Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Kush prej nesh është pa të meta

Kush prej nesh është pa të meta?

 

Pyetje:”Paqja qoftë me ju! Shpresoj të gjej prej jush një përgjigje ngushëlluese dhe të shpejtë. Unë jam një vajzë njëzet e tre vjeçe dhe dorën time e ka kërkuar një person të cilin e njoh. Ai ka  cilësi të mira të cilat më interesojnë, por edhe të meta të cilat më bëjnë ta refuzoj. Ajo që më huton është fakti se kur shoh veten time, e gjej atë plot të meta.

Cilësitë dhe tiparet e tij të mira janë:

1 – Është inxhinier ambicioz. Edhe pse babai ishte kundër studimeve universitare, pasi e kishte të mundur ti gjejë një punë me dëshminë e gjimnazit, ai nuk u dorëzua por e  vazhdoi shkollën. Gjendja e tyre ekonomike është e mirë.

2 – Është person i hapur dhe do më lejojë të punësohem pasi të përfundoj studimet. Por mua më frikëson shumë familja e tij e mbyllur.

3 – Mesa duket dhe ç’më kanë thënë ai më dashuron. Këtë ndjenjë e ka pasur që kur kemi qenë fëmijë, pasi me të kam kujtimet më të bukura të botës tonë fëmijërore. Kontaktet tona u ndërprenë që pa përfunduar filloren. Megjithatë, unë kam frikë se ndjenjat e tij për mua, janë thjesht për shkak të familjes time të arsimuar, të kulturuar, fetare dhe të stabilizuar. Babai i tij është i martuar me dy gra dhe më parë konsumonte alkool, por tashmë është penduar dhe e ka lënë. Jeta e tyre është plot probleme dhe kaos. Kjo, edhe pse në aparencë janë familje e fisme. Ata janë të pasur dhe kanë vende pune të mira. Personat që i refuzoj më shumë në familjen e tyre, janë i ati dhe i vëllai. Sakaq, motrat e tij janë shumë fetare, kurse e ëma njeri i mirë edhe pse pak naive.

Ajo që mi shton dyshimet në dashurinë e tij, është se më parë ka kërkuar dorën e një vajze tjetër të arsimuar dhe nga familje e fisme, por ai e ka refuzuar pasi donte të martohej me mua.

4 – I mirë, bujar dhe zemërbutë. Mund të shpërthejë në të qara para ngjarjeve të rënda, si divorci i të motrës.

5 – Me humor, i pëlqejnë shëtitjet dhe gjërat që ndryshojnë atmosferën. Kërkon mbi detajet dhe imtësitë e çdo gjëje. Unë vetë jam krejt ndryshe nga familjarët e mi, të cilët shquhen për racionalizëm dhe logjikë.  Mua nuk më pëlqen të lidhem me një person i cili udhëhiqet gjithmonë nga racionalja. Nuk prish punë ndonjë marrëzi dhe aventurë.

6 – Është fetar dhe i kryen obligimet kryesore, si namazi dhe agjërimi. Është shumë i gjendur dhe u shërben të gjithëve.

7 – Opinioni i tij për femrën është i qytetëruar pak a shumë, edhe pse e kam me dyshim për shkak të ambientit ku është rritur.

8 – Mban përgjegjësi për familjen e tij të madhe dhe i ati i lë hapësira për të menaxhuar pasurinë e vet.

9 – I edukuar dhe nuk ka të kaluar me gra të tjera.

10 – Nuk konsumon duhan.

Kurse lidhur me të metat, janë:

1 – Shumë nevrik, saqë mund të thyejë gjithçka që i del para në ato çaste. Këtë ves na e tregoi tezja ime dhe prandaj e refuzuam që herën e parë. Por ai dërgoi njerëz për të dytën herë për dorën time, për shkak se është shumë i dashuruar pas meje dhe nuk e imagjinon jetën pa mua. Sipas tij, unë jam ëndrra e tij që në fëmijëri. Unë dua të them se edhe unë jam shumë nevrike. Me nënën time kam një përvojë të hidhur, të cilën nuk dua ta kujtoj këtu, por që është gjëja për të cilën jam penduar më shumë në jetën time.

Edhe pse është nevrik, ai kurrë nuk vë dorë mbi të tjerët, sipas dëshmisë së njerëzve të afërt, si dhe nuk flet fjalë banale. Këtë ves nuk e ka pasur më parë. Ai nevrikoset për gjëra të vogla, si unë dhe i kthehet normalitetit sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Me plot turp dua të them se jemi njëlloj në këtë pikë.

