Bretkosa dhe akrepi
Tregohet se një akrep dhe një bretkosë u takuan tek bregu i një lumi. Akrepi i kërkoi bretkosës që ta kalojë mbi shpinë, tek bregu tjetër i lumit, duke i thënë:”Mikeshë! Të lutem më kalo tek bregu tjetër i lumit! Do ta di shumë për nder!”
Bretkosa ia ktheu me vendosmëri:”Çfarë?! Të të mbaj në shpinë dhe të shpie tek bregu tjetër?! Ty të ka dalë nami anembanë për pickimet e tua, mashtrimet dhe helmin vdekjeprurës. E kush më garanton se nuk do më pickosh në mes të lumit dhe të më shpiesh në atë botë?!”
Akrepi i tha:”E si të pickoj ndërkohë që jam mbi shpinën tënde?! A nuk mendon se po të pickova ty, do të mbytem bashkë me ty?!”
Bretkosa e cila dyshonte në besueshmërinë e akrepit filloi të mendojë:”Jepja një shans, ku i dihet, ndoshta e mban fjalën këtë herë.” Pastaj, duke iu drejtuar akrepit i tha:”Mirë! Më binde! Hip në shpinë se do të shpie tek bregu tjetër!”
Hipi akrepi në shpinën e bretkosës dhe u nisën për rrugë, duke çarë rrjedhën e lumit. Në mes të lumit, akrepin filloi ta tundojë instinkti i pickimit, megjithatë ai filloi ti mbushë mendjen vetes që të presë deri tek bregu tjetër. E megjithatë, instinkti i pickimit vinte duke u ndezur më shumë dhe e nxiste të kalojë në sulm. Vjen një çast dhe ai nuk e përmban dot veten dhe e pickon bretkosën e gjorë. Për rrjedhojë, të dy filluan të mbyten.
Bretkosa, i thotë si me gjysëm zëri:”Çfarë bërë kështu?! Më helmove dhe po mbyt dhe veten!”
Akrepi ia ktheu:”Nuk e përmbajta dot instinktin tim, kështuqë vendosa ti shkoj pas dhe ti bindem.” Dhe kështu, të dy u mbytën.
Morali: Na ndodh që të humbasim gjithçka në këtë botë, për shkak të një epshi ose instinkti momental. Madje, për një dobësi të çastit mund të humbasim dhe xhenetin e amshuar. Asnjëherë mos i injoro gjynahet e vogla, pasi malet përbëhen nga guralecët. Secili prej nesh duhet ti vërë fre epshit dhe instinkteve të tij. Ne duhet ta kemi veten nën kontroll, pasi jemi përgjegjës përa Zotit.