Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

PAS NIJETIT VJEN PUNA

PASI NIJETIT VJEN PUNA
Zoti ynë thotë në Kuranin fisnik: “Ata që besuan dhe bënë punë të mira, ta dinë se Zoti nuk do t`ua humbë kurrë mundin atyre
 
Kemi folur për nijetin dhe kemi thënë, se Nijeti i pastër është zemra e fesë, është sekreti i pranimit të punëve dhe pa të refuzohen punët. Nijeti për punën është si rrënja për pemën.
Por nijeti i pastër nuk është fjalë goje. Shumë njerëz mendojnë, se nijet do të thotë të të shkojë diçka nëpër mend për 5 minuta e pastaj ta harrosh atë që ke për qëllim. Sipas dijetarëve, nijet i pastër nuk është thjesht një mendim i mirë që të kalon nëpër mend, por mendja duhet të të rrijë tek ky mendim i mirë dhe t`i lutesh Zotit të të japë mundësi ta çosh në vend këtë mendim të mirë që ke”.
 
Nijeti i pastër nuk është pretendim me fjalë, pra nuk mjafton të thuash: “Zemra ime është e pastër”, por kjo fjalë duhet të shoqërohet me punë, shkurt zemra të mos jetë e qetë, derisa ta çosh në vend punën që ke nisur. Nijeti i pastër nuk është vetëm të mos mendosh e të mos bësh keq, por qëllimi i nijetit është mendimi dhe puna e mirë. Ta bësh nijet, do të thotë që zemra jote të përgatitet dhe ta kesh mendjen aty, derisa ta bësh punën e mirë. Megjithatë nëse nuk ke mundësi ta bësh punën e mirë, por mendja të rri aty dhe do me gjithë zemër që ta bësh atë punë, Zoti ta shpërblen sikur e ke bërë atë punë.
Nijeti është gjëja më e vështirë në fe. Duket si puna më e lehtë, por në fakt është më e vështira, sepse nijeti është sinqeriteti i zemrës dhe zemra nuk kthehet kollaj në rrugën e drejtë.
 
Më shumë se fjalët e bukura, Islami ka punë të bukura dhe të mira. Islami nuk është vetëm të kritikosh të tjerët se po veprojnë diçka të gabuar, por pikë së pari Islam do të thotë që ti të veprosh mirë. Mos rri vetëm duke kritikuar, por tregoju njerëzve sesi bëhet puna e mirë. Të jesh musliman nuk do të thotë të jesh tifoz i sëmurë, që vetëm di të çirret atje i ulur e nuk zbret në fushë, Por Islami të fton të zbresësh në fushë dhe të tjerët të të shohin si luan dhe jo vetëm të luash, por të luash mirë dhe pa hile. Vetëm atëherë me lejen e Zotit e ke kthyer këtë fjalë të bukur në punë të bukur, e ke kthyer nijetin në realitet.
Mund të qëndrojmë me vite të tëra duke shtjelluar fenë islame, por e thënë me dy fjalë Islami është: . Besimi dhe puna janë lidhja, të cilën Zoti e ka përmendur rreth 200 herë në Kuran: “..ata që kanë besuar dhe kanë bërë punë të mira Kjo është feja e Zotit, kjo është shprehja, që Zoti e ka përdorur më shumë në Kuranin fisnik. Nëse duam që njerëzit ta shohin e ta prekin këtë fe, atëherë besimin le ta kthejmë në punë të mira.
Puna e mirë është ajo që bëhet shkak, që Zoti t`ia falë robit gjynahet dhe ne të gjithë kemi gjynahe, pasi Zoti thotë në Kuranin fisnik: “Unë do t`ia fal të gjithë atyre që pendohen, që besojnë, bëjnë punë të mira dhe udhëzohen tek Zoti
Puna e mirë është ajo, që të afron më shumë tek Zoti dhe të jep atë që quhet “Dashuria e Zotit”. Nëse ke dëshirë të jesh me Zotin dhe ta kesh me vete dashurinë e Tij, atëherë bëj punë të mira, pasi Zoti thotë në Kuran: “Zoti është me ata, që janë të devotshëm dhe ata që bëjnë punë të mira
Puna e mirë është ajo që të jep fitoren. Muslimanëve po u plas zemra për të parë një ditë të bardhë, për të dalë nga halli dhe nga sikleti. Po kujt i ka premtuar Zoti fitore dhe sukses?! U ka premtuar atyre që kanë besuar dhe kanë bërë punë të mira, pasi Zoti thotë në Kuranin fisnik: “Zoti i ka premtuar të gjithë atyre që kanë besuar dhe kanë bërë punë të mira, se do t`i bëjë mëkëmbës në këtë tokë, siç i bëri edhe paraardhësit e tyre dhe do të bëjë që feja e tyre të triumfojë dhe do t`ua kthejë frikën në siguri dhe në qetësi”.
Muslimanët sot kanë frikë dhe nuk e shohin fenë e tyre të ecë përpara. Ata nuk janë të parët e vendit. Këtë e dinë të gjithë dhe nuk ka nevojë për shpjegim. Atëherë a do të vijë dita, kur premtimi i Allahut të bëhet realitet? Po vallahi, do të vijë më lejen e Zotit, sepse premtimi i Zotit është i vërtetë dhe nuk kthehet mbrapsht, por me kusht që muslimanët të besojnë dhe të bëjnë punë të mira. Pasi t`i bëjmë këto, të gjithë do ta shikojmë se premtimi i Tij është shumë afër.
Puna e mirë është ajo që realizon premtimin e Zotit, puna e mirë është rruga për në xhenet, pasi Zoti thotë në Kuranin fisnik: “Pronarët e xhenetit janë ata, që kanë besuar dhe kanë bërë punë të mira
 
