Mbledhja e shpirtrave
Pyetje: ”Shumë njerëz në vendin tim janë të dhënë pas mbledhjes së  shpirtrave dhe xhindëve, të cilët i pyesin mbi çështje, që kanë të bëjnë  me të ardhmen dhe u kërkojnë ndihmë edhe mbi ato sëmundje, ku ka  dështuar mjekësia. Këta njerëz janë të dhënë kaq shumë pas gjërave të  tilla, saqë edhe fëmijët kanë braktisur shkollat dhe librat, duke u  dhënë pas formulave dhe vendeve ku hidhen plehrat, në të cilat  pretendohet se gjenden shpirtrat. Një ndikim negativ kanë luajtur dhe  mediat, të cilat e kanë reklamuar një fenomen të tillë. E rëndësishme  është, që njerëzit të vazhdojnë t’u drejtohen dijetarëve dhe  hoxhallarëve për një gjykim të drejtë dhe të mirëpeshuar.
Çfarë  janë këto gjëra që lëvizin perdet, lapsat dhe shkruajnë mbi letra  përgjigje herë të sakta dhe herë të gabuara? Mos janë shpirtrat e të  vdekurve, shpirtra xhindësh, apo janë thjesht iluzione dhe shkathtësi të  personave, që merren me gjëra të tilla? A është e mundur të mblidhen  shpirtrat e të vdekurve nga bota e Berzahut?
A lejohet që t’i pyesim këto shpirtra mbi të ardhmen? A lejohet t’i  besojmë  lidhur me të rejat, që na tregojmë mbi të ardhmen? A është e mundur që  ata ta dinë të ardhmen? A mund të kërkojmë ndihmën e tyre në kurimin e  të sëmurëve tanë, sidomos për sëmundjet e vështira? Presim nga ju një  përgjigje të plotë dhe bindëse, nën hijen e argumenteve fetare”.
Myftiu: Shejh Jusuf Kardavi
Përgjigje:  ”Padyshim që shumë njerëz janë konfuzë, lidhur me çështje të tilla. Ata  duan të dalin nga kjo gjendje konfuzioni dhe hutimi, nëpërmjet një  gjykimi dhe mendimi fetar të goditur dhe bindës, i cili vendos  ekuilibrin dhe i kthen njerëzit në linjën e duhur.
Ne  nuk mund ta mohojmë, se ekzistojnë edhe krijesa të tjera në botën ku  jetojmë. Ka persona, të cilët pretendojnë se kanë parë të lëvizin perdet  dhe lapsat të shkruajnë përgjigje, herë të sakta e herë të gabuara.  Sipas tyre, t`i mohosh këto gjëra, që ata i kanë parë me sytë e tyre,  është e gabuar. 
Ne  besimtarët besojmë, se në univers ka krijesa të tjera, që nuk mund t’i  shohim me sy, por edhe botë të tjera përveç asaj, ku ne jetojmë. Ndër to  do të veçoja:
1 – Shpirtrat  e të vdekurve. Besimi ynë thotë, se shpirtrat jetojnë edhe pas  shkëputjes nga trupi, se ato nuk shuhen me shuarjen e tij. Shpirtrat  shijojnë shpërblimin dhe mirësitë e Zotit, ashtu siç shijojnë dhe  dënimin e Tij. Vetë Kurani na ofron informacion të bollshëm mbi  shpirtrat e shehidëve, të cilët:”Kurrsesi mos i quani të vdekur ata, që janë vrarë në rrugëne Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre.Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë eTij dhe gëzohen edhe për ata që ende nuk u janë bashkuar e qëkanë ngelur pas tyre (dhe ende nuk kanë rënë martirë), sepse nukdo të frikësohen (për çfarë i pret) dhe nuk do të pikëllohen (përçfarë kanë lënë pas)”. (Al Imran: 169-170)
Sigurisht  që kjo vlen për shpirtrat e tyre, pasi trupi i tyre është tretur  krejtësisht. Profeti Muhamed a.s, na tregon, se i vdekuri i dëgjon  këmbët e të gjallëve, teksa e braktisin në varr. Ai na këshillon, që kur  të kalojmë pranë të vdekurve në varreza, t’i përshëndesim sikur  përshëndesim të gjallët duke u thënë: ”Paqja e Zotit qoftë mbi ju besimtarë të kësaj banese. Ju na keni parakaluar e ne pas jush do të vijmë”. (Muslim)
Një  mënyrë e tillë komunikimi është karakteristike për dy palë, që dëgjojnë  dhe kuptojnë. Ibnul Kajjim në librin e tij “Shpirti” thotë, se të  gjithë dijetarët e parë janë pajtuar me mendimin, se i vdekuri e kupton  vizitën e të gjallëve, madje gëzohet kur ata e vizitojnë.
