Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Durimi

Është e vërtetë që ne kemi nisur një rrugëtim drejt lumturisë, por shpeshherë ky rrugëtim ndërpritet për shkak të fatkeqësive, barrierave dhe vështirësive të shumta. Këto bëjnë që njerëzit të ndihen të braktisur, të trishtuar dhe të vuajtur, larg çdo elementi lumturie dhe gëzimi. Prandaj, këtë temë unë ua dedikoj të gjithë hallexhinjve, njerëzve në vështirësi dhe me fatkeqësi. Këtë temë ua dedikoj të gjithë atyre që e dëshirojnë suksesin, por nuk dinë.
Ka njerëz të cilët janë të mërzitur dhe e dinë shkakun, ndërkohë që ka shumë njerëz të tjerë, sidomos të rinj dhe të reja, të cilët nuk e dinë shkakun.
Me të drejtë, dikush mund të shtrojë pyetjen: “Si mund ta kuptoj nëse jam i mërzitur, i pikëlluar dhe i trishtuar?”
Një gjendje e tillë ka disa shenja dhe sindroma. Shenjat fillojnë që nga çasti kur zgjohesh nga gjumi në mëngjes, akoma pa u ngritur nga shtrati. Kur je i mërzitur, ndihesh i tensionuar, i ngrysur, nuk dëshiron të ngrihesh, herë ngrihesh dhe herë shtrihesh sërish, ndjen sikur të shtrëngon diçka në kraharor. Kur bën telefonatën e parë në mëngjes, ke zë të ngjirur dhe të trashë e nuk buzëqesh. Kur takohesh me njerëz, mezi u flet, përdor përgjigje të shkurtra, u rrëfen hallet dhe problemet e tua. Kur shkon në shtrat në darkë, mezi të zë gjumi.
Kompanitë celulare raportojnë se 60 % e telefonatave zhvillohen pas orës dymbëdhjetë të natës. Vallë përse ndodh diçka e tillë? Mos ngaqë të rinjtë dhe të rejat e kanë të vështirë të flenë në këto orë, apo ngaqë është koha kur janë më të lirë për të biseduar me njëri-tjetrin? Përse vallë facebook regjistron numër rekord vizitorësh në botën arabe pas orës dy të natës gjer në pesë? Mos vallë sepse është koha më e përshtatshme për chat dhe shfletim të fotove, apo sepse nuk i zë gjumi? Vallë çfarë kërkojnë të rinjtë që bredhin me makina deri në tre të mëngjesit? A jeni të kënaqur me jetën tuaj, o vëlla dhe oj motër, apo jeni të depresionuar dhe të mërzitur?
 
