Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ramazani muaj i ndryshimit

Muaji i madhëruar i Ramazanit, konsiderohet ndryshe edhe si muaj i ndryshimit. Po çfarë ngjet me ne përgjatë një muaji agjërim?

1 – Riprogramim i përgjithshëm i trupit.

Psikologët dhe studiuesit pohojnë se çfarëdo sjelljeje që përsëritet nga 6 deri 21 herë, mund të shkaktojë ndryshim rrënjësor në jetën e njeriut. Gjatë muajit të Ramazanit, myslimani agjëron 29-30 ditë, që do të thotë një ndryshim real në jetën e tij. Vazhdimi i agjërimit, i cili është një ritual sublim për 30 ditë, ku myslimani nuk ushqehet nga agimi në perëndim të diellit duke mos ngrënë, pirë, sharë dhe vepruar vepra të liga, sigurisht që përbën një riprogramim të suksesshëm.

Prandaj, një mysliman që agjëron një muaj të plotë, gëzon shëndet psikologjik më të mirë se ai që agjëron 60 apo 600 ditë në mënyrë të shkëputur. Kjo nuk e zhvlerëson agjërimin në mënyrë të shkëputur, pasi edhe agjërimi i një dite të vetme ka dobi të pallogaritshme. Por ne po flasim për dobitë e agjërimit të pashkëputur në programimin psikologjik të njeriut, gjë e cila i garanton vazhdimësi të sjelljeve pozitive. Për këtë, shohim që Islami e ndalon të ushqyerit gjatë Ramazanit nëse nuk ka ndonjë arsye për këtë dhe se personi që e prish një ditë Ramazani, nuk e kompenson dot atë edhe sikur të agjërojë gjithë jetën.

2 - Vendim marrja

Një karakteristikë tjetër e këtij muaji është se i mëson myslimanit si të marrë vendime. Një nga problemet e shumë njerëzve është se nuk marrin dot vendime. Një person konsiderohet me personalitet të fortë, nëse është i aftë të marrë vendime. Ndërkohë, një person me karakter të dobët, e ka të vështirë të marrë vendime, ai heziton dhe luhatet në çdo gjë. Luhatja dhe hezitimi jo vetëm që formojnë individë të dobët, por shkaktojnë dhe sëmundje dhe çrregullime psikologjike dhe fizike. Shumica e gjërave në jetë bazohen në vendimet tona, sado të thjeshta të jenë. Në çdo sekondë, na duhet të marrim një vendim, si lëvizja e dorës, e këmbës, rrahja e zemrës etj... këto janë vendime që mendja jonë i merr në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme çdo sekondë e minutë. Të hezitosh dhe të luhatesh në çështje të tilla, do të thotë ti shkaktosh vetes një sërë problemesh psikologjike dhe fizike. Një nga problemet fizike është rrahja e zemrës në mënyrë të çrregullt, e për rrjedhojë kemi mosfunksionim të plotë të zemrës dhe qarkullimit të gjakut. Kjo, sepse zemra pompon gjak në të gjithë trupin dhe çrregullimi i pompimit për shkak të hezitimit, bën që qelizat mbrojtëse të mos e kryejnë rolin e tyre siç duhet, duke hezituar në luftën kundër infeksioneve, viruseve dhe qelizave kancerogjene.

Por në këtë artikull, ne duam të fokusohemi kryesisht në ndikimin psikologjik, pasi lidhur me dobitë fizike të agjërimit gjenden shumë materiale.

Gjatë Ramazanit, agjëruesi mësohet ti qëndrojë korrekt qëllimit dhe nijetit të tij me këtë akt, e për rrjedhojë ai mësohet të marrë vendime, gjë e cila është fuqi dhe vendosmëri në vetvete. Sa herë që agjëruesi e përtërin nijetin e tij dhe merr vendim për të agjëruar nga syfyri gjer në iftar, aq më shumë e forcon aftësinë e tij për vendim marrje.

3 – Arritjet.

Në këtë muaj të bekuar, njeriu mësohet me arritje. Shumica e njerëzve duan të mbyllin sytë dhe kur ti hapin gjërat të kenë ndryshuar për mirë. Ata duan ti zgjidhin hallet e problemet e tyre për disa orë. Ata shkojnë tek doktori dhe i kërkon një recetë magjike e cila ta nxjerrë nga ferri në të cilin jeton, në parajsën e ëndërruar.

Para se gjithash, duhet ditur se aftësia për ndryshim është diçka të cilën Zoti e ka instaluar brenda nesh. Thotë Zoti në Kuran:”Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa të ndryshojnë vetet e tyre.” Prandaj, hapi i parë i arritjes është brenda vetes tënde. Ka njerëz të cilët kanë bërë miliona, kanë ndërtuar vila e pallate pafund, por mbeten njerëz të dobët dhe të vuajtur. Me vdekjen e tyre vdiq gjithçka e tyre. Ndërkohë, Ramazani i mëson njeriut arritjen e vërtetë. Gjatë tridhjetë ditëve, agjëruesi agjëron ditën dhe falet natën. Në fund të muajit, ai ndjen se ka arritur diçka të madhe dhe të dobishme, ndjen se ka korru diçka me vlerë. Fillimisht, njerëzit ndihen të entuziazmuar, por me kalimin e ditëve ky entuziazëm fillon u fishket. Por Ramazani, përveçse na bën të ndjejmë se kemi arritur diçka, na forcon vullnetin dhe vendosmërinë.