E  gjithë kjo bazohet në faktin, se shpirti është një qenie e pavarur, siç  besohet nga ithtarët e traditës profetike. Argumentet nga Kurani dhe  tradita profetike për këtë janë të shumta. Vetë Ibnul Kajjim sjell mbi  njëqind argumente. 
Zoti  i lartësuar i drejtohet nefsit dhe i kërkon të ndjekë rrugën e Tij.  Sipas shumë teksteve, shpirti ngjitet dhe zbret, hapet dhe mblidhet, i  hapen dyert e qiellit, bie në sexhde dhe flet.
2  – Melekët ose engjëjt. Ato janë krijesa prej drite dhe nuk mund të  shihen e ndijohen. Melekët kryejnë funksione të ndryshme, si; mbrojtja e  njeriut, shënimi i veprave të tij, marrja e shpirtit të njerëzve. Ja  disa ajete në lidhje me këto që thamë: “Për çdo njeri ka mbikëqyrës”. (Tarik: 4). “Njeriu ka përcjellës (engjëj) para tij dhe pas tij, që e mbikëqyrin atë me urdhrin e Allahut”. (Rrad: 11). “...ndonëse mbi ju ka rojtarë (që ju vëzhgojnë),  shënues të nderuar”. (Infitar: 10-11). “Thuaju: “Shpirtin do t’jua marrë engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj”. (Sexhde: 11). “...të  cilëve engjëjt ua marrin shpirtrat, duke qenë të pastër. U thonë atyre:  “Shpëtimi qoftë mbi ju! Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni  kryer!” (Nahl: 32). “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë  është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u  zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar”. (Fussilet: 30)
Bota  e melekëve është një botë e prirur vetëm për bindje ndaj Zotit. Melekët  nuk kanë epsh dhe instinkt, të cilët mund t`i largojnë nga pamendja e  Zotit. “Atij i përket gjithkush që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ata që janë tek Ai (engjëjt), nuk ngurrojnë për të adhuruar Atë e nuk ndiejnë lodhje, por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, pandërprerë”. (Enbija: 19-20)
“Atë  e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i  kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato”. (Tahrim: 6)
3  – Xhindet. Ato janë një botë tjetër e mistershme, por që në ndryshim  nga melekët, janë garkuar me përgjegjësi dhe i përfshin urdhri kuranor,  ashtu si njeriëzit: ”O komunitet xhindesh dhe njerëzish” (Rrahman, 33)
Në  Kuran gjendet një sure e plotë rreth xhindeve dhe për marrëdhëniet e  tyre me njerëzit. Aty thuhet, se ka xhinde myslimanë por edhe  jomyslimanë. “Ka prej nesh që janë myslimanë, por ka edhe të atillë  që janë jobesimtarë. Kush ka përqafuar Islamin, ka zgjedhur rrugën e  drejtë”. (Xhinn: 14)
Jobesimtarët prej xhindeve, janë shejtanë, pasardhësit e Iblisit dhe ushtarëve të tij. “Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata”. (A`raf: 27)
Pyetja  që lind është: Ku bëjnë pjesë ato fuqi të çuditshme, të cilat lëvizin  perdet dhe bëjnë lapsat të shkruajnë? Tek cila nga këto tre botë bëjnë  pjesë?
Sigurisht  nuk mund të themi se janë shpirtrat e të vdekurve, të cilët deri dje  kanë qenë mes nesh. Disa pretendojnë, se shumë nga këto shpirtra lëvizin  sendet, fusin hundët aty ku nuk u takon, flasin për gjëra që nuk i  dinë, gënjejnë dhe gjoja tregojnë të fshehtën që e di veç Zoti, ndërkohë  që shpirtrat e të vdekurve ose janë duke shikuar mirësitë e Zotit, ose  dënimin e Tij, ose në bahçe xheneti ose në gropa xhehenemi.