Shkaktarët e depresionit dhe të mërzisë
Gjendja e mërzisë dhe e depresionit ka tre shkaktarë kryesorë:
Shkaku i parë, një fatkeqësi e rëndë si humbja e një të dashuri, problemet shëndetësore, sëmundjet kronike etj...
Shkaku i dytë është mossuksesi në jetë, mosdija si të krijosh raporte të mira me Zotin dhe si ta adhurosh etj...
Shkaku i tretë, mund të jetë një gjynah i rëndë, një gabim, faj dhe konflikt me njerëzit, të cilin nuk di ta korrigjosh dhe ta ndreqësh.
Në këtë temë, ne do të përpiqemi t’ju ofrojmë një pishtar profetik të rëndësishëm, jo për zgjidhjen e problemeve dhe të halleve, por për lehtësimin dhe ndryshimin e këndvështrimit.
Në disa tema të kaluara, ne kemi hapur dyer të ndryshme për zgjidhjen e problemeve dhe të halleve. Ndërkohë që në këtë temë, nuk kemi një portë të tillë, por ofrojmë një pishtar i cili të ndriçon udhën në errësirën e halleve dhe të fatkeqësive të kësaj bote.
Në filmat e vjetër egjiptianë, kur personazhi kryesor përballej me fatkeqësi dhe probleme të shumta, fillonte e dehej me qëllim që të harronte hallet dhe fatkeqësitë. Sot ka shumë të rinj, të cilët vazhdojnë me këtë mënyrë reagimi në raste fatkeqësish, duke ia shtuar vetes depresionin dhe hidhërimin. Kjo është njëlloj sikur të sëmurit t’i japësh helm, gjoja për ta kuruar.
Sot ne jetojmë në një epokë të re, ku zgjidhja shihet te besimi dhe përkushtimi fetar. Pishtari, të cilin do t’jua ofrojmë në këtë temë, është pishtari i durimit. Ai i përngjan melhemit që vihet mbi plagë.
Unë e di që shumë prej jush mund të mos e pëlqeni këtë, pasi prisni diçka më praktike, diçka të prekshme. Megjithatë, unë ju këshilloj të mos e mbyllni librin dhe të duroni gjer në fund të kësaj teme.
Ideja e durimit është një ide hyjnore, të cilën e këshillon Kurani, pasi është melhem dhe ilaç efekt-prurës, ai është sekreti dhe çelësi i suksesit. Betohem në Zotin që durimi (sabri) është çelësi i gjithçkaje në këtë botë. Madje, gjithçka që na rrethon në univers, operon në bazë të durimit dhe të sabrit. Të gjitha bimët dhe pemët, kanë nevojë për një kohë të konsiderueshme për të mbirë dhe për t’u zhvilluar. Vetë embrioni i njeriut, ka nevojë për nëntë muaj derisa të jetë gati për të lindur. Dielli ka nevojë për dymbëdhjetë orë, derisa të mbërrijë në kupën e qiellit. Zoti i lartësuar e krijoi gjithësinë për gjashtë ditë, me qëllim që të na mësojë se gjithçka kërkon kohën e saj.
Në kohët moderne që jetojmë, ku gjithçka kërkohet të bëhet me shpejtësi – ushqimi i fastfood-eve të ofrohet për dy tre minuta, ushqimi ngrohet menjëherë në mikrovalë, për një çast të shkurtër u dërgon mesazhe kushedi sa miqve dhe të njohurve nëpërmjet e-mailit etj... – saqë kemi filluar ta konsiderojmë durimin si diçka të turpshme.
Nëse kërkon diçka më praktike se durimi, unë të them se nuk ka gjë më praktike se durimi, përderisa i gjithë universi operon në bazë të tij. Prandaj bëhu i durueshëm në tre raste: E para, në raste fatkeqësish. E dyta, bëj durim në përkushtimin fetar, në angazhimet e përditshme, duro edhe pse e ke rrogën e ulët, derisa të kualifikohesh dhe t’i meritosh shpërblimet. E treta, bëj durim dhe mos bëj gjynahe, sidomos gjatë Ramazanit të madhëruar.
 
Shpërblimi i durimit
Nuk ka moral tjetër që përmendet më shumë se nëntëdhjetë herë në Kuran, siç përmendet morali i durimit. Allahu i lartësuar deklaron se i do të duruarit. Zoti thotë në Kuran: “Allahu i do të duruarit.” (Al Imran, 146)
Nëse je person i durueshëm, dije se bën pjesë te të dashurit e Zotit.
“Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (Bekare, 153)
Nëse je i vendosur të durosh, të zgjohesh çdo ditë dhe të falësh sabahun në kohë, je i përpiktë me eprorët dhe të gjithë njerëzit, nëse je e vendosur o motër ta mbash hixhabin edhe pse të gjithë të kërkojnë ta heqësh etj... dije se ke Zotin përkrah teje. Ata të rinj dhe të reja që janë të vendosur të jenë të suksesshëm në jetë, ta dinë se kanë Zotin përkrah. Ajo nënë e cila ka humbur fëmijën e saj dhe bën durim, ta dijë se ka Zotin përkrah saj.
“Prandaj, përgëzoji të duruarit,” (Bekare, 155)
Mos harroni se ky përgëzim dhe sihariq na vjen nga vetë Allahu i madhëruar.
Profeti (a.s.) ka thënë: “Durimi është dritë.” pasi të orienton dhe të udhëzon drejt të mirës.
Në një hadith tjetër, Profeti (a.s.) ka thënë: “Është e çuditshme çështja e besimtarit. Çdo gjë është në favor të tij dhe kjo, nuk është veçse për besimtarin. Nëse e godet ndonjë fatkeqësi, duron dhe është mirë për të. Nëse i jepet një mirësi, ai falënderon dhe është mirë për të.”
“Nuk ka mirësi më të mirë dhe më të madhe që mund t’i jepet dikujt, sesa durimi“.
Personi durimtar, është personi më i madh mes njerëzve. Ai është si floriri dhe si dielli.
 
