Djali dhe Kali
Ishte errësuar kur në shtëpi ia behu djali, por këtë herë nuk ishte vetëm. Ai kishte gjetur një kalë të mrekullueshëm dhe e kishte sjellë në shtëpi. Me të hyrë brenda, ai i rrëfeu të atit mbi kalin që kishte gjetur dhe iu përgjërua që ta mbanin përgjithmonë. I ati ia ktheu:”Po biri im. Mund ta mbajmë kalin, por vetëm sonte. I zoti i kalit kushedi nga e kërkon. Prandaj, nesër në mëngjes do të tregoj çfarë të bësh...” Në fakt, atë natë djali nuk vuri gjumë në sy. Ai dëshironte të qëndrojë sa më gjatë pranë kalit që kishte gjetur dhe që i duhej ta kthente. Të nesërmen, pasi kishte lindur dielli, babai vajti tek dhoma e Djalit dhe i tha:”Tani duhet ta kthejmë kalin tek i zoti.” Djali i tha:”Por babi... Ku e di unë kush është i zoti?!” I ati e pa djalin e tij në sy, i buzëqeshi ëmbël dhe i tha:”Biri im! Lëre kalin të ta tregojë rrugën!” Djali veshi rrobat dhe u bë gati për udhë, por pa kurrfarë bindje për atë që dëgjoi. Me të dalë nga shtëpia me kalin përdore, ai veproi ashtu siç e kishte këshilluar i ati. I mrekulluar me hijeshinë e kalit, ai mundohej të ndjekë ritmin e tij. Më në fund, djali me kalin mbërritën në një fshat. Atje, fshatarët e dalluan menjëherë kalin dhe rendën drejt tij, duke e falënderuar djalin për gjestin, madje i bënë dhe një dhuratë. Kur djali u kthye në shtëpi, i ati e pyeti:”A e ktheve kalin?” Ai tundi kokën në shenjë pohimi dhe i tha:”Veprova siç më porosite ti babi dhe pashë që kali e gjeti vetë rrugën tek i zoti.” Mandej, pasi u mendua pak shtoi:”Dua të tregoj diçka babi! Kur dje gjeta kalin, isha tepër i lumtur dhe kisha shumë shpresë se do të më lejosh ta mbaj. Por në këto çaste unë jam akoma më i lumtur sepse ndihmova ata njerëz në fshat të cilët kishin humbur kalin. Tani e kuptoj përse kërkove ta kthej kalin tek i zoti.” I ati ia ktheu duke buzëqeshur:”Biri im! Lumturia e ka burimit tek të bërit mirë dhe ndihma që u ofrojmë atyre që u nevojitet. Kur ndihmove dikë që kishte nevojë për ndihmë, ti u ndjeve maksimalisht i lumtur dhe ky është mësimi i parë për ty. Kurse mësimi i dytë, është se duke ecur përbri kalit, ai e gjeti me lehtësi rrugën për në shtëpi, pa u ndikuar aspak prej teje. O bir! Duhet ti pranojmë njerëzit ashtu siç janë dhe të mos orvatemi ti ndryshojmë. Ajo që kemi në dorë për ta ndryshuar, është vetëm vetja jonë. Nëse dëshiron të jesh i pranuar nga njerëzit, pranoji dhe ti ashtu siç janë! Nëse dëshiron të respektojnë, respektoji ti më parë! Nëse dëshiron të të buzëqeshin, buzëqeshu ti i pari! Nëse dëshiron të të duan, duaji ti i pari! Nëse dëshiron të marrësh, më parë jep pa pritur të kompensohesh. Kështu, kushedi sa herë do të jepet rasti të japësh, pasi do të shpërblehesh nga Zoti.” Fjalët që dëgjoi nga i ati, e bënë Djalin mjeshtër të komunikimit me njerëzit. Edhe ti ke në dorë të bësh të njëjtën gjë sot. Edhe mundesh ta ndryshosh veten, para se të kërkosh të ndryshosh të tjerët. E nëse do të rrekesh të ndryshosh të tjerët, shumë shpejt do të biesh në pesimizëm dhe do të demoralizohesh. Gandi thoshte:”Bëhu ti ndryshimi që kërkon të shohësh në botë!” Beso fuqishëm se je një mrekulli dhe se askush nuk të ngjason. Pranoji të tjerët ashtu siç janë, duaji, jepu dhe fokusohu tek nijeti i tyre! Unë të garantoj se jo vetëm që do të konsiderohesh një nga mjeshtrit më të mëdhenj në komunikim, por edhe do të jetosh një jetë të mbushur me gaz, hare dhe lumturi.