Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Zemerbutesia dhe elasticiteti

Është synim dhe qëllim i të gjithëve që të kalojnë një jetë të lumtur në këtë botë. Që ta bëjmë më të prekshme lumturinë, do të shtrojmë një pyetje: A jeni person i lehtë dhe elastik, apo jeni person i vështirë dhe me komplekse? Vallë a reagoni ashpër kur dikush gabon me ju? Sa herë jeni zënë me njerëzit e tjerë? A prireni nga lehtësimi i gjërave, apo nga vështirësimi dhe koklavitja e tyre? A silleni me butësi me veten dhe me njerëzit e tjerë, apo jeni i ashpër dhe i dhunshëm si me veten ashtu dhe me të tjerët? Vallë sa padi keni ngritur ndaj të tjerëve? Sa herë në javë ziheni me njerëzit? Kur hyni në shtëpi, a gëzohen familjarët për ardhjen tënde, apo stresohen dhe sikletosen? Po çështjet e fesë, a i bëni më të lehta për veten dhe njerëzit, apo i vështirësoni dhe koklavitni gjërat?
Përgjigja e drejtë e këtyre pyetjeve, është burim i lumturisë apo jetës plot vuajtje. Personi i lehtë dhe elastik, gëzon një jetë të lumtur dhe të paqtë, ndërkohë që personi i vështirë, vuan dhe nuk ndihet kurrsesi i lumtur. Personi i vështirë dhe i ashpër është i prirur të thyejë dhe të shkatërrojë gjithçka. Si përfundim, ai nuk mund të ketë një jetë të lumtur dhe të qetë.
Antonimi i personit të lehtë, zemërbutë dhe elastik është: Person me komplekse, strikt, i vështirë, priret që gjithçka ta ngushtojë dhe vështirësojë, fut hundët kudo, është ekzagjerues në gjithçka, keqkuptues etj… A i ke cilësi të tilla ti, o vëlla dhe oj motër?
Profeti Muhamed (a.s.) e përshkruan besimtarin me fjalët: “Besimtari është i butë, i thjeshtë dhe i kollajtë.”
Transmeton Abdullah ibnu Mesudi, se Profeti (a.s.) i pyeti një ditë: “A e dini cilët njerëz nuk i djeg zjarri?” Kur të pranishmit e pyetën kush ishin ata, Profeti (a.s.) u përgjigj: “Zoti ia ka ndaluar zjarrit të djegë çdo njeri të butë, të thjeshtë dhe të kollajtë.” (Tirmidhij)
Vallë me sa pikë e vlerëson elasticitetin tënd nga dhjetë?
Shpeshherë, personaliteti i vështirë shoqërohet dhe me mendjemadhësi, e cila në Islam është e dënueshme. Profeti (a.s.) ka thënë: “Nuk hyn në xhenet një njeri që ka sadopak mendjemadhësi.”
Në raste të tilla, mungesa e elasticitetit dhe vështirësimi i gjithçkaje, lind nga sëmundje të tilla si mendjemadhësia dhe zilia. Nëse kërkon të jetosh i lumtur dhe ta shijosh jetën, duhet të jesh elastik dhe fleksibël me njerëzit.
Ka njerëz që bëjnë lëshime dhe demonstrojnë elasticitet në çështje dytësore, me qëllim që t’u përmbahen çështjeve parësore. Ka njerëz që nuk e pranojnë divorcin thjesht sepse kanë mosmarrëveshje në çështje dytësore. Ndërkohë që ka të tjerë që divorcohen për gjërat më banale dhe të thjeshta.