Shembuj praktikë
Dallimi mes një durimtari dhe një jodurimtari, është si dallimi mes një topi tenisi dhe një shisheje plastike. Nëse topin e tenisit e mban në dorën e djathtë dhe shishen plastike bosh në dorën e majtë dhe ushtron presion me gishta mbi to, do të shohësh që shishja përthyhet, ndërkohë që topi i tenisit është elastik. Njeriu i duruar, në raste fatkeqësish, tensioni dhe hallesh, është elastik, ndërkohë që i paduruari thyhet siç u përthye shishja e plastikës. Po ti, o vëlla dhe oj motër, cilit personalitet i përket?
Personi i paduruar, ashtu si dhe shishja e plastikës, thyhet që në goditjen dhe fatkeqësinë e parë. Ndërkohë që personi elastik dhe i durueshëm, ashtu si topi i tenisit, edhe pse pëson goditje, fatkeqësi dhe tension, vazhdon jetën si më parë, duke i përballuar vuajtjet dhe hallet me durim.
Këtë shembull që u sollëm, kijini parasysh gjatë gjithë jetës. Nëse ti o motër ke veshur hixhabin dhe të gjithë, si familjarët, ashtu dhe eprorët etj... të kërkojnë ta heqësh dhe ti je gati për t’iu bindur, bëhu e fortë, duro dhe mos e hiq. Nëse presidenti i kompanisë është sjellë keq me ty dhe ushtron presion ndaj teje, duro dhe mos e humb toruan. Nëse të ka rënë një fatkeqësi, duro dhe mos e humb fillin. Mos u thyej siç thuhet shishja e plastikës, por vazhdo elastik si topi i tenisit.
 
Zoti i lartësuar thotë në Kuran: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë nëpërmjet durimit dhe namazit!” (Bekare, 153)
Po çfarë do të thotë të kërkosh ndihmë nëpërmjet namazit dhe lutjeve?
Nëpërmjet durimit, zemra jote dhe e gjithkujt tjetër, mund të jetë zemër e madhe, ose e vogël. Të kërkosh ndihmë nëpërmjet durimit, do të thotë ta përdorësh durimin për të pasur një zemër të madhe që nxë gjithçka.
Imagjino për një çast, një thikë, e cila ngulet në një zemër prej kartoni. Në këtë rast, thika është simbol i fatkeqësisë, kurse zemra e çarë nga thika, simbolizon zemrën dhe psikikën njerëzore në çastin e fatkeqësisë. Pa dyshim që thika (fatkeqësia) shkakton dhimbje në zemër, i shkakton hemorragji dhe dhimbje. Unë e kuptoj sa dhimbje shkakton fatkeqësia. Por nëse zemrën e zmadhon me durim, e njëjta thikë (fatkeqësi) nuk do të shkaktojë ato pasoja dhe dhimbje që shkaktonte në rastin e zemrës së vogël.
Një ditë, vajta për ngushëllim te dy nëna, vajzat e të cilave pësuan një aksident automobilistik të rëndë dhe për pasojë kishin mbetur të vdekura në vend. Humbja e fëmijës është fatkeqësia më e rëndë që mund të përjetojë një njeri. Njëra nga dy nënat, e kishte zvogëluar dhimbjen e fatkeqësisë me zemër të madhe, me durim. Ndërkohë që tjetra, e kishte rënduar me zemër të vogël. Kur hyra të ngushëlloj nënën e parë, e gjeta të buzëqeshur, edhe pse lotët i rridhnin çurg. Herë pas here, ajo thoshte: “Elhamdulilah! Zoti më bashkoftë me të në xhenet! Në fund të fundit, të gjithë do të vdesim një ditë.”
Ndërkohë që e dyta e kishte humbur fillin fare, ajo nuk e ndjente ku ndodhej dhe përse.
Të dyja këto nëna kishin të njëjtën fatkeqësi, të dyjave u kishin vdekur vajzat në të njëjtën makinë dhe në të njëjtën ditë. Dallimi ishte vetëm te durimi dhe te zemra e madhe.
 
