Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ndriçimi i mëndjes

NË VEND TË HYRJES

 

            Ç'më shtyri të shkruaja këtë libër?

 

            Nxitje e parë që t'i hyja përpjekjes për të shkruar këtë doracak, u bë një bisedë me vëllezërit në familje, e cila erdhi e u shndërrua në një polemikë shumë të ashpër ndërmjet meje dhe vëllait tim.

            Biseda kishte të bënte me Kur'anin e madhërishëm. Sipas vëllait tim, Kur'ani duhej të zbatohej ashtu siç ishte i shkruar dhe i përkthyer dhe pa lënë hapësirë për zbulime e interpretime të tjera. Shkurt, sipas tij, ai duhej lexuar e interpretuar me një fanatizëm të skajshëm. Ndërkaq, unë kisha mendimin se Kur'ani i takon gjithë njerëzimit dhe të gjitha kohëve; së kaluarës, së tashmes dhe së ardhshmes.

            Duhet punuar mbi baza të parimeve të Kur'anit, por edhe jeta ecën, bota po bëhet gjithnjë më dinamike, ajo po i nënshtrohet një ndryshimi të shpejtë e të vazhdueshëm. Prandaj, edhe ne duhet të ecim përpara për të mirën e vetvetes, familjes, rrethit dhe të shoqërisë si tërësi.

            Pa marrë parasysh polemikat e gjata dhe mendimet e kundërta, unë e falënderoj nga zemra vëllanë tim, Shaipin, për ndihmën që më ka dhënë për të ecur përpara dhe për t'u pasuruar.

            Kam kënaqësi të veçantë që këtë përvojë, këtë mund, po e bëj realitet, duke plotësuar dhe arsyetuar një dëshirë të nënës Mejreme dhe një synim të kahershëm të punës dhe mundësive të mia.

            Nëna më thoshte pareshtur: Djali im, jeta është një ëndërr, në të cilën duhet punuar, lutur, besuar dhe bërë vepra të mira, në mënyrë që kur të shkojmë drejt shtëpisë (pallatit) që është në botën pa kthim, të na presin shpërblimet e merituara.

            Dua ta falënderoj edhe djalin tim Kikin, i cili pati kurajën dhe e la duhanin.

            Sepse ai ka meritën që edhe unë vendosa dhe e lashë duhanin në momentin më kritik për shëndetin tim.

 

            Autori
Abdirahim IDRIZI

RELAKSIMI DHE QETËSIA

 

            Relaksimi im dhe qetësia shpirtërore me energjinë e re, faktikisht, përballojnë sfidat, brengat dhe sëmundjet.

            Kur jam më i lumtur, më mirë punoj dhe më mirë sillem me të tjerët.

            Nuk është çudi që edhe të tjerët e vërejnë se jam më i disponuar.

            Nxitja më e rëndësishme për suksesin e jashtëm, në punë dhe në jetë, është SUKSESI i brendshëm.

            Kuptoj se kujdesi për punë, do të thotë edhe kujdes për UNIN tim.

            Kur shoh qartazi se ç'është më së miri për mua, rëndom atë edhe e bëj.

            Pse kjo FUNKSIONON.

            Prejse kam filluar të kujdesem për veten time, jam më i qetë dhe më i lumtur:

            ‑ kam më shumë energji

            - arrij me tepër të punoj

            - ndihem mrekullueshëm.

            Tri fushat që duhet t'u përkushtohem janë:

            - kujdesi për veten

            - kujdesi për ty

            - kujdesi për ne.

            Kujdesi për veten do të thotë kujdes edhe për të tjerët.

            Kujdesi për veten, do të thotë të vendos harmoninë ndërmjet mendimit për veten dhe karakterit të natyrës sime.

            A thua më shumë kujdeseni për punën tuaj, apo për VETEN tuaj?

            Natyrisht se për veten nuk kujdesemi edhe aq.

            Preokupohemi me gjëra të tjera, të jashtme, ndërkaq nuk jemi të vetëdijshëm se suksesi është brenda nesh. Kjo më nxit të mendoj rreth marrëdhënieve të mia me njerëzit.

