Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Perse e ka ndaluar Feja Islame kamaten

Kamata është dhënia e pasurisë me të holla ose produkte të ndryshme me interes fitimi (qëllimi është shtimi i saj), ndërsa Islami e ka ndaluar rreptësisht rritjen dhe shtimin e pasurisë nëpërmjet kamatës, sepse nëse një palë me të pasurohet, palës tjetër ky shtim i bie në kurriz dhe gjithmonë do të ketë njerëz që u është bërë padrejtësi nëse punohet me kamatë dhe fajde. Përveç kësaj, ajo prish moralin dhe shoqërinë si dhe shkatërron ekonominë e drejtë. Po ashtu, kamata i largon njerëzit nga puna dhe u zhvillon atyre lakminë e tepërt për të fituar pasuri, gjë që e dërgon njeriun nga natyra e tij e pastër njerëzore në natyrën e kafshërisë dhe të mizorisë, prandaj dhe kamata është e ndaluar në të gjitha fetë. Fjala kamatë është përmendur në Kur’an 8 herë në 6 ajete të ndryshme, për të vërtetuar akoma më shumë rrezikshmërinë e saj në shoqëri. Allahu i Lartësuar në Kur’an thotë: ”O ju që keni besuar, mos e hani kamatën që po e shumëfishoni dhe kini frikë (dënimin) e Allahut ashtu që të gjeni shpëtim.” (Ali Imran, 130). Në një ajet tjetër thotë: ”Ata të cilët e hanë kamatën nuk ngrihen vetëm si ai i çmenduri të cilin e ka prekur shejtani (djalli). Këtë ngase ata thanë: Vërtet shitblerja është sikurse kamata, e Allahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën. Allahu e zhduk (nuk e pranon) kamatën dhe e shton sadakanë (lëmoshën).” (Bekare, 275-276). Në këtë ajet kuptohet rreziku i madh i kamatës, e cila ka një përfundim të keq e të hidhur. Për këtë, Pejgamberi alejhi selam thotë: “Sado që të shtohet kamata, përfundimi i saj është pakësimi (zhdukja).” Të gjithë bashkëpunëtorët në kamatë janë mëkatarë pa përjashtim. Raportohet nga Abdullah bin Mes'udi, se Pejgamberi alejhi selam e ka mallkuar ngrënësin e kamatës, dhënësin e saj, dëshmitarët dhe shkruesin e saj. (Transmeton Muslimi). Të pasurit e kanë për detyrë që t’i ndihmojnë të varfrit që të përmirësohen ekonomikisht dhe jo që t’i shtypin e t’ua përkeqësojnë gjendjen më shumë nëpërmjet kamatës, e cila në të vërtetë nuk sjell vetëm se shkatërrim. Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë: “Dhe çka te jepni nga pasuria për ta shtuar e rritur atë (me kamatë) në pasurinë e njerëzve, ajo nuk do të shtohet tek Allahu, e çka të jepni nga sadakaja (lëmosha) me qëllim që t’i afroheni Allahut, të tillët janë ata që u shumëfishohet (shpërblimi).” (Rrumë, 39). Aktiviteti bankar, ose më mirë ekzistenca e bankës, në Islam nuk është e ndaluar, përkundrazi është e pëlqyeshme, ndoshta sot e domosdoshme, mirëpo sipas rregullave të sheriatit Islam, sepse Islami nuk këshillon mbylljen dhe varrosjen e pasurisë. Ndryshimi i bankës islamike nga ajo joislamike është pikërisht te kamata. Banka islamike nuk e njeh fare kamatën dhe nuk punon me të, pra as e jep dhe as e merr atë, ndërsa në bankat joislame kamata është baza e aktivitetit bankar. Ndryshimi ndërmjet bankës islame dhe asaj joislame në aspektin e dobisë është se bankat joislame pretendojnë të rregullojnë ekonominë dhe një jetë më të mirë nëpërmjet kredive me kamatë dhe qëllimi i tyre i vërtetë nuk është veçse shumëfishimi i pasurisë nëpërmjet kamatës për interesa të ngushta