Shpërblim i pa masë
Zoti i lartësuar thotë në Kuran: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”. (Zumer, 10)
Po çfarë do të thotë që të shpërblehesh pa masë?
Kuptimi i parë, është se do të dërgohen në xhenet pa dhënë llogari për veprat e tyre në këtë botë. Ata nuk do ta përjetojnë qëndrimin për pesëdhjetë mijë vite, nuk do ta ndjejnë nxehtësinë e diellit dhe djersën e asaj Dite. Nëse ke qenë durimtar në këtë botë, do të dërgohesh menjëherë në xhenet.
Kuptimi i dytë është shpërblimi i tij në xhenet do të jetë pa masë, i pallogaritshëm.
Ajeti i mësipërm nuk është thjesht për të mpirë mendjet e atyre që janë në fatkeqësi, që ta harrojnë atë për disa çaste. Jo për Zotin! Unë e citova sepse ky ajet ka ndryshuar jetën e shumë njerëzve dhe këtë e them nga eksperienca ime personale. Njoh një femër që jetonte në Britani dhe që ishte shtatzënë në muajt e saj të parë. Gjatë kontrollove periodike, doktorët e informojnë se fëmija i saj mund të lindë me aftësi të kufizuara, prandaj nëse dëshironte ta abortonte, thjesht duhej ta kërkonte diçka të tillë.
Edhe pse një lajm i tillë ishte tronditës, ajo e refuzoi abortin si zgjidhje dhe duroi. Madje, ajo nuk vuri në dijeni as të shoqin e saj, pasi në atë kohë, ai ishte i angazhuar shumë në disa punë të tijat, të cilat kërkonin përqendrim dhe vëmendje. Për nëntë muaj me radhë, ajo e përballoi të gjithë shqetësimin dhe dhimbjen e vetme. Gjatë kësaj kohe lutej me përgjërim që fëmija i saj të lindte normal. Me të lindur, ajo thirri doktorin specialist dhe i kërkoi ta diagnostifikonte foshnjën e porsalindur. Doktori e përgëzoi se fëmija ishte normal dhe pa probleme. Vetëm atëherë ajo i tregoi të shoqit gjithçka dhe se kishte duruar e vetme për nëntë muaj.
Durimi është pishtar ndriçues, ai është lumturi dhe shpresë.
Njoh një person, i cili donte të divorcohej nga e shoqja. Shkaku që donte të divorcohej ishte se e shoqja ishte e padurueshme dhe e kishte të pamundur ta shihte në sy. Kur vajti të konsultohej me një të ditur, ai i tregoi ajetin: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”. (Zumer, 10)
I dituri i tha: “O biri im! Duroje gruan dhe do të shohësh që do të shpërblehesh si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër.”
Tregon vetë personi: “Pasi dola nga i dituri, me vete thashë: “Përse të mos e provoj një herë? Një muaj rresht, e trajtova gruan me të butë dhe vetes ia ushqeja idenë se nuk duhej të divorcohesha prej saj. Pas një farë kohe, filluam të falemi rishtazi bashkë. Mandej filluam dhe të shëtisnim bashkë, gjë që nuk e bënim prej kohësh. Disa kohë më vonë, i thashë: “Për Zotin e kam të vështirë jetën pa ty.”
”Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”.
Të gjithë ata njerëz, të cilët janë të sëmurë kronikë, le të bëjnë sabër e të durojnë. Le ta mësojnë këtë nga i dërguari i Zotit (a.s.).
Një grua që vuante nga epilepsia vajti te Profeti (a.s.) dhe i tha: “O i dërguari i Zotit, unë jam epileptike dhe kur më kap sëmundja, zhvishem pa e kuptuar. Prandaj, lute Zotin që të më shërojë!” Profeti (a.s.) ia ktheu: “Nëse dëshiron i lutem Zotit, por nëse duron do të shpërblehesh me xhenet.” Gruaja pasi u mendua pak, ia ktheu: “Do të duroj, o Profet, por unë zhvishem gjatë sëmundjes, prandaj lute Zotin që të mos zhvishem.” Profeti (a.s.) iu lut Zotit dhe atë e kapte sëmundja, por nuk zhvishej.
Ne nuk duhet të harrojmë se disa fatkeqësi, shërbejnë si porta për një mirësi tepër të madhe dhe të paimagjinueshme.
 
Durim i hijshëm
Durimi që lipset në raste fatkeqësish, sëmundjesh dhe vuajtjesh, është durimi që në Kuran etiketohet i hijshëm. Të durosh gruan që ka vese jo të mira, do të thotë të sillesh me të butë, jo vetullngrysur dhe gjithë nerva. Të durosh sëmundjen, do të thotë ta pranosh caktimin e Zotit me kënaqësi dhe jo të shpërthesh në ankesa e vajtime.
 