 

            Kritikoja sjelljen time, kurrë veten time

 

            Sa herë e kritikoja veten për diçka, veçoja një kohë që thjesht të ndalesha, të përsiasja dhe të pyesja: a ekziston ndonjë mënyrë më e mirë, në këtë rast, të përkujdesem për veten?

            Ndalesha, përqendrohesha dhe këtë pyetje ia shtroja vetes sa e sa herë.

            Dhe, besoni, raportet e mia me të tjerët erdhën e u përmirësuan në mënyrë të pabesueshme, si në punë, ashtu edhe në familje.

            Kur vërtet nuk më pëlqente sjellja ime, e kritikoja sjelljen time, por kurrë nuk e kritikoja veten time.

 

            Çdo fillim është i vështirë

 

            Në fillim e kisha të vështirë të mësohesha të ndaja një pjesë të kohës për veten, t'i kushtohesha vetvetes. Mirëpo, duke e marrë këtë si një obligim të domosdoshëm, e duke e përsëritur disa herë në ditë, erdha e u mësova.

            Dhe, më në fund, ia arrita qëllimit, e kuptova se kthimi nga vetja qenka një nga virtytet më të larta të shpirtit të njeriut.

            Kështu, ia dola mbanë që nga brengat të mos brengosesha, të ruaja qetësinë shpirtërore dhe emocionale.

            Prandaj, po i hedh në letër këto mendime, duke marrë përpjekjen e sinqertë e të çiltër të trokas në derën tuaj dhe t'jua bëj të ditur një të vërtetë: shumë njerëz, po të liroheshin nga frika e nga brengat dhe po të kishin besimin e vërtetë në veten e tyre, do të mund të shëroheshin vetë.

            Sëmundjet e tyre janë po ashtu reale, si dhimbja e dhëmbit, e shpeshherë edhe njëqind herë më serioze.

            Frika shkakton shqetësim, shqetësimi ju ngacmon, ju nervozon dhe ndikon në nerva e në lukth, pastaj shfaqet i thati.

            Tash jam duke zbatuar një metodë, me një besim të palëkundur, në luftë kundër frikës, brengave dhe ndjenjave ndjellakëqija.

            Në të vërtetë, ekziston mundësia që në një moment, në një kohë, njeriu të humbasë besimin se është në dorën e tij t'i zgjidhë problemet, t'i mposhtë brengat, ta mundë frikën dhe të ballafaqohet me të vërtetën.

 

            Shërimi i njëkohshëm i shpirtit dhe i trupit

 

            Në vend se të marrin mundimin për ta ndryshuar vetveten, ata në këtë rast mbyllen në vete dhe, si pasojë e pajtimit me të keqen, ata shkojnë drejt shkatërrimit.

            Mjerisht, mjekësia deri sot nuk është treguar e aftë t'i shërojë çrregullimet psikike dhe fizike që i kanë shkaktuar, jo mikrobet, por emocionet, siç janë:

            ‑ frika

            ‑ urrejtja

            ‑ frustrimi.

            Megjithatë, shpirti dhe trupi janë një tërësi e vetme dhe ata nuk mund të shërohen veç e veç.

            Sa e sa hulumtime dhe investime janë ndërmarrë për të shëruar trupin e njeriut, duke menduar se kështu do ta shërojnë edhe shpirtin e tij.

            Tash sapo ka nisur e po bën hapat e parë një degë e re e mjekësisë – PSIKOSOMATIKA.          Ajo merret me shërimin e njëkohshëm të shpirtit dhe të trupit.

            Njeriun me personalitet të çrregulluar e veçojnë sidomos këto shprehje:

            ‑ nuk mundem

            ‑ nuk do të mundem

            ‑ patjetër!

            ‑ nuk është dashur.

 

            Ballafaqimi me realitetin

 

            Nëse nuk pranojmë të ballafaqohemi me realitetin e hidhur që na rrethon e që e hasim në çdo hap të jetës, në të vërtetë ne do të futemi në një botë të paqenë, ne do të çmendemi.

