Zemrat E Ngurtësuara
Nuk ka ndëshkim më të madh për robin sesa ngurtësimi i zemrës dhe të qenurit larg All-llahut. Zjarri është krijuar për t’i shkrirë zemrat e ngurta. Zemrat më të distancuara nga All-llahu janë zemrat e ngurta. Kur zemra ngurtësohet, syri thahet (nuk loton). Ngurtësimi i zemrës vjen si pasojë e tejkalimit të normës në katër gjëra: Në të ngrënë dhe në të pirë, Në gjumë, Në të folur, Dhe përzierje me njerëzit. Ashtu siç nuk i bëjnë dobi ushqimi dhe pirja trupit kur është i sëmurë, po kështu edhe kur zemra sëmuret nga lakmia e tekave dhe epsheve, nuk i bën më dobi këshilla. Kush dëshiron të ketë zemër të kulluar, le t’i japë përparësi bindjes ndaj All-llahut kundrejt tekave të tij. Zemrat e dhëna pas tekave dhe epsheve vetjake, qëndrojnë po aq larg sa ato janë të dhëna pas këtyre tekave. Zemrat janë enët e All-llahut në tokë, dhe më e dashura prej tyre te Ai është zemra e butë dhe e kulluar. Ata i angazhojnë zemrat e tyre me këtë botë, të cilat po t’i angazhonin me All-llahun dhe botën tjetër, do të jetonin sipas kuptimeve të fjalëve të Tij dhe provave të dëshmuara, duke zbuluar urtësi të fshehta dhe përfitime të këndshme. Nëse zemra ushqehet me përkujtime, ujitet me meditime dhe pastrohet nga papastërtitë, do të shohë çudira dhe do të frymëzohet me urtësi. Jo çdokush që përpiqet të jetë njohës dhe i urtë, arrin të jetë i tillë, sepse njohësit e vërtetë dhe të urtit realë janë ata që zemrave të tyre i kanë dhënë jetë duke shuar tekat, ndërsa ata që vrasin zemrën për të gjallëruar tekat, njohja dhe urtësia në gjuhët e tyre është e huazuar (nuk buron nga sinqeriteti ). Shkatërrimi i zemrës vjen nga shkujdesi ( gafleti ) dhe për shkak se ndihet e siguruar nga ndëshkimi i All-llahut, ndërsa gjallërimi i zemrës bëhet me frikë -respekt dhe përmendje të Zotit. Nëse zemra nuk lakmon në sofrat e dynjasë, do të jetë e dhënë pas sofrave të Ahiretit, së bashku me të ftuarit e tjerë, ndërsa n.q.s. jepet mbas sofrave të dynjasë, do i humbasë ato të Ahiretit. Përmallimi për takimin me All-llahun është ilaç që e qetëson zemrën nga egërsia e dynjasë. Kush e lidh zemrën me Zotin e tij, do të qetësohet dhe rehatohet, ndërsa kush e lë t’i vërtitet nëpër njerëz, do çoroditet dhe stresohet së tepërmi. Dashuria për All-llahun nuk hyn në një zemër që është e pushtuar nga dashuria për dynjanë, përveçse aq sa hyn deveja në vrimën e gjilpërës. Kur All-llahu e do dikë nga robërit e Tij, e dallon me dashurinë e Tij dhe e frymëzon ta adhurojë Atë. Përmendja me gjuhë dhe bindja me gjymtyrë mbeten preokupimi i tij. Zemra sëmuret siç sëmuret trupi dhe shërimi i saj bëhet nëpërmjet pendimit dhe dietës parandaluese. Ajo bëhet e ndyrë ashtu siç bëhet e ndyrë pasqyra, dhe pastrimi i saj bëhet me përmendjen e Zotit. Ajo zhvishet ( nga të mirat ) ashtu siç zhvishet trupi nga rrobat dhe veshja, stolisja e saj është devotshmëria. Zemra ndjen uri dhe etje ashtu siç ndjen trupi, dhe ushqimi i saj është njohja e All-llahut, dashuria për Të, mbështetja tek Ai, pendimi dhe bindja. Kujdes! Ruaju nga shkujdesi ndaj All-llahut, i Cili jetës tënde i ka vënë afat, ditëve dhe frymëmarrjeve të tua u ka vënë numër të caktuar, Ai nuk ka nevojë për askënd dhe asgjë, ndërsa ti ke domosdoshmërisht nevojë për Të. Ai që heq dorë nga mbështetja te vetja në kërkimin e kësaj bote, të pozitës, apo shpëtimit nga armiku i tij duke iu mbështetur All-llahut, duke ia besuar dhe dorëzuar çështjen Atij, zgjedhjes më të mirë prej Tij dhe kënaqet me atë që All-llahu