lejohet të ulesh lartmadhëri. Ti duhet të qëndrosh në këmbë përbri paditësit tënd”. Atëherë sulltani Mehmet Fatih vajti dhe qëndroi në këmbë përbri paditësit bizantin dhe përballë kadiut. Menjëherë paditësi paraqiti shqetësimin dhe hallin që e kishte sjellë në gjykatë, duke paraqitur dhe provat e nevojshme, të cilat mbështesnin çështjen e tij. Kur i erdhi radha sulltanit të flasë, ai e aprovoi gjithçka që kishte thënë paditësi. Pasi palët në konflikt e kishin thënë fjalën e tyre, të gjithë sytë u drejtuan nga kadiu, i cili pasi u mendua një farë kohe, tha:”Sipas urdhrave të shenjta të sheriatit, sulltanit duhet t`i pritet dora!”

Këto fjalë ranë si rrufe në qiell të hapët për arkitektin jomysliman. Trupin e tij e pushtuan drithërimat nga ky vendim i kadiut, vendim i cili kurrë nuk i kishte vajtur në mendje më parë. Gjithçka që mund të priste nga kadiu, ishte një vendim, sipas të cilit të dëmshpërblehej financiarisht për dëmin e shkaktuar. Kurse që kadiu të vendoste prerjen e dorës së sulltan Mehmet Fatihut, çliruesit të Kostandinopojës, emri i të cilit i tmerronte të gjithë mbretërit evropianë, ishte diçka e paimagjinueshme.

Me zë të mekur dhe me fjalë që mezi i dilnin nga goja, arkitekti iu drejtua kadiut dhe i tha se tërhiqej nga padia, pasi gjithçka që dëshironte ishte një kompensim financiar e asgjë më tepër. Prerja e dorës së sulltanit nuk do i hynte në punë për asgjë. Atëherë kadiu urdhëroi, që arkitektit në fjalë t`i paguheshin dhjetë napolona floriri në ditë gjatë gjithë jetës, si kompensim për dëmin e madh që i ishte shkaktuar. Por sulltani Mehmet Fatihu urdhëroi që kjo shumë t`i dyfishohej, pra t`i paguheshin njëzet napolona në ditë gjatë gjithë jetës së tij. Këtë e bëri nga gëzimi që i shpëtoi prerjes së dorës dhe nga pendimi për ndëshkimin, që i kishte bërë arkitektit të tij bizantin.[1]

Sulltan Mehmet Fatihu, i cili zotëronte një perandori tepër të madhe, nuk mund të refuzonte dhe të mos paraqitej para kadiut dhe vetë kadiu mesa duket nuk ndihej aspak i kërcënuar nga zbatimi i plotë i sheriatit islam. Duket qartë, që edhe popullata nuk qëndronte e heshtur ndaj padrejtësive të pushtetarëve. Të gjithë kishin të drejtë të ankoheshin tek kadiu, nëse u shkaktohej dëm prej kujtdo qoftë. Kjo e drejtë vlente edhe për nënshtetasit e huaj, madje edhe për ata të huaj që nuk ishin myslimanë. Drejtësia nuk bën dallime mes një perëndimori apo lindori, arabi apo jo arabi, myslimani apo jomyslimani.

Posti i gjykatësit në islam

Posti i gjykatësit në islam konsiderohet ndër më të fismit. Zoti thotë në Kuran:“Allahu gjykon me drejtësi” (Gafir, 20)

Gjykatësi konsiderohet si përfaqësues i Zotit në tokë, pasi zbaton ligjet dhe normat hyjnore. Imam Gazaliu, Zoti e mëshiroftë, thotë:”Ushtrimi siç duhet i këtij posti është më e vlefshme se xhihadi, sepse natyra e njerëzve është e prirur për padrejtësi dhe zullume dhe të paktë janë ata, që e frenojnë veten. Meqë sovrani është i angazhuar me detyra më të vështira, lipset që të merret dikush me vendosjen e drejtësisë. Nëse njerëzit e ndershëm e refuzojnë këtë post, konsiderohen gjynahqarë dhe është detyra e sovranit ta detyrojë ndonjërin prej tyre ta mbajë këtë post.