Profeti (a.s) i përmendte shumë herë tregimet dhe shembujt, që njerëzit ta preknin besimin. Ai (a.s) tha njëherë: “Në popujt që ishin përpara jush dolën tre shokë nga shtëpitë e tyre dhe morën një udhëtim së bashku, por i zuri nata në rrugë. U strehuan në një shpellë që të kalonin natën. Kur u zgjuan, panë që hyrja e shpellës ishte bllokuar nga një shkëmb i madh. Provun ta lëvizin shkëmbin më forcë, po nuk ia dolën dot. Atëherë e panë se mund të dilnin që aty vetëm me ndihmën e Zotit. Dikush tha: “O vëllezër s`do të dalim këtej pa ndihmën e Zotit, prandaj t`i lutemi Atij me punën më të mirë që mbani mend në jetën tuaj”. I pari tha: “O Zot. Unë e kisha bërë ligj, që sa herë milja qumështin, në fillim ushqeja prindërit me të dhe pastaj u jepja fëmijëve dhe gruas time. Njëherë u vonova pak dhe kur shkova t`u çoj qumështin prindërve, pashë se i kishte zënë gjumi. Atëherë prita me orë të tëra, që t`u dilte gjumi. Fëmijët më tërhiqnin nga këmbët, sepse donin të pinin qumësht, por unë nuk e prisha ligjin tim. Pasi u zgjuan prindërit e mi, unë u dhashë të pinin qumësht dhe pastaj ushqeva fëmijët e mi. O Zot! Nëse këtë e kam bërë për hatrin Tënd, atëherë të lutem na nxirr prej këtej”. Shkëmbi lëvizi pak, megjithatë ata nuk dilnin prej andej, por e kuptuan se puna e mirë e lëviz edhe shkëmbin nga vendi. Atëherë personi i dytë tha: “O Zot! Unë kam pasur një njeri të afërt, që nuk i kishte prindërit. Erdhi dhe më kërkoi borxh. Unë i kërkova asaj nderin. Ajo nga halli m`u dorëzua, por në momentet kur unë do të bëja gjynah, ajo më tha: “A nuk e ke frikë Zotin në këto momente? Mos e shfrytëzo dobësinë time”. Atëherë menjëherë u largova prej saj, i dhashë paratë dhe i thashë: “Hallall e ke këtë pasuri dhe kërkoji Zotit të më falë mua”. O Zot, nëse këtë punë e kam bërë vetëm për hatrin Tënd, atëherë na nxirr prej këtej”. Shkëmbi lëvizi edhe ca, por përsëri ata nuk dilnin dot. I erdhi radha të tretit, i cili tha: “O Zot! Unë kam pasur shumë punëtorë. Një prej tyre punoi një ditë dhe iku pa marrë hakun e tij. Hakun e këtij personi e futa në tregti dhe u shtua aq shumë, saqë u bë një kope me deve, lopë e dele, që mbushte një luginë të tërë. Pas shumë vitesh ky punëtor vjen tek unë dhe më thotë: “Kam ardhur të marr hakun tim”, ndërsa unë i thashë: “Unë hakun tënd e futa në tregti dhe çfarë të shikojnë sytë është haku yt, prandaj merre gjithë këtë kope. Ai i mori të gjitha dhe iku pa thënë as faleminderit, por mua nuk m`u prish zemra. O Zot! Nëse këtë punë e kam bërë vetëm për hatrin Tënd, atëherë na nxirr prej këtej”. Shkëmbi lëvizi, hyrja e shpellës u lirua dhe të tre shokët dolën jashtë, duke falenderuar Zotin”.
 
