Pese majmunet
Një grup shkencëtarësh, morën pesë majmunë dhe i futën në një kafaz. Brenda kafazit, vendosën një palë shkallë dhe mbi to pesë banane. Sigurisht që majmunëve u shkoi goja lëng me të parë bananet, prandaj u turrën me vrap për ti marrë. Por, shkencëtarët i lagën me ujë të ftohtë akull. Sa herë që ndonjë majmun turrej drejt shkallës për të marrë bananet, zorra me ujë të ftohte e detyronte të kthehej mbrapsht. Pas disa ditësh, asnjërit nga majmunët nuk ia mbante të ngjitej në shkallë për të marrë bananet, edhe pse tundimi ishte shumë i madh teksa i shihnin mbi shkallë. Edhe kur ndonjëri se mbante dot veten, majmunët e tjerë e zhdëpnin në dru, pasi e dinin se do të lageshin me ujë të ftohtë. Ditët kalonin dhe asnjë majmun nuk guxonte as ti afrohej shkallws.Shkencëtarët vendosën që njërin nga pesë majmunët ta ndërrojnë me një majmun të ri. Me të hyrë brenda në kafaz, miku i ri u turr drejt shkallëve për të marrë bananet, por katër majmunët e tjerë iu hodhën sipër dhe e detyruan të kthehej mbrapsht. Sa herë që orvatej të ngjisë shkallët, majmunët e tjerë e rrihnin derisa dhe majmuni i ri iu nënshtrua ligjit, bananet nuk duhej të prekeshin.
Pas disa ditësh, shkencëtarët hoqën një majmun tjetër të vjetër dhe futën një majmun të ri dhe i njëjti reagim u përsërit nga katër majmunët e tjerë. Këtë herë, edhe majmuni i ri i pari, mori pjesë në konfrontimin fizik për ta ndaluar mikun më të ri tu ngjitet shkallëve. Ai e qëllonte majmunin më të ri, edhe pse nuk e dinte shkakun përse nuk duhet të ngjitej në shkallë.
Kështu vazhduan derisa i ndryshuan të gjithë majmunët e vjetër me majmunë të rinj. Tashmë, në kafaz ishin pesë majmunë të rinj të cilët asnjëherë nuk ishin lagur me ujë të ftohtë teksa orvateshin të ngjisin shkallët për të marrë bananet. Megjithatë, ata e rrihnin çdokënd prej tyre që nisej drejt bananeve.
Nëse do të ishte e mundur ti pyesnim se përse e rrihni majmunin që orvatet të ngjisë shkallët, padyshim do të përgjigjeshin: Nuk e dimë. Thjesht kemi parë të parët tanë që silleshin kështu.
Ne e kemi në dorë të vendosim të jemi njerëz, apo të shndërrohemi në “majmunë” duke e pranuar dhunën, korrupsionin dhe prapambetjen. Ne e kemi në dorë të vendosim nëse do i ngjisim shkallët drejt ndryshimit, apo të qëndrojmë kokulur në kafaz.
Shpesh herë, në jetën tonë bëjmë shumë gjëra në mënyrë monotone, pa e ditur shkakun dhe arsyen, ndoshta ngaqë i frikësohemi ndryshimit.