PARAPËRGATITJA PËR 7 GJËRA TË RËNDA
Profeti Muhamed (a.s) ka thënë në një hadith të saktë: “Paraprijini më punë të mira 7 gjërave të vështira: a prisni një varfëri e cila ju bë të harroni çdo gjë, a prisni një pasuri që ju bën mendjemëdhenj, a prisni një sëmundje, që jua prish planet, a prisni një pleqëri që ua shkatërron forcat, a prisni vdekjen që ua mbyll të gjitha dyert, a prisni Dexhallin që është sprova më e keqe, a prisni Kijametin që është më i dhimbshmi dhe më i hidhuri se të gjitha këtoLe të ndalemi tani ku jemi, në këtë moshë, në këtë ditë. Po të kthejmë kokën pas, kemi lënë një pjesë të jetës tonë e ajo është e kaluara. Nëse do të mendojmë për të kaluarën, do të na kapte frika, sepse e kaluara në faqet e saj ka gjynahet, mangësitë gabimet e të fshehtat tona. Ne mund t`i kemi kaluar, por e kaluara jonë nuk i ka harruar. Ato janë regjistruar të gjitha e një ditë do të dalin para Zotit e para syve tanë. Prandaj e kaluara të bën të trembesh e të frikësohesh.
Hidhi sytë përpara. Aty është e ardhmja jote, por edhe ajo na frikëson. E ardhmja është ajo, që ka në barkun e saj shumë surpriza, të cilat nuk i dimë. Ajo mbart kaderin e Zotit, të cilin nuk e dimë. Shikoji njerëzit përreth teje. Ishin pasanikë, bëhen të varfër, ishin të gjallë tani vdiqën, ishin shëndoshë e mirë, tani u sëmurën, ishin të lumtur e të gëzuar e tani u mërzitën. A mos vallë ne jemi të garantuar, që nuk na ndodh diçka e tillë?! Prandaj mund të themi, se njeriu jeton mes dy frikash: frikës për të kaluarën e tij dhe frikës për të ardhmen e tij.
Por ne jemi besimtarë, besojmë në Zot e nuk jemi nga ata, që rrinë peng i të kaluarës dhe peng i të ardhmes. Ne themi: “O Zot! Të kaluarën tonë shikoje me mëshirën Tënde, të ardhmen tonë shikoje me mëshirën tënde dhe ne tek Ti i kemi shpresat”.
Ajo që kemi në dorë është e tashmja, prandaj profeti (a.s) na porosit, që të mos rrimë as peng i të lakuarës dhe as i të ardhmes, por të parapërgatitemi me punë të mira.
Paraprini varfërisë që ju bën të harroni – Ç`është kjo varfëri që të bën të harrosh?! Po. Varfëria mund të arrijë deri në atë shkallë, sa të bën të harrosh Zotin, adhurimin, sevapin, sepse mendjen e ke tek kafshata e bukës. Fukarallëku t`i mbulon sytë dhe nuk të le të mendosh për asgjë tjetër. Prandaj profeti lutej duke thënë: “O Zot më ruaj nga kufri dhe nga varfëria
Paraprini pasurisë që ju bën mendjemëdhenj – Të gjithë lutemi për pasuri. A mund të vijë një ditë, që pasi të pasurohemi, të harrojmë Zotin? Po, madje pjesa më e madhe e atyre që bëhen të pasur, e harrojnë Zotin. Ka pasur shumë njerëz të mirë e besimtarë, të cilët kur u pasuruan, u bënë mendjemëdhenj dhe thanë: “Këtë e fituam me djersën e ballit”. Një prej këtyre është Karuni. Ai ka qenë besimtar dhe shok i Musait (a.s), por Zoti e sprovoi me pasuri dhe ai u bë mendjemadh. Pas kësaj ai pati një fund të frikshëm. E mira është të themi: “O Zot na jep një pasuri, që s`na bën mendjemëdhenj”. Prandaj mos u mërzit kur bën një jetë normale, sepse mund të të sprovojë Zoti me një pasuri, e cila të devijon nga rruga e drejtë.
Paraprijini sëmundjes, e cila ua prish të gjitha planet – Pak e shfrytëzojmë shëndetin tonë. Gjithmonë themi: “Do ta bëj nesër, do ta rregulloj nesër”. Por e nesërmja nuk është në dorën tonë, ajo është në dorën e Zotit. Kështu kur zgjohemi të nesërmen e shohim veten të sëmurë dhe të pamundur. Shumë njerëz kur i pyet “Pse nuk falesh”, të përgjigjen: “Vallahi nuk e mbaj dot abdesin, nuk rri dot në këmbë”. Kur i thua: “Pse nuk agjëron”, ta kthen: “Jam me diabet, jam sëmurë etj”. Shkurt nxjerr 1001 arsye. Mund të jetë i sinqertë në atë që thotë, por nuk i ka paraprirë sëmundjes, ka pritur ditën që është sëmurur dhe pastaj ka thënë: “O Zot unë nuk kam mundësi”. Ndërsa ai që punon kur është i shëndoshë, Zoti ia shkruan për sevap edhe pamundësinë në rast sëmundjeje.
Paraprijini pleqërisë, e cila ju shkatërron – Çfarë të shkatërron pleqëria? Ajo t`i shkatërron forcat, planet, dëshirat. Teorikisht e dimë të gjithë se një ditë do të bëhemi pleq, por vetëm ata që fillojnë e bëhen pleq, e kuptojnë sesa e vështirë është pleqëria. Atëherë kur këmba s`të bindet, kur dora nuk punon, atëherë ku sëmundjet i lënë radhën njëra – tjetrës, njeriu e kupton që është plakur.
