Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Paqja shpirtërore

Kjo temë, është tema përmbledhëse e të gjitha temave që kemi trajtuar më parë. Nëse një njeri është i paqtë me veten e tij, kjo do të pasqyrohet dhe në marrëdhëniet me të tjerët dhe botën që e rrethon. Shpirti i ngjan një rajoni gjithë male të thepisur, gremina dhe pyje të dendur. Sakaq, paqja i përngjan resë së bardhë, e cila i mbulon të gjithë këto të meta me ngjyrën e saj të bardhë. Të kesh paqe në shpirt, do të thotë të përjetosh maksimumin e lumturisë dhe të prehjes. Bazuar në këtë, vetë Profeti (a.s.) e luste Zotin t’i falte paqen shpirtërore. Pas çdo namazi, i cili simbolizon paqen me Zotin, Profeti (a.s.) lutej: “O Zot! Ti je paqja dhe prej Teje buron paqja, i lartësuar qofsh o i Gjithëpushtetshëm dhe i Madhërishëm.” Është mirë që pas çdo namazi, të citohet kjo lutje.
Po ti, o vëlla dhe oj motër, a je në gjendje paqeje me veten tënde? Ka njerëz, të cilët janë në konflikt të ashpër me veten e tyre. Ka njerëz që përjetojnë luftë të brendshme me veten e tyre. Ka njerëz që përjetojnë ndeshje boksi çdo orë e çast me veten e tyre. Ashtu siç mavijosen boksierët nga goditjet, ashtu mavijosen nga brenda njerëzit që janë në konflikt dhe luftë me veten e tyre. A i përket një shtrese të tillë njerëzish edhe ti, apo je nga kategoria tjetër, të cilët janë në gjendje paqeje me veten e tyre?
 
Vlera e paqes në Islam
Që nga emri që Zoti ka zgjedhur për fenë tonë “Islamin” e kuptojmë sa e rëndësishme është paqja. Rrënja e emrit “islam” është “selim” (paqe). Përshëndetja që Zoti ka përligjur për ndjekësit e Islamit, është “Esselamu alejkum (paqja qoftë mbi ju). Kjo përshëndetje, në thelb është një lutje për jetë të paqtë dhe të lumtur për tjetrin.
Pasi iu dha shpirti Ademit (a.s.), Zoti e urdhëroi të shkojë te një grup melekësh dhe t’i përshëndesë me fjalët: “Esselamu alejkum!” Mandej të presë se çfarë do t’i thonë ata, pasi kjo do të jetë përshëndetja jote dhe e pasardhësve të tu. Shkoi Ademi (a.s.) dhe u tha melekëve: “Esselamu alejkum” Melekët ia kthyen: “Ve alejkum selam ve rahmetulla”
Përshëndetja islame, është një urim që tjetri të jetojë në paqe dhe harmoni me veten dhe të tjerët. Përshëndetja me fjalët “mirëmëngjesi, mirëdita, ç’kemi, mirëmbrëma etj...” janë të mira, por nuk përcjellin të njëjtin mesazh si përshëndetja islame. Prandaj, askujt nga të rinjtë e të rejat myslimane të mos i vijë zor kur përshëndetet me selam, përkundrazi.
Zoti thotë në Kuran: “Kur të hyni në shtëpi, të përshëndetni njëri-tjetrin me përshëndetje të mirë e të bukur nga Allahu.” (Nur, 61)
Me të hyrë në shtëpinë tënde, në ambientin familjar, mbushe atmosferën me përshëndetjen islame, përshëndetje e zgjedhur nga vetë Allahu i lartësuar. A ka më bukur se kur të hysh në familje, të urosh dhe të dëshirosh jetën e paqtë dhe të lumtur për të gjithë familjarët?
Kur dikush e praktikon këtë në shtëpi, Zoti i jep bereqet atij dhe familjes.
Tregon Ebu Umame: “Një ditë takova të dërguarin e Zotit, i cili më tha: “O Ebu Umame! Ka disa besimtarë, që me t’i parë më falin kënaqësi! Ti je një prej tyre o Ebu Umame.”