i jep, do të shpëtojë nga mërzitë, brengat dhe pikëllimet. Ndërsa ai që këmbëngul të mbështetet vetëm te vetja e tij, do të bjerë në vështirësi, lodhje, mundime, gjendje të keqe, nuk shijon jetë të qetë dhe zemra e tij nuk ndien gëzim, punët nuk i ka të mira, nuk ka shpresa të shëndosha dhe as rehati të qëndrueshme. All-llahu ua ka lehtësuar njerëzve rrugën për tek Ai, por u ka fshehur të ardhmen nëpërmjet caktimit të Tij, ndaj kush kënaqet me fatin e tij, i dorëzohet zgjedhjes së Zotit dhe i bindet vendimit të Tij, e largon atë perde duke e qetësuar zemrën tek Zoti i tij. Ai që i mbështetet All-llahut, nuk i lutet dikujt tjetër veç Tij, nuk e kundërshton All-llahun dhe nuk tregohet i rezervuar ( në lutje ) ndaj Tij. Kush merret me veten e tij, nuk ka kohë të merret me të tjerët dhe kush i përkushtohet Zotit të tij, nuk ka shumë kohë të merret me veten e tij. Sinqeriteti është diçka që engjëlli nuk e di, që ai ta shkruajë, armiku i tij nuk e njeh, që ta shkatërrojë dhe as nuk mahnitet me të vetë personi që ta zhvlerësojë. Pranimi (të kënaqurit me kaderin) është qetësimi i zemrës me rrjedhën e caktimeve dhe vendimeve të Zotit. Njerëzit i dorëzohen dynjasë në varësi të preokupimeve që kanë për të. Zemra sillet në gjashtë sfera, nuk ka të shtatë. Tre janë sfera të larta dhe tre janë të ulëta. Sferat e ulëta janë: Dynjaja që i stoliset Vetvetja që i pëshpërit Dhe armiku (shejtani ) që i shkakton vesvese. Këto janë sferat e ulëta nëpër të cilat qarkullojnë shpirtrat. Ndërsa sferat e larta janë: Dituria që ia qartëson çështjet, Arsyeja e shëndoshë që e udhëheq tek e drejta dhe i Adhuruari të cilit ia kushton ibadetin Zemrat udhëtojnë nëpër këto sfera. Ndjekja e qëllimeve dhe shpresa për një jetë të gjatë, është burimi i çdo shthurjeje. Kjo sepse ndjekja dhe plotësimi i qëllimeve e verbëron njeriun nga njohja e të vërtetës dhe nga dëshira për të arritur atë, kurse shpresa për një jetë të gjatë e bën atë të harrojë Ahiretin dhe e shmang nga përgatitja për të. Robi nuk mund ta shijojë aromën e çiltërsisë nëse i bën qejfin vetes ( në gabime ) apo u bën qejfin të tjerëve ( kundrejt së vërtetës ). Nëse All-llahu ia do të mirën robit të Tij, e bën atë që ta pranojë gjynahun e tij dhe të mos merret me gjynahet e të tjerëve. E bën të jetë bujar me atë që posedon dhe moslakmues ( zahid)në atë që posedojnë të tjerët dhe e bën të jetë i durueshëm ndaj lëndimeve që has. Ndërsa nëse All-llahu ia do të keqen robit të Tij, ia përmbys këto parime. Ambicia dhe synimi i lartë e bëjnë njeriun të ketë lidhje me tri gjëra: Njohjen e ndonjë cilësie të përsosur ( të All-llahut ), ku nëpërmjet njohjes së saj, atij i shtohet më shumë dashuria për Të. Nxjerrja në pah e një mirësie, duke bërë që t’ia shtojë falënderimin dhe bindjen. Përkujtimi i ndonjë gjynahu të bërë, i cili ia shton pendimin dhe frikën. Nëse ambicia dhe synimi i njeriut lidhen me diçka tjetër përveç këtyre, atëherë do të endet nëpër luginat e vesveseve dhe iluzioneve. Kush dashurohet pas dynjasë, ajo e shfaq veten shumë të vlefshme tek ai, ndaj e shndërron atë në shërbëtor dhe rob të nënshtruar ndaj saj. Ndërsa kush ia kthen shpinën dynjasë, ajo sheh vlerat e tij, dhe i vihet atij në shërbim e nënshtruar. Njeriu e përfundon udhëtimin e tij dhe arrin aty ku dëshiron, duke iu përmbajtur rrugës së vërtetë, si dhe duke shfrytëzuar një pjesë të natës për vazhdimin e udhëtimit, por nëse udhëtari i shmanget rrugës dhe fle të gjithë natën, si dhe kur ai do të arrijë qëllimin e tij?!/