Paraprijini vdekjes, që ua mbyll të gjitha dyert – Vdekja është ajo, që nuk të le as të mendosh, as të flasësh e as të shpresosh. Imagjinoje një kufomë përpara teje. Atij nuk i lëvizin as buzët, as sytë, asgjë. Po ta pyesnim se ç`dëshirë ka, ai do të thoshte: “O Zot më kthe edhe njëherë në dynja të bëj punë të mira. Kurrsesi, ajo është vetëm një fjalë goje që ai e thotë...
Paraprjini Dexhallit, i cili që është sprova më e keqe – Ajo ndodh kur përhapet sprova, kur e keqja sundon nga të katër anët, kur besimtarët janë të dobët, kur njerëzit dobësohen menjëherë para tij. I lutemi Zotit të mos na sprovojë me atë kohë, por nëse na sprovon, të na bëjë të fortë e të qëndrueshëm. Në kohën e Dexhallit vetëm pak njerëz rezistojnë. Një prej tyre është një djalë i ri, të cilit Dexhalli i thotë: “Besomë mua për zot”, ndërsa djali i thotë: “Ti nuk je zot. Ti je mashtruesi, për të cilin na ka paralajmëruar profeti Muhamed (a.s)”. Atëherë Dexhalli e vret atë dhe e ndan në dy pjesë. Pastaj e ringjall (me lejen e Allahut) dhe i thotë: “Po tani a beson se jam zoti” Djali thotë: “Tani u binda edhe më shumë, se ti je Dexhalli”. Këta janë njerëz të rrallë. Prandaj punoni o njerëz.
Paraprijini Kijametit, i cili është më i rëndë se të gjitha të tjerat – Nëse bie një tërmet 7-8 ballësh, njerëzit tmerrohen. Askush nuk mendon për pasurinë, për shtëpinë, madje as për fëmijën e tij. Të gjithë vrapojnë si të tmerruar, sepse dalin jashtë kontrollit. Ndërsa Kijameti është ai, për të cilin Zoti thotë: “Kur të bëhet Kijameti, nëna e hedh atë që ka për gjiri, shtatzëna e nxjerr foshnjën e saj, njerëzit duken si të dehur, por në realitet ata nuk janë të dehur, por dënimi i Allahut është shumë i ashpërAtë ditë të rinjtë bëhen pleq
Jetojmë në ato ditë, kur ka vetëm lajme nga mëngjesi deri në darkë. Çdo lajm është më i çuditshëm se tjetri dhe po t`i bësh një llogari vetes tënde, del në përfundimin se ti ke harruar veten tënde, duke parë lajmet e të tjerëve. Jetojmë në atë kohë, kur ka fushata njëra pas tjetrës, luftëra njëra pas tjetrës e probleme njëri pas tjetrit dhe ne harrojmë veten tonë, harrojmë të bëjmë disa punë të vogla, por që tek Zoti kanë shpërblim shumë të madh. Pikërisht për këtë fliste hadithi i profetit (a.s). Pra shfrytëzoje kohën përpara se të të ikë nga duart, shfrytëzoje fjalën përpara se të të ikë fryma. T`i lutesh Zotit është diçka shumë e mirë, por ka një lutje që quhet zotëria i istigfarit, mënyra më e mirë më të cilën njeriu i kërkon falje Zotit. Profeti (a.s) e thoshte shpesh këtë lutje: “O Allah! Ti je Zoti im, nuk ka zot tjetër përveç Teje. Ti më krijove mua e unë jam robi Yt. Do t`i qëndroj besnik besës dhe premtimit Tënd sa të kem mundësi. O Zot më ruaj nga e keqja e vetes time. Unë vij tek Ti me mirësitë e Tua drejt meje dhe me gjynahet e mia drejt Teje, prandaj më fal mua se nuk ka zot tjetër që i fal gjynahet përveç TejeKush e thotë në mëngjes me besim dhe me zemrën plot dhe vdes para se të vijë akshami, ai njeri hyn direkt në xhenet. Ndërsa kush e thotë në darkë me besim dhe me zemrën plot dhe vdes para se të vijë mëngjesi, ai njeri hyn direkt në xhenet
Këto janë punë të vogla, por kur bëhen me besim, kanë shpërblim të madh. Prandaj Zoti na bëftë prej atyre që e dëgjojnë fjalën e mirë dhe kanë forcë ta ndjekin atë, e dëgjojnë të keqen dhe kanë forcë t`i largohen asaj.
Zotit i lutemi të na ruajë nga një varfëri që na bën të harrojmë Zotin, nga një pasuri që na bën mendjemëdhenj, nga një sëmundje që na i prish të gjitha planet, nga një pleqëri që na i shkatërron të gjitha forcat, nga një vdekje e keqe që na i mbyll të gjitha dyert. Zoti na ruajt nga sprovat e Dexhallit dhe të kohës së tij. Zoti na ruajt nga dënimi i ditës së Kijametit. Zoti na mundësoftë të bëjmë punë të mira sot sa kemi mundësi dhe na mëshiroftë, atëherë kur të mos kemi mundësi për të bërë diçka të mirë.
Zoti na bëftë prej atyre që e përmendin emrin e Tij nga mëngjesi deri në mbrëmje. Zoti mos na gjykoftë me punët tona, as me ato që ne meritojmë, por na gjykoftë me mëshirën dhe faljen e Tij, se mëshira e Tij është më e madhe se të gjithë punët tona, qofshin të mira apo të këqija.
A M I N