Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Vajza jote është bërë grua,a e beson ?!

Ekziston një ditë, një moment, një çast, kur çdo baba dhe nënë e paramendojnë se është i largët dhe besojnë, se nuk do të vijë shumë shpejt. Ajo ditë është kur ata e shohin vajzën - që dikur zvarritej - para tyre si nuse, e cila niset për në shtëpinë e burrit të saj dhe fillon jetën e saj të re, të përbërë prej një familjeje me anëtarë të rinj.
 
Shumica e prindërve vajzat e tyre gjithmonë i trajtojnë si fëmijë. Prandaj përgatitja e tyre për atë ditë të rëndësishme në shumicën e rasteve është vetëm në aspektin material, kjo më tepër duke blerë disa nevoja për nusen dhe për dasmën. Ata harrojnë një çështje, që është më e rëndësishme, më e rrezikshme dhe është shkak për lumturinë e vazhdueshme në jetën e fëmijës së tyre, e ajo është mësimi i asaj me atë që: çka do të thotë të jesh bashkëshorte.
 
Ata mendojnë, se para tyre kanë shumë kohë për t'ia mësuar e shpjeguar asaj çdo send rreth martesës, dhe për atë shkak e neglizhojnë ngulitjen e botëkuptimit të fjalës bashkëshorte, qëllimet e saja, mjetet e saja dhe elementet përbërëse të saja. Harrojnë se në shoqëri ekzistojnë çerdhe edukimi dhe faktorë ndikues, ku t’i edukojnë fëmijët e tyre me të njëjtat tematika, por me një pasqyrë krejtësisht të kundërt që e lejon Islami dhe e dëshirojnë prindërit muslimanë për fëmijët e tyre. Si rezultat i kësaj vjen një brez i ri vajzash, të cilat prej çështjeve të martesës dinë vetëm për fustanin e bardhë, termin "nuse", përgatitjen e shtëpisë bashkëshortore dhe radhitjen e mobilieve të asaj shtëpie. Kur vjen ajo ditë që e ëndërron çdo vajzë, këto mbretëresha fillojnë jetën e tyre bashkëshortore, por me bindje dhe mendime të formuara dhe ndikuara prej faktorëve të jashtëm. Ato bindje në shumicën e rasteve janë se martesa është një aventurë e ëmbël, me shumë udhëtime dhe shëtitje. Ajo ka bindjen se bashkëshorti e dashuron atë deri në atë gradë, saqë vepron çdo send që ajo dëshiron për të realizuar kënaqësinë e plotë që ajo ëndërron. Mendon se s'ka nevojë të ndërhyjë askush dhe të veprojë asgjë për shpëtimin e kësaj marrëdhënie bashkëshortore dhe se ajo thjesht shkon tek ai për t’u kënaqur me një jetë të re, të sigurt, të qetë dhe të kënaqshme.
 
Shumica e njerëzve e neglizhojnë edukimin dhe përgatitjen e vajzave për një jete të re me një burrë, që nuk e njeh më herët dhe nuk ia njeh karakterin dhe tiparet e tij. Ky burrë do të bëhet gjatë natës dhe ditës njeriu më i rëndësishëm në jetën e saj, kënaqësia e tij dhe respektimi i tij do të bëhet për bashkëshorten derë prej dyerve të Xhenetit. Pas kësaj nuk mbetet për atë grua gjë tjetër veçse përkujdesja për pesë kohët e namazit, të agjërojë një muaj në vit dhe të mbrojë nderin e saj, derisa të thërritet në Ditën e Gjykimit dhe të zgjedhë cilën derë të dëshirojë ajo prej Xhenetit. Na përcjell imam Ahmedi nga Abdurrahman ibën Aufi, i cili thotë: Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: "Ajo grua që i fal pesë kohët e namazit, agjëron Ramazanin dhe e respekton burrin e saj, i thuhet hyn në Xhenetin e Allahut prej cilës derë dëshiron". Po ashtu hadithin e përcjell Ibën Hibani në Sahihun e tij, dhe Shejh Albani thotë se hadithi është i vërtetë. Për këtë shkak ajo obligohet të përgatitet me të vërtetë dhe seriozisht për martesën. Duhet të veprojë, të mendojë dhe të kontribuojë rreth asaj, se si ta arrijë këtë shpërblim të madh, i cili ecën paralelisht dhe i përgjigjet gjithë asaj që e veprojnë burrat prej nënshtrimeve, si xhihadin, namazin me xhemat dhe ditën e Xhumasë.                                                         
 