Unë u gëzova shumë nga kjo. Mandej Profeti (a.s.) më tha: “Sa herë që të hysh në shtëpi, përshëndeti me selam familjarët, sepse është bereqet si për ty dhe për ta.”
Vetë thelbi i namazit, është pikërisht përjetimi sa më thellë i paqes që të fal. Nëse je në gjendje lufte me veten, vuan dhe nuk je i qetë, merr abdes. Mandej fillon e falesh, lexon Kuran, bie në ruku dhe më pas në sexhde. Kur vjen koha të qëndrosh ulur, lexon dhe lutesh me fjalët: “...Paqja qoftë mbi ty, o i dërguari i Allahut, mëshira dhe bereqetet e Tij. Paqja qoftë dhe mbi ne dhe robërit e ndershëm të Zotit...” Për të dalë nga namazi, jep selam një herë në krahun e djathtë, mandej në të majtin. Menjëherë, lutesh me fjalët: “O Zot! Ti je paqja dhe prej Teje buron paqja, i lartësuar qofsh, o i Gjithëpushtetshëm dhe i Madhërishëm.”
Kurse hazreti Aliu thoshte: “O Zot! Ti je paqja, prej Teje buron paqja dhe te Ti kthehet sërish paqja. Prandaj, na e mbush jetën me paqe dhe na e fal vendin e paqes.”
Vetë xheneti, që simbolizon shpërblimin e punëmirëve, është emërtuar si “shtëpia e paqes”.
“Allahu i thërret njerëzit për në Shtëpinë e paqes...” (Junus, 25)
Vetë Zoti i lartësuar e ka emërtuar xhenetin me këtë emër. Ai nuk e emërtoi “shtëpia e hyrive” as “shtëpia e pallateve” edhe pse ato nuk mungojnë. Edhe përshëndetja e banorëve të xhenetit, do të jetë me selam (paqe).
“Përshëndetja e tyre do të jetë “Selam” dhe lutja e tyre e fundit “Falënderuar qoftë Allahu, Zoti i botëve!” (Junus, 10)
 “Paqe!” do të jetë fjala prej një Zoti Mëshirëplotë.” (Jasin, 58)
“Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!” (Zumer, 73)
“Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh, por vetëm fjalët “Paqe, paqe!” (Vakia, 25-26)
Dashuria e myslimanëve për Profetin (a.s.), manifestohet dhe në përshëndetjet dhe salavatet që i dhurojnë herë pas here. Salavati është një lutje dhe përshëndetje për të dërguarin e Zotit (a.s.), ku themi: “O Zot! Përshëndete të dërguarin Tënd me paqe...”
Bazuar në këtë, Profeti (a.s.) ka thënë: “Kushdo që më përshëndet me salavat, Zoti do t’ia kthejë me dhjetë syresh.” Sa herë që të ndihesh në konflikt me veten, bjer në salavat mbi Profetin (a.s.).
Të gjithë të dërguarit që ceken në Kuran, shoqërohen me përshëndetje paqeje dhe sigurie.
“Paqja qoftë mbi Ibrahimin!” (Saffat, 109)
“Paqja qoftë me Nuhun ndërmjet gjithë krijesave!” (Saffat, 79)
“Paqja qoftë mbi Musain dhe Harunin!” (Saffat, 119)
Profeti Isa (a.s.) u lut: “ Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur,
në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem, 33)
Megjithatë, Islami vazhdon të akuzohet si fe e dhunës, e ekstremizmit dhe e terrorizmit.
 
Kur humbet paqja shpirtërore
Zakonisht, njeriu e humbet paqen shpirtërore, kur vepron gjëra në kundërshtim me parimet dhe bindjet e tij. Kur sjelljet e tua janë në drejtim të kundërt me bindjet, atëherë e humbet paqen shpirtërore. Nëse beson se gënjeshtra është haram dhe e dënueshme, megjithatë vazhdon të gënjesh e të mashtrosh, nuk mund të jesh në paqe me veten.
Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Të folurit drejt është qetësi, sakaq gënjeshtra është dyshim.”
Nëse i ke hyrë dikujt në hak dhe e di që i ke bërë padrejtësi, edhe pse e di që padrejtësia është haram dhe e dënueshme, nuk mund të jetosh në paqe me veten.
“Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi, pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” (En’am, 82)
Në çastin që e di se i ke bërë padrejtësi dikujt, dije se e ke humbur paqen shpirtërore. Paqja nuk është diçka që të instalohet nga jashtë, ajo gjendet brenda në zemër. Profeti (a.s.) ka thënë: “Në trupin e njeriut gjendet një organ, nëse ai është në formë, i gjithë trupi do të jetë në formë dhe nëse ai prishet, i gjithë trupi prishet. Ky organ është zemra.”
Një femër që shoqërohet me një mashkull jashtë kurorës martesore, edhe pse e di që diçka e tillë nuk përkon me normat morale dhe fetare, nuk mund të jetojë në paqe me veten e saj. Ajo gjithmonë do të jetojë në konflikt me veten, pa gjetur dot prehje. Një burrë që tradhton të shoqen, apo një grua që tradhton burrin, nuk mund të jetojnë në paqe dhe harmoni me veten. Në çastin e parë që shkelin kurorën dhe besën që i kanë dhënë njëri-tjetrin, humbasin paqen shpirtërore.
Paqja është diçka e brendshme, që ka të bëjë me zemrën, dhuratë prej Zotit. Adhurimet, besimi, salavatet mbi Profetin (a.s.), leximi i Kuranit dhe ritet e ndryshme, e pasurojnë paqen. Njeriu e humbet këtë paqe, në çastin kur vepron në kundërshtim me besimin e tij, fenë, moralin, bindjet, vlerat dhe edukatën familjare.
A je në paqe me veten tënde, o vëlla dhe oj motër, apo ke shpallur luftën civile brenda botës tënde shpirtërore?
Paqja me veten, është tabani i lumturisë së çdo njeriu, pavarësisht nga feja, kultura dhe bindjet e tij. Nëse një njeri nuk vjedh, nuk mashtron, nuk pranon ryshfet etj..., edhe pse nuk është mysliman, mund të jetojë në paqe me veten.
Myslimanët kanë dhe një natë si simbol të paqes dhe të harmonisë, ajo është nata e Kadrit. Zoti thotë lidhur me vlerat e kësaj nate: “ Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” (Kadr, 5)
Kush e kalon atë natë i paqtë me veten dhe të tjerët, Zoti i jep shpërblim ekuivalent me njëmijë muaj. Nata e Kadrit për myslimanët simbolizon natën e paqes me veten dhe atë me krijesat dhe universin.
A përjeton paqe me veten tënde, o vëlla dhe oj motër? A ushqeheni me haram? A mashtron dhe ua hedh njerëzve? A u hyn në hak vartësve dhe personave me të cilët komunikon? A i shkel me këmbë vlerat dhe moralet në të cilat beson? A je në konflikt me veten? Nëse përgjigja është “po”, dije se je njeri i sëmurë.
 
Si ta rikthej paqen shpirtërore?
Ndonjë mendjelehtë, mund të përgjigjet: “Do t’i ndryshoj vlerat dhe bindjet, me qëllim që të përkojnë me qejfet dhe epshet e mia. Në fakt, diçka e tillë është e pamundur, pasi këto vlera dhe morale janë të rrënjosura thellë në natyrën njerëzore. Njeriu lind i pajisur me këto vlera dhe i rrënjos ato gjatë jetës në familje dhe në shoqëri. Është e pamundur ta bindësh veten se gënjeshtra është vlerë. Është e pamundur të besosh se padrejtësia është diçka e bukur. Është e pamundur të besosh se të qëllosh gruan dhe ta diskreditosh çdo ditë, është nga normat e etikës familjare. Është e pamundur që një vajzë të ndihet e paqtë me veten, nëse i mashtron prindërit, duke u thënë se do të dalë me shoqet dhe nga krahu tjetër del me djem. Është e pamundur të ndjesh paqe shpirtërore, nëse pranon ryshfete dhe para haram.