Kjo është puna e mirë, e cila ia zgjidh njeriut hallet në këtë botë dhe ia lehtëson llogarinë në botën tjetër. Që një punë të jetë e mirë, ka dy kushte:
1-. Puna nuk duhet të jetë siç të pëlqen ty, por duhet të jetë në përputhje me fenë e Zotit.
2- Punën duhet ta bësh vetëm për hatër të Zotit, as për interes e as për tu dukur. Nëse Zoti ta nxjerr dhe e shohin njerëzit e tjerë, nuk ka problem nëse zemra jote është e qetë.
 
Dijetarët e parë, të cilët deshën t`ia tregojnë popullit fenë me shembuj, kanë treguar një histori. Mund ta quash atë përrallë, legjendë apo çfarë të duash, por mundohu të mësosh prej kësaj historie. Thonë që një mbret kishte katër gra. Ishte aq shumë i lidhur pas gruas së katërt, saqë mundohej të plotësonte çdo dëshirë të saj. Gruan e tretë e donte shumë, por kishte frikë se ndoshta një dtë ajo mund ta tradhtonte e të shkonte tek një mbret tjetër. Me gruan e dytë këshillohej gjithmonë dhe kërkonte ndihmën e saj. Ndërsa gruan e parë e kishte lënë pas dore, ndoshta ngaqë i dukej e vjetër dhe pa vlerë, por në fakt ajo ishte më besnikja. Ishte pikërisht ajo, që ia ruante mbretërinë këtij mbreti. Kur mbretit i afrohet vdekja, ai thërret gruan e katër, të cilën e deshte më shumë dhe i thotë: “A vjen me mua bashkë në varr, se kam frikë e nuk rri dot vetëm”?! Ajo i thotë: “Jo, vetëm në varr nuk futem dot, sepse unë kam frikë nga vdekja”. Atëherë mbreti kërkoi ndihmën e gruas së tretë, të cilën e donte, por kishte frikë se mos e tradhtonte. Gruaja e tretë i tha: “Jeta është e gjatë, Pasi të vdesësh ti, unë dua të vazhdoj të jetoj, prandaj nuk të ndihmoj dot”. Kur e pa se s`kishte ç`të bënte, mbreti kërkoi ndihmën e gruas së dytë, e cila i tha: “Maksimumi që mund të bëj për ty, është të të përcjell deri tek varri, por në varr me ty nuk futem dot”. Kur mbreti mbeti i dëshpëruar pa asnjë ndihmë, ashtu siç ishte i mërzitur, dëgjoi një zë të mekur e të dobët, që po i thoshte: “Unë o mbret do të vij me ty dhe nuk do të të le vetëm”. Ishte gruaja e parë, e rreckosur dhe e kërrusur. Atëherë mbreti tha: “Si nuk e paskam ditur kush ka qenë besnikja. U dhashë këtyre të trejave gjithë jetën time dhe më braktisën, ndërsa ty që të lashë pas dore, do që të vish me mua në varr. Nëse Zoti ma kthen jetën edhe një herë, ty do të të jap hakun që të takon”.
 