Shohim që myslimani gjatë dhjetë ditëve të fundit i shton përpjekjet për vepra të mira, falet më shumë gjatë natës dhe ditës, lexon Kuran, hyn në itikaf etj... Sa më shumë që afrohet fundi i Ramazanit, aq më shumë shtohen veprat e mira, sidomos natën e Kadrit dhe natën e fundit të agjërimit. Në koleksionin e imam Buhariut, citohet dhe hadithi ku Profeti a.s thotë:”Zoti i fal të gjithë natën e fundit.” Dikush i tha:”O i dërguar i Allahut! Do të thuash natën e Kadrit?” Profeti a.s u përgjigj:”Jo, por një vepruesi i jepet haku me të përfunduar punën.”

4 – Thyerja e rutinës

Njeriu mësohet të flejë dhe të zgjohet, shkon dhe kthehet nga puna, han dhe del për të bërë Pazar në një kohë të caktuar. Me ardhjen e muajit të Ramazanit, ndryshojnë shumë gjëra duke e thyer rutinën dhe jetën monotone të përditshme. Studiuesit kanë një mendim pothuaj unanim lidhur me kreativitetin, të cilin e përkufizojnë si dalje nga rutina, si diçka që thyen të zakonshmen. Njeriu i çdo kohe dhe sidomos i kohëve tona, ka nevojë për kreativitet, ripërtëritje dhe thyerje të monotonisë. Dalja nga rutina dhe thyerja e monotonisë është një element shumë i rëndësishëm për triumfin ndaj stresit dhe presioneve të jetës. Ripërtëritja duhet të jetë pjesë e agjendës tënde ditore, javore, mujore dhe vjetore.

Ndryshimi dhe ripërtëritja është një ndër karakteristikat e këtij muaji të shenjtë, madje do të thoja ndër karakteristika e fesë tonë. Me të përfunduar Ramazani, vjen fitër bajrami, për disa muaj vjen Haxhi e menjëherë pas tij kurban bajrami. Kjo, me qëllim që myslimani të mos zhytet në rutinë dhe monotoni vrasëse.

5 – Organizimi i kohës. Koha gjatë muajit të Ramazanit merr një dimension tepër të vyer, prandaj ajo duhet shfrytëzuar maksimalisht. Kështu, në një kohë të caktuar është imsaku, në një kohë tjetër është iftari. Shohim që disiplina dhe organizimi i kohës na shoqëron në çdo çast. Shumica e njerëzve nuk i kushtojnë rëndësi kohës dhe organizimit të saj, e për rrjedhojë shpërdorojnë dhe vetë jetën e tyre. Koha është jeta dhe jeta përbëhet nga ditë që kalojnë, e bashkë me to kalon dhe vetë jeta.

Pjesë e organizimit të kohës është dhe fakti që ne çelim iftar pikërisht në kohën që perëndon dielli, pa e vonuar qoftë dhe një minutë të vetme. Vetë Profeti a.s thotë:”Umeti im do të jetë mirë, përderisa shtyjnë syfyrin dhe shpejtojnë iftarin.”

Gjatë Ramazanit, i gjithë umeti mysliman pa përjashtim ulen në një kohë të caktuar përreth tavolinës së ushqimit, mandej i gjithë umeti distancohet nga ushqimi gjatë gjithë ditës, mandej çelin iftar, mandej rreshtohen në rreshta duke falur teravitë. Në çdo gjë shohim disiplinë dhe organizim mahnitës. Sigurisht, ka njerëz që nuk i përmbahen këtij rregulli, por problemi qëndron tek ta dhe jo tek muaji i shenjtë.

Ndryshimi është një çështje jetësore. E kush prej nesh nuk dëshiron ta ndryshojë nivelin e tij ekonomik, shkencor, social, familjar etj... për më mirë?.

Kriteret e ndryshimit:

1 – Dëshira. Për të ndryshuar, lipset të kesh dëshirë dhe vullnet. Të shumtë janë atë që duan të ndryshojnë, por thellë-thellë nuk janë të bindur për ndryshimin.

2 – Të dish si të ndryshosh. Sigurisht që ndryshimi duhet të bazohet në informacione të sakta.

3 – Zbatimi. Shumë njerëz kanë dëshirën dhe informacionin si të ndryshojnë, por nuk i vënë në zbatim dhe për këtë nuk ndryshojnë. Vetëm duke i zbatuar dhe vënë në jetë informacionet, mund të kemi rezultate pozitive. Ashtu siç ka dhe njerëz të cilët janë mjeshtër të zbatimit, i cili kërkon vendosmëri, këmbëngulje dhe dëshirë të flaktë.