Shteti islam nxori nga gjiri i tij burra dhe gjykatës të shquar, të cilët e thoshin të vërtetën siç ishte, urdhëronin për mirë dhe nuk i thyenin ligjet e Krijuesit për tu bërë ndere krijesave. Njerëz të tillë i nevojiten sot umetit mysliman. Nuk ka moral dhe vlerë më emergjente për umetin mysliman sot, siç është ajo e drejtësisë, barazisë dhe mos shkeljes së ligjeve të Zotit për hir të sovranit tokësor. Me të tillë syresh mbahet në këmbë njerëzimi, përparon jeta dhe merr vlerë e vërteta”. [2]

Ajeti i drejtësisë dhe vlerave hyjnore

“O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai, Allahu është për ata vlerësuesi më i drejtë. Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë! Nëse ju ngatërroni dëshminë ose i shmangeni asaj, vërtet që Allahu e di se çfarë bëni ju”. (Nisa, 135)

Ky ajet përmban një sërë urdhëresash dhe porosish hyjnore, të cilat duhet t`i kemi parasysh:

1 – Vendosja e drejtësisë, duke mos devijuar as majtas dhe as djathtas. Në rrugën e vendosjes së drejtësisë nuk ka përse të kihet frikë nga askush. Myslimanët duhet të jenë bashkëpunues, ndërveprues, mbështetës të njëri-tjetrit dhe kontribuues të kësaj çështjeje.

2 – Sinqeriteti në dhënien e dëshmisë për hatër të Zotit “duke dëshmuar në emër të Allahut”. Vetëm kur bëhet për hatër të Zotit, ajo është e drejtë dhe e vërtetë, larg manipulimeve, spekulimeve dhe fshehtësisë.

3 – Dëshmia e drejtë, edhe nëse ajo nuk është në favorin tënd. Nëse pyetesh për një çështje, shprehu drejt, edhe nëse dëmtohesh në këtë rast. Mos harro se Zoti nuk është i pavëmendshëm dhe dije, se Ai do të të japë zgjidhje.

4 – Dëshmia e drejtë, edhe nëse dëmtohen të afërmit dhe gjaku yt. Në raste të tilla mos mendo vetëm për interesin e njerëzve të tu, por thuaje të drejtën sido që të jetë ajo. Drejtësia është gjykatësi i të gjithëve dhe ajo gëzon prioritet mbi këdo. Zoti thotë për këtë gjë:” qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj”.

5 – Paralajmërim për manipulim të dëshmisë, nga dëshira për tu pasuruar ose nga frika e fukarallëkut. “Qoftë i pasur ose i varfër ai, Allahu është vlerësuesi më i drejtë për ata”.

Pra, mos hapni sytë nga pasuria e tij dhe të dëshmoni në favor të këtij personi. Këtë mos e bëni as nga keqardhja dhe as nga gjendja e tij e mjeruar. Zoti është Ai, që e di më mirë gjendjen e tyre dhe është Ai që i merr në patronazh.

6 – Paralajmërim nga rendja pas epsheve dhe pasioneve. “Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë!”

Pra fanatizmi dhe urrejtja nuk duhet të bëhet shkak, që të hiqni dorë nga drejtësia mes jush. Myslimani duhet t`i përmbahet drejtësisë sido qoftë situata dhe rrethanat. “Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut!” (Maide,

Me këtë rast, vlen të përmendim dhe thënien e Abdullah ibnu Revaha, kur Profeti (a.s) e dërgoi në Hajber për të inspektuar të vjelat dhe palmat e hebrenjve. Me të mbërritur, hebrenjtë i ofruan ryshfete, me qëllim që në raportin që do i dërgonte Profetit (a.s) të shkruante më pak. Por ai ua ktheu: ”Po vij nga njeriu më i dashur për mua mbi faqen e tokës, ndërkohë që juve u urrej më shumë se ç`mund të urrej një kope derrash dhe majmunësh. Megjithatë, dashuria që kam për Profetin (a.s) dhe urrejtja që kam për ju, nuk më shtyn të tregohem i padrejtë me ju”. Ata i thanë:”Është kjo ajo që mban në këmbë qiejt dhe tokën”.

7 – Paralajmërim për ndryshim të dëshmisë. Zoti thotë në Kuran: ”Nëse ju ngatërroni dëshminë ose i shmangeni asaj, vërtet që Allahu e di se çfarë bëni ju”.