Këtu mbaron kjo histori, por historia jonë fillon këtu. Të gjithë ne jemi ai mbret dhe jemi të lidhur në këtë botë pas katër gjërave.
Gruaja e katërt simbolizon trupin tonë, dëshirat dhe pasionet e kësaj jete. Njeriu është shumë i dhënë pas tyre dhe jep gjithçka për to, por kur u kërkon atyre që të shkojnë me të në varr, ato refuzojnë.
Gruaja e tretë simbolizon pasurinë tonë dhe bukurinë e kësaj bote. Ne e duam shumë atë, por kemi frikë se mos e humbasim. Ndërsa me vdekjen tonë, ajo nuk vjen me ne, por shkon tek dikush tjetër dhe kështu jeta vazhdon. Bukuria e saj do të mashtrojë edhe shumë njerëz të tjerë.
Gruaja e dytë simbolizon njerëzit tanë më të afërt, miqtë e shokët. Ata na kanë qëndruar gjithmonë afër e na kanë këshilluar, por kur vjen puna tek vdekja, të përcjellin deri tek varri dhe nuk vijnë me ty.
Gruaja e parë simbolizon punën tonë. Ajo na shoqëron gjatë gjithë jetës. Nëse e ke mbajtur mirë, ajo është e hijshme dhe e bukur, por nëse e ke lënë pas dore, ajo është e rreckosur. Sidoqoftë në fund të fundit ajo nuk të lë vetëm dhe vjen me ty edhe në varr. Përderisa nuk na ka ardhur vdekja, le ta mbajmë afër punën tonë, veten tonë, se vetëm ajo do të jetë me secilin prej nesh. Më gjithë dashurinë dhe respektin që kanë ndaj nesh, as gruaja, as fëmijët, as njerëzit më të afërt nuk vijnë në varr as me ty dhe as me mua. Profeti (a.s) thotë për punën: “Është e vetmja që hyn në varrin e njeriut. Nëse ka qenë punë e mirë, ajo i jep njeriut rehati dhe qetësi në varr. Nëse ka qenë punë e keqe, ta shton stresin dhe sikletin në varr”. Mos iu anko askujt. Ajo është puna jote, është prodhim i duarve të tua. Nëse është e mirë, falendero Zotin, nëse është e keqe, mos iu qaj askujt përveç vetes tënde.
 
E lus Zotin t`i falë gjynahet dhe gabimet tona. Zoti na mundësoftë të bëjmë punë të mira dhe të sinqerta, që i pranon Zoti dhe me to na lehtëson hallet e kësaj bote dhe na lehtëson llogarinë në botën tjetër. Zoti e bëftë punon tonë të mirë shkak që të hyjmë në mëshirën dhe në xhenetet e Zotit. E lus Allahun (xh.sh) të na e tregojë rrugën e  drejtë siç është ajo e të na japë forcë ta ndjekim atë, të na e tregojë rrugën e keqe siç është ajo e të na japë forcë t`i largohemi asaj. Zoti na mundësoftë të bëjmë punë të mira dhe na bëftë shkak që të tjerët të udhëzohen. O Zot na mundëso të jetojmë si muslimanë, ta japim shpirtin si besimtarë dhe të ringjallemi bashkë me profetin (a.s).
                                                                                                                                                                A M I N

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free