Kjo botë është e shkurtër
Me qëllim që ta forcosh durimin, shihe jetën e kësaj bote në përmasat e saj reale.
“Ai do t’u thotë (jobesimtarëve): “Sa vjet keni qëndruar në Tokë?” Ata do të përgjigjen: “Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë dite.” (Haxh, 112)
Sado e gjatë të duket jeta mbi tokë, në krahasim me botën tjetër, ajo nuk është asgjë. E çfarë vlere kanë të mirat e kësaj bote, në krahasim me ato të xhenetit të amshuar! Ditën e Kiametit, do të sillet njeriu më i vuajtur në dynja dhe do të futet dhe nxirret sa hap e mbyll sytë në xhenet. Mandej do të pyetet: “A të ka rastisur të vuash më parë?” Ai do të përgjigjet: “Jo o Zoti im! Kurrë nuk kam përjetuar vuajtje.”
Profeti (a.s.) ka thënë: “Për çdo lodhje, sëmundje, fatkeqësi, hidhërim, mërzitje, apo çdo të keqe të vogël sa edhe shpimi nga gjembi, Zoti të shlyen gjynahet. Një robi mund t’i fshihen të gjitha gjynahet, me ethet e një nate.”
Nëse ti o motër tashmë je divorcuar nga bashkëshorti, dhe ke fëmijët për të rritur dhe edukuar, duro dhe përmbaje veten. Për një grua dhe nënë të tillë, Profeti (a.s.) thotë se i takon shpërblimi i agjëruesit dhe i atij që falet natën. Me përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve, ti sikur agjëron dhe falesh gjatë gjithë viteve të jetës.
Ndonjëherë, këto vuajtje dhe dhimbje që na shkaktohen nga të tjerët, janë mesazh edhe nga Zoti, i cili sikur na thotë: “A nuk është koha të kthehesh nga unë?”
Në kohën më të vështirë për Profetin (a.s.), atij i vdes xhaxhai, Ebu Talibi, dhe gruaja e tij e dashur Hadixheja. Të dy vdesin brenda një muaji, kur Profeti (a.s.) kishte më shumë nevojë për përkrahjen e tyre. Me këtë, sikur Zoti i thoshte: “S’të ka mbetur tjetër kush veç Meje, o Muhamed.”
Kur të gjitha portat të mbyllen, ktheju portës së Zotit, pasi do ta gjesh gjithmonë të hapur dhe në pritje. Zoti është më i dashur dhe i dhembshur me njerëzit e Tij, seç është nëna me foshnjën e saj.
Në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi, thuhet se një nga myslimanët gjen një harabel të vogël dhe e merr në dorë. Nëna e tij, fillon të fluturojë sipër kokave të myslimanëve e shqetësuar për të voglin e saj. Në një çast, nëna e zogut e lëshon veten dhe bie si shenjë flijimi mbi prehrin e personit që kishte zogun e saj. Profeti (a.s.) e pa këtë ndodhi dhe u drejtohet personave të tjerë: “A e vutë re atë që ndodhi?!” Të pranishmit u përgjigjën: “Po, o i dërguari i Allahut.” Profeti (a.s.) shtoi: “Zoti është më i dashur me ju, seç është kjo nënë për zogun e saj.”
Nëse ti o prind ke humbur një fëmijë dhe duron, Zoti të ka përgatitur një shtëpi në xhenet, të cilën e ka quajtur “Shtëpia e mirënjohjes”. Kështu, edhe ti si prind edhe ai si fëmijë, fitoni xhenetin. Kush e di, nëse nuk do të kishte ndodhur kjo fatkeqësi, asnjëri prej jush nuk do ta fitonte këtë gradë të lartë.
Unë e di që humbja e fëmijës është fatkeqësia më e rëndë për një prind, megjithatë u këshilloj të duroni dhe të bëni sabër.
Kur njërit prej myslimanëve i vdiq djali i tij, Profeti (a.s.) u bëri thirrje myslimanëve të tjerë të shkonin ta ngushëllonin dhe t’ia lehtësonin dhimbjen. Me të mbërritur, Profeti (a.s.) e pyeti prindin: “A e humbe djalin?” Prindi u përgjigj: “Po, o i dërguari i Allahut.” Profeti (a.s.) e pyeti: “Si e përshkruan dhimbjen tënde?” Prindi u përgjigj: “Shumë e madhe, o i dërguari i Allahut.” Profeti (a.s.) e pyet: “A e doje shumë?” Prindi u përgjigj: “Më shumë se veten time, o i dërguari i Allahut.” Profeti (a.s.) i tha: “Për Zotin! Ditën e Kiametit, do ta shohësh djalin tënd te portat e xhenetit. Sa herë që të tentosh të hysh nga një portë, ai të thërret nga porta tjetër: “O baba! Eja këtu!”
Mos harro se i dërguari i Zotit ka humbur shtatë fëmijë dhe bëri durim. Nëse pas jetës së paqtë dhe të lumtur, qielli mbushet me re, rrufe e shkreptima, bëj durim. Zoti nuk e obligon robin e Tij me diçka që nuk e përballon dot. Ashtu siç nuk e sprovon me gjëra të cilat ai nuk i përballon. Për këtë, njerëzit më të sprovuar janë profetët dhe të dërguarit e Zotit, e kështu me radhë sipas besimit. Nëse je sprovuar shumë, dije se je pranë profetëve, ashtu siç do të jetë vendi yt në xhenet pranë tyre.
E lusim Zotin të na japë forcë në fatkeqësi dhe të na bëjë të duruar! Amin!
 


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free