Të rikthesh paqen shpirtërore aq shumë të kërkuar, nuk është diçka e pamundur dhe e vështirë. Unë nuk do të tregohem idealist, duke kërkuar gjëra të vështira. Zgjidh një subjekt të caktuar dhe riktheje paqen e munguar shpirtërore. Unë po përdor termin rikthim, pasi shejtani i mallkuar, e ka zaptuar zemrën tënde, ka hedhur përtokë flamurin e paqes dhe ka instaluar atë të luftës me veten. Ashtu siç kanë pushtuar hebrenjtë Palestinën, ashtu ka pushtuar dhe zaptuar shejtani zemrën tënde. Vallë sa shejtanë e kanë zaptuar zemrën tënde? Rebelohu dhe çliroje zemrën tënde, ngrije lart flamurin e paqes në zemër. Këto që them, janë frymëzim nga një ajet i Kuranit, që thotë: “...duke u bërë si i magjepsuri nga djajtë, që sillet i çoroditur nëpër tokë...” (En’am, 71)
Që sot, merr vendim se kurrë nuk do të dalësh kundër parimeve dhe vlerave në të cilat beson, kurrë nuk do të hysh në konflikt me veten, qoftë dhe për një gjë të vetme, një subjekt të vetëm. Në çastin që do të triumfosh ndaj vetes dhe nefsit tënd, do të përjetosh gëzim e hare që kurrë nuk e ke përjetuar më parë. Nuk ka gëzim dhe ekzaltim më të madh, sesa kur dëbon shejtanin nga zemra dhe ngre lart flamurin e bardhë, të paqes, me veten tënde.
 
Shembuj
Gjatë fushatës kundër drogës, më merr në telefon një djalë i ri dhe më thotë: “Quhem Husam dhe jetoj në Suedi. Merrem me shitjen e drogës, edhe pse nuk bëj pjesë tek shpërndarësit e mëdhenj. Teksa shihja të rinj që ngjisnin postera ku shkruhej “Jo drogës” “Kush merr një jetë, sikur ka mbytur të gjithë njerëzimin” e ndjeva veten fajtor për kushedi sa jetë të marra nga droga. Kurrë më parë nuk më kishte vajtur mendja se duke shitur drogë, unë i ndihmoja t’i japin fund jetës.”
Unë nuk po flisja, pasi realisht nuk dija çfarë t’i thosha. I riu vazhdoi: “Po nëse pendohem dhe i kthehem Zotit, a mendon se më pranon?” Unë iu përgjigja: “Sigurisht që po.” Ai më pyeti: “A mendon se mundem ta hedh një hap të tillë?” Unë iu përgjigja: “Patjetër që po.”
Nuk e di çfarë ndodhi më andej, por ky rast më preku pasi shihja një person që ishte në konflikt me veten e tij, ishte një person, i cili thërriste me gjithë forcat se ndihej i lodhur dhe kërkonte t’i rikthehej paqja shpirtërore, kisha përpara një person, i cili dëshironte të jetonte në paqe.
Kjo ndodhi dhe shumë të tjera, i ngjajnë personit që kishte vrarë nëntëdhjetë e nëntë njerëz dhe kërkonte të dinte, nëse Zoti e pranonte pendimin e tij. Ai nuk la gurë pa lëvizur, derisa gjeti një përgjigje e cila e bindi. Një njeri i ditur i tha: “Nëse dëshiron të pendohesh, Zoti ta pranon pendimin. Ajo që kërkohet është të vendosesh në një vendbanim tjetër, pasi këtu të gjithë njerëzit të njohin për krimet që ke bërë.” Vrasësi e besoi këtë dhe menjëherë u nis për diku tjetër. Në gjysmën e rrugës, atij i vjen vdekja dhe ndërron jetë. Melekët e dënimit dhe të mëshirës u konfrontuan, pasi secili donte t’i merrte shpirtin. Zoti i frymëzoi që të matin distancën mes dy vendbanimeve. Nëse do të ishte më pranë vendbanimit ku synonte të shkonte dhe të adhuronte Zotin, do ta merrnin melekët e mëshirës, në të kundërt ata të dënimit. Kur e matën, panë se gjendej më pranë vendbanimit që kishte si qëllim, kështu e morën melekët e mëshirës. Kjo, pasi ai ishte vënë në kërkim të paqes shpirtërore, e cila i kishte munguar për kushedi sa vite.