            Ne do të ballafaqohemi me një sërë konfliktesh gjatë gjithë jetës.

            Do të jemi të shqetësuar, të tendosur dhe nervat tanë do të shkatërrohen.

            Ndërkaq, kthimi nga vetja është fazë e re e jetës së njeriut, kur ai nis e i përkushtohet vetvetes, shpirtit, besimit dhe ngritjes së tij.

            Njeriu është i lirë t'i kultivojë pasionet e veta, por ai duhet:

            ‑ të përmbahet nga urrejtja

            ‑ të ketë guximin t'i kundërvihet vetvetes

            ‑ t'i flakë mendimet ogurzeza

            ‑ të kultivojë dashurinë

            ‑ ta thotë të vërtetën.

            Ne jemi përgjegjës për gabimet e bëra dhe askush tjetër, ato e kanë çmimin e lartë për jetën tonë.

            Mirëpo, mësimi nga gabimet është një përvojë e mirë dhe ndreq shumëçka në jetë.

            Njeriu, duke i zbuluar ligjet e natyrës, ka arritur ta zotërojë atë, ta shfrytëzojë për interesat dhe mirëqenien e vet materiale e shpirtërore.

            Ka zbuluar si ta përballojë:

            ‑ nxehtësinë

            ‑ acarin

            ‑ errësirën.

            Kështu, ai e ka lëvizur përpara kufirin e lirisë së tij.

            Ndërkaq, liria e individit paraqet edhe mundësinë për të gabuar, ndryshe nuk do të quhej liri.

            Praktikisht, edhe e keqja e ka anën e saj të mirë.

            Sëmundja nxit ruajtjen e shëndetit, dhembja është burim i qëndresës dhe i gatishmërisë për sakrificë.

            A do të mund t'ia dinim vlerën shëndetit, sikur të mos ishte sëmundja?

            Të mirën e njohim falë së keqes.

 

            Shqetësimi dhe vuajtja

 

            Problemet që nxisin dhembjen, pa marrë parasysh nga vijnë, cili është burimi i tyre, janë:

            ‑ ankimi

            ‑ fajësia

            ‑ tronditja

            ‑ vuajtja

            ‑ keqardhja.

            Njeriu me besimin e fortë përpiqet të ballafaqohet me dhimbjet, jo t'u shmanget ose t'u dorëzohet.

            Shqetësimi e brengat i japin fytyrës sonë një pamje të shëmtuar, e mbushin me rrudha.

            Nga shqetësimi mund të thinjemi, mund të mbetemi edhe pa flokë. Edhe sëmundjet e zemrës kanë të bëjnë me shqetësimin dhe me jetën tejet të vrazhdë e intensive.

            Zoti mund të na i falë mëkatet tona, por sistemi nervor nuk na i falë kurrë (Zotit nuk i pëlqen t'i bëjmë dëm vetes sonë!).

            Ata që e ruajnë qetësinë shpirtërore në këtë kohë, ata kanë dhuntinë të jenë imunë ndaj sëmundjeve nervore.

 

Rruga e vetëpërsosjes dhe e ngritjes shpirtërore është e vështirë, ajo kërkon vullnet, vetëbesim, vendosmëri dhe sakrificë.

            Ajo është e gjatë, përfundon vetëm atëherë kur ne ikim nga kjo botë.

            Çelës i suksesit të madh nuk është dituria, por aksioni.

            Problemi rëndom qëndron në një vijë të hollë të mprehtë, ndërmjet suksesit dhe humbjes.

 

 

 

 

            Drejt idealit të vërtetë

 

            Njeriu ka aftësi dhe mundësi të pamohueshme të shkojë përpara, të shkojë drejt idealit të vërtetë, t'i sendërtojë ëndrrat e tij dhe të bëjë një jetë të qetë, të rehatshme e të arrijë sukses në familje dhe në jetë.

            Mirëpo, për të arritur këtë, ne gjithmonë duhet të jemi në kërkim të vetvetes. Kthimi nga vetvetja duhet të kuptohet kthim nga e larta.

            Të jesh me vetveten, do të thotë të jesh me të tjerët.