E  çuditshme është, se asnjëherë nuk kemi dëgjuar, që ndonjë nga këto  shpirtra të ketë rrëfyer mbi vuajtjet e qafirëve, me qëllim që t’ua  lehtësojë njerëzve besimin në Zot dhe në ato që heq njeriu në çastet e  vdekjes. “Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë):  “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues  për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni  shpërfillur shpalljet e Tij”. (En’am: 93)
“Eh, sikur të shihje sesi engjëjt ua marrin shpirtrat mohuesve! I godasin ata në fytyrë dhe shpinë (duke u thënë): “Shijoni dënimin e zjarrit!” (Enfal: 50)
“Ata  do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit) e,  kur të arrijë Ora (e Kiametit), do të thuhet:“Hidhni ithtarët e Faraonit  në dënimin më të rëndë!” (Gafir: 46)
“Atëherë, përse kur (dikujt) i vjen (shpirti) në grykë para syve tuaj, - ndërkohë që Ne jemi më afër atij se ju, por ju nuk e vini re- përse pra, nëse nuk do të gjykoheni (në jetën e përtejme), ju nuk ia ktheni shpirtin atij? Përgjigjjuni kësaj, nëse thoni të vërtetën! Kështu, nëse ai (në agoni) është nga ata që janë të afërt (me Allahun), do të ketë prehje, kënaqësi dhe dhunti të Xhenetit. E, nëse është nga njerëzit e së djathtës, (ai do të përshëndetet)  “Paqe për ty” nga njerëzit e së djathtës. Por, nëse (ai në agoni) është  nga përgënjeshtruesit e humbur, ai do të gostitet me ujë të valuar dhe  do të përcëllohet në Zjarrin e flakëruar (të Xhehenemit). Pa dyshim, kjo është e Vërteta e sigurt.” (Vakia: 83-95)
Këto  janë disa momente nga ajo që përjetojnë shpirtrat në momentet e vdekjes  dhe ajetet janë të qarta, që shpirtrat e mohuesve, përgënjeshtruesve  dhe keqbërësve do të përfundojnë në zjarr. Atëherë, a mund të jenë kaq  të lirë shpirtrat e ateistëve dhe gjynahqarëve, që të bredhin nga të  duan, t`u përgjigjen kërkesave të njerëzve, pa mbikqyrës dhe pa  kritere?!
Sipas  Muslimit dhe Buharit, Profeti a.s urdhëroi, që të vrarët mekas në  betejën e Bedrit, të hidheshin në pus. Mandej, Profeti a.s qëndroi buzë  pusit dhe u thirri me emra: ”O filan, biri i filanit! O filan bir i  filanit...! A e gjetët atë që u premtoi Zoti, pasi unë e gjeta të  vërtetë premtimin e Tij”. Umeri ndërhyri dhe e pyeti: ”O i dërguar i  Allahut! A po u flet kufomave?!” Profeti a.s ia ktheu: ”Betohem në Atë  që më dërgoi me të vërtetën, ju nuk më dëgjoni më mirë se ata, por ata  nuk mund të kthejnë përgjigje”.
Kështu,  nëse këta shpirtra nuk mundën t`i japin përgjigje të dërguarit të  Zotit, i cili gëzonte ndijimin më të thellë shpirtëror dhe njihte më  mirë se kushdo botën e mistershme, si mund t`iu përgjigjen njerëzve të  tjerë?!
Disa e argumentojnë mundësinë e mbledhjes së shpirtrave të vdekurve me ajetin:  (Idhujtarët e Mekës thonë:) Sikur të kishte një Kuran me të cilin të lëviznin malet ose të coptohej toka, ose të flisnin të vdekurit...”. (Rrad: 31)
Por  në fakt ajeti tregon, se të folurit e të vdekurve është i pamundur.  Ajeti u shpall, për shkak se idhujtarët mekas i propozuan Profetit a.s  që me Kuranin, t`i bënte malet të lëvizin, që t`u krijoheshin më shumë  hapësira në Mekë. Ata i kërkuan që me Kuranin të shpërthejë burime uji  dhe lumenj vërshues, si dhe t`u mundësonte komunikimin me të vdekurit.  Pra, kërkonin një Kuran, që t`iu mundësonte komunikimin me të vdekurit,  gjë e cila po sipas Kuranit, është e pamundur.