Vajti një burrë te Profeti (a.s.) dhe i tha: “O i dërguari i Allahut! A na pranon Zoti nëse pendohemi?” Profeti (a.s.) i tha: “Po.” Burri e pyeti: “Me gjithë tradhtitë dhe mashtrimet tona?!” Ky njeri kishte vepruar gjynahe të rënda, kishte tradhtuar, kishte vjedhur etj... Profeti (a.s.) ia ktheu: “Po, të pranon me gjithë tradhtitë dhe mashtrimet.” Burri u largua i gëzuar dhe me lot në sy duke thënë: “Të falënderoj o Zot që më pranon me gjithë të metat dhe fajet e mia.”
Tregon një zonjë: “Në rini u njoha me një djalë, me të cilin u lidha emocionalisht. Gjatë kësaj kohe, kAm vepruar gjëra të ndaluara. Më vonë, u pendova dhe krijova familje me një person tjetër. Jetonim të lumtur dhe nuk kishte asgjë që të na e prishte këtë lumturi. Në një çast, rikthehet personi me të cilin isha lidhur në rini. Ai më telefononte dhe kërkonte të dilnim si në kohët e vjetra. Herë pas here më dërgonte foto komprometuese, me të cilat më bënte shantazh. Çdo ditë që kalonte më dukej sikur po çmendesha dhe isha gati t’u përgjigjesha kërkesave të tij. Një ditë, e takova dhe i thashë: “Nëse kërkon t’i tregosh burrin tim, shko dhe tregoji. Unë nuk të vij më pas. Bëj ç’të duash, por lumturinë paqen time shpirtërore nuk të lejoj ta cenosh sërish. Mos mendo se kam frikë. Tashmë jam e lidhur me Zotin, jo si dikur. Kam besim se Zoti nuk do të më braktisë.”
Ajo që ndodhi, është se personi në fjalë i ktheu shpinën dhe u zhduk për të mos e parë më. Ai nuk ishte gjë tjetër veçse një shejtan, që kërkonte të zaptonte zemrën e saj. Me të konstatuar se nuk kishte vend në atë zemër, ai u largua kokulur.
Një vajzë, ndërron shkollën ku mësonte. Te shkolla e re, mësimet zhvilloheshin në një gjuhë të huaj, gjë e cila përbënte problem për të. Duke u ndjerë në siklet, ajo filloi të kopjojë, falë dhe aftësive të saj. Kështu, në çdo provim ajo vlerësohej maksimalisht, gjë e cila i gëzonte mësuesit, por jo atë vetë. Ajo ndihej e lodhur, e demoralizuar dhe nuk e merrte gjumi natën. E lodhur nga kjo situatë, ajo ia rrëfeu hallin të atit. Babai e mori për dore dhe të dy vajtën në shkollë, ku i ati u tregoi mësuesve gjithçka dhe u kërkoi ta ndihmonin vajzën e tij. Mësuesit e vlerësuan aktin e tyre dhe treguan gatishmëri që t’i ofronin ndihmë. Tregon vetë kjo vajzë: “Ditën që mësuesit më thanë se e vlerësonin shumë aktin tim dhe se ishin të gatshëm të më ofronin ndihmë, mua më shpërthyen lot gëzimi. Më dukej sikur kisha hequr një barrë shumë të rëndë nga supet.”
Ajo që kërkohet është që secili prej nesh të bëjë çmos që të rikthejë qetësinë shpirtërore. E lusim Zotin të na falë paqe dhe lumturi në jetët tona! A lusim Zotin t’i mbushë familjet dhe shtëpitë tona me paqe! Amin!
 
 
Mbyllje
 
Si çdo udhëtim tjetër, edhe udhëtimit tonë i erdhi fundi. E tillë është natyra e çdo udhëtimi dhe e tillë është natyra e kësaj bote. Nijeti dhe qëllimi im i vetëm gjatë këtij udhëtimi ka qenë që t’ju gëzoj dhe t’ju sjell lumturi e harmoni ne familje. Zoti është dëshmitari im për këtë. Unë e di se shumë zemra janë të mbushura me plagë, shumë të tjerë janë në hall e vështirësi, shumë të rinj kanë nevojë për dikë me të cilin të qajnë hallet, t’i stimulojnë, t’u ngrejë moralin dhe t’ju japë shpresë.