Një ditë shkoi Esma bint Jezid ibën es-Seken el-Ensarije, radijallahu anha, e njohur edhe me emërtimin hatibja (ligjëruesja) e grave, tek Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut. Allahu të dërgoi për të gjithë njerëzit, burra dhe gra, dhe ne të besuam ty dhe Zotin tënd. Ne gratë jemi të përkufizuara, të mbyllura mes katër mureve, jemi mbajtëse dhe kujdestare e shtëpive tuaja, bartëse e fëmijëve tuaj, por ju o burra u dalluat dhe u parapëlqyet ndaj nesh me prezencën e bashkësisë dhe xhemateve, me prezencën e xhenazes, me vizitën e të sëmurëve, pastaj u dalluat dhe u parapëlqyet ndaj nesh me shkuarjen në Haxh pas Haxhi, dhe më e madhe se kjo, shkuarjen në luftë për hir të Allahut. Një burrë prej jush, kur merr rrugën për në Haxh, apo Umre, apo Xhihad, ne mbesim në shtëpitë tuaja, kujdesemi për pasurinë tuaj, edukojmë fëmijët tuaj, qepim rrobat tuaja. Prandaj, a marrim pjesë edhe ne gratë në atë çka ua ka dhënë Allahu prej të mirave dhe shpërblimeve?  – Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, u kthye me trupin e tij, dhe tha: "A dini ndonjë grua, që ka pyetur për çështjet e fesë së saj më mirë sesa kjo grua".
 
Gratë thanë: O i Dërguari i Allahut, nuk e kemi paramenduar, se një grua mund të bëjë një pyetje të tillë. Pastaj Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: "O ti Esma, kupto prej meje atë çka do të them. Tregoju gjithë grave të tjera, se ajo grua që është bashkëshorte e mirë ndaj burrit të saj, e respekton dhe i nënshtrohet urdhrave të tij, ia plotëson të gjitha dëshirat e tij, është e barabartë me krejt atë që vepron burri". U kthye Esmaja dhe e madhëronte me vete Allahun duke përsëritur fjalinë: "është e barabartë me krejt atë që vepron burri, është e barabartë me krejt atë që vepron burri". (Bejhakiu, në librin e tij Shuab el Iman)
 
Të parët që duhen dhe detyrohen të kujdesen për këtë edukatë të dëshiruar dhe synuar janë prindërit. Ata janë të parët që do të mallkohen dhe akuzohen, në rast se e neglizhojnë dhënien e kësaj edukate vajzës së tyre, dhe janë të parët që do të mallkohen nga ana e vajzës së tyre, kur ajo nuk do të mund ta kryejë rolin e saj të duhur si bashkëshorte. Si rezultat i kësaj edukate ajo ndoshta do të kthehet në shtëpinë e babës së saj, por me një epitet të ri, si e shkurorëzuar apo e ndarë. Sipas një studimi zyrtar, viti i parë i martesës është viti kur edhe ndahet më shumë burri prej gruas së tij. Në vazhdim do t'i cekim disa manifestime të neglizhencës në edukatën e fëmijëve rreth botëkuptimit të fjalës bashkëshortësi dhe disa parafytyrime të gabuara të grave rreth martesës dhe nevojave të saj.
 
- Te disa njerëz ekziston një bindje, që martesa nuk ka rëndësi të madhe dhe nuk është e domosdoshme, derisa vajza është e lumtur, e respektuar, e qetë në shtëpinë e babasë së saj, dhe nuk i mungon as sendi më i vogël. Shpërndarja e këtij besimi në mesin e vajzave vjen si pasojë e dëgjimit të problemeve martesore, dhe ankesave të disa grave të divorcuara, prej të cilave disa janë të vërteta, por në shumicën e rasteve janë gënjeshtra, vetëm e vetëm ta mbrojnë veten prej fjalëve të njerëzve. Ky është edhe shkaku i largimit të vajzave prej idesë së martesës, posaçërisht kur është e re dhe me përvojë të pakët, dhe kur mbështetet në edukatën e shoqeve të saja dhe mjeteve të informimit, duke mos e harruar këtu edhe neglizhencën dhe preokupimin e prindit, që ta përmirësojë atë ideologji të gabuar.
 
