Inteligjenca emocionale dhe gjuha e buzëqeshjes, porta për të depërtuar në zemrat e njerëzve
Sekretari i përgjithshëm i Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë, shejh Selman Aude, është shprehur se ftesa nuk është monopol i askujt, as me trashëgimi dhe as me dije. Ajo është një mision sa hyjnor aq dhe njerëzor, të cilin çdo person duhet ta përmbushë sipas obligimit. Ai tha se ftuesit myslimanë duhen trajnuar dhe duhet të zhvillojnë shkathtësitë e komunikimit, bindjes dhe ndryshimit.Në një takim me të rinj, ai tha se tek publiku zakonisht dominon gjuha e emocioneve dhe jo arsyetimi. Edhe pse në mesin e tyre ekzistojnë të gjithë shtresat intelektuale dhe jo intelektuale, ata i shkojnë pas një personi të vetëm thjesht sepse ka disa cilësi lidershipi, është i guximshëm dhe trim. Prandaj dhe Kurani bën thirrje për të menduar jashtë ndikimit të komunitetit dhe shoqërisë.
Inteligjenca emocionale
Gjatë fjalës së tij, shejh Aude theksoi rëndësinë e inteligjencës emocionale, me të cilën lihet një përshtypje e mirë tek dëgjuesi, por dhe gjuhës së buzëqeshjes të cilën profeti Muhamed a.s e konsideronte si një vepër të mirë. Ai tha se besimtari e shndërron buzëqeshjen në pjesë të karakterit të tij. Ne duhet ti ndihmojmë dhe fëmijët të ndërtojnë ura komunikimi me të tjerët. Nuk e kuptoj përse disa njerëz janë shumë të rezervuar në fjalë, ndërkohë që ajo nuk kërkon as mund dhe lodhje. Një fjalë e thjeshtë, mund të regjistrohet si një vepër e mirë, nëse i ndryshon humorin dikujt dhe e lumturon – shtoi ai.
Kullat e ftuesve
Njerëzit e ditur dhe aktivistë në fushën e ftesës islame, nuk duhet të ndërtojnë kulla fildishi dhe imazhe ideale për shoqërinë. Ata duhet të zbresin në aktualitetin e njerëzve dhe ti durojnë ata. Ai bëri një krahasim mes personalitetit të profetit Muhamed a.s dhe personaliteteve aktuale duke thënë:”Shoh që disa njerëz, bëjnë ca gjëra të çuditshme, duke dashur të ndryshojnë nga njerëzit edhe në çështjet e veshjes. Kjo, edhe pse Profeti a.s ulej me shokët e tij, saqë nuk dallohej fare prej tyre. Kur vinte dikush nga shkretëtira, detyrohej të pyesë kush është Muhamedi, pasi i dukeshin të gjithë njëlloj. Ftuesi nuk ka përse të duket ndryshe nga njerëzit, me pretekstin e ruajtjes së prestigjit. Ata duhet të jenë pranë shqetësimeve të njerëzve, tolerantë dhe modestë.
Ndër të tjera, Aude solli dhe një përvojë të tijën gjatë një vizite në ishujt Maldive. Ai tha:”Kur vizituam ishujt Maldive, dola me familjen dhe fëmijët në det, ku bëmë shumë foto. Djali im i publikoi ato në faqet sociale dhe fillimisht mendova se nuk kishte bërë mirë pasi u frikësova nga reagimet negative. Por, pashë që reagimet ishin shumë pozitive. Disa njerëz shprehën habi se si ishte e mundur që unë luaja në atë mënyrë me fëmijët dhe u përkushtohesha aq fort.”
Ftuesi – tha ai – duhet të jetë pranë njerëzve, ti dëgjojë, të bisedojë, ti shohë dhe tu qajë hallet. Ata duhet të jenë të pajisur me një sërë informacionesh rreth jetës, por dhe me zemërgjerësi, të hapur për debat dhe durim me njerëzit.
Ruajtja e marrëdhënieve
Dr Aude tha se është shumë e rëndësishme ruajtja e marrëdhënieve me njëri-tjetrin, pasi ka njerëz që shumë shpejt krijojnë marrëdhënie dhe shumë shpejt i shkatërrojnë ato. Ai tha se inteligjenca emocionale të ndihmon ti ruash marrëdhëniet. Për këtë, ai solli në vëmendjen thënien e famshme të kalifit Muavije, i cili thoshte:”Gjithmonë e ruaj një fije floku marrëdhënie me njerëzit. Nëse ata e lëshojnë, unë e tërheq, e nëse tërheqin, unë e lëshoj.”
Ateizmi tek të rinjtë
Dr Aude u shpreh se përhapje e teknologjisë së komunikimit, i ka hequr shumë barriera mes shoqërive dhe njerëzve. Kjo ka bërë që tek disa të rinj të zënë vend ide ateiste dhe për këtë, lipset specializimi i disa ftuesve në këtë fushë, për të replikuar me këto ide dhe kultivimin e besimit tek Zoti tek të rinjtë tanë. Ai tha se idetë ateiste jo gjithmonë trajtohen me fakte racionale, por lipsen dhe shkathtësi të tjera. Idetë ateiste jo gjithmonë zënë vend për shkak të dyshimeve, pasi kanë lidhje edhe me stadin moshor të njeriut. Më shumë se dyshime rreth Zotit, disa të rinj kanë nevojë për përgjigje të disa pyetjeve që u lindin. Me të gjetur përgjigjen e saktë, ata rehatohen. Përgjithësisht, idetë ateiste lindin gjatë adoleshencës dhe studimeve universitare. Por, ka raste kur këto ide kanë ardhur edhe nga reagime, trauma dhe sfida të ndryshme të jetës. Shumë të rinj nuk kanë probleme me islamin si fe, por me disa propagandues dhe ftues myslimanë, ndonjë shkollë juridike apo men donjë rrymë dhe xhemat të caktuar. Duhet bërë dallimi mes një personi i cili niset nga baza ateiste dhe një tjetri që ateizmin e përdor si reagim ndaj disa rrethanave që ka përjetuar.
Njerëz të gabueshëm
Dr Aude tha se duhet të ndërgjegjësohemi se ne të gjithë jemi të gabueshëm. Ti mendosh njerëzit si të pagabueshëm, është diçka jashtë çdo realiteti. Gabimet kanë ndodhur edhe nga shokët e profetit Muhamed, edhe pse ky i fundit ishte mes tyre.
Epshet
Dr Aude tha se ajo që i shtyn njerëzit të bëjnë gabime më së shumti është epshi dhe instinktet e tyre, sidomos seksuale. Njoh shumë të rinj të cilët më janë hapur dhe më janë shprehur se jeta e tyre ka ndryshuar negativisht që pas gjynahut të parë që kanë vepruar. Ai tha se njeriu kurrë nuk mund ti ndjejë kënaqësi haramit, sado të përpiqet ta shijojë. Ai ka brenda vetes një sistem të ndjeshëm, i cili e bën të ndihet në faj nga gjynahu dhe e privon ta shijojë atë. /