Nëse  këto shpirtra që pretendohet se mblidhen dhe vënë në lëvizje sende të  ndryshme, nuk janë shpirtrat e të vdekurve, ato nuk mund të jenë as  melekë, pasi siç thamë, ato “shpirtra” herë thonë të vërtetën dhe herë  gënjejnë, pasi pretendojnë se dinë botën e mistershme dhe të padukshme  dhe kjo nuk është cilësi e melekëve, të cilët janë krijesa të fisme të  Zotit. “Ata nuk flasin para (Fjalës së) Tij dhe veprojnë me Urdhrin e Tij”. (Enbija: 27)
Atëherë  dalim në përfundimin, se këto forca hyjnë tek xhindet dhe shejtanët. Në  besimin islam ekzistenca e xhindeve dhe shejtanëve është një realitet,  ku çdo njeri shoqërohet nga një shejtan dhe një melek. Në një hadith,  Profeti a.s thotë: ”Secili prej jush ka një shejtan”. (Muslim) Zoti thotë në Kuran: ”E, shoku i tij (djall) do të thotë: “O Zoti ynë, unë nuk e kam mashtruar atë, por ai vetë ka qenë në humbje të madhe”. (Kaf: 27)
Për  fat të mirë, këtë që themi dhe e besojmë ne, e ka konfirmuar dhe  sekretari i shoqatës shpirtërore “Ehram”, profesori Hasen Abdul Vehab, i  cili tashmë ka hequr dorë prej saj. Ai ka deklaruar se është penduar  nga e kaluara e tij, madje ka publikuar dhe një artikull në gazetën  “Xhumhurijet” ku ndër të tjera thotë: ”Gjatë muajit të Ramazanit, Zoti  ma largoi nga zemra perden e rrugës së gabuar. Më në fund jam bindur, se  shpirtrat që mblidhen dhe pretendojnë se janë shpirtrat e njerëzve tanë  të vdekur, nuk janë gjë tjetër veçse shejtanë dhe xhinde, të cilët  mashtrojnë njerëzit. Që sot, unë heq dorë nga kjo periudhë e errët e  jetës time, ripërtërij Islamin dhe rikthej besimin tim. Unë distancohem  nga shumë kolegë, për të cilët e lus Zotin t`ua ndriçojë udhën e  shpëtimit dhe t`i nxjerrë nga qorsokaku i këtyre besimeve të gabuara”.
Veç  kësaj, cili është qëllimi dhe nevoja për t`i mbledhur këto shpirtra?  Mos vallë për t`i pyetur mbi çështjet e gajbit (të fshehtës)? E kush  paska thënë, se këto shpirtra, xhinde dhe melekë, e dinë gajbin absolut?  Zoti thotë në Kuran, në lidhje me vdekjen e Sulejmanit a.s: ” Kur Ne ia caktuam atij vdekjen, atyre nuk u dha shenjë askush për vdekjen e tij, pos krimbit të drurit. Dhe, kur u rrëzua (Sulejmani), u bë e qartë se, sikur ta dinin xhindet të padukshmen, nuk do të vijonin në dënimin e poshtëruar”. (Sebe: 14)
Gjithashtu, thotë me gjuhën e vetë xhindeve: ”Ne nuk e dimë nëse (me këto roja të qiellit) është synuar e keqja (zbritja e dënimit) për ata që janë në Tokë apo Zoti i tyre kërkon t’i udhëzojë në rrugë të drejtë?!” (Xhinn: 10)
Zoti deklaron për të gjithë krijesat, se askush nuk mund ta dijë gajbin: “Thuaj: “Askush, përveç Allahut, në qiell apo në Tokë, nuk i di të fshehtat dhe as nuk do ta dijë se kur do të ringjallet”. (Neml: 65)
“...i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det” (En’am: 59)
Sakaq, me gjuhën e vulës së Profetëve, thotë:  ” Thuaj: “Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa  dëshiron Allahu. Sikur ta dija të padukshmen, do t’i shumoja të mirat  dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe  sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë”. (A`raf: 188)
Kërkesat  për të ditur të fshehtën (gajbin) nuk bëhen ndryshe, veçse nëpërmjet  fallxhorëve, të cilëve Islami u ka hapur luftë që ditët e para të tij.  Profeti a.s thotë: ”Kush shkon tek një fallxhor, e pyet dhe i beson ato  që thotë, ka mohuar atë që i është shpallur Muhamedit”. (Ahmedi dhe  Hakimi)
“Nuk është prej nesh ajo që shtie fall, ose që kërkon t`i shtien fall”. (Taberaniu)
Lajmet  që u ofrohen njerëzve nga këto “shpirtra” në fakt, nuk hyjnë tek  çështjet e gajbit real, por tek ai i pjesshëm. Ato janë gjëra, që  njerëzit në fakt i dinë për njëri-tjetrin, ose që shoqëruesit xhinde i  dinë rreth njerëzve, me të cilët shoqërohen. Por edhe në këto raste,  shoqëruesit xhinde më shumë gënjejnë sesa thonë të vërtetën, ndërsa  njerëzit i harrojnë 99 % të gënjeshtrave për hir të një të vërtete.