Kanë thënë rreth drejtësisë:

Umer ibnu Abdul Aziz e pyeti Muhamed ibnu Kab El-Kuredhij:”Ma përshkruaj drejtësinë!” Ai iu përgjigj:”Me çdo mysliman që është më i madh në moshë se ti, sillu sikur të ishe djali i tij. Me çdo mysliman më të vogël në moshë, sillu sikur të ishe prindi i tij. Me moshatarët e tu, sillu sikur të ishe vëllai i tyre. Kriminelët ndëshkoji sipas krimit të vërë. Kurrë mos ia lejo vetes të godasësh një mysliman me kamxhik, për të shfryrë një urrejtje dhe mllef të akumuluar, pasi një akt i tillë të shpie në zjarr”.

Imam Ibnu Tejmije, Zoti e mëshiroftë, ka thënë:”Drejtësia është boshti i çdo gjëje. Nëse jeta e dikujt bazohet tek drejtësia, ajo do të jetë e suksesshme edhe nëse ky person e ka depozitën e ahiretit të boshatisur. Në të kundërt, nëse ai nuk e respekton drejtësinë, jeta e tij nuk do të jetë e suksesshme, edhe pse depozita e ahiretit mund ta shpëtojë atë nga zjarri”.

Në një thënie tjetër, ai shton:”Drejtësia është e kërkuar prej çdo njeriu në çdo rrethanë dhe situatë. Sakaq, padrejtësia është e ndaluar dhe nuk mund të lejohet sido që të jenë rrethanat”.

Një i mençur thotë:”Kush sprovohet me postin e kadiut, le të respektojë drejtësinë mes njerëzve, si në fjalët, sinjalet dhe vendin ku ulen. Ai nuk duhet t`i bërtasë njërës nga palët, përderisa nuk i bërtet edhe palës tjetër”.

Transmeton imam Shabij, se Umer ibnul Hattabi (r.a) bleu një ditë një kalë. Pastaj ai i hipi kalit, që tu tregojë njerëzve përreth fuqinë dhe hovin e tij. Por gjatë vrapit pikasi një defekt tek kali i sapo blerë. Menjëherë ai u kthye tek shitësi dhe i tha: ”Merre kalin se është me probleme!” Shitësi ia ktheu: ”Kur e more prej meje nuk e kishte këtë defekt.” Umeri i tha:”Le të shkojmë tek dikush, që do na e ndajë këtë çështje.” Mirë – i tha shitësi – le të shkojmë tek Shurejh.

Pasi ia parashtruan çështjen, Shurejhu i tha Umerit: “O Prijës i Besimtarëve! Merri paratë që bleve kalin dhe ktheje kalin në të njëjtën gjendje që e more!”

Umeri i tha:”Gjykata dhe drejtësia nuk mund të jetë veçse kështu. Nisu që tani për në Kufe, pasi të kam emëruar gjykatës për ata njerëz!” Kjo, edhe pse ishte dita e parë që takohej me Shurejh-un”.

Ata që respektojnë drejtësinë në gjykimet e tyre, kanë sihariq nga vetë i dërguari i Zotit, i cili thotë:”Ata që kanë respektuar drejtësinë, Ditën e Kiametit do të vendosen mbi podiume drite, në të djathtën e të Gjithëmëshirshmit, duart e të cilit janë të dyja të djathta. Këta njerëz, janë ata që respektojnë drejtësinë në gjykimet e tyre, tek familjet dhe vartësit”. (Muslimi)

Drejtësia është boshti i jetës dhe i fesë, ajo është shkak i mbarësisë së njerëzve dhe shteteve, mbi të bazohen qiejt dhe toka. Ajo afron zemrat dhe pajton hasmit, ajo shton dhembshurinë dhe dashurinë larg urrejtjes dhe neverisë. Zoti e ka caktuar si kriter për ruajtjen e të drejtave, për vlerësimin e njerëzve dhe të veprave. Ajo është peshorja, e cila peshon drejt. Kushdo që synon ta manipulojë dhe të spekulojë me të, e ka ekspozuar fenë ndaj rrezikut, vendin ndaj dekadencës, dinjitetin ndaj poshtërimit. Gjithçka që është bazuar tek drejtësia dhe ka funksionuar sipas saj, ka siguruar vazhdimësinë dhe i ka shpëtuar dekadencës.


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free