Protokoll mbledhjeje !
Një nga ditët e një muaji të vitit, ne insektet e pyllit u mblodhëm për të diskutuar rreth krimeve të ujkut grabitqar ndaj nesh. Mbledhja u organizua nën kujdesin e mizës, mushkonjës, pleshtit, merimangës, milingonës, morrit, grerëzës, bletës, molës, bubuzhelit etj... Që në fjalën hapëse përshëndetëse të mbledhjes, shpërtheu një debat i ashpër kur milingona e filloi fjalën e saj me fjalët:”Motra dhe vëllezër!” Pleshti e kundërshtoi duke propozuar që fjalën ta fillojë me:”Të nderuar kolegë!” Sakaq grerëza u ngrit dhe tha:”Ne duhet të jemi më realistë dhe ta fillojmë me fjalët:”Të nderuara insekte!” Menjëherë reagoi merimanga, e cila i konsideroi fjalë të ngatërruara që duheshin hequr menjëherë. Miza u ngrit dhe tha:”Më mirë është që ta nisim me fjalët:”O njerëz!” Por bubuzheli i bërtiti me sa kishte në kokë:”Çfarë njerëzish moj?! Pse, njerëz jemi neve?!” dhe kërcënoi se do të largohej nga mbledhja. Mola kërkoi fjalën dhe tha:”Mendoj se fjala e pranuar nga të gjithë do të jetë:”O ju vemje!” Por të gjithë ulëritën duke i thënë se ishte një fjalë e pakuptueshme dhe u kërkua të shoqërohej me një deklaratë mbyllëse ku të flitej hollë e gjatë mbi kuptimin e asaj fjale, por kjo u kundërshtua. Bleta ngriti dorën dhe pasi ia dhanë fjalën, tha:”Përse nuk i kursejmë vetes ca probleme duke thënë:”O ju të pranishëm!” Shumica e pranoi këtë propozim, por miza kërkoi që të jetë diçka më gjithëpërfshirëse, si:”O ju të pranishëm dhe ju që mungoni!” Milingona shtoi:”Nuk do ishte keq po të shtonim dhe:”O ju të vdekur në varre!” Por miza ia priti aty për aty:”Po ato që fluturojnë në ajër si puna ime, ku i ke?” Miu u ngrit si me përtaci, u hodhi të gjithëve nga një shikim të shpejtë dhe tha me qetësi:”Me qëllim që ti japim fund debateve shterpë, duhet të themi:”O ju!” duke ia lënë secilit ta plotësojë këtë pjesë sipas qejfit. Por milingona ndërhyri dhe tha:”Njerëzit do të dëgjojnë se nuk jemi marrë vesh për asgjë në këtë mbledhje, prandaj unë propozoj një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të prerë. Le të themi:”O ju bubuzhelë, grerëza, minj, merimanga etj... duke cituar secilin me emrin e tij.” Dikush që nuk u mor vesh kush ishte, tha:”Ajo që propozon ti vlen në raste dasmash, ku duhet përmendur secili me emrin e vet. Por ne jemi në një kongres të madh dhe të respektuar.” Milingona e kundërshtoi fjalën “të respektuar” dhe kërkoi që të hiqej nga fjala përshëndetëse, duke thënë:”Ne akoma nuk kemi përfunduar me pjesëzën thirrëse “O ju”. Sakaq, ujku angulliu jashtë gjë e cila u dëgjua nga të gjithë insektet. Miu tha:”Përse të mos i drejtohemi direkt me fjalët:”O ujk!” Të gjithë ranë dakord me këtë propozim dhe shtuan dhe fjalët:”O ujk! Nëse të pëlqen diçka, merre dhe të bëftë mirë!” A nuk u kujton kjo debate që përsëriten shpesh në jetën tonë?!