Në marrëveshjen e Hudejbijes, Profeti (a.s.) synonte një periudhë paqeje me kurejshët për jo më pak se dhjetë vite. Një armëpushim i tillë, do të ishte në favorin e myslimanëve dhe të thirrjes islame. Ishte pikërisht kjo kërkesë ajo të cilën e parashtroi Suhejl ibnu Amr, i cili përfaqësonte mekasit. Por kjo marrëveshje kaq e rëndësishme, përmbante disa pika dytësore, me të cilat nuk pajtoheshin një pjesë e myslimanëve. Kur marrëveshja po hidhej në letër, ishte Profeti (a.s.) ai që ia diktonte Aliut. Teksa filloi të shkruante siç ia diktonte Profeti (a.s.): “Me emrin e Zotit Mëshiruesit Mëshirëbërësit…” Suhejli ndërhyri menjëherë dhe i tha: “Prit, kush është ky Mëshiruesi dhe Mëshirëbërësi? Jo, shkruaj vetëm: “Me emrin tënd, o Zot!” Aliu refuzoi ta fshinte “Mëshiruesi dhe Mëshirëbërësi”, por Profeti (a.s.) i kërkoi që ta fshinte. Duke qenë se ishte i fokusuar në diçka parësore dhe shumë të rëndësishme për myslimanët, Profeti (a.s.) bënte lëshime dhe tregohej fleksibël në pikat dytësore.
Pasi Aliu e fshiu, Profeti (a.s.) filloi t’i diktonte pjesën tjetër të marrëveshjes: “Kjo është ajo që Muhamedi, i dërguari i Zotit…” Por përsëri Suhejli ndërhyri dhe i tha: “Kush të ka thënë se je i dërguari i Zotit? Sikur ta besonim se je i dërguari i Zotit nuk do të të luftonim. Shkruaje emrin tënd dhe të babait tënd!” “Po – ia ktheu Profeti (a.s.) dhe iu drejtua Aliut dhe i tha: “Fshije o Ali!” Por Aliu iu përgjigj: “Për Zotin nuk e fshij kurrë.”
Atëherë Profeti (a.s.) e pyeti se ku ishte ajo fjalë (pasi nuk dinte lexim). Pasi Aliu ia tregoi, Profeti (a.s.) e fshiu me gishtin e tij fisnik.
Një nga njerëzit e ditur, shkruan një libër me titull “Libri i kundërshtive” ku kishte koleksionuar të gjithë meselet e fikhut, për të cilat dijetarët myslimanë kishin mendime të ndryshme. Këtë libër, ai ia dërgoi imam Ahmed ibnu Hanbelit ta shihte, i cili pasi e lexoi, ia ktheu: “Përse nuk e ke titulluar “Libri i hapësirave?”
Imam Ahmedi, mendonte se kur njeriu fillon të falet si imam në namaz, ku i duhet të lexojë me zë të lartë, fjalët “Bismil-lahi Rrahmani Rrahim” t’i citojë me zë të ulët, pastaj ta ngrejë zërin në leximin e Kuranit. Megjithatë, ai i këshillonte nxënësit e tij të  cilët udhëtonin drejt Medinës, që atje bismil-lahin ta lexonin me zë të lartë si Kuranin, pasi banorët e Medinës mendonin që duhej lexuar me zë të lartë.
Kur imam Shafiu vajti në xhaminë ku kishte dhënë mësim Ebu Hanifeja, u fal siç falej Ebu Hanifeja. Dikush e pyeti nëse kishte ndërruar mendim dhe ai u përgjigj: “Jo, por e bëj si shenjë respekti për burrin që ka dhënë mësim në këtë xhami.”
 
Lehtësimi në komunikimin me njerëzit
Vallë si sillemi me njerëzit me të cilët na lidh familja, miqësia dhe të gjithë njerëzit e tjerë? Lidhur me komunikimin me njerëzit, Aisheja, gruaja e Profetit (a.s.) na rrëfen një rregull të rëndësishëm. Ajo thotë: “Sa herë që i dërguari i Zotit ndodhej përballë dy alternativave, zgjidhte më të lehtën, përderisa nuk ishte gjynah.” (Muslimi)
A e ke të mundur që këtë hadith ta përjetosh në çdo hap të jetës tënde? A e ke të mundur që t’ua lehtësosh gjërat njerëzve dhe të mos bësh të kundërtën?