            Duhet të marrësh guximin e t'i drejtohesh vetvetes:

            ‑ nuk do të shqetësohem

            ‑ nuk do të brengosem

            ‑ nuk do të qaj

            ‑ patjetër do të fitoj

            ‑ jam gati të përballoj çdo sfidë në jetë.

            E vërtetë është se disponimi i gëzueshëm ndihmon organizmin të luftojë me sëmundjen.

            Mos u brengos për të ardhmen, mendo se e ke vetëm një jetë, ajo duhet të jetohet tash dhe dije se çdo çast i jetës është i rëndësishëm për ty.

            Pyeteni veten, çfarë mund të jetë ajo më e keqja, nëse unë nuk mund ta zgjidh problemin tim?

            Mos harro dëmin që ia ja sjell vetes e familjes me shqetësime dhe brengosje.

 

            Të gjithë njerëzit kanë të drejtë  ta kenë mendimin e vet

 

            Në mënyrë objektive mblidh të dhënat për brengosjen dhe, duke analizuar shkaqet e shqetësimit, brengosja vetvetiu zhduket.

            Të gjithë njerëzit kanë të drejtë për mënyrën e tyre të vështrimit të jetës dhe të besimit.

            Besimtari i vërtetë e ka më lehtë t'i përballojë vështirësitë, sepse është i bindur se Zoti nuk e ngarkon njeriun aq sa nuk mund të mbartë – të durojë.

            Por, kërkon prej teje:

            ‑ dije

            ‑ butësi

            ‑ durim

            ‑ mirënjohje.

            Thuaji zemrës se frika nga vuajtja është më e keqe sesa vetë vuajtja.

            Sepse, në raste të tilla, zemra vuan më së keqi.

            Dhe dije, zemrës nuk ia ka aspak qejfi të vuajë.

            Nëse vetëm ankohesh, do të humbasësh edhe shëndetin, edhe punën, edhe familjen, edhe miqtë.

            Nëse duam të jemi besnikë ndaj dikujt, së pari duhet të jemi besnikë ndaj vetvetes.

 

            Jeta është një lojë e paparashikueshme

 

            Nëse mund të eci vetë, unë do të shkoj kudo që dëshiroj.

            Por, para se të vdes, do të luftoj për jetën dhe për veten time.

            Jeta është një lojë e vrazhdë dhe e paparashikueshme.

            Jetë do të thotë t'i nënshtrohesh rrezikut, të rrëzohesh dhe të ngrihesh.

            Njeriu duhet të besojë se ka për t'i mposhtur të gjitha vështirësitë, falë:

            - inteligjencës së vet

            - bukurisë së vet

            - fuqisë dhe vullnetit të vet

            - rinisë së vet.

Respekto dhe mos u brengos

 

            Duke punuar me njerëz, kam kuptuar se brengosja për imtësitë,  që na duken të parëndësishme, është një nga problemet e mëdha me të cilat ata ballafaqohen në jetë.

            Si të krijoni miq dhe të fitoni simpatinë e njerëzve?

            Për të krijuar miqësi dhe për të ndikuar në të mirën e vetes dhe të shoqërisë, duhet të jemi:

            -të pastër

            ‑ punëtorë

            ‑ të respektuar

            ‑ të sjellshëm

            ‑ të edukuar

            ‑ të mos ofendojmë

            ‑ të vishemi mirë, po veshja jonë të mos e irritojë askënd.

            Nëse i respektojmë këto rregulla, do t'i bëjmë një shërbim të mirë vetes, familjes dhe shoqërisë.

            Njerëzit na çmojnë e na vlerësojnë që në takimin e parë me ta sipas asaj se:

            ‑ çfarë bëjmë

            ‑ si dukemi

            ‑ çka themi

            ‑ si e themi.

            Ne gjatë jetës vëmë në veprim vetëm një numër të vogël rezervash trupore dhe mendore, ndërkaq gjithmonë duhet të synojmë vlerat më të larta:

            - arsimimin

            ‑ mençurinë

            ‑ vetëpërsosjen

            ‑ ngritjen shpirtërore.

