Jo apatisë dhe luhatjes së humorit
Shumë njerëz gjatë jetës së tyre bien pre e luhatjes së humorit dhe gjendjes shpirtërore. Ata ia dorëzojnë plotësisht të ardhmen e rrjedhës së jetës dhe kushteve. Nëse rezultati është i gëzueshëm, inkurajohet, mbushet me shpresë dhe optimizëm, planifikon dhe punon, e në të kundërt, nëse erërat fryjnë në drejtimin e padëshiruar, heq dorë nga puna, e ardhmja dhe jeta normale. Kjo është një e metë dhe sjellje që pikaset kryesisht tek dembelët dhe apatikët. Ajo është arratisje drejt të shkuarës, është indiferencë vrasëse e energjive dhe kapaciteteve që mundësojnë ndryshimin, një nga mirësitë e Zotit.Gjendja shpirtërore në peshoren islame
Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:”Atij i përket gjithkush që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ata që janë tek Ai (engjëjt), nuk ngurrojnë për të adhuruar Atë e nuk ndiejnë lodhje, por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, paprerë.” (Enbija, 19-20)
Këto janë tiparet dhe cilësitë e melekëve (engjëjve) të cilët nuk dobësohen e ligështohen, nuk demoralizohen dhe luhaten, por gjithmonë madhërojnë Zotin e tyre. Dhikri i tyre është i ngjashëm me frymëmarrjen e njeriut, pra i pandërprerë.
Sakaq, njerëzit ligështohen, luhaten dhe vaken përgjatë rrugëtimit drejt Zotit. Herë të tjera ata i shkelin të drejtat e njëri-tjetrit dhe i kaplon dekurajimi.
Zoti i lartësuar e di se njeriu kaplohet nga dekurajimi dhe humbja e shpresës, prandaj e ka obliguar me rituale dhe adhurime të shumëllojshme. Format me të cilat robi afrohet me Zotin e tij janë të shumta: namaz, përkujtim, shpenzim të pasurisë, meditim, agjërim, nxënie dije, haxh etj... Kjo, me qëllim që nëse i mërzitet njëra prej tyre, të merret me një formë bindjeje dhe ritual tjetër, duke kontribuar kështu në ripërtëritjen e energjive shpirtërore, riaktivizimin e vullnetit dhe vendosmërisë.
Në një hadith, flitet për Handhale ibnu Rebi, Zoti qoftë i kënaqur me të. Ai vetë tregon:”Ndodhesha tek i dërguari i Zotit a.s, i cili na foli për zjarrin. Pasi u ktheva në shtëpi, fillova të luaj me familje, qesha me fëmijët dhe u angazhova me punët e përditshme. Kjo më shqetësoi dhe menjëherë dola jashtë, ku takova Ebu Bekrin, të cilit i tregova shqetësimin tim. Ai më tha:”Edhe unë veprova njëlloj si ti.” Të dy u nisëm dhe takuam të dërguarin e Zotit a.s, të cilit i thashë:”O i dërguar i Zotit! Handhale është mynafik (hipokrit)!” Profeti a.s pyeti:”Çfarë?!” Unë i tregova çfarë kishte ngjarë dhe Ebu Bekri e pranoi dhe për veten.
Profeti a.s tha:”Merre shtruar o Handhale! Një orë për Zotin dhe një orë për veten. Sikur zemrat ti kishit gjithë kohës ashtu siç i keni kur jeni me mua, do të zbrisnin melekët dhe do u shtrëngonin duart, e t’ju përshëndesnin rrugëve.” (Tirmidhij)
Apatia e shokëve të Profetit a.s
Vetë komuniteti i shokëve të Profetit a.s vuanin ndonjëherë nga problemi i apatisë dhe plogështisë. Transmetohet nga Ebu Dherri, Zoti qoftë i kënaqur me të se ka thënë:”Një herë e pyeta të dërguarin e Zotit:”Cila është vepra më e mirë?” Ai mu përgjigj:”Besimi në Zotin dhe xhihadi në rrugën e Tij.” Unë e pyeta:”Cili është skllavi më i mirë për ti falur lirinë?” Ai tha:”Më i shtrenjti dhe më i vyeri për pronarin.”
Unë e pyeta:”Po nëse nuk arrij ti bëj dot këta?” Ai u përgjigj:”Ndihmo një të humbur ose një të mefshtë e të pazot.” Unë e pyeta:”O i dërguar i Allahut! Po sikur të më humbasë takati për ndonjë punë të mirë?!”