Profeti (a.s.) ka thënë: “Njerëzit më të ligj, janë ata që ua sjellin ngushtë familjarëve.”
Të pranishmit e pyetën: “E si ua sjell ngushtë familjarëve?” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Sa herë që hyn në shtëpi, tmerrohet e shoqja, ia mbathin fëmijët dhe merr arratinë shërbëtori i tij.”
Mandej, Profeti (a.s.) vijoi: “Kurse njerëzit më të mirë, janë ata që sa hyjnë në shtëpi, gëzohet familja, gëzohet fëmija dhe gëzohet shërbëtori i tij.”
Po ti, o vëlla dhe oj motër, cilës nga dy kategoritë i përket? Nëse i përket kategorisë së dytë, ti je një njeri i lumtur dhe i gëzuar. Ka prindër të cilët nuk dinë tjetër, veçse t’ua sjellin në majë të hundës fëmijëve të tyre. Sa herë që fëmijët shprehin dëshirën për diçka, përballen me refuzimin e prindërve. Sa herë që shprehin dëshirën të anëtarësohen në një klub sportiv, të shkojnë në pishinë, të luajnë futboll me shokët etj... prindërit kundërshtojnë.
Lidhur me tolerimin në shitblerje, Profeti (a.s.) ka thënë: “Zoti e mëshiroftë një rob zemërgjerë, sa herë që shet, blen apo jep me qira.”
“Zoti e mëshiroftë një rob zemërgjerë, gjykatës qoftë apo i gjykuar.”
“Tregues i bereqetit të një femre, është lehtësimi i martesës dhe vlera e ulët e prikës.”
Sa herë që të ndodhesh mes dy alternativash, zgjidh atë më të lehtën, përderisa nuk është gjynah. Është pikërisht kjo zgjedhja që e kënaq Zotin më shumë, pasi vepron sipas traditës profetike.
 
Lehtësimi në çështjet e fesë
Lidhur me këtë pikë, i dërguari i Zotit (a.s.) ka thënë: “U shofshin ekstremistët!”
“Kjo fe është e rëndë, prandaj merreni gradualisht.”
Abdullah ibnu Mesudi ka treguar: “Nuk e kam parë të dërguarin e Zotit të zemërohet me dikë më shumë seç zemërohej me ekstremistët.”
Ndonjëherë, shumë prej nesh mendojnë se ekstremistët përfaqësojnë shtresën që e zbatojnë fenë më mirë sesa pjesa tjetër. Në fakt, feja dhe Zoti kërkojnë prej nesh lehtësimin dhe jo vështirësimin e gjërave.
Disa njerëz mendojnë se me gjynahqarët duhet të tregohemi të rreptë, ndërkohë që Profeti (a.s.) sillej me butësi me ta. Kurse me njerëzit ekstremistë, ai tregohej i rreptë.
Kur dikush e la namazin me xhemat, për shkak se Muadh ibnu Xhebel – imami – falej me sure të gjata, Profeti (a.s.) u zemërua dhe iu drejtua Muadhit: “A provokues je ti, o Muadh?! Kur të falesh si imam, falu me sure të shkurtra!”
Një herë, një beduin hyri në xhami dhe në një qoshe të saj filloi të urinojë. Myslimanët kur e panë u revoltuan dhe nisën t’i japin një mësim të mirë. Por Profeti (a.s.) ndërhyri dhe u tha: “Lëreni! Ju jeni dërguar si lehtësues dhe jo vështirësues! Pasi të përfundojë, pastrojeni vendin me një kovë ujë.”
Përse të mos e konceptojmë fenë ashtu siç e konceptonte vetë i dërguari i Zotit? Përse duhet ta vështirësojmë atë, ndërkohë që Zoti dhe i dërguari i Tij e kanë lehtësuar dhe thjeshtësuar?