 

            Rruga e vetëpërsosjes

 

            Rruga e vetëpërsosjes dhe e ngritjes shpirtërore është e vështirë, ajo kërkon vullnet, vetëbesim, vendosmëri dhe sakrificë.

            Ajo është e gjatë, përfundon vetëm atëherë kur ne ikim nga kjo botë.

            Çelës i suksesit të madh nuk është dituria, por aksioni.

            Problemi rëndom qëndron në një vijë të hollë të mprehtë, ndërmjet suksesit dhe humbjes.

 

            Humbja më e madhe për  njeriun – pajtimi me të keqen

 

            Për njeriun e mençur çdo ditë para tij lind një jetë të re.

            Përse t'ia prishim bukurinë ditës së sotme, duke u përpjekur t'i zgjidhim problemet e së ardhmes.

            E ardhmja është përplot dyshime dhe paqartësi.

            Të ardhmen, askush nuk mund ta parashikojë.

            A mund të marrim më tepër nga jeta, duke menduar në radhë të parë për ditën e sotme?

            Më në fund, logjika e shëndoshë më tha se shqetësimi nuk do të më ndihmojë gjë.

            Vite me radhë m'u desh të zbatoja këtë metodë të luftës me brengat.

            Dhe, përnjëmend, ngadhënjeva, lindën në mua energji të reja.

            Derisa ne jemi pajtuar me më të keqen, nuk kemi çfarë të humbim.

            Miliona njerëz e kanë shkatërruar jetën e vet ngaqë nuk kanë dashur të ballafaqohen me të keqen.

            Në vend se vetë të përpiqen ta ndryshojnë jetën, ata i nënshtrohen asaj, mbyllen në vetvete, humbin besimin, i kaplon depresioni, ankthi, pasiguria.

 

            Filloni një mënyrë të re të jetës

 

            Qetësia ime shpirtërore, fati, shëndeti dhe, më në fund, edhe të ardhurat e mia varen kryesisht nga ajo se sa i përvetësoj këto të vërteta, që janë të përjetshme.

            Nëse këtë libër e lexoni me qëllim që të mos shqetësoheni dhe të filloni të jetoni të qetë, t'i flakni brengat e ta ndryshoni vetveten, atëherë çdo kapitull lexojeni me vëmendje.

            Duke e lexuar, ndaluni shpesh dhe mendoni për përmbajtjen e tij.

            Pyeteni veten si dhe kur mund ta përdorni këtë apo atë porosi.

            Mënyra e tillë e leximit do të jetë shumë më e mirë dhe më e dobishme.

            Lexoni duke e mbajtur në dorë lapsin e kuq apo ndonjë laps tjetër të thjeshtë.

            Sapo të hasni në ndonjë porosi, të cilën mund ta shfrytëzoni (mos e harroni), shënojeni anash një vijë.

            Në qoftë se është një porosi shumë e rëndësishme, atëherë nënvizojeni me + + + + (me pluse).

            Megjithatë, ne kemi aftësi të jashtëzakonshme për të harruar, prandaj, që të mos ju ndodhë kjo edhe me librin tuaj të çmuar, shfletojeni çdo ditë, për të begatuar jetën tuaj.

            Përdoreni atë sa herë që keni mundësi.

            Nëse nuk veproni kështu, ju do t'i harroni shpejt porositë e këtij libri.

            Me rëndësi është që ju të përpiqeni të krijoni shprehi të reja të punës.

            Në të vërtetë, mendoni se po përpiqeni të filloni një mënyrë të re të jetës.

 

            Të mos na befasojë asgjë në jetë

 

            Për këtë nevojitet kohë, durim dhe përvojë e përditshme.

            Mbajtja e shënimeve do t'ju frymëzojë për përpjekje më të mëdha.

            Do t'ju duhen këto shënime, kur pas shumë vjetësh i gjeni rastësisht dhe ju kujtohen.

            Para se të kaloni në kapitullin tjetër, çdo kapitull lexojeni dy herë.

            Gjatë leximit, ndaluni shpeshherë që ta pyetni veten se si mund ta zbatoni çdo këshillë.

