Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Fshehtësitë e martesës

Fshehtësitë e martesës

Martesa ka qëllimet dhe synimet e veta, prej të cilave do t’i theksojmë vetëm disa:
Zoti i Madhërueshëm i ka krijuar njerëzit në tokë dhe në të ka caktuar ekzistencë të përkohshme, e cila është e lidhur me të lindurit e fëmijëve dhe shumëzimin e përgjithshëm të racës njerëzore. Pikërisht për këtë si dhe për të tjera shkaqe të arsyeshme, martesa islame urdhërohet dhe rregullohet me ligj.
Martesa konsiderohet ndër vendimet më serioze të jetës së njeriut. Martesa është një institucion fetar, të cilin sikurse edhe institucionet tjera fetare, myslimanët janë të obliguar t’i respektojnë, që t’i përmbahen plotësisht dhe ta aplikojnë në jetë. Martesa është hapi më i rëndësishëm të cilin krijesa njerëzore do ta kishte bërë në interes të të mirave dhe lumturisë personale.

Nga ajetet kur’anore dhe një numër i madh i haditheve të Pejgamberit, alejhi selam, shohim se muslimanëve u rekomandohet martesa. Allahu thotë në Kur’an:
“Martoni të pamartuarit (e të pamartuarat) tuaja dhe skllavët (e skllavet) tuaja të ndershme. Nëse janë të varfër, Zoti do t’i begatojë nga dhuntitë e Tij…” (En-Nur: 32)
Muhamedi, alejhi selam, gjithashtu e porositi martesën duke thënë: “Martohuni dhe shumëzohuni, sepse unë krenohem me ju ndaj popujve të tjerë në Ditën e Gjykimit.”
Nga historia e njerëzimit shohim se të gjithë popujt e lashtë, si p.sh.: sirianët, babilonasit, egjiptasit, grekët, etj. martesës i kanë kushtuar rëndësi të madhe.

Islami na mëson se martesa është “gjysma e fesë”. Për shkak se plotëson aq shumë nevoja themelore të individit dhe shoqërisë, martesa shihet si një shtyllë prej guri në të cilën mbështetet e tërë jeta muslimane. Kur dy njerëz martohen dhe familjen e tyre e drejtojnë sipas dëshirës së Zotit, ata me të vërtetë kanë filluar rrugën për në Xhenet.
Ekzistojnë mendime të ndryshme rreth vlerësimit të martesës, po i citojmë vetëm disa:
- Martesa shërben si bazë e fesë dhe e shtetit, ngase duke shërbyer si mjet për shtimin e njerëzimit, ajo i siguron jetë fesë dhe shtetit.
- Martesa është themel i bashkësisë njerëzore, me anë të së cilës mund ta dimë se sa vlen një burrë ose një grua.
- Martesa është mjeti më i mirë për mbrojtje nga prostitucioni dhe prishja morale.
- Martesa është në shërbim të kulturës dhe të njerëzimit, e cila na ruan nga krimet dhe mëkatet.
- Martesa na nxit në punë dhe angazhim, të cilat duhet t’i orientojmë në të gjitha drejtimet.
- Martesa është mjet, që i shpie popujt deri te fuqia, ndërsa bijtë e tyre deri te mirëqenia, lumturia dhe fama.
- Martesa është kopsht i lumturisë, mbrojtës i shëndetit dhe synimi më fisnik i gjinisë njerëzore.Martesa ka qëllimet dhe synimet e veta, prej të cilave do t’i theksojmë vetëm disa:

1. Ruajtja e gjinisë njerëzore
Martesa nënkupton shtimin e gjinisë njerëzore dhe paraqet faktorin kryesor për vazhdimësinë e saj derisa të jetë kjo botë. Allahu thotë në Kur’an:
”O ju njerëz! Kinie frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe kinie frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se All-llahu është mbikëqyrës mbi ju.” (En-Nisa: 1)
”All-llahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja – fëmijë e nipa dhe ju furnizoi me (ushqime) të mira. A besojnë ata të pavërtetën, e të mirat e All-llahut i mohojnë?” (Nahl: 72)

2. Sigurimi i trashëgimtarëve ligjor, ngase duhet ditur se kush kë e trashëgon me ligj.

3. Sigurimi i bashkëshortëve në pikëpamje morale, sepse pa sigurim të jetës morale nuk ka as rregull të mirë shoqëror.

4. Edukimi i mirë i fëmijëve në pikëpamje fetaro-morale, ngase pa edukim të mirë të rinisë, bashkësia njerëzore nuk ka lumturi dhe mirëqenie të vërtetë.

5. Mbajtja e gruas dhe e fëmijëve sepse duhet ditur se kujt i takon kjo detyrë, etj.

Jeta martesore përmban në vete edhe tensione, por ajo jetë të siguron atë lloj të relaksimit për të cilën qenia njerëzore ka nevojë natyrale.
Jeta moderne përmban mbi vete aq shtypje dhe sprova sa që do të mund ta shkatërronin edhe lidhjen më stabile. Për këtë arsye është e domosdoshme që bashkëshortët të respektojnë të drejtat e njëri-tjetrit dhe të ndihmohen mes vete.
Çelësi i parë për martesë të lumtur është ta duash Allahun dhe të praktikosh parimet e Tij në çdo situatë dhe lidhje. Për një martesë të suksesshme është tepër e rëndësishme të merrni parasysh nevojat dhe karakterin e partnerit tuaj. Në martesën muslimane, përgjegjësi dhe detyra kanë si burri edhe gruaja dhe që të dy, individualisht janë përgjegjës para Zotit për veprat e tyre.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free