Historia e Profetit Daut a.s
Dauti a.s ishte djali i Eisha dhe rridhte nga familja e Jehodhas, djalit të Jakubit a.s. Kështu, shohim që pushteti politik u kthye sërish tek familja e Jehodhas. Historianët e përshkuajnë Dautin a.s:"Ai ishte i shkurtër, me sy blu, me flokë të rrallë, i dëlirë në zemër."
Pushteti në kohën e Dautit a.s u forcua shumë dhe hebrenjtë i bindeshin. Zoti i dha shumë mrekulli dhe i shpalli librin e shenjtë Zeburin.
"dhe Dautin, i dhamë Zeburin." (Nisa, 163)
Dauti a.s kishte një zë shumë të bukur, saqë thuhet se askush tjetër nuk ka gëzuar zë të bukur si Dauti a.s. Në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi, por sipas kritereve të imam Buhariut dhe Muslimit, profeti Muhamed a.s dëgjon një ditë Ebu Musa El-esh'ari duke lexuar Kuran. Profeti a.s qëndroi duke e dëgjuar dhe në fund i tha:"Ebu Musait i është dhënë një zë melodioz si ato të Daudit a.s."
Kjo ishte një karakteristikë dalluese e Dautit a.s, sidomos kur lexonte Zeburin. Sa herë që ulej dhe lexonte nga libri i shenjtë, dëgjohej jehona e maleve që e shoqëronte zërin e Dautit a.s. Kurse zogjtë i qëndronin sipër duke dëgjuar leximin e Zeburit.
Me të vërtetë, Ne i dhamë Daudit mirësi prej Nesh (dhe thamë): “O male dhe zogj! Lavdërojeni emrin Tim bashkë me Daudin”. (Sebe, 10)
Ne i nënshtruam malet dhe shpendët që, bashkë me Dautin, të thurnin lavde (për Allahun). Ishim Ne që i bënim këto." (Enbija, 79)
"Ne ia nënshtruam malet që, bashkë me të, t’i luteshin Allahut, në mbrëmje dhe në mëngjes, edhe shpendët e tubuar. Të gjithë i drejtoheshin Atij." (Sad, 18-19)
Një mrekulli tjetër që i kishte falur Zoti ishte se hekurit i jepte formë siç i jepshin njerëzit e tjerë formë baltës dhe parafinës. Këtë zotësi ai e përdorte për prodhimin e parzmoreve dhe mburojave. Ai arriti të prodhojë parzmore që nuk ekzistonin më parë. Parzmoret e atëhershme, ishin pllaka hekuri që viheshin mbi trupin e luftëtarit. Edhe pse e mbronin trupin e luftëtarit, ky lloj parzmoreje ishte shumë i rëndë dhe e pengonte lëvizjen. Dauti a.s shpiku një lloj parzmoreje tjetër, e cila përbëhej nga hallka zinxhiri të vogla, të cilat mbulonin trupin dhe që kryenin të njëjtin funksion. Kjo përmendet dhe në Kuran, ku Zoti i lartësuar thotë:
"Ne ia zbutëm atij hekurin, (dhe i thamë): “Puno parzmore të gjera! Thuri ato me maja të barazpeshuara dhe bëj vepra të mira! Pa dyshim, Unë shoh çfarë punoni ju.” (Sebe, 10-11)
"Ne i mësuam atij (Dautit) punimin e parzmoreve prej hekuri për ju, për t’ju mbrojtur në luftë me armikun, andaj, a jeni mirënjohës?" (Enbija, 80)
Kështu, shohim që profetët e Zotit kanë kontributin e tyre në ndërtimin e civilizimeve. Përpunimi i hekurit mori një zhvillim të madh në kohën e profetit Daut a.s.
Mbretëria dhe pushteti politik në kohën e Dautit a.s u konsolidua si asnjëherë tjetër. Gjatë gjithë kohës hebrenjtë kanë vuajtur, pasi pushteti politik ishte i përçarë dhe plot probleme.
"Ne ia forcuam mbretërinë dhe i dhamë mençuri e dijeni për të gjykuar." (Sad, 20)
Dauti a.s përveçse ishte profet i Zotit, ishte mbret dhe gjithashtu gjykatës i drejtë. Zoti e kishte pajisur me intuitë dhe urtësi, të cilat i mundësonin gjykime racionale dhe të drejta. Lidhur me gjykimet e tij racionale, ekzistojnë shumë raste të cilat e dëshmojnë këtë. Një ndër këto është dhe ajo që përmendet në Kuranin famëlartë.