            Nënvizojeni çdo këshillë‑mendim të rëndësishëm.

            Këto parime zbatoni sa herë që keni mundësi.

            Për çdo javë analizoni çfarë suksesesh keni arritur.

            Shikoni çfarë gabimesh keni bërë dhe çfarë mësimi keni nxjerrë për të ardhmen.

            Tash, kur jam aq i zënë me punë (siç është angazhimi në punë), kjo më ndihmon për ta mposhtur shqetësimin, më nxit të përpiqem ta pranoj lehtë atë që është e domosdoshme.

            Puna është terapia më e mirë, është një këshillë që përdoret në vend të ilaçeve.

            Çdo psikiatër do t'ju thotë se puna është ndër ilaçet më të mira për nervat e sëmurë.

            Fshehtësia e fatkeqësive tona është se ne kemi bukur shumë kohë të lirë për të menduar a jemi apo nuk jemi të lumtur.

            Angazhohuni përherë me punë, ky është ilaçi më i mirë në botë.

            Ligji i natyrës nuk merret me cikërrima.

            Cikërrimave nuk duhet t'u kushtojë kujdes as njeriu që ka halle, nëse dëshiron të ruajë qetësinë shpirtërore.

            Jeta është tepër e shkurtër që ta harxhojmë për cikërrima.

 

Nëse në të njëjtën kohë luani rolin e njeriut të lumtur, kjo është e vërtetë e vogël dhe e thjeshtë, por ka ndikim të mrekullueshëm në jetën tuaj: mund ta ndryshojë jetën tërësisht. Fuqia madhore, që na e cakton fatin, është e fshehur brenda nesh, kurse arritjet janë rezultat i drejtpërdrejtë i mendimit tonë.

 

 

 

            Të kaluarën, tash, nuk e vajtoj

 

            Sipas të gjitha gjasave, këtë betejë nuk do ta mbijetoj dhe për këtë arsye, vitet që më kanë mbetur dua t'i jetoj në mënyrën më të mirë.

            Para se të mësohesha ta përballoja shqetësimin (në rritjen time), jeta ime ishte një ëndërr e keqe, të cilën vetë e kisha krijuar dhe ndihmuar.

            Mbaje veten (mos të të befasojë asgjë në jetë), çfarëdo që të ndodhë.

            Fshih emocionet, buzëqesh dhe mbahu.

            Dëshiroja të kisha interesime të reja për punë dhe shoqëri të re.

            Nuk mund të besoja se jeta ime kishte ndryshuar.

            Të kaluarën që nuk kthehet më, tash, nuk e vajtoj.

            Jam pajtuar me jetën, bëj jetë të gëzuar dhe më të vlefshme se kurrë më parë (si për veten, ashtu edhe për familjen dhe për rrethin).

            Kam forcë t'i përballoj të gjitha ato që mund të m'i imponojë jeta, jam gati, nuk më befason asgjë.

            Kam pasur ngritje dhe rënie (dhe fat shumë në jetë), por shqetësimi nuk më ka ndihmuar fare.

            Pas zbulimit të këtyre porosive, kam kuptuar se përpjekjet e mia ishin shpërblyer njëqindfish.

            Nëse shkojmë më tutje, nuk e pranojmë realitetin e hidhur që na rrethon dhe futemi në botën e trilluar, ne do të çmendemi.

            Po të më binte ndërmend para shumë vjetësh që t'ia caktoja “kufirin”:

            ‑ mosdurimit tim

            ‑ karakterit tim

            ‑ përpjekjeve të mia, me siguri do të kisha arritur shumë më shumë në jetën time.

 

 

            Guximi dhe mençuria

 

            Pse nuk kam mundur ta vlerësoja çdo situatë që rrezikonte qetësinë time shpirtërore, pse më janë dashur kaq shumë vjet?

            Kjo është analiza e qetë e gabimeve tona në të kaluarën që të mos i përsërisim kurrë më dhe ato t'i harrojmë përgjithmonë (se kushtojnë shumë shtrenjtë).