Ai më tha:”Atëherë mos i bëj keq njerëzve, pasi kështu të shkruhet si sadaka për veten tënde.” (Buhari dhe Muslim)
Shohim që i dërguari i Allahut a.s i orientonte dhe udhëzonte njerëzit kur humbisnin vullnetin dhe i kaplonte plogështia, drejt veprave më të lehta dhe të mundshme, thjesht të mos u bënin keq njerëzve. E frenimi i vetes ndaj të bërit keq nuk ka nevojë për ndonjë mund të madh. Në vetvete, ajo është një akt dhe vepër e mirë për të cilën robi shpërblehet. Ky është arti i komunikimit me njerëzit. Mos u bëj si shkop i thatë se thyhesh, por as si limon se shtrydhesh.
Gjendja shpirtërore:
Njeriu përjeton dy gjendje shpirtërore që nuk kanë të tretë: Ose angazhim dhe gatishmëri, ose apati dhe tërheqje dhe secila lipset të njihet mirë për tu trajtuar. Thotë ibnul Kajjim El-xheuzije, Zoti e mëshiroftë:”Zemrat përjetojnë ose pasion ose tërheqje, prandaj i shfrytëzoni për mirë në momentet e pasionit dhe angazhimit dhe i lini në momentet e apatisë dhe plogështisë.”
Prandaj prej nesh lipset që të informohemi mirë mbi menaxhimin dhe kontrollin e veteve tona, me qëllim që të ruajmë ritmin e kontributit dhe angazhimit në rrugë të Zotit. Kështu, në rast:
1 - Gatishmërie për kontribut dhe angazhim, e shfrytëzojmë për vepra të mira dhe vullnetare (nafile). Njerëzit më të fisëm dhe me vullnetin më të fortë, janë ata që kënaqësinë më të madhe e shijojnë tek njohja, dashuria, veprat e mira dhe malli për takimin me Zotin.
2 – Apatie dhe tërheqje, e detyrojmë dhe i imponohemi me adhurimet bazë dhe respektimin e të drejtave. Në momente të tilla, e trajtojmë me delikatesë dhe butësi, me qëllim që të përgatitet për çastet e angazhimit dhe kontributit, duke e motivuar drejt veprave të mira dhe duke ia lidhur kënaqësinë e kësaj bote me kënaqësitë e botës tjetër. Lukmani i thoshte të birit:”O bir, nëse mbushet barku, e zë gjumi mendjen.”
Trajtimi i apatisë:
Më poshtë, do të sjellim disa këshilla të cilat e ndihmojnë njeriun ta trajtojë apatinë dhe plogështinë kur e mbërthen duke mos iu përgjigjur. Vetë profeti Muhamed a.s kërkonte ndihmën e Zotit nga plogështia dhe apatia. Ai thoshte:”O Zot, më mbro nga mungesa e vullnetit dhe mefshtësia.” Edhe momentet e apatisë dhe plogështisë, besimtari i shfrytëzon për tu afruar më shumë me Zotin. Kjo bëhet duke:
1 – Lexuar jetëshkrimin e figurave dhe kolosëve të Islamit.
2 – Lexuar jetëshkrimin e shokëve të Profetit a.s dhe brezit që erdhën pas tyre, të cilët konsiderohen si gjeneratat më të mira.
3 – Dalë në ambiente të hapura, në natyrë, në ajër të pastër, ose duke u zhvendosur nga një dhomë në një tjetër.
4 – Pirë një lëng, duke ngrënë një vakt të lehtë ose duke biseduar me një mik, qoftë dhe nëpërmjet telefonit.
5 – Lexuar Kuran me zë, ose duke recituar një poezi të lejuar.
6 – Ecur për një kohë, duke u ngjitur në një vend të lartë ose duke ndryshuar vendin ku falesh.
7 – Ndryshuar librin që lexon, ose tematikën.
8 – Merru me apatinë dhe plogështinë, derisa të triumfosh ndaj tyre. Çdo njeri e njeh më mirë se kushdo tjetër veten e tij, e nëse nuk e njeh dhe bie pre e vesveseve, le të kërkojë ndihmën e një të dituri, ose një miku të sinqertë për ta këshilluar. Vazhdo merru me përmirësimin dhe trajtimin e vetes (nefsit) derisa ta largosh plogështinë, duke iu rikthyer aktivitetit dhe angazhimit. Kështu, ti ruan kohën, madje ke fituar kohë duke mos humbur asgjë.