Dauti a.s kishte një pallat në të cilin lutej, i përgjërohej dhe adhuronte Zotin. Në këtë pallat nuk hynte askush tjetër përveç tij. Një natë, teksa kishte mbyllur dyert e pallatit dhe adhuronte Zotin, dy persona kishin arritur t'i kalojnë muret e pallatit dhe i hynë brenda. Në një transmetim tjetër, thuhet se ata ishin dy melekë në formë njeriu, të cilët kishin ardhur të vënë në provë Dautin a.s.
"A e ke dëgjuar historinë e dy kundërshtarëve, që hipën mbi murin e faltores së tij? Kur hynë te Daudi, ai u frikësua prej tyre. Ata thanë: “Mos u frikëso! Ne jemi dy kundërshtarë, një nga të cilët i ka bërë padrejtësi tjetrit, prandaj gjyko me drejtësi dhe mos u shmang (prej së vërtetës), por na udhëzo në rrugë të drejtë”. (Njëri prej tyre tha:) “Ky është vëllai im. Ai ka nëntëdhjetë e nëntë dele, kurse unë kam vetëm një dele, andaj më tha: “Ma jep mua atë!” - dhe më mundi me fjalë.” (Sad, 21-23)
Lidhur me këtë çështje, librat e tefsirit janë të mbushur me interpretime nga më të ndryshmet. Shumë dijetarë, të ndikuar nga rrëfenjat izraelite, delet e lartpërmendura i kanë interpretuar me gratë e Dautit a.s. Sipas tyre, Dauti a.s kishte nëntëdhjetë e nëntë gra dhe kur pa sa e bukur ishte gruaja e komandantit të tij, e lakmoi dhe e dëshiroi për vete. Për t'ia arritur qëllimit, ai e dërgonte komandantin në luftëra të njëpasnjëshme me shpresë se mos mbetet i vrarë, por ai kthehej nga secila fitimtar. Në fund, Dauti a.s arrin ta heqë qafe komandantin dhe martohet me gruan e tij.
E gjitha kjo është diçka shumë e ulët që nuk mund të thuhet për një nga besimtarët më të rëndomtë, e jo më për një nga profetët e zgjedhur të Zotit.
Një çështje e tillë iu paraqit profetit Daut a.s thjesht si një test, për të vënë në provë gjykimin e tij. Në gjuhën arabe, gruaja kurrë nuk quhet dele as edhe lopë, siç e interpretojnë shiat ajetin“Allahu ju urdhëron të therni një lopë!” (Bekare, 67)
që Allahu i urdhëronte të therin Aishen, gruan e Profetit a.s. Po, poetët arabë, për të përshkruar bukurinë e gruas përdorin drenushën, por kurrë delen apo lopën.
Gjykimi i Dautit a.s ishte:
"Daudi tha: “Vërtet, ai të ka bërë padrejtësi që të ka kërkuar delen tënde të vetme, për ta bashkuar me delet e veta. Shumë bashkëpronarë i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira, por ata janë pak”. (Sad, 24)
Shohim që ky gjykim i Dautit a.s ishte i nxituar, pasi gjykoi pa e dëgjuar palën e akuzuar. Sipas transmetimit se dy burrat ishin melekë, ata të dy u zhdukën menjëherë pas këtij gjykimi. Kurse sipas transmetimit se ishin dy njerëz normalë, thuhet se i akuzuara ia tërhoqi vëmendjen që t'i dëgjojë dhe faktet e tij para se të gjykojë. Dauti a.s e kuptoi se ky ishte një test dhe provë nga ana e Zotit dhe menjëherë kërkoi falje për gabimin.
"Daudi e kuptoi, se në të vërtetë Ne e kishim vënë në provë atë, prandaj kërkoi falje nga Zoti i vet, ra në gjunjë dhe u përul, duke u penduar." (Sad, 24)
Kjo është tradita e njerëzve të ndershëm dhe të mirë, me ta kuptuar gabimin, kërkojnë falje.
"Pastaj, Ne ia falëm këtë e ai te Ne do të jetë i afërt dhe do të ketë strehim të mirë (në jetën tjetër)." (Sad, 25)
Më pas, Zoti i lartësuar i thotë:
“O Daud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave, se ato të largojnë nga rruga e Allahut! Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut, ka dënim të ashpër, ngaqë e kanë harruar Ditën e Llogarisë.” (Sad, 26)
Adhurimi i Dautit a.s.