- Disa prej vajzave martesën e njohin thjesht vetëm si ceremoni dhe protokoll. Kur përmendet martesa ajo fillon të flasë vetëm për anën materiale që nuk vlen aspak. E neglizhon dhe e harron, dhe askush s'i tërheq vërejtjen asaj për anët e tjera martesore, që padyshim se gjurmët e saja janë më të mëdha në jetën bashkëshortore, si p.sh.: menaxhimi dhe administrimi i punëve shtëpiake, mënyra e sjelljes me burrin dhe me familjen e tij, mënyra e veprimit të saj në fazën e re që do të ballafaqohet me të. Disa prej vajzave pasi martohen nuk dëshirojnë të binden se gjendja e tyre është ndryshuar, dhe se nuk është më vajza e babit, por është bërë bashkëshorte, e cila është përgjegjëse për veprat dhe sjelljet e saj para njerëzve. Njerëzit në shumicën e rasteve i pranojnë dhe i falin disa vepra dhe gabime prej një vajze të pamartuar, në krahasim me një grua të martuar, ku nuk pranohen veprat dhe gabimet e saj aq lehtë, po sikur ta kishte kaluar edhe vetëm  një natë si e martuar.
 
- Shumica e vajzave në ëndrrat e tyre e imagjinojnë bashkëshortin me cilësi dhe veti të plota, që realisht ato veti nuk gjenden tek asnjë njeri asnjëherë. Prandaj lindin edhe problemet kur vjen një djalosh e kërkon dorën e saj dhe ajo e refuzon për shkak se nuk i përngjan princit të ëndrrave të saj. Ndonjërin e refuzon se është i varfër, tjetrin se është i vogël, apo hundën e ka të madhe, apo është i trashë, e kështu me radhë, kurse prindërit e saj për fat të keq e mbështesin plotësisht dhe e respektojnë lirinë e të drejtës së saj në zgjedhjen e burrit të vet. Në vazhdim ajo e humb shansin për t’u martuar me një burrë, i cili e respekton, e nderon, ia mbron dynjanë dhe fenë e saj, ia plotëson të drejtat e saj, dhe ia ngre pozitën asaj tek Allahu.
 
- Në disa shtëpi është nëna ajo, e cila merr përgjegjësinë e plotë për përkujdesjen e shtëpisë. Ajo gatuan, ajo pastron, ajo ia drejton dhe ia rregullon vajzës shtratin, ia lan rrobat, dhe çka është më e keqja nuk e mëson vajzën e tyre për përgjegjësitë e saj ndaj shoqërisë, si pjesëmarrjet, urimet, ngushëllimet, lidhjet farefisnore etj. Prandaj shumë shpejt pasi ajo martohet ballafaqohet me një problem shumë të madh. Ajo detyrohet t'i kryejë personalisht të gjitha këto detyra, në shtëpi apo jashtë saj, e pastaj ndoshta edhe lind  fëmijë, e nuk di se si ta ushqejë, e ta pastrojë, dhe në fund detyrohet që ta thërrasë nënën e saj që ta ndihmojë dhe të plotësojë rolin e saj në përgjegjësisë e përkujdesjes së shtëpisë së vajzës së vet. Kurse për sa i përket burrave të këtyre vajzave në kësisoj rastesh hasim burra që bëjnë durim me gratë e tyre, dhe hasim burra që nuk bëjnë durim, dhe fillojnë problemet mes tyre, ku mundet të përfundojnë edhe me ndarje mes bashkëshortëve, e në fund ata që akuzohen janë prindërit, e në veçanti nëna. 
 
- Janë disa vajza, të cilat besojnë se martesa është ëndërr e ëmbël, fillimi i një tregimi për një dashuri të bukur, dhe se ajo është porta e lumturisë, duke mos u munduar aspak për arritjen e saj, dhe se martesa është vetëm aventurë, kënaqësi, dashuri, rehati etj. Të gjitha këto premtime janë fjalë dhe ide, që i ngulitin djemtë në mendjen e vajzave, dhe mosreagimi i prindërve në përmirësimin e këtyre ideve të gabuara bëhet shkaktar i problemeve bashkëshortore. Kur ajo vajzë e porsamartuar ballafaqohet me realitetin, ajo sheh se krejt ato premtime ishin ëndrra dhe iluzione.
 
Pra, martesa është një përgjegjësi e vazhdueshme në jetë dhe nuk është vetëm kënaqësi, por është edhe vepër dhe këmbëngulje në arritjen e lumturisë, e cila ndoshta dallon prej asaj që e ka parafytyruar një vajzë, mirëpo lumturia në martesë ka shumë forma dhe lloje të tjera plotësisht të kundërta me atë që e parafytyrojnë vajzat në mendjen e tyre.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free