2 – Ai është më i hijshëm se unë, pasi bukuria ime është e pranueshme. Në fakt, mua nuk më pëlqen pamja ime dhe kam dashur të martohem me një person më pak të bukur se unë. Kam frikë edhe nga ndikimi i familjes dhe mjedisit, të cilët e vlerësojnë shumë pamjen e jashtme. Nëna më tregoi se ai ka dashur që gruaja e tij të jetë bionde, por kjo ka qenë thjesht një justifikim që familjarët e tij të mos gjejnë një të tillë dhe të martohet me mua.

3 – Përkushtimi i tij fetar është i pranueshëm dhe dëgjon muzikë.

4 – E meta e tij më e madhe është familja e tij. Ai dëshiron të jetojmë në një pjesë të shtëpisë së tij të madhe. Mendoj që nëse e pranoj si të fejuar, t’ia kushtëzoj që të banojmë me familjen e tij vetëm për dy vite, mandej të banojmë në një shtëpi më vete. Këto dy vite do të më shërbejnë dhe mua, pasi kam dhe vitin e diplomimit dhe do më duhet të punoj ditë e natë, sakaq ai mund ti hajë vaktet tek prindërit.

Jam shumë e hutuar dhe nuk di si të veproj, ta pranoj apo ta refuzoj. Nëse e refuzoj, më duket sikur refuzoj veten time me gjithë të metat e saj. Edhe pse kam falur namazin e istihares kushedi sa herë, nuk kam marrë akoma një vendim.”

 

Përgjigje:”Motër e nderuar! Kush prej nesh është pa të meta? Kush të ka thënë se jetojmë në xhenet, ku jemi të përsosur? Kush të ka thënë se martesa ose është e gjitha e ëmbël ose e gjitha e hidhur? Realiteti është se e mira dhe e keqja në këtë botë janë relative dhe çdo njeri ka cilësitë e tij të mira dhe të këqija. Është e vërtetë që jetesa me prindërit e burrit, shkakton probleme ndonjëherë, të cilat mund të jenë me pasoja të rënda ose normale. Në këtë botë, ne përjetojmë gëzime dhe hidhërime, gjë e cila na bën të mendohemi mirë dhe të bëjmë zgjedhjen e duhur. Ato na informojnë mbi të metat tona dhe të tjerëve. Kështu e kemi më të lehtë për të zgjedhur dhe minimizuar dëmet.

Ju cekët disa cilësi të rëndësishme të personit që ka kërkuar dorën tuaj. Unë mendoj se dashuria e tij, përkushtimi fetar dhe personaliteti i fortë, janë themelet për të pasur një gjykim të drejtë. Feja na mëson se besimtari e mbron gruan e tij dhe e trajton me respekt, ashtu siç ia kërkon feja dhe ndërgjegjja. Personi i cili e do gruan e tij, është më i mirë se ai që kërkon thjesht të martohet. Këto janë pikat e tij të forta dhe avantazhet. Dashuria e burrit për gruan, është një garanci për një jetë të qetë, edhe pse kjo mund ta bëjë shumë xheloz.

Lidhur me nervozizmin e tij, dua të them se kjo është një ndër sëmundjet e kohës tonë. Ajo nuk është monopol i tij dhe i yti, por gjendet tek shumë njerëz. Shpejtësia e jetës dhe vështirësitë, i kanë bërë njerëzit më nevrikë dhe në gjendje depresioni. Një grua e mirë, është ajo që brof menjëherë për t’iu gjendur të shoqit, kërkesat e të cilit i lexon në sytë e tij.

Nga mesazhi juaj, ndjeva se edhe ju dëshironi në një farë mase të lidheni me këtë person. Nëse ndjenjat e mia janë të sinqerta, mendoj që ia vlen si bashkëshort për ju. Por jeni ju ajo që ka në dorë vendimin përfundimtar. Nëse e pranoni si bashkëshort, mos i vendosni dhjetëra kushte.

Duke i kërkuar një shtëpi më vete ke vepruar drejt, me qëllim që ti mbyllësh portat e problemeve që mund të lindin mes jush në të ardhmen. Por mos e rëndo me kërkesa materiale. Është shumë e rëndësishme që ti menaxhosh mirë raportet e tua me familjarët e burrit, nëse do të banosh me ta. Duhet të ndërgjegjësohesh se që tani do të përballesh me vështirësi dhe pengesa, për të cilat të duhet durim. Përpiqu të ndërtosh marrëdhënie të mira me babanë, nënën dhe familjarët e tjerë të tij.

Të uroj mbarësi dhe sukses në jetën familjare!


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free