Dauti a.s njihet si adhuruesi më i madh i Zotit. Kjo ceket në një hadith të saktë të transmetuar nga imam Buhariu dhe Muslimi, ku Profeti a.s thotë:"Namazi (i natës) më i dashur tek Zoti është namazi i Dautit a.s. Po ashtu, agjërimi më i dashur tek Zoti është ai i Dautit. Ai flinte deri në mesnatë, pastaj zgjohej dhe falej gjatë 1/3 së natës dhe sërish kthehej dhe flinte 1/3 e mbetur. Ai agjëronte një ditë dhe hante ditën tjetër. Kur hynte në luftë, nuk dinte të kthejë shpinën."
Një tipar tjetër dallues i Dautit a.s ishte mirënjohja. Këtë e cek vetë Zoti në Kuran ku thotë:
“O familje e Daudit! Bëni falënderim (për Allahun)!” Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues." (Sebe, 13)
Vdekja e Dautit a.s
Atij i erdhi vdekja pasi kishte mbushur njëqind vjeç. Lidhur me jetëgjatësinë e tij, ne kemi folur dhe në historinë e Ademit a.s kur Zoti i nxori nga shpina të gjithë pasardhësit e tij. Ademi a.s sheh një burrë nga pasardhësit e tij, tek i cili i pëqeu drita mes syve. I habitur, ai e pyeti Zoti:"O Zoti im! Kush është ky?" Zoti iu përgjigj:"Ky është një burrë nga gjeneratat e fundit të pasardhësve të tu. Emri i tij është Daud." Ademi a.s e pyeti:"O Zoti im! Sa jetë i ke dhënë këtij personi?" Zoti u përgjigj:"Gjashtëdhjetë vite." Ademi a.s i tha:"O Zoti im! Merri gjashtëdhjetë vite nga jeta ime dhe jepja atij!" dhe Zoti ia plotësoi këtë dëshirë."
Në një hadith të saktë, thuhet se Dauti a.s ishte shumë xheloz për gratë e tij. Pallati ku jetonin gratë e tij ishte rrethuar me mure të pakalueshëm. Një ditë, gratë e tij panë një burrë në mesin e oborrit. Të çuditura thanë:"Kush është ky person?! Për Zotin, sikur ta shohë Dauti do e vrasë menjëherë."
Ky lajm i arriti Dautit a.s i cili doli dhe e pyeti:"Kush qenke ti që ke kaluar gjithë këto mure?!" Burri iu përgjigj:"Unë jam ai që nuk njoh pengesa për të arritur objektivin tim." Dauti a.s e njohu dhe i tha:"Atëherë qenke meleku i vdekjes. Prandaj afrohu dhe merrma shpirtin!"
Kështu meleku i vdekjes ia mori shpirtin profetit Daut a.s. Atë e varrosi vetë djali i tij Sulejmani a.s në Jeruzalem.
Transmeton imam Ahmedi në musnedin e tij, se Ebu Hurejre e ka dëgjuar Profetin a.s të thotë:"Dauti ishte shumë xheloz për gratë e tij. Sa herë që dilte jashtë, i kyçte dyer dhe askush nuk hynte tek to derisa të kthehej ai vetë. Një ditë ai doli dhe i kyçi dyer. Gruaja e tij doli në oborr dhe dalloi një burrë dhe e çuditur tha:"Nga ka hyrë ky burrë në oborrin tonë?! Për Zotin nëse e sheh Dauti do e vrasë!" Dauti a.s erdhi me një frymë dhe iu drejtua burrit që qëndronte në mes të oborrit:"Kush je ti?!" Ai u përgjigj:"Unë jam ai që nuk i frikësohem mbretërve dhe nuk ka pengesë që më ndalon." Dauti a.s i tha:"Për Zotin, ti qenke meleku i vdekjes atëherë. Unë e mirëpres urdhrin e Zotit." Pasi e lanë xhenazen e tij dhe e qefinosën, lindi dielli. Sulejmani a.s u tha zogjve:"I bëni hije Dautit!" dhe menjëherë zogjtë u rreshtuan mbi kokat e tyre duke u bërë hije atyre që kishin ardhur për të falur xhenazen e Dautit a.s. Njerëzit filluan të ankohen nga zagushia dhe ajri i pakët për shkak të shpendëve të shumtë. Atëherë Sulejmani a.s i urdhëroi zogjtë që të përplasin vetëm njërin krah." (Imam Ahmedi)