të një grupi njerëzish, organizatash apo shtetesh në formë piramidale nga më i vogli deri te më i madhi, ndërsa banka islame ofron përmirësimin e dukshëm ekonomik nëpërmjet investimeve dhe financimeve transparente, të cilat bazohen në rregullat e ndershme tregtare, sipas rregullave të Sheriatit Islam, duke qenë larg kamatës, madje duke e luftuar atë. Banka islame është e lidhur ngushtë me transparencën, ku nuk lejohet që pasuria e qytetarit të përdoret fshehurazi pa dijen e tij, ndryshe nga bankat joislame. Kjo do të thotë se depozituesi në bankën islame është i sigurtë që pasuria e tij nuk përdoret për të ngrënë pasuritë e të tjerëve me padrejtësi ose për të investuar apo financuar gjërat që e prishin moralin dhe e degjenerojnë shoqërinë. Banka islame në të gjithë administratën e saj (ndryshe nga ato joislame) është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të një ekipi juristësh islamë, të cilët shohin me vëmendje çdo aktivitet të saj, në mënyrë që të mos të dalë nga rregullat dhe parimet e jurisprudencës islame. Pra, shkurtimisht i gjithë aktiviteti i bankave joislame kthehet në një qëllim të vetëm, përfitimi dhe shumëfishimi i pasurisë duke u bazuar më së shumti në kreditë me kamatë, kurse banka islame ka një aktivitet transparent shumë më të gjerë, sepse ajo lidhet drejtpërdrejt me tregtinë e pastër dhe qëllimi i saj është përmirësimi ekonomik i shoqërisë. Ajo fton dhe ofron biznesmenët për të bërë tregti në forma nga më të ndryshmet brenda rregullave islame. Nëse banka joislame ofron dhënien dhe marrjen e kredive me kamatë, banka islame e lufton kamatën duke ofruar investime fitimprurëse ndërmjet biznesmenëve, të cilët bien dakord në fitim dhe humbje. Për shembull, një grup biznesmenësh bëhen ortakë në investime bankare me shuma të ndryshme, për menaxhimin e të cilave kujdesen specialistët e ekonomisë dhe çdokush prej investuesve në kohën e caktuar merr përqindjen e fitimit sipas shumës që ka dhënë dhe ata kanë rënë që në fillim dakord për fitimin ose humbjen e përbashkët. Ka dhe plot forma të tjera, për shembull banka fton të pasurit të bëhen ortakë me ata të cilët nuk posedojnë pasuri, por kanë zanatin, pra bëjnë punën në të gjitha fushat nga më të thjeshtat zanate deri në mjekësi, inxhinieri etj., dhe në fund secili merr fitimin e tij që i takon sipas rënies dakord nga të dyja palët. Me aktivitete të ndryshme tregtare nëpërmjet bankës islame përmirësohet dukshëm ekonomia, sepse ajo jo vetëm që hap vende të shumta pune, por dhe investon aty ku ka nevojë më shumë shoqëria. Si përfundim, mund të themi se nëse do të zbatohet sistemi i bankave islame, kjo do të rrisë dukshëm ekonominë, do të rregullojë shoqërinë nga ana e moralit, kulturës etj. dhe do ta bëjë atë të mbështetet në punë të ndershme.(Shoqëria e ndërtuar mbi baza të interesit , ku e shfrytëzojnë njëri tjetrin , në ato shoqëri dobët punohet për t`u pasuruar dhe forcuar , cka do të sjellte deri te pasurimi i klasës së të pasurve edhe më shumë , ndërsa klasa e të varfurve dot mbetet e varfur bile dot varfërohet edhe më shumë.Marrëdhënie të këtilla ndërmjet individëve dhe klasave do të sjellë deri te xhelozia , inati dhe përcarja.)


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free