Tre persona vajtën në shtëpinë e Profetit (a.s.) dhe pyetën gratë e tij mbi adhurimin që bënte. Gratë u treguan gjithçka mbi adhurimin e Profetit (a.s.) dhe atyre sikur iu duk pak. Njëri prej tyre tha: “Atij i janë falur gjynahet e kaluara dhe të ardhmet, kurse ne nuk e kemi këtë privilegj, prandaj, unë do të falem gjithë natën dhe kurrë nuk do të fle.” I dyti tha: “Unë do të agjëroj gjithë kohën.” Kurse i treti tha: “Unë nuk do të martohem kurrë që mos të më marrë kohën e ibadetit.”
Një qëndrim i tillë është qëndrim i ekstremistëve në fe. Kur e dëgjoi këtë i dërguari i Zotit (a.s.) u zemërua dhe tha: “Kam dëgjuar se dikush prej jush ka vendosur të falet dhe të mos flejë natën, një tjetër ka vendosur të agjërojë gjithë jetën dhe një tjetër ka vendosur të distancohet nga jeta familjare. Për Zotin, unë jam njeriu që i frikësohem më së shumti Zotit dhe jam më i devotshmi. Megjithatë, unë falem natën dhe fle, agjëroj disa ditë dhe ushqehem ditët e tjera dhe martohem. Kush distancohet nga tradita ime, nuk është prej meje.” Ekstremistët nuk ecin në gjurmët e profetit Muhamed (a.s.).
Në Islam gjenden hapësira të bollshme, me qëllim që njerëzve t’u krijohen kushtet optimale për praktikimin e fesë. Që nga koha e Profetit (a.s.) gjer në ditët e sotme, ekzistojnë mendime të ndryshme lidhur me distancën e shkurtimit të namazit në udhëtim. Të gjitha opsionet e paraqitura nga dijetarët, janë të bazuara në jetën e Profetit (a.s.) dhe kjo me qëllim që njerëzve t’u krijohen hapësirat optimale për praktikimin e fesë.
Feja dhe dispozitat e saj, nuk janë për t’ia nxirë jetën njeriut, por për ta bërë jetën e tij më të lumtur dhe më të paqtë. Zoti thotë në Kuran: “Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), që të vuash.” (Taha, 2)
Feja, në thelb është lehtësim dhe jo vështirësim.
Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Feja më e mirë, është më tolerantja. Ju jeni umet nëpërmjet të cilit synohet lehtësimi.”
Shumë prindër vendosin kritere dhe kushte të shumta për djalin që do të kërkojë vajzën e tyre, apo për nusen që duan për djalin. Duke qenë se nuk ekzistojnë vajza/djem që i plotësojnë ato kritere, fëmijët e tyre mbeten pa martuar dhe ç’është më e keqja, përdorin mënyra alternative në haram.
Ngado që ta studiosh Islamin, do të gjesh se është i lehtë dhe i kollajtë, si për t’u konceptuar ashtu dhe për t’u praktikuar. Nëse marrim kredon (akiden) shohim që thelbi i saj është adhurimi i një Zoti të vetëm. Zoti thotë në Kuran:
“E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.” (Bejine, 5)
Vetë falja pesë herë në ditë e namazit, përmban lehtësira të shumta, sipas kushteve dhe rrethanave. Po kështu, rituali i Haxhit, agjërimit etj...
Zoti thotë në Kuran: “Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj.” (Haxh, 78)
“Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” (Bekare, 185)
Lidhur me namazin e teravive gjatë Ramazanit, Profeti (a.s.) i fali bashkërisht me myslimanët e tjerë dy-tre ditët e para. Por nga frika se mos obligohen me këtë namaz, netët e tjera ai u fal vetëm.
Kur myslimanët morën Mekën, Profeti (a.s.) hyri brenda ndërtesës së Qabes dhe fali dy rekate. Kur doli, dukej i mërzitur dhe Aisheja e pyeti mbi shkakun. Ai u përgjigj: “Kam frikë se do t’i lodh myslimanët me këtë që veprova. Do të doja të mos kisha hyrë.” (Imam Tirmidhij)
Pra, ai frikësohej se mos myslimanët pas tij do të mendonin se është obligim të hysh brenda në Qabe për këdo që viziton këtë vend të shenjtë, gjë e cila do të shkaktonte rrëmujë dhe probleme.