4 – Ndryshimi vjen nga brenda dhe jo nga jashtë. Ai që e pret ndryshimin nga jashtë nuk do të ndryshojë kurrë. Zoti në Kuran thotë:”Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa të ndryshojnë gjendjen e tyre.”

Rregulli parësor i ndryshimit është që të ndryshimin ta presësh nga brenda vetes. Ata që frekuentojnë psikologë, hoxhallarë, fallxhorë e magjistarë, fillimisht u lipset një ndryshim rrënjësor i botës së tyre të brendshme.

5 – Vendosmëria. Shumica e njerëzve kërkojnë shkopin e Musait a.s apo unazën e Sulejmanit a.s duke dashur të ndryshojnë sa hap e mbyll sytë. Unë dua tu them këtyre se shkopi i Musait a.s dhe unaza e Sulejmanit a.s kanë humbur dhe nuk mund të gjenden.  Shkaku i vërtetë që shumë njerëz nuk shkojnë të konsultohen me psikologë dhe sociologë për problemet e tyre, është se e refuzojnë mundin që u duhet për të ndryshuar. Nëse dëshiron të ndryshosh realisht, ndrysho ashtu siç duhet. Gjithçka që të lipset, është vendosmëria dhe vullneti.

Metoda praktike për ndryshim

1 – Planifiko për gjithçka që dëshiron, përcaktoje qartë çfarë do të arrish gjatë këtij muaji të shenjtë.

2 – Vendos objektiva të qartë dhe planifiko me efikasitet. Mos harro se kush dështon në planifikim, ka planifikuar për dështim.

3 – Nëse nuk ke një plan të shkruar, nuk do të ketë rezultate konkrete. Hidhe në letër çfarë do të arrish, ji i sinqertë me veten tënde, tregoji vetes – teksa shkruan – se çfarë do të arrish dhe lexoje sa më shpesh.

4 – Shkruaj ato që dëshiron ti bësh, jo ato që nuk dëshiron ti bësh. Për shembull, mos shkruaj se nuk dëshiron të të humbasë namazi i mëngjesit me xhemat, apo se dëshiron ti heqësh qafe të gjithë problemet familjare. Por shkruaj se dëshiron të jesh korrekt me namazin e sabahut me xhemat dhe se dëshiron të kesh një jetë familjare të stabilizuar.

5 – Mos e ngarko veten me objektiva të shumtë, thjesht fokusohu tek disa objektiva të caktuar.

6 – Përforcoje dëshirën tënde për ndryshim.

7 – Kujto gjithmonë se dëshira është kriteri dhe kushti i parë për ndryshim. Pasi të kesh përfunduar seancën e planifikimit, ulu me veten për të konfirmuar dëshirën për ndryshim. Me qëllim që ta përforcosh idenë për ndryshim pyete veten: Përse dëshiron ta përmbushësh këtë objektiv? Për çdo objektiv dhe qëllim, shkruaj nga një shkak ose më shumë se një.

8 – Vendos standarde për planin dhe objektivat, duke iu përgjigjur pyetjes: Kur mund ta kuptoj se e kam realizuar objektivin?

9 – Memorizoje në pavetëdijen tënde atë që dëshiron të arrish. Pavetëdija është katalizatori që vë në lëvizje dhe menaxhon shumë gjëra nga jeta jote, është ajo që formon personalitetin tënd. Pavetëdija operon nëpërmjet dy gjërave:

a)   Atyre që janë tepër të qarta.

b)   Gjërave rutinë që i përsëriten.

Kjo do të thotë se një person që e di mirë se çfarë do, pavetëdija e orienton drejt objektivit dhe ia lehtëson procesin. Me qëllim që pavetëdija jote të ecë paralelisht me objektivin, lexoje çdo ditë planin e shkruar. Do ishte mirë që këtë ta bëjë në fillim, ose në fund të ditës.

10 – Lutu sa më shpesh, sidomos në kohët e pranimit të lutjeve, aq më tepër tani gjatë Ramazanit, i cili është muaj i pranimit të lutjeve. Kërkoji Zotit të të ndihmojë në realizmin e objektivave.

11 – Vlerëso veten pasi të ketë përfunduar muaji i shenjtë dhe pasi ta kesh vënë në zbatim planin tënd. Ulu me veten dhe bëji llogaritë e asaj që ke arritur. Nëse ke arritur 50 %, shkruaj një plan tjetër më të thjeshtë dhe filloja sërish pa u demoralizuar. Mos harro asnjëherë se ai që planifikon dhe nuk i përmbush ato që ka planifikuar, është më i mirë se ai që nuk planifikon fare, pasi ky i fundit nuk mbërrin asgjëkund.

Nëse ke arritur 51 % - 70 % kjo është një shenjë e mirë se je radhitur tek ata që i përmbushin dhe realizojnë planet e tyre. Në pak vite, do të realizosh gjëra që nuk i ke ëndërruar më parë. E nëse realizon mbi 70 % dije se hyn tek njerëzit e suksesshëm dhe ata që kanë arritjet e tyre në jetë. Gjithmonë pas çdo arritjeje, shpërbleje veten.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free