Mbledhja e shpirtrave për trajtim shpirtëror
Ish  sekretari i shoqatës shpirtërore na flet edhe për këtë pretendim dhe  thotë: ”Lidhur me risinë e trajtimit shpirtëror, për të cilin flet  shpesh herë shoqata Ehram, në fakt nuk është më shumë sesa një  sugjestionim. Unë personalisht kam kaluar gjysmën e jetës time me gjëra  të tilla. Kam vuajtur nga shumë sëmundje kronike, të cilat i kam akoma  dhe do të ishte më primare për mua si themelues i shoqatës në fjalë, që  të merrem me veten time. Them me keqardhje, se kur këtë nuk e kam bërë  dot për veten, si mund ta bëj për të tjerët”.
Profeti  Muhamed a.s, është bazuar në shkaqe konkrete për trajtimin dhe  paralandalimin e sëmundjeve. Buhariu transmeton, se Profeti a.s ka  thënë: ”Shërimi gjendet tek tre gjëra; ngrënia e mjaltit, hixhamja dhe  djegia me zjarr”. Profeti a.s e kufizon trajtimin e sëmundjeve në tre  gjëra, që ishin të njohura për kohën e tij dhe që bazoheshin në ligjet e  natyrës. Vetë Profeti a.s pati bërë hixhamen dhe i urdhëronte të tjerët  ta bëjnë. Nga ana tjetër, u pati shpallur luftë hajmalive dhe  bestytnive të tjera, të cilat mendohej se kanë ndikim të fshehtë, duke  thënë: ”Kush mban hajmali dhe nuska, Zoti mos ia plotësoftë dëshirën”.  (Ahmedi)
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë: “Kush mban nuska, ka bërë shirk”. (Ahmedi)
Atëherë, çfarë fshihet pas përhapjes kaq të madhe të këtij fenomeni kohët e fundit dhe angazhimit të njerëzve me gjëra të kota?
Përgjigja  është: Asgjë tjetër përveç hutimit të njerëzve dhe mbjelljes së  dyshimeve në çështjet e fesë, si dhe angazhimi i tyre me çështje të  kota, ndërkohë që askush përreth nesh nuk merret me gjëra të tilla. 
Ndoshta,  perëndimi mund ta justifikojë marrjen me gjëra të tilla, për të shfryrë  tensionin në rritje të materializmit, që e ka mbytur. Ai mund të  dëfrehet edhe duke mbledhur shpirtrat, pasi ka pushtuar hapësirën dhe ka  thyer atomin.
Kurse  ne që po gdhendim shkëmbinjtë me thonj për të arritur atje ku ka  arritur perëndimi dhe për t`iu bashkuar karvanit sa të mundemi, mendoj  që është luks të merremi me gjëra të tilla. Aspektin shpirtëror të fesë  tonë e kemi aq të pasur dhe pjellor, saqë i plotëson nevojat tona  shpirtërore dhe të natyrshme.
Zoti e di më mirë!
