Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Kjo eshte dynjaja

Rrëfehet se profeti i Zotit, hazreti Isai a.s, shoqërohej një ditë nga një burrë. Ata kishin marrë me vete tre kulaçë për ti konsumuar gjatë rrugës. Kur u ulën për të ngrënë dhe hapën torbën e bukës, hazreti Isai a.s pa që aty gjendeshin vetëm dy kulaçë. Ai e pyeti shoqëruesin e tij:”Ku është kulaçi i tretë?”
Shoqëruesi iu përgjigj:”Nuk e di pasha Zotin.”
Profeti Isa a.s nuk foli dhe pasi hëngrën ato që kishin, vazhduan rrugën. Teksa ecnin në këmbë, u doli para një i verbër. Isai a.s i fërkoi sytë të verbrit dhe menjëherë iu kthye shikimi. Mandej, u kthye nga shoqëruesi i tij dhe i tha:”Për hatër të Atij që ia ktheu shikimin këtij të verbri, ku është kulaç i i tretë?”
Burri i tha:”Pasha Zotin nuk e di.”
Isai a.s nuk foli sërish dhe vazhdoi rrugën derisa mbërritën tek brigjet e një lumi të rrjedhshëm dhe të madh.
“Si do të kalojmë matanë?” pyeti gjithë habi shoqëruesi.
Hazreti Isai a.s i tha:”Thuaj “Bismilah” dhe më ndiq mua nga pas!”
Të dy vazhduan rrugën, duke ecur mbi ujë. Shoqëruesi u mrekullua nga fakti që po ecte mbi ujë dhe herë pas here pëshpëriste me vete:”I pa të meta je o Zot!”
Pasi dolën në bregun tjetër, profeti Isa a.s i tha shoqëruesit të tij:”Për hatër të Zotit i cili na mundësoi të ecim mbi ujë, ku është kulaçi i tretë?”
Ai u përgjigj:”Pasha Zotin nuk di gjë, në torbë ishin vetëm dy.”
Profeti Isa a.s nuk komentoi, por vazhdoi rrugën. Pasi kishin ecur kushedi sa, qëndruan në një vend për të pushuar. Hazreti Isai a.s kapi një lepur të gjallë, e theri dhe e poqi në prush. Të dy hëngrën e u ngopën. Para se të largohen, Isai a.s i mblodhi kockat e lepurit dhe u tha:”Me urdhër të Zotit, bëhuni sërish siç ishit!” dhe në çast, u bënë sërish lepur. Shoqëruesi mbeti pa fjalë.
Isai a.s iu drejtua dhe i tha:”Për hatër të Zotit i cili ta mundësoi shohësh këtë mrekulli, ku është kulaçi i tretë?”
Ai u përgjigj:”Pasha Zotin nuk di gjë, në torbë ishin vetëm dy.”
Pak më vonë, Isai a.s u ndal tek një ranishte dhe bëri tre grumbulla me rërë. Mandej, u tha:”Me leje të Zotit, bëhuni flori!” dhe në çast, tre grumbullat me rërë u shndërruan në flori.
Shoqëruesi e pyeti Isain a.s:”I pa të meta është Zoti. Të kujt janë këto tani?”
Isai a.s iu përgjigj:”Njëri grumbull është i imi, kurse tjetri i yti.”
Shoqëruesi e pyeti:”Po i treti?!”
Isai a.s i tha:”Të tretin do e marrë ai që hëngri kulaçin e tretë.”
Menjëherë, shoqëruesi u përgjigj:”Unë e kam ngrënë!”
Isai a.s i tha:”Merri të treja ti!” pastaj u ngrit dhe u largua, duke e lënë vetëm shoqëruesin e tij, i cili u krodh sipër floririt sikur donte ta përpijë.
I mrekulluar dhe i ekzaltuar nga fakti që posedonte gjithë atë sasi floriri, burri qëndroi një farë kohe krejt i vetëm dhe i shastisur. Në një moment, e befasojnë tre kalorës të armatosur gjer në dhëmbë. Me të parë floririn, zbritën nga kuajt dhe e hoqën qafe lakmitarin e shkretë.
Tashmë, floriri do të ndahej tresh mes tyre, duke marrë secili nga një grumbull. Por... shejtani nuk i la rehat as këta, duke u hedhur lloj-lloj mendimesh të mbrapshta. Njëri prej tyre, iu afrua atij me të cilin kishte më shumë muhabet dhe i pëshpëriti në vesh:”Përse të mos e ndajmë dysh floririn, vetëm unë e ti?”
“Ide shumë e bukur” ia priti tjetri.
Mandej, i thanë shokut tjetër:”A shkon e na blen pak ushqim tek ky fshati këtu pranë? Është kohë dreke dhe uria po bën punën e saj.”
Ai pranoi, i hipi kalit dhe u nis si rrufeja. Gjatë rrugës, iu afrua shejtani dhe i tha në vesh:”Përse nuk i heq qafe këta të dy dhe ta mbash të gjithë floririn për vete? Ide shumë e bukur apo jo.”
Pasi bleu ushqimet e nevojshme, ai futi një sasi helmi të mjaftueshme për ti shembur përtokë dy kalorësit e tjerë. Sigurisht, nuk ia kishte idenë e komplotit të dy shokëve të tij.
Me tu kthyer, dy shokët e pritën me shpatat gati, duke e vrarë menjëherë. Mandej, ata u ulën të drekojnë, por që me të futur kafshatat e parë, u bllokuan dhe vdiqën të dy.
Pak më vonë, aty pranë kaloi hazreti Isai a.s bashkë me shokët e tij. Ata i panë katër të vrarët dhe tre grumbullat me flori. Isai a.s, duke bërë me gisht nga kufomat dhe floriri, u tha:”Kjo është dynjaja! Prandaj, nxirrni mësim dhe mos rendni verbërisht pas saj!”
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free