Gjithmonë i kam dëgjuar hallet dhe shqetësimet e tyre, jam rrekur t’i ndihmoj dhe t’u gjendem pranë, gjë e cila më pajiste me energji të reja.
Një motiv i rëndësishëm për këto tema, ka qenë hadithi i Profetit (a.s.) që thotë: “Kush fut gazin e harenë në një shtëpi myslimane, nuk ka shpërblim tjetër përveç xhenetit.”
“Adhurimi më i dashur te Zoti, është t’u falësh gëzim njerëzve”
Pas çdo teme, jam lutur që ato fjalë t’i vlejnë qoftë edhe një personi, ta udhëzojnë të dalë nga trishtimi drejt lumturisë.
Boshti kryesor i këtyre temave, ka qenë se lumturia nuk është një fjalë e vetme. Ajo nuk është diçka që preket dhe transportohet. Lumturia është një përzierje prej shtatë elementesh, ose shtatë portash, mbi të cilat duhet të trokasësh.
Të gjitha temat e trajtuara, ofrojnë thjesht informacion mbi rrugën që duhet ndjekur për të jetuar i lumtur. Thjesht leximi i tyre nuk të bën të lumtur. Prej jush lipset që t’i vini në jetë, t’i provoni dhe t’i eksperimentoni. Me të përfunduar leximin e temave, fillo t’i vësh ato në jetë. Çdo javë, ose çdo dy javë merru me njërën prej tyre, vendos një plan për secilën temë. Mundohu që për një vit të jetosh i lumtur, duke ndjekur rendin kronologjik të temave të trajtuara.
Udhëtimi ynë drejt lumturisë, siç e kemi cekur, fokusohej në katër lloj lumturish: Lumturinë e shpirtit (të botës së brendshme), të zemrës, të mendjes dhe të materies. Në trajtesën dhe udhëtimin tonë drejt lumturisë, ne kemi mbuluar vetëm tre llojet e lumturisë. Aspektin shpirtëror të këtij udhëtimit, e kemi plotësuar elementin e shtatë të lumturisë, i cili fokusohej kryesisht në lumturinë e shpirtit të njeriut, ku primare ishin lidhjet e njeriut me Zotin, përkujtimi i Zotit, meditimi në krijesat e Zotit, namazi dhe lutja.
Mbi lumturinë e zemrës, kemi folur kur trajtuam temën e vullnetit, të durimit, të dhembshurisë etj...
Lidhur me lumturinë e mendjes, kemi folur kur trajtuam gjërat që e turbullojnë lumturinë tonë, si stresi, zemërimi, vlera e diversitetit etj...
Siç e keni parë, ne nuk kemi folur aspak mbi problemet ekonomike dhe materiale. Që në temat e para, e kemi bërë të qartë që problemet ekonomike nuk do të jenë subjekti ynë, pasi e kemi të pamundur t’i zgjidhim ato. Nëpërmjet këtyre temave, ne kemi synuar që të gjithë njerëzit me probleme ekonomike dhe materiale, t’i furnizojmë me energji dhe forcë, për ta përballuar këtë situatë.
Ne jemi një umet që ka nevojë për një rilindje të re, e cila do të na kthejë lavdinë dhe krenarinë. Por nga ana tjetër, kemi të rinj e të reja që duken të pashpresë dhe të demoralizuar. Ata kanë nevojë që dikush t’i furnizojë me energji, t’u japë shpresë, t’u forcojë vullnetin e vendosmërinë.
Nijeti ynë me këto tema, nuk ka qenë që ju thjesht t’i pëlqeni, por që t’i praktikoni në jetën tuaj të përditshme. Këto tema janë një pjesë e projektit për rilindjen e umetit tonë, janë faktor stimulues që ne t’i përvishemi punës.
Në fund, e lus Zotin që t’ju japë sukses në jetën tuaj të përditshme dhe t’ju bëjë të lumtur! E lus Zotin të na bashkojë në vepra të mira në këtë botë dhe së fundmi, të na bashkojë në xhenet! Amin!
 
 


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free