Urtësia e Kalit
Kali i një bujku, u rrëzua një ditë në një pus të thellë. Për fat, pusi ishte i thatë dhe pa ujë. Padyshim dhimbjet dhe plagët e rënies ishin të rënda. Teksa kali, me gjithë dhimbjet, orvatej të dalë, edhe bujku nga ana e tij, rrekej ta nxjerrë kalin e dashur nga ai pus i mallkuar. Sa më shumë orë kalonin, aq më shumë u forcohej bindja të dyve se diçka e tillë ishte e pamundur. Meqë kali ishte i vjetër dhe shpenzimet për ta nxjerrë që andej, ishin më të mëdha se shpenzimet për të blerë një kalë të ri, bujku vendosi ta braktisë. Pusi ishte i thatë dhe banorët kishin vendosur kushedi sa herë që ta mbushin atë, për të shmangur gremisjen e ndonjërit prej tyre. Menjëherë, bujku thirri fqinjët e tij dhe u kërkoi ta ndihmojnë të mbushin pusin me dhera. Kështu, do të zgjidhnin njëherazi dy probleme, mbushjen e pusit dhe groposjen e kalit. Të gjithë filluan të hedhin dhera e mbeturina me lopata drejt grykës së pusit. Fillimisht, kali e kuptoi çfarë e priste, prandaj filloi të hingëllijë e përplasë këmbët. Pas pak, të gjithë u çuditën pasi pllakosi një heshtje brenda pusit. Pasi kishin hedhur një masë të madhe dherash në pus, bujku iu afrua grykës së pusit të shohë çfarë kanë bërë, por ai mbeti pa gojë nga ajo që i panë sytë. Ai pa që kali ishte angazhuar me largimin e dherave nga shpina e tij, duke u shkundur dhe dridhur sa herë i binin. Meqë dherat binin përtokë, niveli i tyre rritej e për rrjedhojë, kali i afrohej gjithnjë e më shumë grykës së pusit. Njerëzit vazhduan të hedhin dhera në pus, derisa kali iu afrua sipërfaqes së tokës dhe me një të kërcyer doli jashtë.Morali:
Shpesh herë, jeta na hedh mbi supe probleme dhe halle nga më të ndryshmet. Për ta lehtësuar veten nga këto halle dhe për të triumfuar ndaj tyre, duhet të ndjekim shembullin e kalit. Çdo problem që hasim në jetë, i ngjan një guri që na ka zënë rrugën. Prandaj, mos u shqetëso, pasi sapo mësuam si të dalim nga thellësia e pusit. Përdori problemet dhe hallet, për tu ngritur dhe lartësuar drejt objektivave të tu në jetë.
Historia e kalit, na përmbledh gjashtë rregullat e lumturisë, të cilat janë:
Boshatise zemrën nga shqetësimet
Boshatise mendjen nga stresi dhe ankthi
Bëj një jetë të thjeshtë
Bëj mirë, por mos harro se fatkeqësitë janë pjesë e kësaj jete.
Përgatitu që të shpërblehesh dhe të marrësh më pak seç meriton
Mbështetu tek Zoti dhe ji i sigurt në drejtësinë e Tij