            Unë jam bindur se kjo vërtet është kështu.

            Por, a e kam pasur përherë guximin dhe mençurinë që këtë ta realizoj në praktikë?

            Pra, është dashur t'i analizoja mirë e mirë gabimet e mia dhe nga kjo të nxirrja mësim për tërë jetën.

            Nuk më pëlqen ta pranoj tërë këtë marrëzi, por pas shumë vjetësh kuptova se: më lehtë është t'i këshillosh njëzet‑tridhjetë veta se çka duhet të bëjnë, sesa vetë t'i pranosh këto këshilla.

            Thënia popullore, “Mos bëj hop pa e kapërcyer gardhin”, mos i krijo vetes vështirësi para kohe, është mjaft e qëlluar.

            Që do të thotë, dituria është e fuqishme vetëm atëherë kur përdoret.

            Po ta dija ç'mendoni, do ta dija kush jeni.

            Mendimet tona e përcaktojnë personalitetin tonë.

            Qëndrimi ynë ndaj jetës është faktori që e përcakton fatin tonë.

            Jeta jonë është ajo të cilën ne e mendojmë se është.

            Në të vërtetë, nëse ne mendojmë për lumturinë, ne e ndiejmë veten të lumtur.

            Nëse ne mendojmë për frikën, ne frikësohemi.

            Nëse ne mendojmë për sëmundjen, është e mundshme se ne do të sëmuremi.

            Nëse ne mendojmë për dështime, me siguri ne do të kemi ndonjë humbje.

            Të kujdesesh për vetveten, do të thotë të kuptosh cilat janë problemet e tua dhe në qetësi t'i marrësh masat për zgjidhjen e tyre.

            Ndoshta të mundojnë problemet serioze, por në këtë rast, rrugës duhet të ecësh kryelartë dhe i lumtur e i buzëqeshur.

 

            Njeriu është skajshmërisht i lirë

 

            Këtu qëndron bukuria e njeriut, fama e tij.

            Njeri, ti ke mbetur i lirë, i paprogramuar, ti duhet ta ndërtosh veten.

            Duhet të jesh vetë kreator i vetvetes, prandaj çdo gjë varet nga ti.

            Sikur ta dije këtë, ti nuk do të ofendoje, kurrë nuk do t'i jepje goditje askujt, nuk do të urdhëroje askënd.

            Sepse ti e di që butësia është më e fortë se ashpërsia.

            Se dashuria është më e fortë se dhuna.

            A nuk po ia lidh duart e këmbët ti atij me dashurinë tënde (se e bën për vete).

            Sepse ai nuk po jeton as në të kaluarën, as në të ardhmen e tij.

            Kam vetëm të tashmen, e unë këtë e dua.

            Të shkurta ishin ditët, të shkurta ishin netët për ty.

            Çdo orë të kalonte shpejt, si një ëndërr.

            Që do të thotë se nuk i ke lënë vetes kohë të lirë.

            Të gjithë mund t'i arrijnë qëllimet e tyre nëse:

            ‑ mund të mendojnë

            ‑ mund të presin

            ‑ mund të durojnë

            ‑ mund të meditojnë.

            Po ia dole ta jetosh të tashmen, ah, ke për të parë sa i lumtur do të ndihesh.

            Jeta do të jetë një festë, një gosti e madhe, sepse i tillë është çasti që ne jetojmë.

 

 

E keqja

 

            S'të vjen e keqja nga ajo që fut në gojë.

            E keqe është ajo që del nga goja.

            Vetëm ai që e gjen rrugën drejt jetës, mund të zbulojë thesare.

            Thuaji zemrës se frika nga vuajtja është më e keqe sesa vetë vuajtja.

 

            Qetësia shpirtërore

 

            Mund të them sinqerisht se më vjen mirë që pata një përvojë të keqe, se kjo përvojë, ndonëse më ka kushtuar, më ka ndihmuar të kuptoj çfarë fuqie ka mënyra e të menduarit të njeriut për shpirtin dhe për trupin e tij.