Një herë tjetër, sa herë që bënte një tavaf, Profeti (a.s.) gurin e zi e përshëndeste me dorë. Ndërkohë që herët e tjera ai shkonte dhe e puthte atë. Kur u pyet mbi shkakun, u tha: “Që myslimanët të mos kujtojnë se është detyrë puthja e gurit të zi.”
Imagjinoni sa vështirë do të ishte sot puthja e gurit të zi, ku numri i haxhilerëve është me miliona.
Profeti (a.s.) ka thënë: “Shpeshherë, filloj të falem me nijetin të lexoj sure të gjata. Por kur dëgjoj të qarat e foshnjave, e shkurtoj namazin, ngaqë më vjen keq për nënat e foshnjave.”
Kjo, ndërkohë që ne sot i kritikojmë nënat se pse i marrin foshnjat dhe fëmijët në xhami.
Shokët e Profetit (a.s.) kanë thënë: “I dërguari i Zotit na këshillonte herë pas here (dhe jo gjithmonë), nga frika se mos mërziteshim.”
Kur Profeti (a.s.) ligjëronte ditën e xhuma, nuk e zgjaste që të bëhej e mërzitshme.
Sa herë që në Medinë binte shi i rrëmbyeshëm, ai nxirrte një tellall, i cili u bënte thirrje myslimanëve të faleshin në shtëpitë e tyre.
Përse të mos ndjekim gjurmët e të dërguarit të Zotit dhe t’ua lehtësojmë njerëzve fenë dhe çështjet jetësore?
“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Teube, 128)
Sot ka të rinj myslimanë që i largojnë njerëzit nga feja dhe e bëjnë fenë të urryer për ta. Shumë njerëz sot e shohin fenë si një barrë të rëndë dhe diçka të vështirë.
Ashtu siç ka shumë të tjerë, të cilët janë shembull i mirë që njerëzit ta duan fenë dhe ta pëlqejnë atë, duke e përqafuar dhe praktikuar në jetën e tyre. Po ti o vëlla dhe oj motër, cilës kategorie i përket?
Një epror, i cili i rreshton vartësit e tij në rreshta, i kritikon, u çirret dhe u kërkon qiqra në hell, le të përdorë lehtësimin dhe jo vështirësimin e gjërave. Ajo grua e cila sa i vjen i shoqi i parashtron lista me kërkesa, le të jetë më tolerante dhe zemërgjerë. Ata të rinj myslimanë, të cilët nuk dinë fjalë tjetër, përveçse “haram” le t’i frikësohen Zotit dhe t’ua bëjnë fenë njerëzve me të lehtë.
 
Si të bëhem person tolerant dhe elastik?
1 – Lexo sa më shumë mbi profetin Muhamed (a.s.). Sa më shumë ta njohësh atë, aq më shumë të shtohet bindja se i dërguari i Zotit (a.s.) ka qenë tolerant dhe elastik. Lexo librin “Gjurmëve të të dashurit tonë” dhe do të shohësh që idetë ekstreme nuk kanë vend në fenë tonë.
Profeti (a.s.) ka thënë: “Ju jeni umet nëpërmjet të cilit synohet lehtësimi.”
“Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” (Bekare, 185)
 
2 – Ushtroje veten për njëzet e një ditë, të jesh tolerant dhe elastik. Sa herë të ndodhesh mes dy alternativave, ajo që do ta kënaqte më shumë Profetin (a.s.), është alternativa më e lehtë.
 
3 – Zgjidh një shok të mençur dhe kërkoji të të udhëzojë dhe të të ndihmojë të jesh sa më tolerant dhe elastik.
Që sot bëje nijet të jesh tolerant me të tjerët, që t’i udhëzosh tek më e lehta dhe se do të luftosh ekstremizmin si në fe ashtu dhe në jetë.
 


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free