            Kështu, u aftësova që me sjelljet, me shprehjen, me veshjen, me punën, me mendimet personale të bëja aleatë e jo armiq.

            Shpirti është zot i vetvetes dhe vetëm ai ferrin‑xhehenemin mund ta bëjë parajsë‑xhenet dhe xhenetin‑xhehenem.

            E vërteta është se askush në botë nuk mund t'jua sjellë qetësinë shpirtërore, pos ju vetvetes.

            Nëse e keni humbur disponimin e mirë, mënyra më e mirë për ta kthyer atë është të ecni kryelartë, të silleni të gëzuar dhe të jeni të disponuar.

            Provojeni, buzëqeshni me të madhe, hapeni kraharorin, merrni frymë thellë dhe këndoni, fërshëlleni.

            Nëse në të njëjtën kohë luani rolin e njeriut të lumtur, kjo është e vërtetë e vogël dhe e thjeshtë, por ka ndikim të mrekullueshëm në jetën tuaj: mund ta ndryshojë jetën tërësisht.

            Fuqia madhore, që na e cakton fatin, është e fshehur brenda nesh, kurse arritjet janë rezultat i drejtpërdrejtë i mendimit tonë.

            Gjëja e vetme që e dëshiroj është ta kem pushtetin mbi vetveten, të manipuloj me mendimet e mia, ta kontrolloj veten, që unë të vendos dhe të jem zot i shpirtit tim.

 

            Pra, luftoni për fatin tuaj

 

            Do të përpiqem të dukem sa më mirë që mundem, do të jem i kujdesshëm të gjej fjalët më të mira, kur komunikoj me të tjerët.

            Nuk do të kritikoj askënd.

            Nuk do të përpiqem t'i ndryshoj njerëzit.

            Përherë do të jem i përshtatshëm për rrethin.

            Sot do të bëj diçka për shpirtin tim.

            Nuk do t'i zgjidh njëqind probleme përnjëherë, sepse e di se dita zgjat vetëm njëzet e katër orë dhe mos harroni:

            Mendoni dhe silluni me gëzim dhe ju do të jeni të gëzuar!

            Në qoftë se e urrejmë armikun, kjo do të thotë se e lejojmë atë të na sundojë, sepse ai do të bëjë presion:

            -në gjumin tonë

            -në oreksin tonë

            -në shëndetin tonë dhe

            -në fatin tonë.

 

            Mos u armiqëso me askënd

 

            Ngatërresat me një egoist – idiot ‑ të pabesë, ju lëndojnë më shumë juve se atë.

            Të gjithë e dimë se hidhërimi, zemërimi dhe urrejtja janë armiqtë më të mëdhenj të bukurisë së trupit tonë.

            Ndoshta nuk jemi aq të shenjtë që të mund ta duam armikun, por për hir të shëndetit dhe të fatit tonë, duhet të dimë së paku të falim.

            Nëse është e mundshme, mos u armiqëso me askënd.

            Kurrë mos provoni t'i qëroni hesapet me armiqtë, sepse kështu do të lëndoni veten më shumë sesa ata.

            Në jetën e çdo njeriu rreth 90% ka gjëra të mira dhe vetëm 10% gjëra të këqija.

            Nëse dëshironi të jeni të lumtur, përpiquni të mendoni për të mirat dhe t'i harroni të këqijat.

            Mjekët më të mirë në botë janë: dieta, qetësia, gëzimi, sinqeriteti, përzemërsia ndaj të tjerëve.

            Shtojini arritjet tuaja dhe do të kuptoni se pasurinë që e keni është më e vlefshme se paratë e të gjithë milionerëve të kësaj bote.

            Në jetën tonë janë dy gjëra për të cilat ia vlen të luftojmë.

            E para ‑ të bëjmë atë që e dëshirojmë.

            E dyta ‑ të dimë të kënaqemi me atë që e kemi bërë.

            Vetëm njerëzve më të mençur u shkon për dore të arrijnë qëllimin e dytë.

            I jam mirënjohës Zotit për jetën që (edhe pse me vonesë) më ofroi këtë thesar ‑ pasuri të vetëdijesimit.

 

 


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free